Masakra në Thumanë/ Policia, 10 mijë euro për ata që japin të dhëna për kapjen e familjes Kora

Artan Cena

 Pëllumb, Danjel, Besnik dhe Gurali Kora, kanë qëlluar duke vrarë me kallashnikov Fran dhe Arben Çekun,Mesnatën e së premtes, Pëllumb, Danjel, Besnik dhe Gurali Kora, kanë qëlluar duke vrarë me kallashnikov Fran dhe Arben Çekun, babë e birë dhe nipin e tyre Eno Rama

Policia ka vendosur që të japë 10 mijë euro shpërblim për personin apo personat që japin informacione në lidhje me kapjen e katër autorëve të masakrës së Thumanës, ku u vranë tre persona. “Në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 6.6.2015 në Thumanë,Krujë ku gjatë një konflikti çasti u vranë 3 veta dhe u plagos një tjetër, policia po vijon intensivisht punën për kapjen e autorëve, të cilët janë të identifikuar nga ana jonë. Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për evidentimin e vendndodhjes së këtyre personave. Për çdo informacion të vlefshëm që do të vihet në dispozicion nga qytetarët, për vendndodhjen e autorëve,Policia ka vendosur një shpërblim prej 10 000 €,si dhe garanton anonimatin e plotë të qytetarit. Policia e Durrësit vë në dispozicion të qytetarëve numrin e telefonit: 0694110217, si dhe numrat e telefonit:129 dhe 126. Autorët e dyshuar të ngjarjes së ndodhur, me precedentë penalë të mëparshëm, janë: Pëllumb Kora, 26 vjeç, banues në Krujë, Danjel Kora, 28 vjeç, banues në Krujë, Gurali Kora, 56 vjeç, banues në Krujë dhe Besnik Kora, 30 vjeç, banues në Krujë.

 

Kërkimet e policisë

Policia e Krujës bashkë me forcat speciale RENEA kanë vijuar aksionin për kapjen e autorëve të dyshuar për masakrën e ndodhur në Thumanë, mesnatën e se premtes, ku mbeten të vrarë tre persona. Deri në orët e vona të dyshuarit nuk ishin vënë në pranga. Sipas policisë, vëllezërit Daniel, Pëllumb dhe Besnik Kora janë shpallur në kërkim së bashku edhe me babanë e tyre, Guri Kora. Burime zyrtare të policisë thanë se dhjetëra efektivë kanë vazhduar të jenë në zonë, duke kërkuar autorët e dyshuar të krimit të rëndë. Në operacion kanë qenë edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë si dhe Forcat speciale RENEA, pasi autoret janë të armatosur. Vrasja e trefishtë në familjen Çeku, ku humbën jetën babë e bir, si dhe nipi i tyre e u plagos edhe e zonja e shtëpisë, mësohet se ka pasur si shkak një konflikt për motive të dobëta.

 

Dëshmia e gruas

Luçie Çeku, gruaja e Fran Çeku është e mbijetuara e vetme e masakrës së ndodhur në orët e para të ditës së djeshme në Mamurras. Ajo është sjellë me urgjencë në Spitalin e Traumës në Tiranë dhe në orët e para ishte në gjendje të rëndë por më pas sipas mjekëve ajo e ka kaluar rrezikun për jetën. Ajo është e vetmja dëshmitare okulare e masakrës, ku u vranë burri i saj, Franin, 70 vjeç, djalin Arbenin 44 vjeç dhe nipin Eno Rama, 20 vjeç. Gjatë gjithë kohës në spital Luçia ka pyetur vetëm për nipin. “A ka vdekur nipi i Franit”, – pyeste ajo gjatë gjithë ditës kanë thënë familjarët që gjendeshin në krah të saj në këto ditë të vështira. Në orët e para të ditës së djeshme, rreth orës 00:10 minuta 4 anëtarë të familjes Kora: Vëllezërit Daniel, Pëllumb dhe Besnik si dhe babai i tyre, Guri Kora, kanë qëlluar me breshëri kallashnikovi mbi familjen Çeku. Ata janë shpallur të gjithë në kërkim, por nuk janë ndaluar ende.

 

 Numrat e Policisë:

0694110217, 129 dhe 126

TË DYSHUARIT:

Pëllumb Kora, 26 vjeç, banues në Krujë,

Danjel Kora, 28 vjeç, banues në Krujë,

Gurali Kora, 56 vjeç, banues në Krujë,dhe

Besnik Kora, 30 vjeç, banues në Krujë.

 

Mësuesi pedofil: Do t’ju tregoj të vërtetën, por veç në burg mos më çoni

Mësuesi pedofil nga fshati Kryekuq, Demir Hoxha, tregohet kontradiktor në deklarimet e tij. Gjatë seancës vlerësuese të masës së sigurisë 62-vjeçari ka mohuar të ketë kryer marrëdhënie me nxënësen e tij, e cila ende nuk i kishte mbushur të 12 vitet. Por, sipas Prokurorisë së Lushnjës, fillimisht mësuesi pedofil është shprehur se nuk e ka prekur me dorë të miturën. Pasi i është dhënë masa “Burg pa afat”, Demir Hoxha është marrë përsëri në pyetje. Sipas policisë, ai ka kërkuar që të mos mbahej në burg dhe në këmbim të plotësimit të kësaj kërkese ai do të fliste. “Do tregoj të vërtetën, vetëm mos më çoni në burg”, – është shprehur 62-vjeçari. Sipas Policisë së Lushnjës, mësuesi e ka pranuar aktin, duke treguar se për herë të parë kishte kryer marrëdhënie seksuale me nxënësen në janar të 2015-ës dhe se nga ai moment çdo muaj rregullisht bënte veprime të tilla në ambientet e klasës që kishte në kujdestari. Në të gjitha rastet, sipas dëshmisë së mësuesit, “vajza nuk ka kundërshtuar pasi për shkak të moshës së saj të vogël ajo nuk kuptonte çfarë po ndodhte”. Mësuesi Demir Hoxha ka shfrytëzuar ambientet e shkollës 9-vjeçare për shkak se kishte krijuar besimin e kolegëve të tij. Ndërsa prokuroria e Lushnjës ka nisur hetimet edhe për stafin pedagogjik të shkollës ku ndodhi ngjarja, duke marrë në pyetje kolegët e mësuesit mbi sjelljen e tij në shkollë. Koleget kanë pohuar se 62-vjeçari nuk ishte tip i shoqërueshëm. Një tjetër pistë e prokurorisë janë edhe dyshimet për raste të tjera abuzimi të mësuesit me nxënës të tjerë pasi për 20 vite ai ka dhënë mësim tek kjo shkolle.

 

Vritet në Siri shqiptari që kërcënoi Shqipërinë e Kosovën

Një nga shqiptarët që duket në videon ku kërcënohet Shqipëria dhe Kosova, ka humbur jetën gjatë luftimeve në Siri. Siç bëjnë të ditur mediat, gjatë luftimeve ka humbur jetën Mirza Haklaj, një shqiptar nga Podgorica. Këtë fakt e konfirmon familja e xhihadistit nga Podgorica për mediat vendase. Haklaj ka luftuar në Siri me emrin Ebu Merdija. Para rreshtimit përkrah ISIS-it, Mirza Haklaj ka jetuar në lagjen “Stari Varosh” të kryeqytetit malazez. Ai njihej si një person problematik, madje dhe si agresor i imamëve të kësaj zone. Xhihadisti ishte pjesë e videos kërcënuese, ku shfaqet bashkë me gruan dhe fëmijët e vegjël. Disa ditë më parë militantët e Shtetit Islamik të Sirisë dhe Irakut lëshuan mesazhe kërcënuese në një dokumentar 20-minutësh për historinë e Ballkanit. Në gjuhën shqipe u bën kërcënime nga luftëtaret Abu Muqatil, Al Kosova dhe Abu Bilqis i njohur ndryshe si Al Albani. Ata thanë se me lejen e allahut do të kryejnë sulme në këto shtete, përfshi dhe Shqipërinë.

 

 Zjarri te Arkivi i Shtetit, asnjë dëm për institucionin

 Zjarri që ra dy ditë më parë në ambientet e Arkivit të Shtetit në Shkozë ka rezultuar pa dëme. Pranë vatrave të zjarrit kanë ardhur 3 zjarrfikëse, të cilat kanë mundur të neutralizojnë në kohë përhapjen e flakëve. Arkiva e Shtetit në Shkozë rrezikoi përfshirjen nga flakët. Policia thotë se nuk ka dëmtime serioze. Sipas policisë, zjarri që përfshiu fasadën e godinave të Arkivit të Shtetit, u neutralizua në kohë, pa depërtuar dot në brendësi të zyrave. Zjarri, mësohet të ketë ardhur nga një shkëndijë elektrike. Burime zyrtare nga policia bëjnë me dije se zjarri që përfshiu oborrin nuk shkaktoi dëme në dhomat e ruajtjes së dokumenteve.

 

Share it :