Nga Lavdrim Lita
Jetojmë në një kohë kur kriza ekonomike, vala e emigrantëve nga Afrika e Veriut së bashku me rritjen e fundamentalizmit nën ombrellën e “Shtetit Islamik” në Lindjen e Mesme janë tre pikat e çdo agjende me të cilën merret çdo ditë institucionet e BE-së dhe kancelaritë europiane. Zgjerimi i mëtejshëm i Bashkimit Europian drejt vendeve të Ballkanit është kthyer në një temë tabu dhe për katër vitet e ardhshme zyrtarisht nuk do të ketë asnjë anëtarësim të ri. Në dhjetë pikat e presidencës së Komisionit Europian të presidentit Jean-Claude Juncker, fjala “zgjerim” përmendet një herë dhe kjo herë për të thënë që zgjerimi ka qenë një sukses, por në mandatin e tij do të ketë një “moment reflektimi”. Pas hyrjes së 10 vende të reja në 2004, të Rumanisë e Bullgarisë në 2007 dhe Kroacisë në 2014, Bashkimi Europian i përbërë nga 28 vende ka nevojë për një moment metabolizimi të historisë së saj 70 vjeçare.
Lodhja nga zgjerimi u shfaq menjëherë pas krizës financiare të 2008 dhe asaj ekonomike të 2009, ku rënia ekonomike, rritja e papunësisë dhe dalja në pah e partive eurospeptike dhe eurofobe e ka ulur në minimumin historikun dëshirën për një big-bang tjetër. 25 milionët banorët e shteteve të Ballkanit që kanë një perspektivë të qartë europiane po e vuajnë dyfish lodhjen e BE-së. Kjo për shkak të përtacisë së qeverive të rajonit për të bërë reformat e duhura dhe për të bashkëpunuar me opozitat e vendeve të tyre. Në të vërtetë nuk do të ketë një zgjerim në katër vitet e ardhshme, por kjo nuk do të thotë mos bërje reformash dhe arritje të standardeve.
Ngërçi që ka kapur integrimin europian të Shqipërisë, përshembull, është emblematike dhe po jep dhimbjet e para të forta në ecurinë normale në zhvillimin e qëndrueshëm të një shteti. Ikjet masive drejt Gjermanisë dhe vendeve skandinave të krahut të punës dhe intelektit të shqiptarëve të Shqipërisë dhe të Kosovës dëften për një humbje të shpresës, çka nuk e kishin humbur në luftë apo kriza ekzistenciale. Moshapja e negociatave me Bashkimin Europian, në një kohë kur fqinjët tanë si Mali i Zi apo Serbia hapin e mbyllin kapitujt duke përshpejtuar hapin, është një sinjal i fortë për humbjen e busullës nga ana e institucioneve më të larta shqiptare dhe për të mos folur për institucionet e Kosovës që po përballen me frikën e së kaluarës së tyre në luftë.
Gjatë vizitës në Tiranë kancelaria gjermane Merkel vuri në dukje se përkundër pretendimeve për një lodhje europiane ndaj zgjerimit, ajo çfarë e shpejton procesin e integrimit europian të Shqipërisë dhe vendeve të tjera janë reformat e thella e të suksesshme. Që reformat e mëdha të jenë të suksesshme pikësëpari duhet një marrëveshje në parim me partitë e opozitës që të mbajnë një kohezion social. E kundërta, po ndodh.
Opozita shqiptare, pavarësisht cilës anë ideologjike i ka përkitur në vite, kanë qenë në një trysni të paimagjinueshme në një vend demokratik. Në fakt, të gjitha qeveritë e rajonit ballkanik ka një “problem” me opozitat e tyre dhe që të gjitha dëshirojnë shpartallimin e tyre. Shih veprimet e Gjukanovicit, Gruevskit, Vucicit e deri tek Mustafa Thaçi. Emëruesi i përbashkët i këtyre qeverive është pjesëmarrja aktive apo pasive në krijimin e një oligarkie politike, ekonomike dhe mediatike.
Në një fjalim të dy ditëve më parë Ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland vuri në dukje se “autokratët e oligarkët e ligë” po pengojnë demokracinë në rajonin e Ballkanit. Më parë edhe bosi i zonjës Nuland, Sekretari i Shtetit Kerry, ka folur për një rrezik olikarkik që nëpërkëmbë aspiratat e qytetarëve.
Qytetarët janë të parët që e ndjejnë goditjen nga papërgjegjshmëria e institucioneve. Dhe trembja e tyre me rreziqe imagjinare dhe fundamentalizma që instalohen në rajon nëse BE-ja nuk hap dyert,janë veçse deklarata me realitete imagjinare që shmangin përgjegjësitë politike e shtetërore. Përballja me përgjegjësitë është hapi i parë i një qeverisje të mirë evropiane.




