Meta: Rezoluta e PE alarm për Shqipërinë, korrupsioni dhe kapja e shtetit në nivele të larta
Në një postim në rrjetet sociale, Ilir Meta shkruan se rezoluta e fundit e Parlamenti Europian për Shqipërinë përbën një alarm të fortë për situatën në vend, duke evidentuar përkeqësimin e korrupsionit, lirisë së medias dhe standardeve demokratike.
Sipas tij, dokumenti reflekton një realitet shqetësues, ku vendi jo vetëm që nuk ka bërë përparim në luftën kundër korrupsionit në nivelet e larta, por përkundrazi, është përballur me regres dhe me pengesa të qëllimshme në këtë drejtim.
Meta thekson se rënia e Shqipërisë në renditjen e Transparency International dhe kritikat për abuzimin me fondet europiane, përfshirë skemën IPARD, janë tregues të qartë të dështimeve të qeverisë.
Ai ndalet gjithashtu te shqetësimet e ngritura për klimën ndaj mediave të pavarura, të reflektuara edhe në raportet e Reporterët pa Kufij, si dhe kritikon nismat rajonale si “Ballkani i Hapur”, që kanë dëmtuar interesat ekonomike të vendit.
Në këtë kuadër, Meta rikonfirmon qëndrimin e Partia e Lirisë në mbështetje të integrimit europian, duke kërkuar përmbushjen reale të standardeve të Bashkimit Europian.
Deklarata për media:
Parlamenti Europian, siç pritej, ka ngritur alarmin për përshkallëzimin shqetësues të korrupsionit në Shqipëri, referuar përkeqësimit me 11 vende në renditjen e Transparency International.
Duke denoncuar farsën e zgjedhjeve dhe instalimin e partisë-shtet, rezoluta konfirmon njëherazi dështimin në luftën kundër korrupsionit në nivelet më të larta të qeverisjes, si dhe pengimin e qëllimshëm të saj.
PE bën thirrje për zhbërjen e ligjeve me porosi për grabitjen e pronave dhe aseteve publike, si dhe denoncon vjedhjen qeveritare të fondeve IPARD për bujqësinë, duke kërkuar kthimin e parave të grabitura taksapaguesve europianë dhe fermerëve shqiptarë.
Përkeqësimi i lirisë së medias, deri në një klimë armiqësore ndaj gazetarëve të pavarur, siç konfirmoi edhe raporti i “Reporterëve pa Kufij”, është një tjetër këmbanë alarmi.
Parlamenti Europian denoncon “Ballkanin e Hapur” të promovuar për vite nga Edi Rama, si vizion i ri, pa konsultim me asnjë institucion vendas dhe europian.
Deklarimet e sinqerta të Aleksandër Vuçiç, në podkastin e Alistair Campbell, ku pohoi atë që e dinim të gjithë se “Ballkani i Hapur” ishte një ide e tij, konfirmojnë natyrshëm se Edi Rama ishte thjesht një ndjekës i këtij projekti, që nuk dallon shumë nga projekti i “botës serbe” apo “Jugosllavisë së re”.
Ashtu siç dështoi “Ishulli i Osumit” i lançuar nga Edi Rama por që nuk ekziston asgjëkundi, dështoi edhe “Ballkani i Hapur”, por me një ndryshim, falimentoi bujqësinë shqiptare falë politikave diskriminuese ndaj fermerëve tanë dhe atyre favorizuese të importit që ndërmorri Edi Rama.
Partia e Lirisë, me kontribut të veçantë ndër vite, në procesin e integrimit europian të vendit, rikonfirmon angazhimin e palëkundur për avancimin e tij.
Ne mbështesim me vendosmëri këtë proces, por duke theksuar se standardet e Bashkimit Europian duhet të plotësohen sa më parë, në mënyrë cilësore dhe të qëndrueshme, për t’u shërbyer së pari krijimit të një standardi europian për jetesën e qytetarëve shqiptarë.




