Gëzim Saliu
Kreu i PD-së: Rama dhe Meta kanë të drejtë për rrugën e duhur, pasi pasuritë e tyre shtohen ditë për ditë
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, deklaroi dje në Kukës se eksodi i madh i shqiptarëve drejt vendeve të BE-së erdhi për shkak të keqqeverisjes dhe politikave të ashpra të ndjekura nga Kryeministri Rama. Në prezantimin e kandidatit për kryetar të Bashkisë së Kukësit, Bashkim Shehu, Basha u ndal veçanërisht te situata e rëndë ekonomike, duke theksuar se qeveria solli mjerimin, varfërinë dhe papunësinë në vend. “Kujt i thotë ky me demek kryeministër, se situatën e gjeti kështu? Në Kukës ai prodhoi mjerimin, në Kukës ai ngriti krimin dhe korrupsionin monument, në Kukës ai shkaktoi eksodin më të egër në 25 vite. Me mijëra familje nuk i kemi më mes nesh, sepse kjo qeveri e pashpirt nuk u la asnjë rrugë, shteg, asnjë mundësi tjetër përveç largimit nga shtëpitë e tyre, i nisi me rrobat në shpinë, me fëmijët e vegjël në duar e krahë drejt kurbetit. Kjo është vepra, mynxyra e zezë e keqqeverisjes së Edi Ramës e Ilir Metës”, – tha Basha.
Takimi
Në takimin me qytetarët e shumtë të Kukësit, kryedemokrati tha se bashkimi i shqiptarëve në 21 qershor do të mundësojë kthimin e shpresës për qytetarët dhe largimin e së keqes. “Zgjidhja, miqtë e mi është bashkimi, bashkimi me votë i kuksianëve dhe shqiptarëve në 21 qershor, bashkimi kundër papunësisë, kundër padrejtësisë, kundër kërbaçit në dorën e qeverisë dhe lakut në fyt në familjet kuksiane dhe të Shqipërisë. Me votën tuaj në 21 qershor, ne kemi në dorë t’ua heqim njëherë e përgjithmonë kërbaçin nga dora këtyre bashibozukëve dhe jam i sigurt se do ua heqim. Ne kemi në dorë të heqim lakun nga fyti i familjeve të pamundura e ta vendosim atë në qafën e qeverisë së pashpirt Rama-Meta, për ta rrëzuar, për ta përmbysur me votën popullore, me votën tuaj”, – deklaroi lideri i opozitës. Sipas Bashës, kurrë më parë nuk ka ekzistuar një qeveria kaq e papërgjegjshme, kaq e paaftë dhe kaq e pashpirt për t’iu përgjigjur kërkesave elementare të shoqërisë dhe popullit të saj. “Puna, mirëqenia, zhvillimi janë e duhet të jenë parafjala e çdo qeverie por kjo qeveri ka të tjera kryefjalë, ka kërbaçin për të pamundurit, ka gënjeshtrën dhe pabesinë për votuesit e saj, të cilëve u premtoi ulje të çmimit të energjisë, ndërkohë që e ngriti atë, të cilëve u premtoi ulje të çmimit të karburantit por e çoi në stratosferë, të cilëve u premtoi taksa të ulëta për 97% të shqiptarëve, kur sot 100% e shqiptarëve paguajnë më shumë taksa. Edi Rama dhe Ilir Meta thonë se jemi në rrugën e duhur dhe unë i besoj se ata janë në rrugën e duhur për veten pasi pasuritë e tyre shtohen ditë për ditë”, – theksoi ai. Në fund të deklaratës së tij në takimin prezantues së kandidatit të djathtë për bashkinë e Kukësit, Basha dha edhe një mesazh për kryeministrin Rama dhe kreun e Kuvendit Ilir Meta. Pavarësisht sa lekë nga paratë e shqiptarëve kanë futur në xhepat e tyre, këto dy vjet nuk do të mund të blejnë votën dhe shpirtin e qytetarëve që sot i kanë zhytur në varfëri. Mashtrimi i premtimeve të tyre u doli boja”, deklaroi kreu i PD-së.
Me banorët e Petrelës dhe Farkës/ Kosova: Do shërbej pa dallime, transparencë absolute për fondet dhe administrimin e tyre
Kandidati për kryetar Bashkie në Tiranë, Halim Kosova, u takua dje me banorët e Farkës e Petrelës, ku dëgjoi shqetësimet e tyre për varfërinë, papunësinë dhe pamundësinë e tyre për të shitur produktin e tyre. Kosova u angazhua se do të vërë në jetë projekte që do të bëjnë të mundur financimin e fermerëve dhe krijimin e pikave të grumbullimit ose tregjeve në Tiranë për produktin e tyre. Në këtë kontekst, kandidati i opozitës u tha banorëve se ai do tú shërbejë, pa asnjë dallim, siç ka bërë gjatë gjithë karrierës së tij, pa i pyetur njerëzit që kishin nevojë se kujt i përkisnin dhe nga vinin. Gjithashtu ai premtoi se do të ketë transparencë absolute në Bashki për fondet dhe administrimin e tyre. “Komunikimin që kam pasur me pacientin do ta kem me qytetarin. Do të ketë një sistem të përsosur, që çdo njeri që nuk gjen një zgjidhje aty ku banon dhe ka një sugjerim të ketë mundësi të ma sjellë mua. E dyta, mënyra më transparente e mundshme e fondeve”, – tha Kosova. Në takimin e zhvilluar në Petrelë ishin të pranishëm edhe qytetarë që kanë mbështetur Partinë Socialiste, por që deklaruan se ishin të zhgënjyer. “Siç e dinë të gjithë këtu, unë kam qenë një socialist i tmerrshëm por e pash që çdo gjë mori shumë keq, ta themi keq fare”, – u shpreh një banor. “Edhe socialistëve u ka ardhur në majë të hundës. I kane njerëzit pa punë”, tha një banor tjetër. Në zonën e Farkës, banorët theksuan se kanë nevojë për një mënyrë të organizuar për tregtimin e prodhimeve të tyre. “Unë them që ka ardhur koha të marrë fund një herë e mirë që me dy pagure qumësht të ikësh nëpër rrugët e Tiranës e të shesësh qumësht. Ka ardhur koha që duhet me mendu që punëtorit ti krijohet një mënyrë për grumbullimin e mallit. 3 mijë lekë bën qumështi, 2 mijë lekë autobusi, me ardh me 1 mijë lekë ke fëmijët i bie”, – pohoi një banor. Ndërkaq në Lundër pati ankesa se prej dy vitesh nuk marrin subvencion për bujqësinë. “Deri para dy vjetësh në bujqësi kemi marrë grande. U bënë gati 2 vjet që ne nuk po shohim më asnjë”, – theksoi një banor.
Ngërçi/ Presidenti sfidon sërish mazhorancën, shpall listën e konkurruesve për Gjykatën e Lartë
Presidenti i Republikës, Bujar Nishani, shpalli dje listën e konkurruesve, të cilët plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtarë të Gjykatës së Lartë. Presidenti e rihapi procesin e kandidaturave për të plotësuar vendet vakante në Gjykatën e Lartë, pasi mazhoranca i ka rrëzuar të gjitha kandidaturat e propozuara prej tij që nga viti 2013. Sipas të majtëve, kandidaturat e kreut të shtetit janë zgjedhur pa u zhvilluar më parë konsultimi me shumicën parlamentare. Lista e konkuruesve që plotësojnë kushtet ligjore si kandidatë për anëtar të Gjykatës së Lartë dhe që vijnë nga radhët e gjyqësorit janë: Anila Kristani, Artur Malaj, Astrit Kalaja, Bledar Abdullai, Dhurata Bilo, Luan Hasneziri dhe Rexhep Bekteshi. Ndërkohë, kandidatët që vijnë nga radhët e juristëve janë: Ervin Pupe, Fatmira Luli, Gëzim Allaraj, Gjet Kola, Ilir Panda, Luan Daci, Natasha Mulaj dhe Sokol Sadushi.




