Lumenjtë në rrethim”/ Shqipëria humb 28% të rrjedhave natyrale në një dekadë

“Lumenjtë në rrethim”/ Shqipëria humb 28% të rrjedhave natyrale në një dekadë

Një vlerësim i ri mbi gjendjen e lumenjve në Ballkan gjeti se e ashtuquajtura “zemra blu” e Europës po tkurret me ritme të shpejta.

Raporti më i fundit dokumenton se që nga viti 2012, rajoni, i cili ka përqindjen më të lartë të lumenjve të egër në Europë, ka humbur rreth 2,450 kilometra lumenj të virgjër, ndërkohë që e gjithë zona është nën presion.

Raporti “Statusi Hidromorfologjik i Lumenjve të Ballkanit 2025”, i hartuar nga Dr. Ulrich Schwarz (Fluvius, Vjenë) dhe i porositur nga organizatat EuroNatur dhe Riverwatch, ka analizuar 83,824 kilometra rrjedhë lumore në 11 shtete.

Rezultatet, sipas një njoftimi për media të dy organizatave që porositën studimin, janë një kambanë alarmi: përqindja e lumenjve pothuajse natyrorë ka rënë nga 30% në vitin 2012 në vetëm 23% në vitin 2025.

Studimi veçon Shqipërinë si një rast kontrovers të dekadës së fundit. Ndërsa ka humbjen më të madhe në sipërfaqe të lumenjve thuajse natyralë, vendi nga ana tjetër vendosi nën mbrojtje Vjosën.

Sipas studimit, zhvillimi masiv i hidrocentraleve, rregullimi i pakontrolluar i shtratit të lumenjve dhe ndërhyrjet në zonat e përmbytjeve e kanë tjetërsuar peizazhin lumor shqiptar me një shpejtësi të paprecedentë.

“Segmentet lumore pothuajse natyrore pësuan një rënie drastike nga 68% në vitin 2012 në vetëm 40% në vitin 2025 – një reduktim masiv prej 28%. Në shifra absolute, gjatësia e lumenjve pothuajse natyrorë ra nga 3,812 km në 2,668 km në vetëm shtatë vite (2018–2025)”, thuhet në studim për Shqipërinë.

Nga ana tjetër, Shqipëria ka ende një pjesë të mirë të lumenjve të pacenuar dhe përmendet si një rast suksesi sa i përket mbrojtjes së Vjosës.

“Ndërsa Shqipëria mbrojti me sukses Vjosën dhe disa degë të saj, më shumë pjesë të lumenjve u degraduan gjatë dekadës së kaluar se në çdo vend tjetër të Ballkanit. Këto gjetje duhet të shërbejnë si një thirrje zgjimi për qeverinë shqiptare që të mbrojë lumenjtë në shkallë kombëtare”, thotë Ulrich Eichelmann, CEO i Riverwatch.

Studimi vëren se hidrocentralet mbeten shkaktari kryesor i degradimit. Që nga viti 2012, gjatësia e lumenjve të bllokuar nga digat është rritur me 18%. Ndryshimet më të mëdha negative janë regjistruar në pellgjet e lumenjve Devoll dhe Drin në Shqipëri, si dhe në lumenjtë Drina, Neretva dhe Vardar në rajon.

Dr. Ulrich Schwarz, autori i studimit, thekson se ky trend bie ndesh me standardet europiane. “Tendencat afatgjata tregojnë një rënie të qartë të pjesëve lumore thuajse natyrore… Kjo tregon një divergjencë në rritje midis praktikave aktuale të zhvillimit dhe standardeve mjedisore që kërkohen sipas kornizave të anëtarësimit në BE”, tha ai.

Pavarësisht panoramës së zymtë, raporti vlerëson se përpjekjet për ruajtjen e natyrës kanë shpëtuar rreth 900 km lumenj, kryesisht duke ndalur projekte hidrocentralesh. Në njoftim, organizatat thonë se shpallja e Parkut Kombëtar të Lumit Vjosa mbetet arritja më e madhe e rajonit, por kjo nuk mjafton për të balancuar shkatërrimin në zonat e tjera.

Autorët e raportit bëjnë thirrje për veprime urgjente dhe ndalimin e hidrocentraleve në Shqipëri dhe Bosnje-Hercegovinë.

Annette Spangenberg nga EuroNatur paralajmëroi se mbetet pak kohë për të reaguar.

“Ballkani ende mban disa nga lumenjtë e fundit të egër të Europës, por mbrojtja e tyre tani kërkon guxim politik… Të dhënat tregojnë qartë se çfarë po humbet dhe çfarë do të humbet nëse nuk veprojmë”, përfundoi ajo./BIRN

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news