Gëzim Saliu
Gjermeni: Shkurtohet afati për dhënien e lejeve të ndërtimit. PD: Ligji përqendron kompetencat te zyra e Kryeministrit
Ndryshimet nga qeveria të ligjit për planifikimin dhe zhvillimin e territorit u prezantuan dje nga ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, para deputetëve në Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Ministrja bëri të ditur se përmes këtij ligji të ri shkurtohen afatet për dhënien e lejeve të ndërtimit duke u krijuar një strukturë e re pranë KKT-së e cila do të merret vetëm me lejet e posaçme që kërkohen nga qytetarët dhe investitorët. “Konkretisht në kuadër të kësaj reforme parashikohet ngritja e një strukture të re jashtë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të territorit e cila do të veprojë si sekretariat teknik i këshillit Kombëtar të Territorit. Struktura e re do të veprojë si një njësi teknike e specializuar në fushën e veprimtarisë së këshillit Kombëtar të Territorit dhe njëkohësisht si zyra one-stop-shop për qytetarët dhe investitorët që kërkojnë të pajise me leje ndërtimi të posaçme nga Këshillit Kombëtar i Territorit për fushat e veprimtarisë së mbuluara nga kjo e fundit”, – theksoi Gjermeni, duke sqaruar më tej se është propozuar një shkëputje e funksioneve planifikuese të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit me funksionet teknike, kontrolluese e monitoruese të zhvillimit të territorit, si sekretari teknik i KKT-së. Ministrja sqaroi se këto ndryshime janë në linjë me të gjitha nismat e ndërmarra nga qeveria, në kuadër të rritjes së transparencës dhe llogaridhënies së administratës publike ndaj qytetarëve. “Synohet fuqizimi dhe përshpejtimi i proceseve kualifikuese kombëtare përmes specializimit të Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, në çështjet e planifikimit dhe ndarjen e funksioneve të planifikimit nga ato të zhvillimit të territorit në nivel qendror, si dhe mbrojtjen dhe krijimin e hapësirave publike në shërbim të komunitetit dhe vendosjen e rregullave të qarta për përdorimin e këtyre hapësirave. Do kemi përshpejtim të procedurave për pajisje me leje ndërtimi. Në këto vite hapësirat janë zaptuar për qëllime personale”, – theksoi Gjermeni.
Ndryshimet e ligjit
Në prezantimin para deputetëve, ministrja theksoi se ndryshimet e ligjit vijnë për t’u ardhur në ndihmë bashkive të reja. “Programi synon: ndarjen e funksioneve të autoriteteve kombëtare si ato të planifikimit dhe ato të zhvillimit të territorit; fuqizimin e organeve planifikuese të territorit në nivel qendror dhe dhënien e rolit për ushtrimin e këtyre funksioneve planifikuese, pa u ndikuar nga funksionet e tjera dytësore; përcaktimin e qartë të kompetencave të organeve në varësi të ministrisë përgjegjëse për çështjet e planifikimit e të zhvillimit të territorit”, – u shpreh Gjermeni. Më tej, ajo bëri të ditur se brenda këtij viti do të jetë gati plani i përgjithshëm i territorit, ai i bregdetit dhe plani ekonomik Tiranës-Durrës. Ndërkaq, kreu i Komisionit të Veprimtarisë Prodhuese, Eduard Shalsi, i bëri të njohur ministres Gjermeni propozimet e Komisionit për këtë ligj, të cilat konsistojnë në delegimin e kompetencave, bashkëpunimin me vendoret, si dhe përshtatja e ndërtesave dhe hapësirave publike për personat me aftësi të kufizuar. Ndërkohë opozita kundërshtoi ndryshimet në ligj ndërsa theksoi se përmes tyre synohet përqendrimi i kompetencave te zyra e Kryeministrit Rama.
KQZ e diskuton sot/ LSI kërkon përsëritjen e zgjedhjeve në Vorë. Prokuroria u dërgon fletëthirrje 150 kryefamiljarëve
Lëvizja Socialiste për Integrim ankimoi dje në KQZ rezultatin e zgjedhjeve vendore në Bashkinë e Vorës që nxori fitues për të katërtin mandat Fiqiri Ismailin. Në kërkesën ankimore pretendohet se humbja e kandidatit të Aleancës për Shqipërinë Evropiane, Luan Sallaku, lidhet me listat fiktive të zgjedhësve në këtë bashki. Përmes dokumenteve përkatëse që, sipas kësaj force politike, vërtetojnë regjistrimin e qytetarëve në mënyrë të paligjshme, LSI pretendon se janë regjistruar në këtë formë 587 votues. Ankimi i LSI-së u pranua unanimisht nga trupa e KQZ-së dhe do të shqyrtohet ditën e sotme në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, ndërsa relatore e kësaj çështjeje është anëtarja Vera Shtjefni. Ndërkaq, pak ditë më parë, LSI kallëzoi ne Prokurori atë që ajo e cilëson si regjistrim fiktiv të banorëve dhe lidhur me këtë çështje mësohet se organi i akuzës u ka dërguar fletëthirrje kryefamiljarëve të 150 familjeve të denoncuara nga partia e Metës. Burimet pranë Prokurorisë bënë të ditur se një pjesë e familjeve rezultojnë të jenë me adresa fiktive dhe në këto kushte organi i akuzës ka lëshuar një urdhër delegimi për policinë e shtetit, së cilës i kërkohet të verifikojë në terren adresat në fjalë. Në bazë të tabelës së rezultateve të KZAZ 26 të Bashkisë së Vorës kandidati i së djathtës, Fiqiri Ismaili, u shpall fitues me 8183 vota, ndërsa kandidati i së majtës Luan Sallaku mori 7925 vota, ku diferenca mes dy kandidatëve është vetëm 258 vota.
Pas humbjes në Përmet/ Deputeti socialist sulmon ministrin, Kosta: PS, fatkeqe që ka në Gjirokastër të paaftin Ahmetaj
Deputeti socialist i Gjirokastrës, Vladimir Kosta, akuzoi dje drejtpërdrejt ministrin e Ekonomisë, Arben Ahmetaj, si shkaktar të humbjes së Bashkisë së Përmetit. Përmes një statusit në rrjetin social “FB”, ai e cilësoi ministrin që mban edhe rolin e koordinatorit të PS-së për këtë qark si shkaktarin kryesore të humbjes në një ndër bastionet kryesore të së majtës. “Një fatkeqësi e madhe i ka rënë PS-së në qarkun e Gjirokastrës që koordinator politik ka të paaftin Arben Ahmetaj!” Ndërkohë, pas humbjes së garës në Përmet, Kosta shprehu pak ditë më parë të gjithë kritikën e tij për përzgjedhjen e Gilberto Jaçes si kandidat të koalicionit të majtë. Kosta e akuzoi ish-kryebashkiakun e Përmetit për shpërdorim detyre dhe keqmenaxhim të fondeve. “Te tregu përballë postës në Përmet po inspektoja punimet që po bënte firma e Danit, mikut të Gilit dhe banorët mu ankuan se kanë mbyllur pusetat e ujërave të bardha more deputet, këta që bëjnë punimet. U shqetësova dhe e thërras Gilin në telefon të vinte me gjithë projektin për të parë atë që denoncuan banorët. Dhe pas 10 minutash më vjen Gili si Robert çamçakëzi me duar në xhepa dhe për dijeninë tuaj e di ç’më tha duke u zgërdhirë: Unë s’kam projekt! Kush do ti paguaj dëmet që i solli Gili taksapaguesve të Shqipërisë?!”, – pyeti Kosta në shkrimin e tij. Ky i fundit e kundërshtoi që përpara zgjedhjeve rikandidimin e Gilberto Jaçes për Bashkinë e Përmetit, duke e akuzuar këtë të fundit për korrupsion. Ndërkaq, kritikat e deputetit të Përmetit nuk u morën parasysh nga Kryeministri Rama dhe koordinatori i PS-së për qarkun e Gjirokastrës Ahmetaj, gjë e cila solli edhe deklaratën për largimin nga grupi socialist të Vladimir Kostës. Por më pas ai u tërhoq nga deklarata, ndoshta duke pritur edhe faktimin e akuzave të tij, pasi humbja në Përmet ishte një ndër më surprizueset të socialistëve në zgjedhjet e 21 qershorit.




