“Luftë në Lazarat”/ Një i vrarë dhe 2 të plagosur. Prokuroria: Skenar i parapërgatitur!

Artan Cena

ibrahim basha polici lazarat (2)Sulmi ndaj policisë/ Çfarë ndodhi në Lazarat, si u qëllua policia me breshëri dhe në pabesi

Mëngjesin e djeshëm një sulm i befasishëm i ka marrë jetën oficerit të RENEA-s, Ibrahim Basha, ndërsa janë plagosur dhe dy efektivë të tjerë, Jetmir Isaj dhe Perlat Halimi

Fiks një vit pasi policia i dha fund operacionit antidrogë një Lazarat, situata në këtë fshat të njohur të Jugut të Shqipërisë është rikthyer sërish në një “luftë”. Një efektiv i forcave speciale RENEA është vrarë me armë gjatë një kontrolli, ndërsa dy të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë jashtë rrezikut për jetën. Në Lazarat kanë shkuar qindra forca policie aktualisht, ndërsa ndodhen edhe krerët më të lartë të Policisë së Shtetit dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda.

 

Çfarë ndodhi në Lazarat

Mëngjesin e djeshëm, rreth orës 02:30, në fshatin Lazarat, forcat e FNSH-së, të cilat ishin të planëzuara me shërbim në vendin e quajtur “Kazinoja” mbi ish-pularinë tek kryqëzimi që të çon në lagjen Lenxatë, si dhe të grupit që ishte me shërbim te kryqëzimi i Përroit të Kordhocës janë qëlluar me armë zjarri nga drejtimi i qendrës së fshatit Lazarat nga persona të paidentifikuar.

Po kështu, në orën 04:44 grupi tjetër i FNSH-së që ishte me shërbim në vendin e quajtur “Furra e Bukës” në Kordhocë njoftoi se nga qendra e fshatit Lazarat ka të shtëna me armë zjarri.

Nga Drejtoria e Policisë së Gjirokastër është ngritur grupi i drejtimit dhe janë marrë masa për mbajtjen në rrethim të grupit të armatosur. Në bashkëpunim me forcat e ardhura nga Drejtoria e Përgjithshme u bë plani i operacionit për kapjen e personave të cilët kanë qëlluar forcat e policisë.

 

Mbërritja e RENEA-s

Me ardhjen e forcave RENEA në orën 09:00 të mëngjesit ka nisur operacioni për kapjen e grupit dhe personave të armatosur, të cilët kanë qëlluar në drejtim të forcave të policisë, i cili mbahej në rrethim nga forcat e Policisë së Gjirokastrës. Gjatë operacionit për kapjen e këtyre personave, 200 metra nga rruga që të çon për në qendër të komunës, është parë një automjet “Mercedes-Benz”, i bardhë pa targa, që po mbahej në vëzhgim nga shërbimet e policisë. Gjatë kësaj kohe është bërë kapja dhe prangosja e drejtuesit të mjetit, i cili është Xhulio Ilirjan Malo dhe është kërkuar ardhja e forcave të tjera të RENEA me mjetin tip “Volkswagen” me targa MB 060 AA. Por në afërsi të vendit të quajtur “Pularia” në drejtim të këtij automjeti është qëlluar me breshëri armësh, ku si pasojë kanë mbetur të plagosur tre efektivë të policisë të repartit RENEA, ku punonjësi i policisë Ibrahim Basha si pasojë e plagëve të marra, gjatë rrugës në drejtim të spitalit të Gjirokastrës, ka gjetur vdekjen, ndërsa punonjësit e policisë Jetmir Isaj dhe Perlat Halimi janë çuar në Spitalin Rajonal Gjirokastër dhe më pas janë transportuar me helikopter në Tiranë për një trajtim më të specializuar dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën .

 

Benzi me armatim

Nga grupet e ndërhyrjes është bërë shoqërimi i automjetit tip “Mercedes-Benz” i bardhë së bashku me drejtuesin e tij Xhuliano Malo. Gjatë këqyrjes së automjetit në ambientet e Drejtorisë së Policisë Gjirokastër në këtë automjet ëshë gjetur një arsenal armësh: jë automatik “Kallashnikov”, një pushkë model 63, një pushkë model 56, tri gëzhoja të qitura model 56, një ndezës, një granatë e armatosur, një këmbëz mitralozi, një thes lini i mbushur me fishekë të kalibrave të ndryshëm, ndër ta edhe fishekë mitralozi, një kasetë fishekësh me disa krehra, katër kallëpe tritoli, disa fishekë 12.7 mm, dy radio komunikimi dhënëse-marrëse për distancë deri në 5 km, tre aparatë celularë si dhe tri qese farmaceutike të dyshuara si kokainë. Gjithashtu po gjatë kësaj kohe është bërë shoqërimi edhe i 7 personave të tjerë nga fshati Lazarat për të parë kanë lidhje me ngjarjen apo jo. Ndërkohë, forcat e policisë mbajnë në vëzhgim grupin e armatosur që ndodhet te ish-pularia në fshatin Lazarat.

 

Aksioni i policisë

Në lidhje me ngjarjen e ndodhur është hartuar një plan operacional për të bërë të mundur kapjen e personave të armatosur që qëlluan punonjësit e policisë. Në ndihmë të forcave të policisë kanë mbërritur grupe të tjera të FNSH-së dhe të RENEA-s si dhe janë angazhuar dy helikopterë të ushtrisë për të transportuar forcat e policisë. Në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Gjirokastër ka mbërritur drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, drejtori i Përgjithshëm për Sigurinë Altin Qato, prokurori i Krimeve të Rënda Andan Zholi, si dhe ekspertë të Drejtorisë së Përgjithshme të Krimeve të Rënda. Policia është e vendosur për të zbatuar rreptësisht ligjin për kapjen dhe për të çuar para drejtësisë të gjithë ata persona që goditën punonjësit e policisë dhe nuk do të ketë kthim mbrapa apo tërheqje të policisë. Materialet për këtë ngjarje i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë për veprën penale “Vrasja e punonjësve të policisë” në bashkëpunim.

 

Përplasjet e policisë me bandat që veprojnë në Lazarat

 Përplasjet e grupeve kriminale që veprojnë në Lazarat me policinë gjatë 15 viteve kanë qenë të shpeshta. Por Ibrahim Basha është punonjësi i parë që vritet në kaq vite. 15 herë dyshohet se banorët e fshatit rebel kanë qëlluar në drejtim të Policisë së Shtetit që nga viti 1997. Lista e gjatë e ngjarjeve ku uniformat blu kanë qenë nën breshërinë e armëve të bandave të Lazaratit fillon në vitin famëkeq 1997, kur komisariati i policisë së Gjirokastrës u qëllua me armë. Në muajin maj po të këtij viti dyshohet se grupe kriminale nga ky fshat goditën edhe pikën kufitare të Kakavijës. Në shtator të vitit 1998 janë regjistruar dy sulme ndaj forcave RENEA dhe FNSH-së, gjatë një aksioni për arrestimin e disa personave me precedentë penalë. Në këto dy sulme, kanë mbetur të plagosur disa efektivë të policisë, mes tyre edhe Artan Didi, ish-drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit. Konflikti i këtyre bandave me shtetin nuk përfundon këtu. Në 9 tetor të vitit 1998, 30 banorë të këtij fshati dyshohet se sulmuan ndërtesën e Shërbimit Informativ Shtetëror. Më pas vijnë ngjarjet e pasvitit 2000 ku çdo tentativë e policisë për të hyrë në fshat pritej me breshëri armësh. Dy herë në maj dhe korrik të vitit 2000 u qëllua me breshëri armësh patrulla e policisë së Gjirokastrës. Sulme këto të përsëritura në periudhën 2004-2007. Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit mes RENEA-s dhe kriminelëve që vepronin në Lazarat për të mbrojtur plantacionet me kanabis, mbeti i vrarë personi i shpallur në kërkim Sabri Shurdi. Në gusht të vitit 2004 u qëllua me mitraloz helikopteri i misionit Interforce. Sulm ky i përsëritur edhe në vitin 2013 ku u qëllua drejt avionit që bënte fotografimin e parcelave me kanabis. Në të gjitha këto përplasje mes policisë dhe banorëve të Lazaratit deri më sot nuk ishte vrarë asnjë efektiv i policisë. Në aksionin e qershorit të vitit 2014, më i madhi i policisë në këtë fshat, që shkatërroi parcelat me kanabis, një efektiv i forcave speciale u plagos në dorë. Mësohet se të gjitha këto ngjarje i janë bashkuar një hetimi të plotë që ka nisur në shtator të vitit 2013 nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Kjo prokurori çoi pak ditë më parë në Gjykatë dosjet e 16 personave që u arrestuan qershorin e kaluar, por asnjëri prej tyre nuk akuzohet për tentativë vrasjeje të punonjësve të policisë.

 

Ngjarja e rëndë/ Sulmi ndaj policisë në Lazarat, dyshime se u planifikua që më parë, Malo një karrem

Hetimet e Prokurorisë së Krimeve të Rënda dhe të Policisë së Shtetit kanë zbardhur detaje nga sulmi i rëndë i djeshëm. Zbardhet dëshmia e të arrestuarit të parë, Xhulio Malo

Përplasja me policinë ditën e djeshme në Lazarat nuk ka qenë e rastësishme. Në këtë konkluzion kanë arritur hetuesit e prokurorisë dhe policisë pas mbledhjes së dëshmive dhe të dhënave në vendin e ngjarjes. Burime policore kanë bërë të ditur se grupi kriminal kishte shembur muret rrethuese të banesës ku janë ngujuar, me qëllim që të kishin një fushëpamje më të gjerë. Adoleshenti Xhulio Malo, që besohet se është nga fshati Peshtan i Fierit, mësohet se ka qenë karremi për të provokuar policinë, me qëllim që të nisnin një përplasje me armë me uniformat blu. Nga rindërtimi i ngjarjes mësohet se oficeri Ibrahim Basha që është vrarë dje ka qenë në vendin e parë të makinës së policisë, ku ndodheshin 6 efektivë policie. Makina e policisë është qëlluar me breshëri nga të gjitha drejtimet, pasi grupi kriminal e kishte rrethuar vendin ku do të vinte makina. Në këtë mënyrë ata kanë tentuar që të eliminojnë të gjithë grupin e forcave speciale, por nuk ia kanë dalë dot.

 

Kush ishte Ibrahim Basha

 Ibrahim Basha ishte një oficer i Forcave Speciale shqiptare prej vitesh. Para se të bëhej pjesë në trupën speciale të policisë RENEA ai bënte pjesë tek reparti special i Ushtrisë Shqiptare.

Basha mësohet se kishte shërbyer dy herë jashtë vendit, nën siglën e trupave komando të Shqipërisë gjatë misioneve në Afganistan, shërbim për të cilin dje Ambasada e SHBA-së në Tiranë e falënderoi veçanërisht. Por Ibrahim Basha në muajin dhjetor të vitit të kaluar, kishte vendosur që të tërhiqej nga reparti i trupave speciale të Ushtrisë dhe të kalonte te RENEA. Këtu ai kishte nisur shërbimin dhe kishte qenë edhe herë të tjera në Lazarat me shërbim, por ky i djeshmi fatkeqësisht ka qenë i fundit për të, pasi u qëllua për vdekje nga një plumb. Por veç kësaj, Ibrahim Basha ishte edhe një besimtar i devotshëm mysliman. Për këtë ka folur edhe hoxhë Ahmed Kalaja që i ka kushtuar një shënim në Facebook, duke lajmëruar edhe faktin se funerali i të ndjerit, Ibrahim Basha, do të bëhet në banesën e tij në Bathore të Tiranës. Mësohet se Basha ishte me agjërim, pasi mbante Ramazanin si një besimtar i devotshëm që ishte.

 

Ky është Xhulio Malo

 Ky që shihni në foto është Xhulio Malo, i arrestuar gjatë ditës së djeshme në Lazarat, si një ndër personat që dyshohet se ka qëlluar me armë. Adoleshenti, vetëm 17 vjeç, u arrestua në momentin që ishte duke drejtuar një makinë tip “Mercedes-Benz” ngjyrë e bardhë, në të cilin policia ka bërë të ditur se ka gjetur një arsenal armësh dhe kokainë. Pas arrestimit nga policia, adoleshenti ka treguar për policinë se janë rreth 15 veta të cilët kanë blerë armë të sofistikuara dhe se kanë shumë municione. Malo ka bërë me dije se grupi i zjarrit përbëhet nga të paktën 15 vetë të ndarë në minigrupe të cilat janë shpërndarë në zona të ndryshme në fshat dhe pyll. Sipas tij, këta persona janë të pajisur me të paktën 6 snajperë të sofistikuar dhe një sasi të madhe armësh të tjera dhe municionesh luftarake. Policia dyshon se këta persona, të cilët mendohet të jenë të moshës nga 14-22 vjeç janë shpërndarë në shtëpi të fshatit dhe një pjesë janë fshehur në mal, dhe paraqesin rrezikshmëri të lartë për shkak se janë të armatosur. Ndërkaq në Lazarat aktualisht ndodhen më shumë se 400 forca policie që e kanë rrethuar gjithë fshatin. Këta të fundit janë duke u drejtuar nga vetë kreu i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ndërsa aty ndodhen edhe drejtuesit e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Forcat speciale kanë ngritur postblloqe në të gjithë zonën dhe kontrollojnë çdo lëvizje dhe njeri që hyn dhe del në fshatin rebel.

 

Policia e mbyll aksionin në mbrëmje, nis sërish sot kërkimet

 Forcat speciale të RENEA-s dhe ata të FNSH-së kanë nisur mbrëmjen e djeshme operacionin në fshatin Lazarat, por e kanë ndaluar rreth orës 21:00, për shkak të errësirës. Aksioni i kërkimit ka nisur sërish mëngjesin e sotëm. Më shumë se 400 forca policore kanë nisur aksionin në fshatin e njohur të jugut. Burime nga policia kanë bërë të ditur, se oficerët specialë kanë zënë pikat strategjike të fshatit, ato më të lartat. Gjithashtu drejtuesit e operacionit policor kanë vendosur snajperë në çdo 200 metra distancë. Gazetarët që ndodhen në vendin e ngjarjes kanë deklaruar se policia ka kërkuar nga banorët e fshati që të distancohet nga grupi prej 21 personash. Policia u ka thënë gazetarëve që të mos e ndjekin aksionin pasi nuk do të mbajnë përgjegjësi për çfarë mund të ndodhë. Policia ka marrë urdhër që nëse do të ketë kundërshtim me armë, të qëllojnë për vdekje.

 

Çfarë ndodhi në Lazarat vetëm 1 vit më parë

 Ajo që ndodhi në Lazarat ishte vetëm fillimi i një operacioni për të vënë nën kontroll të plotë fshatin Lazarat, i cili ishte kthyer në një shtet brenda shtetit për vite me radhë. Për gati pesë ditë Lazarati u kthye në një fushë beteje mes policisë dhe banoreve të zonës, të cilët qëlluan mbi uniformat blu. Qëllimi i këtij aksioni ishte asgjësimi i plotë i lënëve narkotike dhe goditja e trafikanteve dhe grupeve kriminale që kundërshtonin me armë aksionet e uniformave blu. Për shkak të breshërive të armëve çdo minute i gjithë operacioni u zhvillua në kushte shumë të vështira dhe depërtimi në thellësi të fshatit ishte tepër i vështirë. Gjatë operacionit policia ushtroi një kontroll të detajuar në shtëpitë e tokat në qendër të fshatit si dhe arriti të asgjësojë parcelat me lëndë narkotike, ndërsa shkatërroi laboratorë të tjerë të përpunimit të lëndës narkotike. Ndërkohë bilanci i parcelave të shkaktuara arriti në 80 mijë rrënjë kanabis, si dhe një sasi mbi 12 ton e 800 kg hashash me vlere mbi 30 milionë euro. Po ashtu gjatë këtyre kontrolleve janë gjetur dhe 2 laboratorë përpunimi të bimëve narkotike, si dhe sasi e konsiderueshme municioni dhe armësh. Operacioni i policisë u drejtua nga krerët e policisë se shtetit dhe në të morën pjesë një sërë efektivesh të policisë, 800 forca policore, të RENEA-s dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë, si dhe 60 automjete, ndërsa dy helikopterët shërbyen për transportin e trupave dhe monitorimin e zonës.

 

TË NDALUAR:

Xhulio Malo, 17 vjeç

Zhaklin Derxho, 18 vjeç

Gurim Skënderi, 29 vjeç

Fatmir Gërveshi, 20 vjeç

Jeton Kalemi, 21 vjeç

Albon Meçi, 20 vjeç

Denis Mahmutaj, 19 vjeç

Sinan Rabaj, 30 vjeç

Eligent Basha, 21 vjeç

 

NË KËRKIM:

Arbion Aliko, 20 vjeç

Alban Aliko, 18 vjeç

Bervin Basho., 22 vjeç

Edmond Boci, 48 vjeç

Xhuljano Nuri, 22 vjeç

Xhemal Gjini, 18 vjeç

G.B., 17 vjeç

Rustem Mahmutaj, 20 vjeç

Xhemil Gjolleshi, 20 vjeç

Albi Mahmuti

Sevo Shurdhi

Endush Aliko

Ani Hiri

Share it :