Gëzim Saliu
Batutat, Rama: Votoni Tushen se po ia kalon Divjaka e Braçes. Çuko: Kryeministrit ia ka mbledhur gruaja. Ruçi: Ne të majtëve gjithmonë na bie trari nga pjesa e trashë
Nga qyteti i Lushnjës ku prezantoi kandidatin e mazhorancës për këtë Bashki, kreun aktual të saj Fatos Tushe, Kryeministri Rama nuk ngurroi t’i cilësonte kandidatët e së djathtës në këto zgjedhjes si papagaj. Duke iu referuar akuzave të opozitës, sipas së cilave Rama po kërcënon qytetarët se po nuk votuan kandidatët e majtë nuk do kenë as ujë dhe as bukë, Kryeministri tha se kandidatët e PD-së, nëse fitojnë në bashkitë ku garojnë, do të dinë vetëm të ankohen se po i bllokon qeveria në punët e tyre. “Sot çojnë kandidatë për të marrë vota, për të drejtuar bashkitë. Këta, që më të mirin kanë njërin që ishte kryetar bashkie në Tiranë për katër vjet dhe që Tirana nuk do ta mbajë dot mend për asgjë, se nuk bëri as edhe një gjë, tani thonë votoni kandidatët tanë. Të votoni një kandidat që kanë sjellë këtu?! Unë s’e njoh fare dhe s’dua ta njoh fare. Për çfarë ta votoni? Që të dalë këtu tek sheshi dhe të thotë poshtë qeveria, na bllokon qeveria, se atë do thotë. Si papagalli në Tiranë, si papagalli në Lushnjë, të njëjtën këngë do bëjnë. Si papagalli në SHQUP, si papagalli këtu, njësoj. Pastaj ankohet SHQUP-i, u ankohet të huajve, Kryeministri po i kërcënon që po votuat kandidatët e PD-së s’ka ujë, s’ka bukë. Jo! Nuk po kërcënoj asnjeri unë. Kemi nevojë që në çdo bashki të kemi një ‘ministër’ në territor, jo një përfaqësues të SHQUP-it, që të bëjë konferenca SHQU-i këtu, kundër qeverisë. Na duhen kryetarë bashkish që ditë-natë të punojnë bashkë me ne”, – tha Rama. Nga ana tjetër, duke iu përgjigjur edhe zërave kritikë ndaj kandidaturës së Tushes në Lushnjë, kreu i qeverisë theksoi se vetëm në 18 muaj mund të shihen rezultatet e punës së tij. “Kam dëgjuar njerëz që thonë se çfarë bëri Fatosi në katër vjet. Si katër vjet? Ku janë katër vjet? Fatos Tushe dhe të gjithë kryetarët e bashkive kanë qenë në rrethim. Bashkitë e drejtuara nga socialistët janë parë si kështjella të armikut, që duheshin rrënuar me çdo kusht. Rrethim, njësoj si barbarët rrethojnë një qytet. Ashtu i rrethoi Saliu bashkitë, duke mos u dhënë asnjë kokërr leku për investime, duke i përzier në 1001 histori ngatërresash burokratike”, – deklaroi Rama.
Batutat
Ndërkaq, takimi në Lushnjë ka qenë i mbushur me batuta si nga ana e Ramës, ashtu edhe nga deputetët socialistë që shoqëronin kreun e qeverisë në këtë takim prezantues të kandidatit të majtë. “Erjoni është i shkurtër, por ne të gjatët s’kemi ku e kapim. Duhet të votoni Tushen edhe për arsyen se po jua kalon Divjaka”, – tha me humor Rama. Ndërkohë, duke marrë shkas nga një batutë e deputetit Çuko, i cili pohoi kryeministrit ia ka mbledhur gruaja, Rama iu përgjigj: “Arben, thuaj ç’të duash por tani kërko ndjesë për atë që the nga nxitimi. Arbeni, është një burrë trim, por s’mund të jetë kundër bashkëjetesës demokratike mes burrit dhe gruas”. Por, Çuko nga ana tjetër ka vijuar batutat, duke thënë se kryeministri, ashtu si edhe atij vetë, ia ka mbledhur gruaja. “Jam i kënaqur që Kryeministrit ia ka mbledhur gruaja. Edhe mua dhe Fatos Tushes ia ka mbledhur gruaja. Këtu te ne thuhet që burri është nga fshati i gruas së vet”, – theksoi Çuko.
Ruci i përgjigjet Blushit: S’jemi për debat me publicistë, polemistë dhe inatçorë
Kreu i grupit parlamentarë të PS-së Gramoz Ruçi dje për herë të parë ka replikuar në distancë edhe me deputetin socialist Ben Blushi, i cili javët e fundit, nga foltorja e Parlamentit apo nëpërmjet editorialeve në shtypin e shkruar, ka prodhuar kritika të forta për mënyrën e qeverisjes. “Ata që na kundërshtojnë ne, nuk lënë ditë të enjte dhe çdo ditë tjetër pa hedhur baltë. Siç thotë Betimi i Portokallisë, kanë molën brenda. Nuk jemi për të debatuar me publicistë, ne jemi për të debatuar me politikanë. U bëj thirrje kundërshtarëve tanë t’i kthehen politikës. Nëse keni vizion për reformat në Shqipëri, ejani të debatojmë. Ne jemi për t’u ballafaquar me ata që janë konstruktivë dhe jo me inatçorët”, tha Ruçi. Nga ana tjetër, ai theksoi në fjalën e tij se,: “Ne progresistëve të majtë gjithmonë na ka rënë trari nga pjesa e trashë. Kështu na ndodhi në 2007 dhe në 2013. Kështu në këto 18 muaj janë bërë reforma sa nuk janë bërë në 20 vite rresht”.
Shoqërohet nga 120 persona/ Presidenti i Turqisë Erdogan vjen sot në Tiranë, takon Nishanin, Ramën e Metën
Ditën e sotme pritet të mbërrijë për një vizitë zyrtare në Tiranë Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdoan. Kreu i shtetit turk pritet të ketë takime me autoritetet me të larta në vend, ku axhenda e tij nis me takimin me homologun Bujar Nishani, në orën 11:30, ndërsa në orën 13:40 pritet konferenca e përbashkët për shtyp e dy presidentëve. Në orën 14:00 Erdogan do të takohet me Kryeministrin e vendit, Edi Rama e ndërsa axhenda e Presidentit turk përmbyllet me takimin me Kryeparlamentarin Ilir Meta, në orën 16:30. Presidenti i Turqisë shoqërohet nga një delegacion rekord prej 120 personash.
Komisioni i Jashtëm/ PS: Presidenti të dekretojë urgjent ambasadorin në Maqedoni. PD: Faj i Ministrisë së Jashtme
Mazhoranca ripërsëriti dje thirrjen ndaj Presidentit të vendit për të dekretuar urgjentisht ambasadorin në Shkup, duke pasur parasysh së fundmi dhe situatën në të cilën ndodhen shqiptarët pas ngjarjes në Kumanovë. Kryetarja e Komisionit të Jashtëm, Arta Dade, theksoi në mbledhje se kandidatura e propozuar vjen nga radhët e diplomacisë. “Besoj që duke rivlerësuar situatën, presidenti do ta rishikojë vendimin e tij për të mos e dekretuar ambasadorin tonë atje, aq më tepër që kandidatura e ambasadorit Reka vjen nga sistemi i diplomacisë”, – theksoi deputetja socialiste. Ndërkaq ish-ministri i Jashtëm, deputeti demokrat Aldo Bumçi, megjithëse ishte dakord me shqetësimin për ambasadorët, përgjegjësinë ja la Ministrisë së Jashtme që sipas tij nuk konsultohet me Presidentin. “Ndaj të njëjtin shqetësim me kryetaren e komisionit në lidhje me mungesën e përfaqësimit në nivel ambasadori, por dëshiroj të saktësoj që kjo është një situatë e krijuar nga mungesa e bashkëpunimit, nga Ministria e Jashtme pasi nuk janë zhvilluar konsultime me presidentin, siç e kërkon ligji i shërbimit diplomatik për emërimin e ambasadorëve. Dhe në mungesë të këtij konsultimi, kësaj tradite 20-vjeçare, ka ardhur dhe ky moment ku ne përfaqësojnë në nivel ambasadori. Shpresoj që ngjarjet në Maqedoni të detyrojnë Ministrinë e Jashtme të ndryshojë sjellje”, – tha Bumçi.
Batutat pa mikrofon në Komision/ Islami, Blushit: Po të dalin parashikimet. Bumçi, Spahiut: Sillni çantat për zgjedhje ju të LSI-së
Mbledhja e Komisionit të Jashtëm u shoqërua dje me batuta mes deputetëve të mazhorancës dhe atyre të opozitës. Në kohën kur po diskutohej granti për by-pass-in e Vlorës, deputeti demokrat duke biseduar pa mikrofon me Blushin i pohoi këtij të fundit se parashikimet e tij janë duke dalë. Shpeshherë Blushi dhe Islami, të dy anëtarë të Komisionit të Jashtëm dhe ish-pjesëtarë të LMN-së, diskutojnë së bashku, por nuk e dimë nëse deputeti i PD-së i referohej shkrimit të fundit të Blushit për situatën në Maqedoni apo për komentet e mëparshme kritike ndaj qeverisë. Ndërkaq, në dalje nga mbledhja, deputeti i LSI-së Përparim Spahiu replikoi me Islamin lidhur me mos dekretimin e ambasadorit në Maqedoni, ndërsa demokrati Aldo Bumçi nuk ngurroi të thumbonte kolegun e tij të partisë së drejtuar nga Meta. “Jemi në avantazh në disa bashki, në Lezhë nëse do bëheshin tani zgjedhjet do dilnim 70 me 30 për ne. Por duhet të marrim masa se vijnë këta të LSI-së (i drejtohet Spahiut) me çantat… po nuk blihen më njerëzit, u ka ardhur në majë të hundës”, – pohoi Bumçi duke dalë nga salla e mbledhjes së Komisionit të Jashtëm.




