Protesta kombëtare e studentëve/ Dy sindikata të arsimit bashkohen në tubimin e nesërm: Në orën 11:00 para Kryeministrisë, më pas te Ministria e Arsimit

Protesta kombëtare e studentëve/ Dy sindikata të arsimit bashkohen në tubimin e nesërm: Në orën 11:00 para Kryeministrisë, më pas te Ministria e Arsimit

Mbështetja për protestën kombëtare të studentëve, e paralajmëruar për të shtunën, më 24 tetor, po zgjerohet edhe në radhët e sindikatave të arsimit. Pas Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë (SPASH), edhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit Shqiptar (SBASH) ka njoftuar se do t’i bashkohet protestës, duke shprehur solidaritet me studentët dhe punonjësit e arsimit të lartë.

Përmes një njoftimi publik, SBASH ka konfirmuar pjesëmarrjen në protestën kombëtare të studentëve, duke theksuar se kjo mbështetje jepet në solidaritet me Sindikatën e Punonjësve të Arsimit të Lartë.

SBASH i bashkohet protestës kombëtare të studentëve, duke u solidarizuar me Sindikatën e Punonjësve të Arsimit të Lartë, ditën e shtunë, 24 tetor”, thuhet në njoftimin e sindikatës.

Në mesazhin e saj, SBASH thekson se angazhimi bëhet në emër të një sistemi arsimor më të drejtë dhe më dinjitoz, duke përdorur sloganin: “Për një arsim më të drejtë, më të dinjitetshëm

Ndërkohë, edhe Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) ka konfirmuar se do të jetë pjesë e tubimit të së shtunës, duke qëndruar në krah të nxënësve, studentëve dhe pedagogëve.

Sipas deklaratës së SPASH, përfaqësuesit e saj do të marrin pjesë fillimisht në protestën që nis në orën 11:00 përballë Kryeministrisë, ndërsa në orën 14:00 do t’u bashkohen studentëve pranë Ministrisë së Arsimit.

SPASH thekson se zëri i komunitetit arsimor duhet dëgjuar dhe respektuar, ndërsa shpreh mbështetjen për përpjekjet që synojnë përmirësimin e arsimit dhe garantimin e një të ardhmeje më të mirë për brezat e rinj.

Bashkimi i dy sindikatave me protestën shënon zgjerimin e mbështetjes së organizuar nga komuniteti arsimor për lëvizjen studentore, në një kohë kur të rinjtë vijojnë protestat dhe kërkojnë ndryshime në vend.

Deklarata e plotë e SPASH:

Në mbështetje të Protestës së Studentëve – 24 Tetor 2026, ora 11:00, përballë Kryeministrisë

Sindikata e Pavarur e Arsimit të Shqipërisë (SPASH) shpreh mbështetjen dhe solidaritetin e saj për protestën e së shtunës, duke qëndruar në krah të nxënësve, studentëve dhe pedagogëve në mbrojtje të të drejtave të tyre.

SPASH beson se zëri i komunitetit arsimor duhet dëgjuar dhe respektuar. Ne jemi përkrah çdo përpjekjeje që synon përmirësimin e arsimit, dinjitetin dhe të ardhmen e brezave të rinj.

SPASH do të jetë pjesë e protestës së datës 24 tetor 2026, duke nisur në orën 11:00, përballë Kryeministrisë. Më pas, në orën 14:00, do t’u bashkohemi studentëve pranë Ministrisë së Arsimit, në shenjë solidariteti dhe mbështetjeje për kërkesat e tyre.

Solidaritet me nxënësit, studentët dhe pedagogët!

Share it :