Meta: Dumani dhe Irena, ‘drejtësia’ pa frena. Periudha e tyre do kujtohet si ‘revolucioni kulturor’ në drejtësi

Meta: Dumani dhe Irena, ‘drejtësia’ pa frena. Periudha e tyre do kujtohet si ‘revolucioni kulturor’ në drejtësi

Intervistë e Presidentit të Partisë së Lirisë, Z. Ilir Meta dhënë për portalin “Syri.net”

Z.Meta, a e ndoqët raportimin e krerëve të institucioneve të drejtësisë të re në Kuvend, e në veçanti Z. Dumani?

Ilir Meta: Natyrisht që i kam ndjekur raportimet e tyre edhe në Komisionin e Ligjeve në Kuvend, por edhe në seancën plenare për këtë qëllim.

Është dramatike të konstatosh se niveli i krimeve në vend është rritur me 35%, ndërkohë që popullsia në vend është tkurrur në mënyrë tragjike.

Pra kjo dëshmon për një nivel në rritje të ndjeshme të kriminalizimit të shoqërisë, ndërkohë që kjo është pasojë e filozofisë të qeverisjes të bërë publike nga ish-ministri i Brendshëm, Z. Çuçi, se nuk ka zhvillim pa krim.

Sepse po të ishte filozofia qeverisëse se nuk ka zhvillim pa Arsim, natyrisht që buxheti për arsimin do të ishte dy herë më i lartë dhe po kështu edhe pagat e arsimtarëve.

Po kështu, konkluzioni tjetër se ndërsa numri i arrestimeve të zyrtarëve të lartë është rritur, por se edhe korrupsioni ka ardhur në rritje, dëshmon jo suksesin, por dështimin e SPAK-ut për të parandaluar korrupsionin në vend.

Sepse SPAK nuk ka hetuar procedurat e paligjshme të bëra publike të shumë aferave të mëdha, por ka goditur ish-zyrtarë të caktuar sipas regjisë të Edi Ramës për fakte sekondare apo periferike në mënyrë që aferat ku përfituesi kryesor është Rama të mos vazhdojnë, por edhe publikut t’i hidhen disa “bedela” për t’u “kënaqur” dhe harruar se cili është përgjegjësi kryesor për varfërimin e tyre në rritje, që është vetëm Edi Rama dhe modeli narkoekonomik që ai zbaton.

Po kështu, mos harroni 250 fletë-arresti të dështuara nga SPAK.

Ata janë të lirë, vijojnë bizneset e tyre dhe kanë mbushur Kuvendin me “superdeputetë” tejet të votuar edhe pse të panjohur.

Z. Dumani mburret me besimin e partnerëve ndërkombëtarë. A nuk mjafton kjo për ta quajtur SPAK të suksesshëm?

Ilir Meta: Besoj se të gjithë i kanë sytë në ballë për të verifikuar realitetin.

Po kështu për të parë edhe të gjithë treguesit e krimit të organizuar dhe korrupsionit.

Shikoni sa ka qenë kursi i euros dhe dollarit para 10 vitesh kur u miratua reforma apo para 6 vitesh kur filloi aktivitetin SPAK-u.

Pse ndodh kjo? Sepse Edi Rama dhe krerët e krimit të organizuar në nivelet më të larta ndihen të mbrojtur dhe të pahetueshëm për miliardat e eurove që pastrohen këtu.

Sepse shpesh jo vetëm vonohen, por edhe dekonspirohen urdhërarrestet që vijnë nga partnerët ndërkombëtarë.

Sepse është qesharake të përgjigjesh në Kuvend se kemi rënë dakord që Amant Josifin ta hetojnë vetëm spanjollët, kur ai është shtetas shqiptar që ka kryer veprimtari, në rradhë të parë këtu.

Pse spanjollët do e hetojnë për veprimtarinë në Shqipëri?

Sepse është ky SPAK që kur ia kërkon Edi Rama, nxjerr deklaratë për mediat se personi i dytë nuk ishte Olsi Rama, por pa thënë se cili ishte.

Po kështu, është ky SPAK që shumë kërkesave zyrtare të bëra edhe nga opozita apo shoqëria civile për kallëzime të bëra prej kohësh, nuk u përgjigjet.

A besoni ju se pas Dumanit, SPAK-u do jetë më i suksesshëm?

Ilir Meta: Periudha e Dumanit dhe Irenës, gjyqtares “speciale” të Gjykatës Speciale, do kujtohet si periudha e “revolucionit kulturor” në drejtësi.

Cdo “revolucion” i tillë ka Lejfenët e tij që i propogandon Partia-Shtet.

Këta janë njerëz mediokër me problem në formim dhe integritet, që keqpërdoren pa mëshirë nga sistemi që i ka pjellë.

Dhe meqënëse erdhëm te pjelloria, kurrë mos harroni se fatkeqësisht SPAK është pjellë e një dhunimi të Kushtetutës që u votua me 140 vota në 22/23 korrik 2016.

Mos harroni dhe lexoni Kushtetutën ku me 140 vota u fiksua në nenin 179, pika 13 se: “Deri në zgjedhjet parlamentare, që do të mbahen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, por jo më vonë se data 1 shtator 2017, zgjedhja e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë dhe e Prokurorit të Përgjithshëm do të bëhet me dy të tretat e anëtarëve të Kuvendit. Zgjedhjet e tjera do të bëhen me tri të pestat e anëtarëve të Kuvendit”.

Ky formulim u bë me insistimin e Komisionit të Venecias, pasi kur u miratua Reforma në 22/23 korrik 2016, mazhoranca (PS+LSI) kishte 87 vota dhe kërkohej të shmangej zgjedhja e njëanshme e Prokurorit të Përgjithshëm deri në zgjedhjet e reja dhe konstituimin e Kuvendit pasues që do të realizohej në Shtator 2017.

Si e zgjodhi Edi Rama Prokuroren e Përgjithshme, Znj. Arta Marku? Më 18 dhjetor 2017, vetëm me 69 vota dhe shashka me tym në Kuvend.

Përse? Që ajo të emëronte njerëzit e besuar të “Rilindjes” në sistem për të zgjedhur Këshillin e Lartë të Prokurorisë që i duhej Edi Ramës, i cili zgjedh edhe prokurorët e SPAK-ut.

Pra kjo është e vërteta që kurrë nuk duhet harruar dhe duhet të përsëritet gjithmonë.

Pra nuk ishte faji i 140 votave që ndryshuan Kushtetutën, por i shkeljes flagrante të Kushtetutës me 69 vota që bëri Edi Rama me bekimin e McGonigalëve dhe korit sorosist ndërkombëtar.

Ndaj nuk duhen pritur ndryshime substanciale nga një krijesë e deformuar që në lindje në të ardhmen e afërt.

Me këtë nuk dua ti barazoj me Z. Dumani të gjithë prokurorët aktualë të SPAK-ut, sepse pjesën dërrmuese nuk i njoh as si emra dhe respektoj cilindo që punon me përkushtim dhe integritet.

Por mos harroni, në një shtet ku sipas OSBE-ODIHR-it, Partia është shkrirë me shtetin, është iluzion të besosh te pavarësia e SPAK-ut.

Ndaj duhet rritur kërkesa e llogarisë në publik që ata të përmbushin detyrimet e tyre ligjore, por edhe të mbështeten që të jenë sa më të pavarur.

*Ndërkohë, dje u pretendua se SPAK kishte paraqitur prova të reja për ju pranë gjykatës, që kishin të bënin me letërporosi nga SHBA, ndaj të cilave ju reaguat me përbuzje.

Po kështu gjykatësja Irena Gjoka pezulloi afatet e paraburgimit tuaj edhe pse avokati juaj ishte prezent. Pse aq i shpejtë dhe i prerë reagimi juaj?

Ilir Meta: Sepse SPAK-u i Dumanit është një makineri manipuluese propogandistike që mbështetet fuqimisht nga regjimi për të dizinformuar publikun dhe për të justifikuar veprimet e paligjshme që ka bërë edhe bën, përfshirë edhe rrëmbimin tim kriminal në 21 Tetor 2024.

Dumani quan provë çdo hamendësim dhe dëshirë të tij apo çdo korrespondencë burokratike.

Ndërkohë që është e provuar se ai ka gënjyer disa herë autoritetet gjyqësore amerikane dhe të tjera lidhur me personin tim.

Por deri në përfundim të seancës paraprake, në respekt të ligjit, nuk do të bëjmë publike asnjë fakt dhe dokument.

Ndërkohë është e provuar se qëllimisht SPAK ka fshehur prova ose s’ka bërë hetimet e duhura për zbardhjen e çështjeve, pretendime që ne do t’i ngremë në seancën paraprake të gjykimit.

LSI dhe jo Ilir Meta, ka patur një kontratë të ligjshme dhe me klauzola të mirëpërcaktuara me kompaninë GSIS se si përmbusheshin detyrimet reciproke, bazuar qartë në ligjin antikorrupsion të SHBA, por edhe ligjet tona.

Nuk ekziston në mënyrë absolute asnjë provë që Ilir Meta të ketë autorizuar ndonjë pagesë të parregullt apo të ketë patur dijeni se dikush ka bërë diçka të tillë në emër të LSI për periudhën që ka qenë kryetar.

Unë i nxis tre “muskëtjerët” që firmosën rrëmbimin tim mbi një ligj të shfuqizuar 4 vite më parë, të vazhdojnë hetimet dhe për këtë do kemi edhe një listë me kërkesa të qarta e specifike në seancën e gjykimit paraprak, të cilat do i bëjmë edhe publike.

Ata luftojnë edhe për një mandat, ndërsa unë luftoj jo vetëm edhe për shumë mandate të tjera, por edhe që të vendosim drejtësi brenda “drejtësisë”.

Jo vetëm asnjë politikan nuk duhet të jetë i pahetueshëm apo pandëshkueshëm, por as edhe një prokuror dhe gjykatës gjithashtu që shkel ligjin dhe fsheh prova.

Dhe meqënëse erdhëm te gjykatësit, për t’iu përgjigjur pezullimit të paraburgimit tim nga gjykatësja “speciale” e Gjykatës Speciale, e si mund të ndodhte ndryshe që mua nuk më llogaritet burgu për shkak të mosparaqitjes të avokatit të një personi tjetër që është në liri.

Dumani dhe Irena janë “drejtësia” pa frena.

Nëse SPAK-u i Dumanit do kishte një ndjenjë minimale të interest publik, do e kishte zbardhur prej dy vitesh aferën e fondeve të IPARD-it që u ka mohuar fermerëve tanë 112 milionë euro çdo vit.

Si shpjegohet që këtë aferë e zbardh në detaje një emision si “Plug” me 3 veta personel dhe nuk e bën kjo strukturë me 20 prokurorë dhe 50 punonjës të BKH të tejet paguar.

Se nuk i lejon Edi Rama, i cili e sheh braktisjen e bujqësisë si rrugën më të efektshme të shpopullimit, përveç se te kjo aferë është vetë ai.

Zbardhja urgjente e aferës së IPARD-it ka impakt direkt te 40% e shqiptarëve që merren me bujqësi.

Se t’i kërkosh SPAK-ut të hetojë e ndalojë gjakderdhjen financiare të dy tigrave nga Bangladeshi në Vlorë, është si t’u kërkosh të arrestojnë “tigrin” që kërcënonte demokratët me ngrënien e barit, ndërsa vetë sot ha një rrogë të majme falë ndikimeve të paligjshme të bëra në një vend tjetër, ku vetëm për një aferë si kjo, shqiptarëve u rrëmbehen gati 100 milionë euro.

Ndaj dhe e patë se ku renditej Shqipëria në Ëorld Justice Programe dje. Tmerr ta krahasosh me 2015. Në vitin 2015 kemi qenë në vendin e 78-të sa i përket përhapjes së korrupsionit, tani me krijim e SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë, Shqipëria renditet në vendin e 105 në botë.

Akoma më shokuese janë të dhënat për drejtësinë penale dhe atë civile.

Për drejtësinë civile, në vitin 2015 kemi qenë në vendin e 55, tani jemi në vendin e 99, ndërsa sa i përket drejtësisë penale, kemi qenë në vendin e 46, tani jemi në vendin 82.

Edhe Vietnami komunist një partiak është në vendin e 83-të për sundimin e ligjit i renditur 22 vende më mirë se Shqipëria,

Se kemi Dumanin, këtë mburravec statistikash mashtruese, kemi mbetur edhe prapa Vietnamit.

Vetëm 9.7% e të paraburgosurve i takojnë SPAK-ut thotë se i di njerëzit abalfabetë.

Por po ta krahasosh me numrin e vogël të çështjeve penale që mbulon SPAK, po të aplikonte Prokuroria e Juridiksionit të Përgjithshëm të njëjtin arbitraritet, sot do kishim ndoshta 100 mijë të paraburgosur në Shqipëri.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news