Në Berat/ Rama: PD si një çetë në drejtim të paditur, kanë dëshpërimin se janë në rrugën e humbjes

Gëzim Saliu

Edi Rama ne roskovecDuhet të zgjidhni përballë drejtimit të paditur të PD-së dhe drejtimit të duhur të ASHE-së, Nasipi me tha se 23 dhe 47 bëjnë 70 dhe kaq do të jetë përqindja e kandidatit tonë në Berat

Kryeministri i vendit dhe njëkohësisht kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, u ndal dje në Berat në kuadër të takimeve elektorale për zgjedhjet vendore ku akuzoi Partinë Demokratike se është kthyer në një çetë në drejtim të paditur. “Për të realizuar një për një këtë program unë do jem në krah të Petritit për të adresuar çdo problem dhe për të gjetur zgjidhjen më të mirë. Motra dhe vëllezër deputeti i Beratit, miku im Nasip Naço bëri një llogari dhe tha 23 dhe 47 bëjnë 70 dhe aq do jetë edhe përqindja e mbështetjes që do marrë Petriti. Unë jam i shqetësuar për 30% tjetër, për demokratët anëtarët dhe simpatizantët e një partie që lindi si forca e madhe e shpresë dhe sot është një çetë në drejtim të paditur”, – deklaroi ai. Më tej, kreu i qeverisë e cilësoi fushatën e PD-së si pa lidhje me zgjedhjet lokale që do zhvillohen në 21 qershor. “Fushata e tyre tregon një përrallë nga e kaluar që shqiptarët e lanë pas në 23 qershor. Tregon një përrallë ku flitet për drita pothuajse qyl për të gjithë taksat më të ulëta në botë dhe rritje të pensioneve. Ta zamë se fiton kandidati i tyre kush do i risi pensionet Kasua? Kjo është një tallje e madhe që shpreh një dëshpërim të madh. Dëshpërimin e humbjes, të atyre që janë të vendosur në rrugën e humbjes dhe shkojnë nga humbja në humbje pa e kuptuar që nuk ka asnjë mundësi që ti marrin shqiptarët për aq budallenj sa të besojnë që rrota e historisë do kthehet mbrapa. 21 qershori nuk ka lidhje me përrallë nga e kaluara të PD por me çfarë do ndodhë. Përballë këtyre dy drejtimeve, përballë drejtimit të pa ditur të PD dhe drejtimit të duhur të ASHE i ftoj demokratët të zgjedhin drejtimin e duhur”, – u shpreh Rama.

 

Premtimet për Beratin

Duke u ndalur tek mbështetja që hasi koalicioni i majtë në Berat në zgjedhjet e 23 qershorit të dy viteve më parë, Rama tha dje se do të zhvillohen investime dhe projekte në këtë qytet për t’i dhënë atij zhvillimin e duhur. “Ne përfaqësuesit e socialistëve dhe progresistëve kemi nderin të drejtojmë sot këto dy parti, dhe këtë forcë të vetme, dhe kemi një borxh për të shlyer me këtë qytet, me këtë bashki të re, me këtë popull të jashtëzakonshëm. Ka ardhur koha që ky partneritet strategjik të mbajë përgjegjësinë historike që ka ndaj Beratit dhe ta shlyejë këtë borxh me punë në shërbimin e të gjithëve ju. Plagët e çelura në kaq shumë vite, problemet e rënduara, nuk mund të zgjidhen me një të rënë të lapsit, dhe nuk mjaftojnë 18 muaj për t’i zgjidhur ato. Por ju kemi dhënë provën se investimi juaj më 23 qershor ishte i duhuri për fuqinë e duhur. Projektet e zhvilluara në këto 18 muaj janë vetëm fillimi i një rrugëtimi të përbashkët. Siç ndrit sot ky shesh dhe pedonalja e bukur, do të shndrije pas 4 vitesh i gjithë qyteti. Investimet do të prekin çdo pjesë të bashkisë së re, nga qendra deri në fshatin më të largët”, – u shpreh Rama.

 

Miratohet ligji për legalizimin, shtyhet projektligji për amnistinë

Kuvendi i Shqipërisë votoi dje projektligjin “Për legalizimin, urbanizimin dhe integrimin e ndërtimeve pa leje pas vitit 2009”, i cili kaloi me 72 vota pro. Përmes këtij ligji bëhet i mundur legalizimi edhe për ato ndërtime që ishin ndaluar më parë me ligjin e vjetër sipas të cilit nuk lejohej të përfshiheshin në këtë proces ndërtime e bëra pas 1 janarit të vitit 2009. Një tjetër projektligj që ka marrë aprovimin e 71 deputeteve ka qenë ai “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim” për projektin e detajuar të linjës hekurudhore Durrës-Tiranë. Po ashtu deputetët kaluan me votë edhe tre projektligje të mbetura pa votuar nga java e kaluar, por lanë për seancën e radhës projektligjin “Për dhënie amnistie” lidhur me legalizimet, në mungesë të shumicës së cilësuar, pasi ai kërkonte 84 deputetë nga 72 që ishin të pranishëm.

 

Vendimi i Gjykatës së Lartë/ Topalli: Lajm i zi. Ndreu: Në telefon na thoni mos i bini më Strazimirit se rritet në përgjegjësi

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë për dy deputetët socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu, ka shkaktuar debate të ashpra dje në Kuvend. Deputetja demokrate Jozefina Topalli e cilësoi atë si një lajm të zi për vendin, pasi, sipas saj, përmes këtij vendimi detyrohet opozita që të mos akuzojë qeverinë. Nga ana tjetër një ndër deputetet e përfshirë në këtë ngjarje, Pjerin Ndreu, nuk ngurroi të ironizonte çështjen ndërsa i përgjigjej ish-kryeparlamentares.

 

Debati

Jozefina Topalli: Nuk hyj në kategorinë e njerëzve që mbyllin gojën… Vendimi i djeshëm i Gjykatës është i padrejtë i shkruar nga Kryeministri dhe i dhënë nga gjykatësit. Opozita është e ndaluar të akuzoi qeverinë. O do mbyllin gojën, o do dhunohen… Të vritemi, mbase do shpresojmë që Gjykata e Lartë do të marrë vendime të drejta.

Pjerin Ndreu: Unë e di që vendimi i Gjykatës i tmerron këta të opozitës. Se këta kanë vrarë njerëz në bulevard e Gërdec e nuk i është skuqur faqja. Janë aq të irrituar sa marrin në telefon pa pikën e turpit dhe thonë aman mos i bini më se na rritet në përgjegjësi Strazimiri. Më vjen shumë keq që këta njerëz që kanë në kurrizin e vet nga 1 mijë zullume…

Jozefina Topalli: Vendimi i djeshëm është vendimi më i zi që Gjykata e Lartë ka dhënë. E përsëris, ai nuk është vendim i gjykatësve, është i shkuar nga Kryeministri Edi Rama dhe i lexuar nga Gjykata e Lartë. Opozita më nuk mund të ngrejë asnjë akuzë ndaj mazhorancës. Që nga ai vendim opozita vetëm duhet të heshtë, kjo përkthehet që ne nuk mund të ekzistojmë më, vetëm nëse do të na vrasin do të ndihet se ne jemi opozitë.

Erion Braçe: 4 nga ata 5 gjyqtarë i ka votuar kjo zonja në fjalë, unë kam qenë kundër, zonja i ka votuar.

Bedri Hoxha: Kam qenë dëshmitar okular në ngjarjen që e pa gjithë Shqipëria dhe unë nuk u thirra për dëshmi. Që ne i kemi votuar ata gjyqtarë nuk ka asgjë të keqe.

Ilir Meta: Dakord, dakord…

Bedri Hoxha: Jo dakord, se kështu thoni gjithmonë ju.

 

Në njësinë 3 dhe 4/ Veliaj: Koalicioni ynë Tiranën “Zonjë” do ta marrë e ta çojë në drejtimin e duhur

Kandidati i Aleancës për Shqipërinë Evropiane për kryetar Bashkie në Tiranë, ka zhvilluar dje takimin elektoral me banorët e njësive 3, 4 dhe 8 në kryeqytet. Sipas tij në 4 vite nuk është bërë asgjë konkrete për Tiranën e në këtë kontekst, Veliaj tha se më 21 qershor, qytetarët nuk duhet të lënë pa ushtruar të drejtën e tyre të votës. “Kemi pritur 4 vite që të vijë dita që ta marrim mbrapsht Tiranën. Është koha që koalicioni që e do Tiranën “Zonjë” ta marrë e ta çojë në drejtimin e duhur. Na duhen edhe 10 ditë që kryeqyteti të shkojë në drejtimin duhur. Me ne Tirana është në drejtimin e duhur, me fuqinë tuaj, bekimin dhe votën tuaj. Duhet ta çojmë Tiranën nga gjumi 4-vjeçar, ta pastrojmë dhe ta ndërtojmë ashtu siç duhet”, – tha Veliaj.

Share it :