“Kurrë më parë nuk kam ndeshur në 10 vite jetë aktive në politikë por edhe më përpara, kuptimin më tekstual të fjalës “duhet vetëm një firmë” . Duhet vetëm një firmë, por nuk është vetëm një firmë, është vullneti politik”
Kryebashkiaku Lulzim Basha ka prezantuar para shoqatave mjedisore projektin për menaxhimin e mbetjeve, projekt i cili ndryshon rrënjësisht për 20 vitet e ardhshme mënyrën e mbledhjes dhe trajtimit të mbetjeve në qytetin e Tiranës. Situata në Kryeqytet prej vitesh ka qenë në vend numëro. Mbledhja, depozitimi, trajtimi i plehrave ka qenë në standardin më të ulët në rajon dhe pavarësisht përpjekjeve të Bashkisë brenda kuadrit aktual të kontraktorëve, për të përmirësuar cilësinë, është e pamundur ndryshimi rrënjësor i situatës. Marrëveshjet kontraktuale të firmosura shumë vite më parë kanë parametra të përcaktuar me kontenierë të zbuluar, automjete që i mbledhin me një regjim të caktuar, persona që nxjerrin nga kazanët e plehrave gjithçka që mund të ketë një vlerë komerciale dhe një landfill i cili vjen duke u mbushur. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës së bashku me IFC u angazhua për t’i dhënë zgjidhje problemit të mbetjeve në Tiranë. “Ku ka vullnet, ka edhe zgjidhje dhe në momentin që Banka Botërore, IFC dhe Bashkia e Tiranës bashkuan vullnetet e tyre. Me mbështetje të plotë politike edhe në Këshillin Bashkiak të Tiranës ne dedikuam afro 150 mijë dollarë, BB dedikoi 500 mijë dollarë dhe së bashku mundësuam kreditimin e studimit të fizibilitetit dhe projektit që do i hapte rrugë këtij modeli të ri, projekt i cili u krye nga ekspertët më në zë dhe përvojën më të suksesshme në grupin e ekspertëve ku ka akses BB. Brenda kohës së paracaktuar në këtë kontratë, midis Bashkisë së Tiranës dhe BB (IFC), projekti u dorëzua dhe projekti jep një zgjidhje në përputhje me kërkesat tona, kërkesa të bazuara në nevojat e qytetit sot dhe 20 vitet e ardhshme, të konsultuara me grupet e interesit dhe me kritere minimale, standardin aktual në disa prej kryeqyteteve të vendeve të zhvilluara të Europës”,- u shpreh Kryebashkiaku Basha.
Vullneti i qeverisë
Zbatimi i këtij projekti kërkon vullnetin politik të qeverisë i cili deri tani ka munguar. Edhe për këtë projekt nuk kërkohet asnjë lek nga qeveria, kërkohet vetëm autorizimi i Bashkisë së Tiranës të hapë procedurat e koncesionit. “Kemi mbetur tek vullneti politik. Që Tirana të ketë kontenierë nëntokësorë brenda tre vitesh në të gjithë qytetin, vitin e parë brenda Unazës së Vogël, pa paguar asnjë lek më shumë, as qytetari, as Bashkia, as qeveria. Kërkohet vullneti politik që kjo skemë konçesionare e hartuar me ekspertizën më të mirë botërore të vihet në funksionim. Kërkohet as më pak e as më shumë por bashkëfirmosja sipas ligjit, për të hapur proçedurën konçesionare” – theksoi kryebashkiaku Basha.
Kriteret e projektit
Kriteri i parë është brenda një viti, të gjithë kontenierët e plehrave brenda Unazës së Vogël të Tiranës do të jenë nëntokësorë dhe të diferencuar
Kriteri i dytë ishte që ky shërbim do të shtrihej në të gjithë qytetin e Tiranës brenda tre vitesh nga nisja e kontratës së sipërmarrjes
Kriteri i tretë ishte që asnjë qindarkë më shumë nuk do të paguhej nga qytetarët e Tiranës për këtë shërbim si tarifë, se sa ç’paguhet apo ç’duhet të paguhet sot, tarifë e cila mblidhej deri para tre vitesh në nivelin 15 % dhe që sot mblidhet në nivelin 85 %. “Kriteri i tretë, asnjë qindarkë më shumë nga xhepi i qytetarëve të Tiranës dhe kështu arritëm në një formulë, të cilën specialistët e BB e konsiderojnë plotësisht të mundshme. Kurrë më parë nuk kam ndeshur në 10 vite jetë aktive në politikë por edhe më përpara, kuptimin më tekstual të fjalës “duhet vetëm një firmë” . Duhet vetëm një firmë, por nuk është vetëm një firmë, është vullneti politik”,- përfundoi Kryetari i Bashkisë Lulzim Basha.
Situata e menaxhimit të mbetjeve në vitin 2011
-
Tirana pa një plan të menaxhimit të mbetjeve
-
Mbi 30% e 3000 konteniereve, të shkatërruar
-
Mbeturinat nuk mblidheshin për ditë të tëra
-
Praktika e djegieve të paligjshme në qytet dhe në vendepozitimin e Sharrës
-
Mjetet ne Sharrë jashtë funksionimit




