Mesatarja si kriter pranimi në universitet

Dr. Ndriçim Mehmeti

Dr. Ndriçim MehmetiNë projektligjin e paraqitur nga Ministria e Arsimit dhe Sportit së fundi, bie në sy këmbëngulja, që mesatarja të jetë si kriter pranimi për çdo maturant që kërkon të studiojë në universitetet publike, publike të pavarura dhe private në Shqipëri. Ministrja dhe ata që ia kanë mbushur mendjen për këtë ndryshim, mendojnë se kjo është reforma e duhur, për cilësi më të mirë, për shmangien e korrupsionit, për më shumë transparencë etj, në pranimet në universitet. Vendosja e mesatares si kriter pranimi, bënë të kundërtën: Shmang transparencën, rrit në mënyrë eksponenciale korrupsionin dhe shënon fillimin e rrënimit të arsimit të mesëm në Shqipëri dhe cilësisë në pranimet në shkollën e lartë.

 

Pse u zgjodh mesatarja si kriter pranimi në universitet?

Opozita socialiste, kishte akuzuar disa herë se “procesi i Maturës Shtetërore, kishte pësuar një degradim”, që sipas saj mund të shmangej me heqjen e saj. Njësoj si teoria e Doktor Adhamudhit, që “kur të dhemb një sy kërreje, që të shpëtoj tjetri”, socialistët në opozitë por edhe pasi erdhën në pushtet, mendojnë se shërimi i sistemit, nuk vjen duke u kuruar apo përmirësuar, por gjithnjë duke rrafshuar në zero atë që është bërë dhe kthim në metodat e harruara të para 30 e më shumë vitesh. Neni 73 i projektligjit të arsimit të lartë, parashikon se, “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.” Nëse bëjmë një kthim prapa, kujtojmë se znj. Nikolla, mburrej me të madhe se kishte luftuar abuzivitetin në MSH, duke vënë si prag të kalimit 20%. Ndërkaq, në projekt-ligj, zonja në fjalë i le dorë KM, të vendosi notën mesatare, sipas vaktit për çdo vit. Pra në 2016, nota më e ulët për pranim mund të jetë 6.5, ndërsa në 2017, ajo mund të jetë edhe 6.2. Atributet që duhet t’i merrte një ligji, i kalojnë një trupe politike, e cila, do të vendosi sipas rastit, dëshirës dhe preferencave politike, pa pyetur shumë për cilësinë e arsimit. Modeli im kujt vendi është ndjekur në rastin e përcaktimit të mesatares nga KM si kriter i vetëm pranimi në universitet? I Anglisë, Francës, Kosovës, Qipros, Luksemburgut? Nenin 72, pika 2, thuhet se “Universitetet mund të vendosin kritere shtesë.” Pra universitet nuk janë të detyruara të paraqesin ndonjë kriter shtesë, por mund të bëjnë ndonjë propozim. Nuk ka as kriter përzgjedhje, që kushtëzohet projektligjit, nuk do të jetë asnjë ndalesë për askënd që dëshiron të vazhdojë shkollën e lartë, mjafton të plotësojë kriterin e mesatares të vendosur nga KM. Nëse vendoset një mesatare dysheme, çfarë ndodh me maturantët që për arsye të kuotave të kufizuara, nuk arrijnë të marrin programin që dëshirojnë edhe pse ata kanë arritur pragun e mjaftueshëm të mesatares përcaktuar nga KM? Po kur e shpall, KM, kriterin e notës mesatare? Projekt-ligji nuk thotë asnjë gjë. Pra KM ka dorë të lirë të marri të dhënat e maturantëve dhe mbi bazën e rezultateve ka në dorë të bëjë “politika sociale” Për të mos shtuar shumë numrin e të papunëve, qeveria u hap dyert e Universitetit publik, publik të pavarur dhe privat, përmes vendosjes së një mesatareje “të arsyeshme”, që ndryshon nga vitit në vit. Fitojmë më shumë studentë, më pak të papunë dhe natyrisht më shumë detyrime politike, nga studentët për qeverinë.

 

Pse mesatarja është fillimi i shkatërrimit të arsimit të mesëm?

Për gati 2 vjet qeveria është përpjekur shumë, duke harxhuar shumë para dhe kohë televizive, për arsimin profesional. Të gjitha përpjekjet kanë dështuar me sukses. Nuk kemi asnjë rritje të dukshme të nxënësve të regjistruar në shkollat e arsimit profesional, ashtu sikundër nuk kemi, as edhe ndonjë rritje të hatashme të interesit për arsimin profesional. Nëse do të ishte ndryshe, do të kishim më shumë shkollë të reja për arsimin profesional. Pas vendosjes së mesatares, më pak njerëz do të jetë të interesuar për arsimin e mesëm, i cili, me logon e MMSR, në diplomën e një maturanti, e quan të mbyllur ciklin e studimeve për të. Vendosja e përvitshme e mesatares, do të rrisë presionin në mënyrë të paimagjinueshme, nga prindërit tek mësuesit, që këta të fundit të vendosin nota me meritë dhe pa meritë. Fiktiviteti do të ritet në atë masë, sa do të bëjë të pamundur kontrollin për dijet e marra nga nxënësit. Provimet e MSH, do të jenë thjesht një formalitet, ku mësues, prindër dhe nxënës, do të jenë të pa interesuar për të. Nuk do të ketë nevojë fare që nxënësi të jetë i impenjuar në provimet e MSH, pasi ai ka siguruar notën mesatare, gjatë 3 viteve dhe pritet që mësuesit të jenë zemërgjerë për t’i konfirmuar notat e mara apo fituar më saktë, përmes parimit “t’i nuk ja prish dot avenirin fëmijës sim”. Po ashtu pritet që në masë, nxënësit e shkëlqyer të dalin gjithnjë e më të shumë në numër në Shqipëri. Në fakt sinjalet u dhanë që këtë vit. Në olimpiadën kombëtare të biologjisë, zunë vendet e para 68 nxënës. Kishte shkolla që kishin 17 nxënës fitues. Pra Shqipëria me rreth 132 mijë nxënës në arsimin e mesëm ka 5% të nxënësve të talentuar deri në gjeni në një shkencë, kaq të lakmuar në të gjithë globin. Po kështu do të jetë edhe maturantë të talentuar. Kryeministri, duhet të përgatitet që të kalojë ditë të lodhshme festimi me ata që do të dalin me rezultate të larta e që ai vetë do t’i nderoj me “Medaljen e Artë”.

 

A ka më vlerë sistemi i vlerësimit në shkollën e mesme?

Në sistemin tonë arsimor nota më e ulët është nota 5 (pesë) dhe më e larta është 10 (dhjetë). Me zyrtarizmin e mesatares për pranim në Universitet, nota më e ulët do të jetë pikërisht poshtë këtij pragu. Pra nëse nota mesatare më e ulët për pranim do të jetë 6, atëherë si pesë si katër, për një maturant dhe prindin e tij, do të jetë e njëjta gjë. Nota më e ulët kaluese do të bëhet pikërisht nota mesatare e shpallur nga KM. Të gjithë, nxënës mësues, prindër, do të jenë nën presionin dhe tensionin e kësaj note. Mësuesit do të kenë vështirësi, në vendosjen e një note sipas meritës së nxënësit, nxënësit do të jenë përballë stresit të notës dhe jo dijeve, prindërit do të ngulmojnë mbi mësuesit dhe fëmijët e tyre, që me çdo kusht të arrihet rezultati. Për një pjesë të prindërve, nuk ka rëndësi, çfarë meriton fëmija e tyre, por si do ta projektojnë të ardhmen e tyre. Për të arritur këtë objektiv, mjeti do të justifikoj qëllimin. Me para, me meritë, pa meritë, me njohje, përdorim të politikës, postit apo frikës, mësuesi, duhet t’i nënshtrohet dëshirave të prindit dhe fëmijës së tij dhe jo çfarë meriton. Sistemi i vlerësimit, do të jetë thjesht një mekanizëm në letër, që nuk mat asgjë. Vlerësimi do të mbesë si një konvencion, që mësuesit duhet të hedhin në regjistër. I hapet fenomenit të bërjes së llogarive më shumë nën tavolinë, sesa nota të jetë meritë e përgjigjes në klasë. Kurset private do të njohin një rritje të kërkesave, për arritjen me çdo kusht të notës. Mbi mësuesit do të bie i gjithë presioni i notës, mbi nxënësit stresi për rezultat të lart në çdo lëndë, lufta e pa principtë me bashkëmoshatarët e tij. Tensionet sociale mes komunitetit të nxënësve, nxënësve dhe mësuesve si dhe mësues-nxënësve dhe prindërve, do të njohin përshkallëzim nga vitit në vit. Kështu Matura, do të mbetet si një relike, pa vlerë, sistemi i vlerësimit do të kthehet në grupim notash, që përcaktohen varësisht nga KM, ndërsa cilësia e sistemit arsimor, do të varet nga sasia e maturantëve që do të shkojnë në shkollë të lartë. Prej vitit të parë e deri në ditën e fundit të shkollës, nxënësit do të luftojnë për çdo notë, në fizkulturë, arte, matematikë, fizikë, gjuhë e me radhë dhe vështirë se ndonjë prej tyre të pranoj barazimin e jo më humbjen. Pra do të jetë e vështirë të pranohet nota që ata nuk e duan pale pak më të ulët se ajo. Dhe kjo do të quhet reformë e suksesshme. Nikolla e Rama do të mburren se hoqën korrupsionin në pranim dhe nuk do të skuqen aspak që korrupsioni imagjinar i pranimeve sipas sistemit meritë-preferencë, i garantuar prej procesit të MSH, do shumëfishojnë me shtrirje në të tre vitet e arsimit të mesëm të lartë.

Kjo duket se nuk ka shumë rëndësi. Për të hequr vëmendjen nga marrëzitë e shumta në arsimi Nikolla, çon më parlament çdo 6 muaj nga një variant ligji. Tani ata janë të vendosur të “mbyllin vrimën e korrupsionit”, për të hapur “çezmën e drejtësisë” në pranimet në universitete. Duke “u djegur nga qulli t’i frysh kosit”, nuk është ndonjë zgjedhje e mençur. Në mungesë të një vizioni afatgjatë, MAS eksperimentin. T’i shkosh deri në fund marrëzisë, nuk është se tregon forcë karakteri, apo një qëndrim mbështetur mbi parime të drejta për të vendosur drejtësinë.

Thjesht MAS nuk di ç’të bëjë dhe çdo muaj përpiqet që mungesën e vizionit dhe dështimit ta fsheh mes rreshtave të “reformave të suksesshme”. Arsimi i lartë u godit, arsimi bazë u rikthye shumë prapa me reformën 5+4, dhe për të përmbyllur shkatërrimin e çdo cikli arsimor, tani radhën e ka arsimi i mesëm.

 

Share it :