Super Lewandowski. 22 shtatori është një datë që do të mbetet përgjithmonë e veçantë në karrierën e sulmuesit polak. 27-vjeçari hyri në histori me një ndeshje të jashtëzakonshme ndaj Volfsburgut, i aftë të shënonte plot 5 gola në 9 minuta, pasi kishte hyrë si zëvendësues në fushë në pjesën e dytë. Me të vërtetë e paprecedent. Ishte ky lajmi i madh i mesjavës evropiane, pasi Bajerni vijon marshin e fitoreve nuk është më një sensacion edhe pse suksesi i radhës erdhi ndaj një prej skuadrave më të forta të Bundesligës e madje me përmbysje 5-1 ndaj Volfsburgut. Djemtë e Dieter Hecking kaluan në avantazh të parët, me Daniel Kaligurin që shënoi në minutën e 26 duke mposhtur në diagonale Manuel Neuer. Pjesa e parë u mbyll me ‘ujqërit’ në avantazh dhe në të dytën Guardiola hodhi në fushë Lewandowskin që zuri vendin e Alcantarës dhe aty nisi legjenda e Levës me një paraqitje që as në ëndrrat e tij më të çmendura nuk e kishte imagjinuar. Barazoi në minutën e 51 me një goditje nga qendra. Por pa kaluar as 60 sekonda bomberi nga Varshava sërish në shenjë. Në minutën e 55 ka sërish vetëm një goleador Lewandowski që shënon në qendër të zonës. Minuta e 57 dhe sërish emri që kumbon në “Allianz Arena” është serish ai. Dhe pesëshja e mrekullisë u plotësua në minutën e 60, fiks 9 minuta pasi Leva kishte shënuar golin e parë një finalizim i denjë për kopertinën e një arritjeje fantastike, me Lewandowskin që dhuroi një supergol ne stilin gërshërë i aftë të bënte të vinte duart në kokë edhe një si Guardiola që ka drejtuar dikë si Lionel Messi 5-1 për Bajernin, por është një fitore që eklipsohet e tëra nga një njeri i vetëm pasi për këtë ndeshje do të flitet vetëm për të. Robert Lewandowski, futbollisti ndoshta i vetëm në botë në gjithë historinë që ishte i aftë të shënonte 5 gola në 9 minuta në një ndeshje të nivelit të tillë. Në Gjermani ka vetëm një fjalë për të përshkruar diçka të tillë, “historike”! Lewnadowski që sot është legjendë.
Matuidi nën vëzhgimin e Chelsea-t
Është mesfushori i Paris Saint-Germain, Blaise Matuidi, emri më i ri në mendjen e Jose Mourinhos për të forcuar mesfushën e tij te Chelsea. “Special One” pas shumë vitesh do t’i jap leje Obi Mikelit për t’u larguar, pasi në vend të tij pritet një mesfushor cilësor i cili do t’i ndihmojë skuadrës në momente të caktuara edhe në aspektin ofensivë. Sipas “Daily Star”, londinezët që tani kanë filluar interesimin për mesfushorin francez, i cili vlerësohet rreth 40 milionë euro. I gjithë ky interesim i hershëm nga kampionët aktual të Ligës Premier, ka ardhur për shkak çmimit të madh të vendosur nga PSG. Nëse arrihet marrëveshje për një vlerë më të arsyeshme, atëherë me shumë mundësi do të jetë 28-vjecari, transferimi i parë i trajnerit portugez në “Stamford Bridge” gjatë afatit kalimtar të janarit.
Recoba: Isha i preferuari i Morattit, Zanetti i lodhshëm
Ish-mesfushori i Interit, Alvaro Recoba, e ka pranuar se ishte “i preferuari’ i Massimo Morattit, por kjo nuk kishte ndikuar në intensitetin e stërvitjes apo lojës së tij. Uruguaiani kaloi 11 vite me zikaltrit dhe ende kujtohet me dashuri nga tifozët e tij për golat spektakolarë që kishte bërë gjatë sezoneve sa ishte në Milano. “Me potencialin që kisha, ndoshta mund të bëja më shumë në fushë. Moratti? Kam qenë i preferuari i tij, por kurrë nuk i kam kërkuar asgjë shtesë dhe kjo nuk ka ndikuar tek intensiteti im”. “Javier Zanetti? Kur erdha në Itali, unë isha me të vazhdimisht dhe kjo nuk ishte aspak e lehtë. Ai zgjohej në orën shtatë të mëngjesit, kurse unë preferoja të flija. Nuk është aspak e vërtetë se nuk kam pëlqyer stërvitjet, por është e natyrshme dhe normale që nuk mund të isha në nivelin e Javierit, i cili ende mund të stërvitet dhe të luajë paproblem”. Mesfushori uruguaian gjatë kohës sa ishte te Interi kishte fituar plotë shtatë tituj.
FIFA refuzon kërkesën e Barcelonës për Arda Turan
FIFA i është përgjigjur negativisht Barcelonës në kërkesën për regjistrimin e menjëhershëm të futbollistit turk, Arda Turan, pas lëndimit të rëndë të mesfushorit Rafinha. Sipas të përditshmes sportive madrilene “Marca”, FIFA ka refuzuar që Turan të ketë të drejtë të luajë për Barcelonën, më herët se janari i vitit 2016, kur do të skadojë dënimi i shqiptuar për regjistrimin e futbollistëve. Barcelona po vuan ende nga dënimi për transferimet, ku lojtaërt e transferuar nuk mund të regjistrohen si shkak i këtij dënimi, pra janë jo funksional. U mendua se katalanasit mund ta fusin në sistem edhe Arda Turanin, por turku me sa duket nga janari do të luajë për klubin nga Camp Nou.
Nolito refuzon rinovimin me Celta-n, kërkon Barcelonën
Celta Vigo nuk ka arritur të bllokojë Noliton me një kontratë të re, pasi lojtari ka refuzuar rinovimin. Xhevahiri i kësaj skuadre siç konsiderohet nga mediat spanjolle e ka mendjen te Barcelona. Siç raportohet nga ‘Mundo Deportivo’, spanjollët e Celta-s kanë dashur që ta rinovojnë kontratën dhe të fusin edhe një klauzolë blerjeje prej 25 milionë euro. Sulmuesi 28 vjeçar flitet se ka një marrëveshje me Barcelonën dhe mund të bashkohet që në janar me këtë skuadër, pas largimit të Pedros drejt Chelsea-t.
Rossi: Juventusi duhet të punojë akoma shumë
Paolo Rossi beson se Juventusi duhet të punojë shumë, por ende është herët që të vendoset për titull. Ish sulmuesi i madh italian ka folur për skuadrat që i sheh në ‘luftë’ për titull dhe posaçërisht Zonjën e Vjetër nga Torino. “Mendoj që është shumë herët që të flitet për titull. Ne duhet të presim deri në xhiron e 10 që të kemi një pasqyrë të saktë të situatës. Natyrisht që Juventusi duhet të punojë shumë, sepse ka mbetur pa tre lojtarë kampion si (Andrea) Pirlo, (Carlos) Tevez dhe (Arturo) Vidal, por edhe Interi dhe Roma e kanë nisur më mirë dhe po bëjnë mirë në kampionat. Mos ta harrojmë Napolin”, – ka thënë Rossi.




