Mos hap gojë derisa të mbarojnë zgjedhjet”, SPAK zbardh akuzat ndaj Bufit të Roskovecit pas zgjedhjeve

Mos hap gojë derisa të mbarojnë zgjedhjet”, SPAK zbardh akuzat ndaj Bufit të Roskovecit pas zgjedhjeve

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Kryetaren e Bashkisë Roskovec, Majlinda Bufin, për “Përdorim të funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Majlinda Bufi akuzohet se, në detyrën e Kryetares së Bashkisë Roskovec, në kundërshtim me ligjin, i ka kërkuar shtetasit, G.B, të mos marrë pjesë në votimet për zgjedhjet vendore të 14 Majit 2023 dhe të mos përfshihet në veprimtaritë zgjedhore të partive të tjera politike.

“Më datë 6.5.2023, në orën 14:04, është publikuar në media, artikulli me titull, “Mos guxo të votosh – Publikohet audio përgjimi tjetër skandaloz i kryebashkiakes së Roskovecit”. Transkripti i këtij regjistrimi tregon se e pandehura Majlinda Bufi shfaqet e revoltuar nga shtetasi G.B, i cili ishte përfitues i programit social të Bashkisë, “Përmirësimi i Kushteve të banimit për famijet e varfëra dhe të pafavorizuara”, i miratuar me Vendim të Këshillit Bashkiak nr. 40 datë 01.3.2022.”- thuhet në njoftimin e SPAK.

Çfarë zbuluan hetimet?

Hetimet konstatuan se pavarësisht se kushtet sociale dhe ekonomike të familjes së G.B. e favorizonin atë si përfitues, objekti për të cilin ishte kërkuar mbështetje, nuk ishte banesë ekzistuese, por një objekt i saponisur, me mangësi dokumentare mbi pronësinë. Pavarësisht këtyre rrethanave, rezulton se Majlinda Bufi kishte dijeni për përfshirjen e tij në program.

Nga hetimi rezultoi se para takimit të regjistruar me kryetaren e Bashkisë, Majlinda Bufi, para zgjedhjeve të datës 14 Maj 2023, në banesën e shtetasit G.B kishin shkuar punonjësit e IMT-së Bashkia, Roskovec, të cilët i kanë kërkuar llogari për punimet e kryera dhe ndalimin e vazhdimit të tyre.

Më pas, rezulton se shtetasi, G.B ka zhvilluar takimin në ambientet e Bashkisë me Majlinda Bufin. Biseda është zhvilluar në një formë presioni duke i përmendur se punimet ishin në tejlkalim të ndihmës dhe se shtetasi G.B kishte kryer ndërtim pa leje. Ndër të tjera në këtë takim, Majlinda Bufi i përmend atij faktin se i kishte dërguar mesazhe, ku shtetasi në fjalë i thoshte fitore kandidatit të opozitës.

Majlinda Bufi, me pretendimin për të “shpëtuar” shtetasin G.B nga kjo situatë paligjshmërie, ku pretendohej se ai ndodhej, i ka kërkuar: “që nga ky moment e derisa të mbarojnë zgjedhjet të mos hapi gojë, të mos flasë as ai as familja e tij por të shikojë punën e tij, të rrijë në shtëpinë e tij dhe të mos shkojë fare të votojë në zgjedhjet e datës 14 Maj 2023.”

SPAK thekson në përfundim se “kërkesa e Majlinda Bufit, drejtuar shtetasit G.B është bërë nën kërcënimin e masave administrative dhe kundër vullnetit të tij. Ai ka ushtruar të drejtën e votës në datën 14 Maj 2023, sikurse ka qenë vullneti i tij”.

Share it :
Mato: Pastrimi i parave në ndërtim po lë të rinjtë pa strehë: Të monitoren transaksionet Në një kohë kur Tirana dhe zonat turistike të Shqipërisë përjetojnë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimi, me kulla që ngrihen çdo ditë, një pyetje thelbësore po shqetëson gjithnjë e më shumë publikun: nga vijnë të gjitha këto para? Alarimin e ngriti Fanswa Mato, anëtar i departamentit “Brain Gain” në PD, i cili nga tryeza e diskutimit ‘Qeveria e Pasigurisë – dhe alternativa e opozitës’, denoncoi se pas fasadës së projekteve luksoze fshihet fenomeni i pastrimit të parave, duke e deformuar tregun dhe duke e bërë të pamundur për qytetarët e zakonshëm blerjen e një shtëpie. Mato, një profesionist me përvojë në menaxhimin e ndërtimit në Neë York, thekson paradoksin e hidhur të realitetit shqiptar: ndërsa miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit, çmimet e apartamenteve kanë arritur nivele të papërballueshme për familjet mesatare. Fanswa Mato: Përvoja ime personale më ka dhënë mundësi të punoj në një mjedis ku standardet, transparenca dhe rezultatet konkrete janë thelbësore. Pikërisht kjo eksperiencë më motivon të kontribuoj me njohurinë dhe përvojën time për çështjet që lidhen me zhvillimin, mirëqenien dhe të ardhmen e Shqipërisë. Sot dua të flas për një nga problemet më serioze që po dëmton ekonominë shqiptare dhe po rëndon jetën e qytetarëve tanë: pastrimin e parave në sektorin e pasurive të paluajtshme dhe në ndërtim. Gjatë viteve të fundit kemi parë një bum të jashtëzakonshëm ndërtimesh, sidomos në Tiranë dhe në zonat turistike, ku kulla të reja ngrihen çdo ditë, projekte luksoze shtohen me ritme të shpejta dhe miliona metra katrorë ndërtohen çdo vit. Por pyetja që ushtrojnë shqiptarët është shumë e thjeshtë: nga vijnë të gjitha këto para? Sepse realiteti është ky: ndërsa ndërtohet gjithnjë e më shumë apartamente, qytetarët shqiptarë e kanë gjithnjë e më të vështirë të blejnë një shtëpi. Çmimet janë rritur në nivele të papërballueshme për familjet e zakonshme. Të rinjtë nuk arrijnë të sigurojnë një strehim, ndërsa shumë apartamente mbeten bosh dhe përdoren vetëm si instrumente financiare. Ky është paradoksi i Shqipërisë sot. Në njërën anë kemi një mbingopje me ndërtime, nga ana tjetër kemi mungesë strehimi për qytetarët. Kjo nuk është ekonomi normale tregu. Kjo është pasojë e deformimit të tregut nga paratë informale dhe nga mungesa e kontrollit shtetëror. Sipas të dhënave dhe analizave të institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare, Shqipëria ka pasur për vite me radhë probleme serioze në luftën kundër pastrimit të parave dhe organizata të rëndësishme ndërkombëtare kanë evidentuar dobësi në kontrollin financiar dhe në monitorimin e sektorit të ndërtimit. Gjatë analizës së këtij fenomeni, janë përdorur të dhëna nga institucione si Banka e Shqipërisë, INSTAT, Agjencia e Inteligjencës Financiare dhe FATF. Janë zhvilluar gjithashtu biseda me profesionistë të tregut, agjentë imobiliar, noterë dhe ekspertë financiarë. Të gjitha këto tregojnë se ekziston një shqetësim real për mënyrën se si fondet e dyshimta depërtojnë në ekonominë shqiptare. Mekanizmat janë të ndryshme. Në shumë raste përdoren kompani me burime financiare të paqarta, përdoren pagesa të mëdha kesh, transferta të dyshimta dhe forma të tjera që e bëjnë të vështirë gjurmimin e origjinës së parave. Në disa raste kemi dhe kompani që nuk justifikojnë nivelin e investimeve që realizojnë. Dhe kush e paguan koston e kësaj situate? E paguajnë qytetarët shqiptarë, e paguajnë familjet e reja, e paguajnë bizneset e ndershme, e paguan ekonomia e vendit. Sepse kur paratë e paligjshme futen në treg, konkurrenca bëhet e padrejtë. Çmimet rriten artificialisht, korrupsioni forcohet, besimi tek shteti dobësohet dhe në fund humb qytetari i zakonshëm që punon me ndershmëri. Si opozitë, ne kemi detyrimin moral dhe politik të ngremë zërin për këtë problem. Shqipëria nuk mund të ndërtojë të ardhmen mbi ekonomi informale dhe mbi mungesë transparence. Ne kemi nevojë për institucione të forta, për kontroll real financiar dhe për shtet ligjor funksional. Ne kërkojmë rritje të transparencës në transaksionet e pasurive të paluajtshme, kufizim të pagesave kesh në sektorin e ndërtimit, kontroll më të fortë mbi burimin e fondeve, monitorim më rigoroz të kompanive të ndërtimit, bashkëpunim më të madh mes institucioneve financiare dhe organeve ligjzbatuese. Ky nuk është thjesht një debat politik. Ky është një debat që prek ekonominë e vendit, të ardhmen e të rinjve dhe mundësinë që qytetarët shqiptarë të jetojnë me dinjitet në vendin e tyre.