Mungonin organet’/ Prokuroria nis hetimet për vdekjen e biznesmenit italian
Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedim për vdekjen e biznesmenit italian Massimo Ferro teksa ka sekuestruar kartelat mjekësore dhe kryer veprime të tjera hetimore, ndërkohë është në pritje të autopsisë së Institutit të mjekësisë ligjore shqiptare.
Ngjarja ndodhi në datë 22 dhjetor 2025 në QSUT, ku 55-vjeçari ndërroi jetë pas operacionit në stomak për humbje peshe, në klinikën private “Trita Hospital” në Tiranë.
Paralelisht, hetime po zhvillohen dhe në Itali, ndërkohë që familjarët e biznesmenit kanë përfaqësues ligjor për të zbuluar shkakun e vdekjes.
Ata pretendojnë se biznesmenit nuk iu bënë analizat dhe kontrollet paraprake përpara se të futej në sallën e operacionit, teksa insistojnë për drejtësi.
Dy ditë më parë, mediat italiane raportuan se autoritetet e këtij vendi janë tronditur nga mënyra se si ishte bërë autopsia në trupin e të ndjerit.
Sipas këtyre medieve, autopsia e kryer në Itali ka dhënë vetëm elementë të pjesshëm: mungonin stomaku dhe një pjesë e zemrës, të cilat ishin hequr gjatë ekzaminimit në Tiranë.
Trupi, gjithashtu, ishte rindërtuar duke përdorur material leshi, një procedurë që sipas ekspertëve italianë konsiderohet e vjetëruar dhe jo në përputhje me standardet e mjekësisë ligjore moderne.
Ndërkohë, Prokuroria e Padovës ka kërkuar zyrtarisht nga autoritetet shqiptare që të dërgohet e gjithë kartela mjekësore.
Por jo vetëm kaq, mediat italiane raportojnë se kur biznesmeni u dërgua në QSUT, atij iu dha antibiotiku me shumë vonesë.
Nga ana tjetër, e shoqja u thirr me urgjencë për t’i komunikuar vdekjen e bashkëshortit, por në fakt ai kishte disa orë që kishte ndërruar jetë.




