Artan Cena
Institucioni i akuzës së kryeqytetit do të kërkojë nxjerrjen nga qelia të kreut të INUV. Prokuroria do të kërkojë edhe urdhër-arresti ndaj personit me inicialet K. K.
Prokuroria e Tiranës do të kërkojë gjatë ditës së sotme nga Gjykata lirimin nga qelia të drejtorit të Inspektoratit Ndërtimor Vendor në Bashkinë e Tiranës, Florenc Hoxha. Gjithashtu, akuza e kryeqytetit do të kërkojë nga Gjykata lëshimin e një urdhër-arresti ndaj njërit prej personave që kanë sulmuar Hoxhën dhe truprojën e tij, Fatjon Dani. I arrestuari dhe Prokuroria pretendojnë se edhe pse ka pasur prova nuk ka ndaluar njërin prej vëllezërve, personin me inicialet K. K. Për këtë gjë, prokuroria do të kërkojë që gjykata të lëshojë një urdhër ndalimi. Pasditen e së shtunës, datë 9 maj, Florenc Hoxha bashkë me Florian Danin, u përfshinë në një debat që përfundoi me sherr. Ky i fundit ndodhet në spitalin e traumës në gjendje të rëndë dhe sipas mjekëve ka marrë disa goditje të rënda në kokë me një hekur.
Kërkesa e Prokurorisë
Kërkesa e prokurorit do të shqyrtohet gjatë ditës së sotme nga gjyqtari i gatshëm i Gjykatës së Tiranës, ku edhe do të vendoset lirimi i tij nga qelia. Sipas akuzës, kryeinspektori Hoxha dyshohet se ka konsumuar veprën penale të “Veprimeve arbitrare”, akuzë për të cilën do të vazhdojë të hetohet në gjendje të lirë. Burime thonë se krahas urdhrit për lirimin e Hoxhës, prokuroria do t’i kërkojë Gjykatës të lëshoi urdhër arrest, për njërin nga dy personat me të cilët Hoxha dhe inspektori Fatjon Dani u përleshën fizikisht. Mësohet se prokuroria ka kërkuar caktimin e masës së sigurisë “Arrest me burg” për shtetasin me inicialet K. K., pasi dyshohet se është personi që e ka qëlluar me levë hekuri kryeinspektorin Hoxha dhe inspektorin Dani, që vazhdon të jetë i shtruar në spital për shkak të dëmtimeve të mëdha që ka pësuat. Në kërkesën e dorëzuar në gjykatë, thuhet së qytetari me inicialet K. K., ka konsumuar element të veprës penale të “plagosjes së rëndë me dashje”. Ky person, edhe pse ishte evidentuar se ka qëlluar me hekur ndaj kryeinspektorit Hoxha dhe vartësit të tij Dani, policia nuk e ka arrestuar atë duke i dhënë mundësinë që të arratisej.
Përplasja e dhunshme
Ngjarja për të cilën u arrestua Florenc Hoxha ka ndodhur pasditen e datës 9 maj, ku kryeinspektori Hoxha së bashku me vartësin e tij Florian Dani ishin ulur në një lokal në lagjen “Ali Demi”. Aty pronarët e lokalit kanë kërkuar largimin e tij nga ambientet, pasi vitin e kaluar kryeinspektori Hoxha i kishte vendosur një gjobë disa milionëshe për ndërtim e një shtese. Për këtë fakt edhe kanë nisur debatet mes tyre, që më pas kanë degjeneruar në dhunë fizike para lokalit të dy vëllezërve. Njëri prej tyre, ai me inicialet K. K., pritet që të shpallet në kërkim mesditën e sotme me vendim gjykate, për shkak se policia nuk e bëri ndalimin e tij ditën e ngjarjes.
Avokati: Policia fshehu ngjarjen dhe nuk lejoi ekspertizën
Pas arrestimi të Florenc Hoxhës, ka ardhur edhe reagimi i avokatit të kreut të INUV, dhe truprojës së tij, Ivi Kaso. Në një dalje publike, avokati i Hoxhës, akuzoi Policinë e Shtetit se fshehu ngjarjen dhe mbuloi autorët e sulmit, që sipas tij ngelën të plagosur Hoxha dhe truproja i tij, Fation Dani. Policia ka fshehur ngjarjen. Policia e shtetit ka marrë të gjitha masat për mos të ndjekur agresorët dhe mbron ata që sulmojnë. Në gjendje të rëndë është truproja i Florenc Hoxhës, Fation Dani, por është dëmtuar dhe kreu i INUV. Edhe pse është parë që janë dëmtuar, nuk janë lejuar që të ti nënshtrohen ekspertizës. Ndërsa agresorët gjendjen të lirë, ndërsa Hoxha gjendet në ambientet e paraburgimit, ndërsa Dani në spitalin e Traumës në operacion.
Kukës, kryekomunari qëllon me pistoletë ndaj dy personave
Kreu i Komunës së Gjinajt në Has, Pëllumb Thaçi, ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të dy personave, por fatmirësisht nuk ka pasur viktima apo të lënduar nga plumbat. Burime pranë policisë së Kukësit kanë bërë me dije se kryekomunari Thaçi ka qëlluar me armë ndaj Musë Vehapit dhe një tjetër personi tjetër. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive ende të pazbardhura. Uniformat blu të qytetit verilindor kanë shoqëruar kryekomunarin Pëllumb Thaçin si dhe shtetasit e përfshirë në këtë ngjarje, Musë Vehapi. Blutë e Kukësit po vijojnë punën për zbardhjen e rrethanave të plotë të kësaj ngjarjeje. Burime nga policia thanë se kanë shkuar në vendin e ngjarjes dhe kanë marrë edhe dëshmitë e disa personave të tjerë. Besohet se ngjarja ka ndodhur për shkak të një sherri të mëparshëm mes kryekomunarit dhe personave të tjerë që janë përfshirë. Ndërkaq burime policore thanë se arma me të cilën ka qëlluar kryekomunari është me leje. Në Shqipëri të zgjedhurit vendorë kanë të drejtë për të mbajtur armë. Pëllumb Thaçi drejton prej katër vitesh Komunën Gjinaj ku është zgjedhur nën siglën e PD-së.
Antikontrabanda, bllokohen mijëra palë këpucë dhe veshje
Katër raste të dyshuara si shkelje e të Drejtave të Pronësisë Intelektuale janë konstatuar nga grupet operative të Anti-Kontrabandës dhe grupet e përbashkëta Doganë-Crown Agents. Rastet janë zbuluar gjatë kontrolleve të ushtruara në periudhën mars-prill 2015. Shkeljet e zbuluara gjatë kontrolleve të ushtruara përfshijnë mallra industrialë, kryesisht këpucë, bluza,pantallona dhe komplete sportive. Gjatë katër kontrolleve të ushtruara në degë të ndryshme doganore, u bë i mundur zbulimi i sasive të mëposhtme: 3692 palë këpucë sportive të markave të ndryshme (Nike, Adidas, Puma, Calvin Klein, Lacoste dhe Louis Vuitton); 683 copë bluza të markave të ndryshme (Hugo Boss, Puma, Levis, Nike dhe Adidas); 37 copë komplete sportive (Adidas); 195 palë tuta sportive (Adidas). Për të gjitha rastet e sipërpërmendura, autoritet doganore kanë pasur dyshime të arsyeshme të cilat tregojnë se këto mallra ishin në cenim të të Drejtave të Pronësisë Intelektuale. Duke marrë parasysh këtë, një pjesë e tyre janë shkatërruar, ndërkohë që e njëjta gjë pritet të ndodhë me sasitë e mbetura, për të cilat ka filluar procedura e verifikimit të origjinalitetit.
Kajo: Berisha flet për tjetër person të arrestuar në Itali
Pas publikimit nga ish-kryeministri Sali Berisha të një njoftimi për arrestimin në një operacion antidroge në Itali të shefit të Antikontrabandës, Ervin Kajo, nuk ka ende asnjë saktësim apo përgënjeshtrim nga asnjë institucion shtetëror. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, Ministria e Financave apo Policia e Shtetit nuk kanë dhënë sqarime për këtë lajm. Ndërkaq vetë Kajo ka bërë të ditur pas publikimit të këtij lajmi, se personi i arrestuar në Itali për të cilin flet Berisha është Ervin Kaja, një qytetar nga Kavaja. Ndërsa ai, thotë se ndodhet në Shqipëri, prej ku nuk ka lëvizur në 14 muajt e fundit. Po ashtu Ervin Kajo sqaron se ai ka dhënë dorëheqjen nga detyra në 17 mars 2015 për arsye personale.




