Testi i Gjuhës-Letërsisë do të përmbajë 25 pyetje, ku 13 pyetje janë me alternativa dhe vlerësohen me 1 pikë secila
Sot zhvillohet provimi i dytë i maturës shtetërore për 46 mijë maturantë. Maturanti duhet që të sigurojë të paktën 20 për qind të pikëve që të kualifikohet si kalues. Maturanti përjashtohet nga provimi kur ndryshon vendin që i është caktuar, kopjon, bën komente për përmbajtjen e testit, mban telefon ose mjete te tjera të komunikimit. Po kështu përjashtime ka edhe kur maturanti refuzon kontrollin nga administratorët në momentin e hyrjes në provim, përdor lapsa apo më shumë se një ngjyrë në provimin e testit, kur dëmton testin apo barkodin. Mjediset kudo te zhvillohen provimet duhet të jenë të ajrosura dhe të ndriçuara. Të kenë të instaluara në vende të sigurta bllokuesit e valëve të telefonisë celulare, për të siguruar bllokimin e plotë të tyre. Të jenë të mjaftueshme për të paktën 50 maturantë, përveç rasteve të veçanta. Largësia ndërmjet çdo maturanti/kandidati të jetë jo më pak se 120 cm, në të katër drejtimet. Maturantët/kandidatët të ulen me fytyrë në të njëjtin drejtim. Sipërfaqja që maturanti/kandidati ka në dispozicion për të shkruar është të paktën 40×60 cm;
Në ditën e provimit, në qendrat ku zhvillohet provimi, nuk parashikohen veprimtari të tjera. Në mjediset ku zhvillohet provimi, nuk duhet të ketë tabela ose materiale të tjera që kanë lidhje me lëndën që jepet provim. Çdo qendër që përzgjidhet për zhvillimin e provimeve, duhet të ketë komunikim me rrugët automobilistike.
Provimi
Provimi do të nisë në orën 10 të paradites dhe maturantët do të jenë të detyruar që të qëndrojnë deri në orën 12 e gjysmë në ambientet e shkollës, pavarësisht se mund të kenë përfunduar testin. Testi i Gjuhës-Letërsisë do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 pyetje janë me alternativa, që vlerësohen me 1 pikë secila dhe 12 pyetje janë me zhvillim, që vlerësohen me 37 pikë. Testi vlerësohet me 50 pikë dhe për të qenë kalues duhet të grumbullohen 10 pikë. “Poezi: Homeri “Iliada”; Populli “Këngë të epikës legjendare shqiptare”; N. Frashëri “Lulet e verës”; De Rada “Këngët e Milosaos”; Bajron “Çajld Harold”; Fishta “Mrizi i zanave”, Poradeci “Lirika”; Migjeni “Vargjet e lira”; Kadare “Ca pika shiu ranë mbi qelq”. Prozë: Servantes “Don Kishoti”; Hygo “Katedralja e Parisit”; Pashko Vasa “Bardha e Temalit”; Balzak “Evgjeni Grande”; “Xha Gorio”; P. Marko “Qyteti i fundit”; Kadare “Kështjella”; Kamy “I huaji”; Markes “100 vjet vetmi”; Koliqi “Tregtar flamujsh”. Dramë: Eskili “Prometeu”; Shekspir “Romeo dhe Zhuljeta”, “Mbreti Lir”, “Makbeth”,“Hamleti”; Molier “Mizantropi”; Ibsen “Shtëpi kukulle”, ”Armiku i popullit”, – janë veprat që mund të bien në provim. “Struktura e testit do të jetë: Pjesa e parë: tekst letrar (45%). Pjesa e dytë: tekst joletrar (55%). Kjo do të thotë që në përgatitjen e maturantëve për provimin e Maturës Shtetërore do të punohet për përvetësimin e aftësive dhe teknikave zbuluese, shpjeguese, zbatuese, analizuese, sintetizuese dhe vlerësuese. Këto aftësi dhe teknika, nxënësit do t’i demonstrojnë dhe do t’i zbatojnë në tekste tregimtare, poetike, dramatike, bindëse/argumentuese, përshkruese, shpjeguese, informative, eseistike, kulturologjike, të punuara ose jo më parë në klasë. Pra, nxënësit duhet të aftësohen për objektivat e programit orientues. Ata duhet të jenë të aftë të demonstrojnë arritjet e tyre në të gjitha llojet e teksteve.
Rritet numri i fëmijëve të zhdukur në Shqipëri
Janë 49 fëmijë rezultojnë të humbur në Shqipëri, për periudhën 2009-2014. Ky ka qenë rezultati i një raporti të “Alo 116”-s, linjës kombëtare të këshillimit për fëmijë, i cili bazohet mbi të dhënat zyrtare të marra nga Policia e Shtetit. Situata vlerësohet si shqetësuese në këtë raport, pasi vetëm përgjatë harkut kohor të 5 viteve rezulton një 6-fishim i rasteve. Raportohet se, çdo ditë, një fëmijë mendon të largohet apo është larguar nga familja, në vendin tonë. Kategoria, që largohet me dëshirë nga mjedisi familjar, lidhet me një sërë faktorësh socialë, si divorci, dhuna dhe abuzimi në familje. Këto kategori, gjithashtu bien lehtësisht prè e aktiviteteve kriminale, ose vuajnë pasoja të depresionit dhe shëndetit mendor. Duke iu referuar statistikave, në 25% të rasteve, fëmijët vuajnë një formë abuzimi gjatë humbjes, 13% e të larguarve lëndohen fizikisht, dhe 8% e tyre bien viktima të dhunës seksuale. Kategoria më e rrezikuar, sipas studimit, mbeten vajzat nën moshën 14 vjeç. Ato janë më të ekspozuarat ndaj humbjes dhe zhdukjes, me 67% të rasteve, apo 296 raste gjithsej. Djemtë përbëjnë rreth 33% të rasteve të policisë, me 148 çështje të trajtuara. Trafikimi, rrëmbimi dhe shfrytëzimi seksual janë rastet më të shpeshta, ndërkohë që destinacionet ku përfundojnë janë shtete, si Greqia apo Italia. Sipas raportit, nuk përjashtohen as rastet e largimit të fëmijëve me njërin prind, apo shitja e tyre me qëllime përfitimi nga vetë prindërit. E ndërsa këto konsiderohen shifra shqetësuese për një vend të vogël si Shqipëria, globi përballet me statistika edhe më alarmante. Sipas organizatave ndërkombëtare, mësohet se në botë humbasin 8 milionë fëmijë në vit, ose thënë ndryshe, 22 mijë fëmijë të humbur çdo ditë. 30% e viktimave të trafikut ndërkombëtar të fëmijëve janë me origjinë nga vendet e Europës Juglindore.
Ndryshimi/ Si do të hapen programet e studimit me ligjin e ri
Hapja e programeve të studimit, mbyllja, si dhe riorganizimi i tyre në masën mbi 20% të përmbajtjes së tyre të shprehur në kredite, pas një cikli të plotë studimi, miratohet nga ministri përgjegjës për arsimin, në bazë të kërkesës së institucionit të arsimit të lartë, bazuar në vlerësimin e nevojave për aftësi dhe në përputhje me dispozitat e këtij ligji. Hapja e një programi të ri studimi në një institucion publik të arsimit të lartë bëhet me miratimin paraprak edhe të AKFAL-it, në të gjitha ato raste kur për hapjen e tij kërkohet financim nga buxheti i shtetit. Në rastet kur programi hapet pa miratimin e AKFAL-it, institucioni i arsimit të lartë merr përsipër mbulimin e shpenzimeve të programit të studimit në mënyrë të përhershme. Ministri përgjegjës për arsimin refuzon kërkesën në rastet kur institucioni i arsimit të lartë nuk përmbush kushtet për hapjen e programit të studimit ose nuk provon se është në gjendje të ofrojë garancitë e nevojshme financiare dhe infrastrukturën përkatëse për veprimtarinë e kërkuar. Institucionet e arsimit të lartë, përpara fillimit të vitit akademik, njoftojnë zyrtarisht ministrinë përgjegjëse për arsimin për ndryshimet që u bëhen programeve të studimit, pas lejes së hapjes dhe akreditimit të tyre, shoqëruar me argumentimin përkatës një vit para datës së fillimit të implementimit të programit të studimit. Institucione të huaja të arsimit të lartë të njërit prej shteteve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanadasë dhe Australisë mund të ofrojnë programe studimi ose formime profesionale të larta. Këto programe duhet të jenë të akredituara në shtetin e origjinës dhe të ofrohen në institucione shqiptare të akredituara të arsimit të lartë pas miratimit të tyre nga ministri përgjegjës për arsimin. Realizimi i programit kryhet me të njëjtat standarde, modalitete dhe personel akademik siç zhvillohet në vendin e origjinës të institucionit të huaj. Institucioni shqiptar i arsimit të lartë ka përgjegjësi për plotësimin e standardeve dhe realizimin e procesit akademik. Hapja e këtyre programeve i nënshtrohet paraprakisht procesit të vlerësimit dhe njohjes nga ASCAL dhe Bordi i Akreditimit, në përputhje me Kodin e Cilësisë, si dhe detyrimet e tjera ligjore.




