Marrëveshja e re mes katër liderëve të partive politike në vend parashikon largimin e kryeministrit Nikolla Gruevski dhe zëvendësimin e tij me një figurë që nuk është përfshirë në afera të ndryshme kriminale, raporton agjensia e lajmeve INA, e Maqedonisë.
Lidhur me këtë, lideri i LSDM-së, Zoran Zaev, deklaroi se kryeministër i ri nuk mund të zgjidhet një person që është i përfshirë në materialet e përgjuara, të cilat janë publikuar në shtyp.
”VMRO do të propozojë kryeministrin e ri, por ai duhet të jetë njeri, i cili nuk është i përfshirë në materialet që publikoi opozita gjithë këto muaj me radhë”, deklaroi Zaev.
Kështu, përjashtohen bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit aktual, si Mile Janakievski, Zoran Stravrevski, Sasho Mijallkov, Gordana Jankullovska dhe shumë pjesëtarë tjerë të partisë, që ishin përfshirë në materialet e përgjimit publikuar nga LSDM-ja.
Sipas marrëveshjes së arritur me ndërmjetësimin e eurokomisionerit Johannes Hahn, një nga tri postet kryesore i përket partisë shqiptare, BDI. Ndërkohë që edhe për BDI-në vlen i njejti parim: nuk do të pranohen kandidatë të BDI-së që janë pjesë të aferës së përgjimeve.




