Trupi i një 21-vjeçari shqiptar u gjet i djegur dy ditë më parë në një zonë të pabanuar
në periferi të qytetit grek, Larisa. Sipas njoftimit të policisë vendase, të cilët nuk bëjnë publik emrin e viktimës, ai është qëlluar fillimisht me plumba nga një distancë e afërt, e më pas trupi i tij është djegur për të fshirë gjurmët. Kjo gjë rrit dyshimet se ekzekutimi ka ndodhur në një vend të ndryshëm nga ai ku u gjet trupi. Detaje të mëtejshme për mënyrën se si është ekzekutuar i riu shqiptar pritet të dalin nga autopsia që do të zhvillohet në vijim, ndërsa nuk ka ende një pistë zyrtare për shkaqet e kësaj vrasjeje, që dyshohet të jetë kryer nga më shumë se një person. 21-vjeçari, i cili ishte banues i rregullt në Larisa, kishte humbur kontaktet me familjen që ditën e premte, e cila bëri edhe denoncimin duke nxitur kështu edhe kërkimet e policisë greke. Trupi i karbonizuar u gjet nga një bari i zonës të shtunën, i cili njoftoi edhe policinë. Autoritet po vazhdojnë të hetojnë, por nuk kanë dhënë detaje të tjera në lidhje me viktimën, nëse kishte apo jo problem të mëparshme me drejtësinë apo jo.




