Mbledhja e grupit të PD-së/ Basha: Rama-Meta ofrojnë modelin e monstrave

Jetmir Olldashi

Basha mbledhje grupiDo të shohim brenda vetes, do të dalim në përfundime për rezultatin e çdo kutie, do të marrim masa për t’u korrigjuar aty ku nevojitet

Ringritja e zgjedhjeve të lira, lufta ndaj korrupsionit dhe procesi i dekriminalizimit janë tri aksionet e opozitës pas përfundimit të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit. Drejtimin politik të opozitës kreu i selisë blu, Lulzim Basha, ua komunikoi deputetëve të tij në mbledhjen e radhës të grupit parlamentar demokrat. Kryetari i PD-së i bëri një përmbledhje situatës politiko ekonomike të vendit, ndërsa tha: “Dekriminalizimi, lufta pa kompromis kundër korrupsionit që është gangrena e qeverisjes Rama-Meta, ringritja e zgjedhjeve të lira e të ndershme janë tri beteja jetike për opozitën, për demokracinë, për të sotmen dhe të ardhmen e shqiptarëve”. Ai sulmoi dyshen drejtuese të mazhorancës për metodat e përdorura në manipulimin e zgjedhjeve të 21 qershorit. Sipas tij, ka pasur disa mënyra, duke arritur deri tek korruptimi i fëmijëve për të manipuluar çdo votë të mundshme. Akuzat e rënda të zotit Basha u bë e ditur se i janë paraqitur dhe institucioneve monitoruese të procesit zgjedhor. “Marrëzia e horrave dhe zuzarëve të Ilir Metës dhe Edi Ramës ka shkuar deri aty sa të detyrojnë apo joshin fëmijët të vjedhin kartat e identitetit të prindërve. Dhjetëra raportime konkrete kanë mbërritur e janë dokumentuar. Kjo shkon përtej krimit elektoral të 21 qershorit. Kjo është një gjëmë e madhe për çdo prind, për çdo familjar për çdo të ri dhe të re. Kanë inauguruar një proces horror të prishjes që në gen të brezit të ri sipas vetë modelit të tyre të monstrave. Çfarë modeli u ofrojnë këta të rinjve?”, – ka shtuar më tej Basha. Lideri i selisë blu ka insistuar se ngritja e kultit të vjedhjes dhe korrupsionit po shkatërron të ardhmen e vendit. “Kjo është ngritja në kult e krimit dhe korrupsionit, kjo është shpallja ceremoniale e republikës së krimit dhe korrupsionit, marshi funebër i shtetit ligjor dhe i vlerave si themeli i individit, familjes dhe shoqërisë”. Domethënien e zgjedhjeve dhe zhurmën rreth tyre Basha e ka cilësuar si turravrapin e dyshes së mazhorancës për të rrëmbyer çdo gjë në këtë vend. “Qëndrimet, vendimet, aktet dhe gjestet postzgjedhore të dyshes Rama-Meta. Akti më domethënës, është pseudokonkursi i Ramës për projektin e hyrjes në Parkun e Liqenit të Tiranës, një projekt tipik i modelit të tij të vjetër të betonizmit, i shpërfilljes dhe nëpërkëmbjes së qytetarëve, për llogari të interesave klienteliste”. Basha i mëshoi faktit se të zgjedhurit e majtë janë kukulla në duart e dyshes që drejton shumicën qeverisëse. “Se është ai, Rama, kryetari i vërtetë i bashkisë së Tiranës dhe gjithë bashkive socialiste, sikurse është Meta kryetari i bashkive të fituara nga LSI. Se dyshja të tjera thotë e të tjera bën”. Kryetari i Partisë Demokratike ka përmendur duke cituar raportin paraprak të monitoruesve ndërkombëtarë për zgjedhjet e 21 qershorit. Sipas Bashës, deklaratat e ndërkombëtarëve janë të qarta. Ai shtoi: “Është e qartë se kaq e rëndë dhe tronditëse ka qenë pesha e provave të krimit elektoral, kaq tronditëse e vërteta që kanë parë me sy e dëgjuar me veshë vëzhguesit e huaj, para dhe gjatë ditës së votimit, sa nuk kanë pritur të kalojnë dy muaj për t’i vënë vulën. Nuk ka dyshim se tabloja e dhunimeve, parregullsive, shkeljeve dhe manipulimeve do pasqyrohet edhe më e plotë”, – theksoi kryetari i PD-së para deputetëve të grupit të tij parlamentar. Ndërsa ka folur për situatën në tatime dhe dogana, ku, sipas Bashës, vetëm në gjashtë muaj mungojnë më shumë se 150 milionë dollarë nga buxheti i shtetit. Lideri i opozitës ka përmendur evazionin fiskal korrupsionin në tatime e dogana, të cilat sipas tij janë të gjitha me lejen e dyshes Rama-Meta. “Sepse ato para vidhen. Sepse në dogana dhe tatime ka plasur hajdutëria si kurë më parë. Sepse është vetë ai arkitekti i politikave dhe emërimeve që favorizojnë kontrabandën dhe evazionin e shekullit në këto sektorë. Sepse është vetë në krye të kupolës që përfiton nga rrjedhja e parave jashtë sistemit legal, para që në një masë të caktuar u përdorën për të blerë vota dhe influencuar në zgjedhje”. Shefi i demokratëve njohu deputetët me atë çka solli situata post zgjedhore. Zoti Basha përmendi sërish emrat e përfolur për rekorde kriminale, të cilët ishin kandidatë dhe fituan si përfaqësues të së majtës në zgjedhjet vendore. “Arrogancë në rritje, kriminalizim në rritje me Bushët dhe Roshët në bash të sofrës kryeministrore të kapjes së pushtetit vendor, paligjshmëri si asnjëherë tjetër, korrupsion të shkallës më të lartë, kontrabandë dhe evazion galopant në gjithë sistemin e doganave dhe tatimeve”. Kryetari i selisë blu njohu ligjvënësit demokrat me mbështetjen ndërkombëtare që po merr opozita, sipas tij, nga partnerët strategjikë të Shqipërisë. “Unë kam kënaqësinë t’ju bëj me dije ju dhe mbarë qytetarëve shqiptarë se mbështetja ndërkombëtare ndaj Partisë Demokratike dhe opozitës për këto kauza është më e madhe se kurrë. Në takimet e shumta dhe intensive që kam zhvilluar këto javë në Bruksel, Vjenë dhe Tiranë me përfaqësuesit e lartë të komunitetit euroatlantik kam marrë garancitë më të forta për mbështetjen e kauzës dhe betejave tona për zgjedhje të lira dhe të ndershme si themel i demokracisë, për shtetin ligjor”, – ka thënë më tej kryetari Basha, ndërsa fliste para deputetëve demokratë. Basha qetësoi kritikët dhe kërcënoi drejtuesit lokalë, kur shprehu bindjen e tij se do të ketë analizë të hollësishme të situatës zgjedhore për Partinë Demokratike. “Po, do të shohim brenda vetes, do të dalim në përfundime realiste për rezultatin e çdo kutie, do të njohim pa asnjë kompleks te metat dhe defektet, do të marrim masa për t’u korrigjuar aty ku nevojitet, do të ndërtojmë programe të plota zhvillimi, do të frymëzojmë zgjimin e një ere të re për demokracinë në vend, do të jemi kritikë dhe konstruktivë”. Gjithashtu, lideri i opozitës shtoi se analizat e brendshme nuk do të ulin vigjilencën e opozitës për të denoncuar sipas tij keqqeverisjen dhe korrupsionin galopant. “Por askush nuk duhet të ketë iluzionin me të vogël se duke parë brenda vetes nuk do të shohim jashtë vetes, nuk do të përmbushim orë e çast detyrën tonë publike dhe kombëtare si opozitë e fortë, alternativë gjithnjë e më e pjekur dhe më e sigurt shpresë për vendin. Janë ditë të pazakonshme”. Lideri i selisë blu e mbylli fjalën e tij duke thënë se: ne jemi më të vendosur se kurrë, dhe të bindur se bashkë me qytetarët do ta flakim zgjedhën e regjimit oligarkik të Edi Ramës dhe Ilir Metës. Pushteti i vjedhur apo i blerë nuk ka të ardhme”, – tha kryetari i PD-së, Lulzim Basha.

Share it :