Ndotje alarmante/ Ujërat e zeza shkarkohen në liqenin Artificial të Tiranës

Ndotje alarmante/ Ujërat e zeza shkarkohen në liqenin Artificial të Tiranës

Nga Sebi Alla, Faktoje

KLSH, në një raport të hollësishëm mbi ndotjen e Liqenit Artificial në Tiranë, duke iu referuar disa analizave konstaton probleme serioze nga ngordhja e gjallesave deri në ndotjen në nivele të larta nga shkarkimi i ujërave të zeza.

Për Mit’hatin 68-vjeçar, Liqeni Artificial në kryeqytet është vendi ku ai kalon më shumë kohën sesa në shtëpinë e tij që e ka mes kaosit të trafikut, pranë Tiranës së Re. “Është si jetë e dytë këtu”-thotë ai teksa vijon-“shëtis shpesh sa të mundem, më parë edhe pëshkoja për qejf, por tani ka diçka që nuk shkon. Shoh shumë peshq të ngordhur dhe kanë vendosur tabela që nuk të lenë të peshkosh”-thotë ai për Faktoje.al, pa qenë në dijeni se aty ku ai kalon më shumë se gjysmën e ditës, po vdesin gjallesat nga ndotja e madhe, përfshi edhe peshqit. “Përmbajtja e rritur e nutrientëve (fosfateve etj.) si dhe saturimi i vogël me oksigjen, tregon se ky liqen është në gjendje eutrofike (“I sëmurë”).

Përkeqësimi i kësaj gjendje do e bëjë të pamundur jetesën e gjallesave në këtë trup ujor”. Ky është një nga përkufizimet e studimit të hollësishëm të bërë për ndodtjen e Liqenit Artificial, i publikuar në një raport të Kontrollit të Lartë të Shtetit. Eksperti i mjedisit, prof Gavrosh Zela, tha për Faktoje.al se situata e ndotjes në Liqenin Artificial është shumë problematike dhe nevojitet marrja e masave të menjëhershme. “Duhet ndërprerë niveli i ndotjes kryesore që vjen nga shkarkimi u ujërave urbane të papërpunuara dhe situata duhet mbajtur në monitorim të përhershëm”-thotë Zela. Nga një vëzhgim në terren në paraditen e 29 tetorit, konstatuam me sy ndotje të theksuar, ku edhe një breshkë uji ka marrë ngjyrën e errët të ujërave të zeza që rrjedhin nga “Tirana e ngjeshur urbane”.

Tetë pika të errëta

Në një hapësirë prej 4.5 hektarësh, Liqeni Artificial ndodhet në pozicionin gjeografik që fatkeqësisht po shërben si “vëndshkarkim i ujërave të ndotura të patrajtuara urbane (ujëra të zeza)” në tetë pika kyçe të saj. Në pjesën jugore të liqenit, ku nis Unaza e Madhe, problem janë shkarkimet e ujërave të zeza që vijnë nga zona urbane e “Liqenit të Thatë”, e mbushur me shumë pallate dhe njësi shërbimi.

Ekspertët kanë konstatuar 16 pika derdhjesh të ujërave, ku në tetë prej tyre cilësohen shumë problematike, me prurje të mëdha të ujërave të ndotur. Gjithashtu edhe në pjesën veriore të liqenit, prania e disa lokaleve dhe pallateve në nisje të digës cilësohet një tjetër vatër ndotjeje. “Përmbajtja e lartë e nutrientëve dhe e ulët e oksigjenit tregon se në liqen ka derdhje të shumta, qoftë të substancave të pasura me azot dhe fosfor, qoftë edhe të substancave reduktuese, të cilat konsumojnë oksigjenin.

Gjithashtu, kur ka një akumulim të biomasës (bimësisë), pas “vdekjes” së bimëve ose algave, fillon procesi i dekompozimit, i cili kërkon oksigjen dhe çon në një ulje të përmbajtjes së oksigjenit të tretur në ujë, veçanërisht në orët e errësirës, kur fotosinteza ndalon dhe ndodh respiracioni. Kjo e bën ekuilibrin e oksigjenit një faktor delikat të cilin duhet ta monitorojmë në liqen”-citon raporti i KLSH-së në një studim më të fundit përgjatë viteve 2024-2025. “Nevojiten masa të menjhershmë, së pari duhet ndërprerja e kanalizimeve aktuale dhe të futen në sistemin e ujërave të zeza të Tiranës.

Së dyti, kërkon monitorim të vazhdueshëm dhe nxitjen e bizneseve apo pjesës urbane të popullatës që të vendosin impiante të decentralizuara për trajtimin e ujërave të ndotur”-thotë prof Zela, ndërsa thekson se me situatën aktuale të ndotjes, nevoja më e madhe është mbushja me ujë të pastër të liqenit, çka mund të sillte një mundësi pastrimi dhe uljen e nivelit të ndotjes.

Analizat

Profesorë të Fakultetit të Shkencave të Natyrës u kontraktuan nga Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit për të kryer analiza mbi nivelin e ndotjes së ujërave të Liqenit Artificial. “Kjo dukuri (ky lulëzim algash) në Liqenin Artificial të Tiranës është pasojë dhe sinjal i ngarkesës relativisht të lartë (ndotjes) me lëndë ushqyese (azot dhe sidomos fosfor) që kanë shumë mundësi të vijnë nga ujërat e patrajtuara urbane, por jo vetëm, të cilat mund të grumbullohen në mënyrë të vazhdueshme në këtë liqen… Mbetet e ngutshme për Bashkinë Tiranë grumbullimi dhe largimi i shkarkimeve nga liqeni! Por sidomos mbetet sfidë grumbullimi dhe trajtimi i ujërave të zeza për gjithë pellgun e Tiranës, si domosdoshmëri për cilësinë e jetës për njeriun dhe për gjithë botën e gjallë”-thonë në raport ekspertët e Fakutetit të Shkencave të Natyrës. “Rritja e temperaturave dhe zvogëlimi i vëllimit të ujërave ka gjasë të përkeqësojë situatën gjatë stinës së verës.

Si rrjedhojë, kërkohet ndërhyrje e menjëhershme për të verifikuar e ndaluar të gjithë shkarkimet e ujërave të përdorura urbane, industriale, etj., që mund të vijnë si rrjedhojë e aktivitetit brenda territorit te PMLAT ose të përzierjes së jashtëligjshme të ujërave të zeza me kanalet e ujërave të bardha/ të shiut që shkarkojnë në liqen. Si rrjedhojë është e domosdoshme të kryhen analizat e ngarkesave të koliformëve fekale dhe totalë (CFU)”-theksojnë më tej ata. Sa i takon vlerësimit kimiko-biologjik, nga një sondazh i kryer nga Departamenti i Inxhinierisë Kimike në Universitetin Politeknik të Tiranës rezultoi se përmbajtja e nutrienteve në mostrat e marra në liqen, gjatë muajit janar 2025 ishte shumë e lartë. “Ujërat quhen të eutrofikuar kur përmbajtja e fosforit është 0.020 mg/L.

Ndërkaq, analizat e kryera nga Universiteti Politeknik të Tiranës treguan vlera shumëfish më të larta të përmbajtjes së fosforit, rreth 0.070 mg/L. Gjithashtu, përmbajtja e oksigjenit, edhe pse në periudhë dimri, ishte me një saturim rreth 55%, vlerë mjaft e ulët për këtë periudhë. Pa dyshim, në stinën e verës, përmbajtja e oksigjenit do të jetë më e ulët dhe gjendja do të përkeqësohet”-thekson raporti, duke iu referuar përgjigjes së analizave të dala nga kampionë të ujit të marra në disa pika të Liqenit Artificial.

Përgjegjësit e (pa) përgjegjshëm

Për situatën alarmante, audituesit e KLSH-së, duke u nisur nga raportet e ekspertëve të Fakultetit të Shkencave të Natyrës, të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe të Departamenti i Inxhinierisë Kimike në Universitetin Politeknik të Tiranës, të cilët kryen analizim të thelluar për ndotjen e liqenit, kërkuan që institucionet përgjegjëse të merrnin masat e nevojshme. KLSH në raport, të cilën Faktoje e disponon të plotë, theksojnë përplasjen institucionale mes drejtorive në varësi të Bashkisë Tiranë, ku asnjëra prej tyre nuk merrte përsipër përgjegjësinë për problemin e ndotjes së theksuar të Liqenit Artificial. “Duke vlerësuar si shkaktues potencial të ndotjes prurjet e ujërave të ndotura nëpërmjet kanaleve të ujërave të shiut/ të bardha që derdhen në liqenin artificial të Tiranës, grupi i auditimit ka kërkuar një planimetri të shtrirjes së këtij rrjeti, informacion mbi gjendjen e tyre, si dhe procedurat përkatëse për pastrimin dhe mirëmbajtjen e tyre, nga strukturat e varësisë së Bashkisë Tiranë, si APR (Agjencia e Parqeve dhe Rekreacionit), UKT (Ujësjellës Kanalizimet Tiranë) dhe DPN2”-thotë raprti. Po çfarë përgjigje morën? Në shkresa të ndryshme, institucionet ia veshin përgjegjësinë njëra-tjetrës, kjo vërtetohet edhe nga dokumentacioni i mbërritur për KLSH-në. raporti.

“Për sa më sipër, APR bën me dije se nuk disponon planimetri të kanaleve të ujërave të shiut dhe se nga punonjësit e këtij institucioni, kryhet vetëm pastrimi fizik i mbetjeve të dukshme, si p.sh. gjethe, degë, materiale plastike/ plastmasi, kartona, letra, etj. Ky lloj pastrimi kryhet rregullisht në mënyrë që ato të jenë të pastra dhe të mos krijojnë problematika me reshjet e dendura. Gjithashtu edhe Drejtoria e Përgjithshme e Mirëmbajtjes, Rrugë, Ndriçim, Sinjalistikë (DNP 2), në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 12.03.2025, bën me dije se nuk disponon hartë/ planimetri të kanaleve të ujërave të shiut, pasi liqeni i Tiranës nuk menaxhohet nga kjo drejtori. Në shkresë citohet se “nga verifikimet e kryera nga një grup i ngritur për këtë çështje rezultoi që në liqenin artificial të Tiranës nuk ka asnjë pikë shkarkimi të ujërave të shiut, pasi ato shkarkohen në kolektorët e ujërave të zeza të cilat menaxhohen nga UKT sh.a”. Ndërsa UKT, në përgjigjen e pyetësorit dërguar elektronikisht në datën 18.03.2024, shprehet se “Referuar rrjetit të largimit të ujërave të shiut ju informojmë se administrimi dhe mirëmbajtja e tyre nuk bëhet nga UKT, por nga Bashkia Tiranë nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Rrugëve dhe Ndriçimit Publik, si dhe APR që menaxhon territorin e PMLAT”-thekson raporti.

Ndotje në çdo drejtim

Më tej KLSH shprehet se pavarësisht se në shkresat e institucioneve të varësisë së Bashkisë Tiranë dhe dokumentacionin e gjeneruar nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit citohet se “është konstatuar se në 6 nga 8 pikat e shkarkimit të ujërave të bardha kishte rrjedhje”, asnjë nga institucionet e varësisë së Bashkisë Tiranë (që drejtpërdrejt ose tërthorazi lidhen me administrimin e atij territori, pastrimin e mirëmbajtjen së kanaleve të ujërave të shiut apo të rrjetit të kanalizimeve), nuk administron një planimetri të këtyre kanaleve të ujërave të bardha që derdhen në liqen, për të evidentuar shtrirjen dhe rrugën që kanalet ndjekin, për t’u derdhur në fund në liqen, njëkohësisht për të vlerësuar zonat urbane nëpërmjet të cilave këto kanale kalojnë dhe që mund të kenë ndërhyrje në mënyrë të jashtëligjshme duke lidhur kanalizimet e ujërave të zeza me kanalet e ujërave të shiut.

Nalizimi më i fundit që i përket këtij viti rezultoi se uji i Liqenit Artificial është i ndotur rreth 50 pikë më shumë se norma, ndërsa e cilësojnë “të sëmurë” dhe në rrezik të madh që nëse nuk merren masat bimësia dhe gjallesat të zhduken, duke e kthyer në “liqe të vdekur”. /Faktoje.al

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news