“Më vritni mue e mos qitni mbi të huejt…”

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim MehmetiKëto janë fjalët e Preng Bib Dodës, përpara se të qëllohej për vdekje në pritën që i kishin ngritur, në vitin 1919. Ai shoqërohej në kohën kur u vra nga konsulli anglez Eden, një mik i njohur i shqiptarëve. Preng Pasha doli i pari nga makina e tij e mbeti viktimë e pritës së banditëve, ndërsa njerëzit e tij mbrojtën me jetë konsullin Eden, i cili u plagos lehtë në krah. Kronika përsëritet shumë më shëmtuar në 1924. Në situatën e nderë politike të asaj periudhe, Sejfi Vllamasi shkruan: “Shtyhet Idriz Veseli nga fshatrat e Krujës, kriminel i arratisur, të prishte qetësinë në Mamurras në rrugën Tiranë-Shkodër, duke vrarë disa malësorë që do të ktheheshin nga Tirana në Shkodër më 6 prill 1924. Për fat të keq, të parët që kaluan atë ditë nga ajo rrugë qenë dy tregtarë amerikanë, që shkonin në Shkodër, të cilët u vranë prej banditëve në vend të malësorëve”. Tani në 2015, banditë burracakë i ngrenë pritë një çifti të rinjsh çekë. Kush ishin Michael Svatov dhe Anna Kosinova? Të dërguar për zbulim në Shqipëri? Njerëz që u interesonte politika në Shqipëri? Dy të rinj “të maskuar” në shërbim të ndonjë agjencie inteligjente të huaj? Jo. Ata ishin dy të rinj kureshtarë për natyrën e bukur shqiptare. Të apasionuar pas bjeshkëve të Shqipërisë. Të dashuruar me natyrën shqiptare. Ata ishin dy njerëz, që, se nuk donin t’ia dinin fare se kush ishte Kryeministri në Shqipëri, kush i fitoi zgjedhjet lokale, përse zihen Rama me Metën, përse shkruan statuse Rama kundër Bashës e ky i fundit i kundërpërgjigjet.

Michael dhe Anna nuk donin t’ia dinin për këta njerëz. Ata kishin dëgjuar prej bashkatdhetarëve të tyre se ka një vend në Ballkan që të mirëpret, është një vend që ka një bukuri të pakrahasueshme, të ngjashme me Alpet evropiane dhe pyjet e Bohemisë. Ata kishin dëgjuar edhe parë ndoshta se ky është vendi me shumicë myslimane, që në 25 vjet është vizituar nga dy papë, që i ishin pritur me nderime nga qytetarët, pavarësisht nga feja që i përkisnin. Ata e dinin, e kishin lexuar, e kishin dëgjuar ose jo se ky është vendi “ku shtëpia është e mikut dhe e Zotit”. Ata u tradhtuan, u torturuan, u vranë, u përdhosën në vendin ku i hapet porta gjithkujt që thërret “A don miq o i zot i shtëpisë”. Mund të ishin joshur edhe nga librat e Edith Durhamit. Tek libri “Brenga e ballkanasve” Durham sjell një letër që fshatarët e Malësisë së Veriut në vitin 1910, i drejtoheshin në këtë mënyrë: “Po të lutemi ty, në emër të Zotit, të shkruash natë e ditë, të shtypësh mjerimin tonë në çdo gazetë dhe të kërkosh drejtësi. Sllavët kanë Rusinë për t’i ndihmuar. Ne s’kemi asgjë. Ne të lutemi të vazhdosh udhëtimin që ke nisur. Ti nuk ke për të hasur asnjë rrezik, por do të ndihmohesh në çdo vështirësi”.

Anna dhe Michael eksploronin vende jo të panjohura, më parë në kohë edhe më të vështira, prej bashkëqytetarëve të tyre evropianë. Kush më shumë se këta udhëtarë, të qeshur e të shpenguar do të jenë ambasadorët e paemëruar të vendeve nga vijnë për vendin tonë? Kush më shumë se zëri i tyre, rrëfenjat në shtyp apo edhe në ditarët personale do të mund të çojë një copëz Shqipërie në Perëndim. Më shumë se të pasur për lekët që harxhojnë, ata na bëjnë më të ndjeshëm, më të dashur për vendin tonë, për bukuritë që ia njohim dhe nuk ia vlerësojmë. Ne kemi mundësinë që përmes syve të Annës e Michaelit dhe shumë të tjerëve, të ndiejmë për krenari për vendin tonë. Të mos ulim kokën, por të ecim përpara për hir të një të ardhmeje më të mirë. Ne nuk ishim aty kur Anna dhe Michael kishin nevojë për ndihmë. Ne nuk folëm asnjë fjalë, kur me titra u shfaq kjo gjëmë. Mbase ishim të përhumbur në emisione pa shije, ndiqnim serinë 2054 të telenovelës që nuk i mbajmë mend as titullin ose po shijonim një gotë birrë me qofte. Ata që e panë dhe e dinin mirë se ç’ndodhte, nuk lëvizën nga vendi. Krismat që çanë errësirën e natës, nuk prekën askënd. Kjo është fare e kuptimtë. Një popull që pak reagon për të drejtat e tij, është krejtësisht i painteresuar për të drejtat e madje edhe jetën e tjetrit. Po shteti ku ishte? Në krye të detyrës. Më pas punën do ta marrë prokuroria dhe i lamë duart. Po nuk u gjendën autorët? Fajin e ka drejtësia e korruptuar, gjykata e prokuroria. Po faqja e shqiptarit a është nxirë, skuqur, rrudhur apo lagur nga lotët që dalin vetiu prej kësaj ngjarjeje? Në mëngjesin e sotëm, kur duhet të oshim mbledhur për një përshpirtje në heshtje në kishë, shtëpinë tonë, përpara ambasadës greke, ne ishim strukur në krevatin tonë, zhytur në gotën e rakisë, për mëngjes apo duke rendur me vrap në plazhe. Madje, diku diskutohej edhe shumë seriozisht për ligjin e arsimit të lartë. Thua të jemi bërë kaq të pashpirt sa nuk na trondit as humbja tragjike e jetës së dy udhëtarëve të huaj në rrugët e këtij vendi? Plumbat e drejtuar Michaelit e Annës nuk shpuan makinën dhe trupat e tyre. Ato nuk trokitën dot sa duhet në ndërgjegjen tonë, nuk prekën sadopak ndjesinë e fjetur prej vitesh tek ne. A mjafton shpërblimi i majmë i Policisë së Shtetit për të ndëshkuar këtë krim të pashembullt? Ndoshta po. Kjo është puna e policisë dhe e shtetit. Por është e dhimbshme të presim se një shpërblim, cilido qoftë, do të vërë në vend nderin e humbur të të gjithë atyre që e quajnë veten qytetarë të këtij vendi. Dikush ka parë, ka dëgjuar, e di kush janë ata që kanë ngritur dorë mbi dy njerëz që duhet të ishin në besë të krahinës e mandej të gjithë neve. Ne i premë në besë, në një pusi të ngritur me shumë kujdes. I vramë me gjakftohtësi, i hodhëm në greminë, me shpresën se asgjë nuk do të zbulohet. Kush ishin Anna dhe Michael? Ne nuk do t’i njohim kurrë aq sa duhet. Ne i njohim vetëm përmes fotove të pambarimta në malet tona, duke u gëzuar kur pozojnë me kuajt në fushat e blerta, në ujëvarat e Alpeve tona. Flamuri kuqezi ishte në sfond të fotove të tyre. Me një kamping të thjeshtë ata gëzonin çdo moment që kalonin në Shqipërinë tonë. Anna dhe Michael u qëlluan, u sakatuan dhe u hodhën në një greminë. Ata nuk janë më, edhe pse çdokush kërkonte të ishte ndryshe. Këta të rinj dhanë jo pak nga dashuria e tyre në trojet tona. Si shkëmbim ne u dhamë plumbin pas koke. Kush i vrau? Tani s’ka më rëndësi. Anna dhe Michael nuk janë më. Ndërsa ne do ta harrojmë këtë ngjarje me kalimin e ditëve. Tani është e vështirë të thuash shumë fjalë për të kompensuar humbjen e tyre. Me zë të dridhur mund të them vetëm kaq: Shpirti i tyre u prehtë në paqe! Na falni Anna dhe Michael, që nuk ju mbrojtëm dot!

 

 

Share it :