Meta letër PL: McGonigal, maja e ajsbergut të korrupsionit ndërkombëtar për instalimin e narkoregjimit…

Meta letër PL: McGonigal, maja e ajsbergut të korrupsionit ndërkombëtar për instalimin e narkoregjimit…

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i ka drejtuar një letër publike drejtuesve dhe anëtarëve të forcës së tij politike me një ton të fortë politik dhe akuzues, duke e përshkruar situatën në vend si rezultat i një sistemit të narkoregjimit. Ai shpreh mbështetje për strukturat e partisë dhe i fton për unitet dhe rezistencë përballë asaj që e konsideron presion politik dhe institucional.
Më tej Meta në letrën e tij thekson se çështja McGonigal dhe dhe korriptimi i diplomatëve të huaj ka çuar Shqipërinë drejt instalimit të narkoregjimit të Edi Ramës.

Letra e Plotë:

Letër publike për drejtuesit dhe anëtarët e Partisë së Lirisë: “McGonigal” është vetëm maja e majës së ajsbergut të përfshirjes korruptive të zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë për të instaluar këtë Narkoregjim

Të dashur drejtues dhe anëtarë të Partisë së Lirisë!

Duke ju falenderuar për besnikërinë tuaj të palëkundur, pavarësisht presionit kriminal ndaj jush nga ky Narkoregjim i certifikuar botërisht, ju garantoj në triumfin e kauzave tona që u rikthejnë Lirinë dhe Sovranitetin të gjithë qytetarëve tanë.

Po kështu, ju garantoj se së bashku edhe me të gjithë shqiptarët patriotë dhe profesionistë, do e realizojmë programin tonë të mirëstrukturuar për realizimin e 5 Prioriteteve madhore që e bëjnë Shqipërinë me 4 milion shqiptarë plus.

Prej dy vitesh, agresioni i gjithë regjimit mafioz, u përqëndrua kundër Partisë së Lirisë në tërësi, por edhe ndaj meje si President i saj në veçanti.

Ndërkohë që kjo platformë eksterminimi politik, jo thjeshtë ndaj PL (LSI), në thelb ka qenë dhe mbetet platforma për zhdukjen de facto të pluralizmit politik dhe vetë llogaridhënies demokratike, që nga ndryshimet kushtetuese të vitit 2008.

PL (LSI) ka luajtur rol historik në garantimin e dy rotacioneve demokratike që përjetoi vendi në zgjedhjet e viteve 2005 dhe 2013, të cilat synonin përshpejtimin e integrimit europian të vendit.

Po kështu, PL (LSI) përfshiu dhe përkrahu, si asnjë forcë tjetër politike të rinjtë dhe të rejat, duke u dhënë prioritet, por edhe përfaqësim të jashtëzakonshëm si investimi më i mirë për të ardhmen e vendit.

Por vendimi fatal dhe katastrofik i drejtuesve të LSI për t’iu bashkuar vendimit të mirëpaguar nga regjimi për djegien e mandateve parlamentare, jo vetëm e futi vendin në një qorrsokak pafund, por lehtësoi kapjen mafioze të çdo institucioni kushtetues përveç Presidentit të Presidentit deri në 24 korrik 2022.

Në këtë mënyrë regjimi mori e rrëmbeu të gjitha instrumentat për të realizuar qëllimet e tij për ndërtimin e një Narkoshteti të mirëfilltë në zemër të Europës, por edhe për të realizuar platformën historike të serbomëdhenjve për shpopullimin e Shqipërisë.

Kuptohet që tutori dhe sponsori ndërkombëtar i këtij Narkoregjimi ishte Sorosi, ai që përgatiti edhe studimin e fizibilitetit për ndarjen e Kosovës dhe gjoja shkëmbimin e territoreve, ai që patronoi “Ballkanin e Hapur” një nismë antishqiptare dhe antieuropiane, e mbi të gjitha antiKosovë.

Ishte pikërisht Sorosi që patronoi edhe Reformën në Drejtësi duke keqpërdorur jo vetëm fondet e USAID, por edhe autoritetin e SHBA përmes diplomatëve “progresistë” apo të korruptuar drejtpërdrejtë, të cilët u bënë njësh me Edi Ramën në shkeljen e Kushtetutës për kapjen e gjithë institucioneve të drejtësisë së “re”.

Rasti “McGonigal” është vetëm maja e majës së ajsbergut të kësaj përfshirjeje korruptive të zyrtarëve dhe diplomatëve amerikanë për të instaluar këtë Narkoregjim.

Pa u zgjatur më shumë duke kërkuar fajtorë të jashtëm, shpreh bindjen se çdo gjë ndodhi për shkak të korruptimit të lidershipit opozitar.

Unë besoj shumë te faktori i brendshëm si faktor kyç për daljen nga kjo gjendje grushti shteti.

Kjo kërkon qartësi, e mbi të gjitha sakrifica ekstreme dhe sublime, sepse është një betejë me mafien vendase dhe ndërkombëtare që e kishte përzgjedhur prej kohësh Shqipërinë si parajsën e saj të pastrimit të parave dhe si bazë logjistike të krimit të organizuar ndërkombëtar.

Ndaj kartelet e drogës dhe garantët e zinxhirit të “call center”-ave, që vjedhin miliarda euro të qytetarëve europianë përmes skemave të pafundme të mashtrimit në Shqipëri, do bëjnë çdo përpjekje për të penguar Ndryshimin.

Ndërkohë ne dhe gjithë shqiptarët patriotë dhe të ndershëm, nuk kemi rrugë tjetër veç Ndryshimit me çdo cmim.

Ditën e hënë, siç e dini, nis përballja ime gjyqësore publike me mafien e Sorosit dhe akuzat e tij qesharake me zero fakt penal.

Akuzat reale ndaj meje janë ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e sovranitetit të Shqipërisë dhe shqiptarëve, me mbrojtjen e paepur të Kushtetutës së Shqipërisë, e cila u dhunua me bekimet që sorosistët ndërkombëtarë u jepnin betimeve të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese te noterja te Lana.

Këto akuza kanë të bëjnë me paralajmërimet dhe denoncimet e mia zyrtare që në 2017 se “garantët” e Reformës po ndihmonin përdhosjen e saj duke certifikuar kapjen antikushtetuese të Prokurorisë me 69 vota (nga 84 sipas Kushtetutës), por edhe bllokimin e qëllimshëm të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që e la Shqipërinë 3 vjet pa Gjykatë Kushtetuese, me qëllimin e vetëm që ta kthente në seksion të Rilindjes, siç është sot fatkeqësisht.

Ndaj vetë standardet e rrëmbimit tim kriminal, siç do e shihni ju dhe tërë shqiptarët, kanë qenë edhe vetë standardet e hetimit, gjykimit dhe vetë paraburgimit që nuk krahasohet për shkeljen e të drejtave politike as me standardet e kundërshtarëve të Putinit.

Por siç ua kam thënë, siç e dini ju dhe siç do ta mësojnë të gjithë, fuqia e patriotëve është e pakufishme përballë burracakërisë së mercenarëve dhe tradhëtarëve që s’i kanë munguar kurrë këtij vendi.

Sepse fuqia e patriotëve ka edhe fuqinë e të vërtetave, të cilat do të demaskojnë këtë farsë kriminale të bazuar mbi kallëzues të rremë dhe delinkuentë me porosi të regjimit, siç do i shikoni lakuriq në sallën e gjyqit.

Të vërtetat që do të dëgjoni përcillini kudo te të gjithë shqiptarët brenda dhe jashtë vendit.

Ilir Meta kurrë s’mund të pranonte ndarjen e Kosovës dhe që vendlindja e Isa Boletinit t’i kalonte Serbisë.

Ilir Meta edhe pse është krenar që mori vendimin e guximshëm dhe të drejtë për t’i dhënë shtetësinë shqiptare Fortlumturisë së ndjerë dhe të paharruar Janullatos, kurrë s’mund të noterizonte tradhtinë e Edi Ramës (dhe jo vetëm) me çështjen e Detit përmes lojërave të trefishta.

Dua t’ju kujtoj pa asnjë modesti se kam lindur në një fshat patriotik si Çepani i Skraparit që ka qenë djep i patriotizmit brez pas brezi dhe që e ka paguar me gjak gjithmonë çmimin e lirisë në luftë me të gjithë pushtuesit, nga osmanët e andartët grekë e deri te fashistët e nazistët.

Jam krenar se kam lindur e jam rritur në një fshat, i cili i vetëm ka dërguar një çetë të tërë për çlirimin e Vlorës në 1920 nga 3 çetat që dërgoi krahina e Skraparit.

Po kështu kam lindur në një shtëpi partizanësh, që ka qenë spital partizan gjatë Luftës Antifashiste dhe ku sakrificat e bëra, sakrificat e para dhe ato të dëgjuara nga të parët e mi veçse më frymëzojnë për ta bërë këtë betejë jo vetëm me guxim dhe besim të hekurt, por edhe me shumë kënaqësi.

Sepse është jo vetëm detyrim, por edhe kënaqësi t’i shërbesh Atdheut edhe në rrethanat më të padrejta.

I bindur në solidaritetin dhe patriotizmin tuaj, ju përshëndes me shprehjen tonë kuptimplotë:

Malet tona më të larta!

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :