Letër “kryeministrit” Gys Agasi
Nga Basir Collaku
I dashur kryeministër në arrati, Ergys, ose siç të thërrrisnin shkurt koordinatori, Gysi. Se edhe ti ke marrë mandate gjithandej. E ke merituar postin. Je përcëlluar në mbledhje votash me ekipin tënd kombëtar. Ke zgjidhur qesenë dhe shkopin e hurit të ushtarëve të gjelbër. Falë teje u trashën 83 mandate. Natyrisht nuk je në ekzil, tutje larg vatanit e të përvëlohesh nga malli e nga halli. Dihet se këtej në qarqet Tiranë-Durrës-Elbasan qameti, është harta e gjezdisjes, sa ujërat e nxehtë të bien në ndonjë vesh të dëgjueshëm. Se mos të arrestojnë.dot. Mo e vrit mendjen. Nuk kanë këllqe. Janë të kapur. Duket se i gjati nga sekëlldia do të shkurtohet po aq sa ti këtë herë. Azma bën të sajën. E bardha po që po. Punët erdhën të ngatërruara, sepse eurot morën livadhin, tamam-tamam, u shpërndanë ca si shumë kuti vere me prerjet 100, 200, 500-she. Çunat e tepruan pak me gazin e tenderave e ndërtimeve, vajzat u alivanosën tepër pas luksit e shejtani doli nga shishja, pa marrë leje. Dhe nuk dihet se ku do të ndalojë.
Edi dhe Bela përpiqen të bindin dynjanë se ata të dy janë herë njëri e herë tjetri kryeministrat e vendit, e kryetar të partisë në pushtet. Ngaqë ua njohin brekushet njëri-tjetrit. Këtu e ka fillin dhe vota kundër imunitetit. Ka jo pak fjalë se ti nuk shiheshe me hënë të mirë me të pandehurën Belë. Madje thonë se ku t’ia gjenit rastin, e sajdisnit njëri-tjetrin sipas takatit të grupeve. Lesh me qime vajti kjo mesele. Të gjithë e dimë se në tefterët e tu, në videot, përgjimet, të dy janë të grisur gjithandej, e kusuret janë regjistruar në dhomat e tua në zyrat e bllokut, ku vjen kujtesa me shumë bëma e gjëma. Pasthirmat e ofshamat, janë një thertore, sa emocionale aq edhe penale për një turrë zyrtarësh e biznesmenësh, pushtetarësh e politkanësh. Aferim!
Linda e shkretë e teknologjisë më në fund u bë me shtëpi, ja ashtu me qera pak qindra metra në tokë e në bregdet. Thonë se andej nga afër stadiumit, në binatë e reja, njëri nga zyrtarët e lartë të Kryeministrisë kishte mbi 20 apartamente. Se paratë për bina e sona vajtën në këtë vend. Aty i ka ende. Për pak e arrestuan nga dhjetori i kaluar. Por u tregua i shkathët kodoshi. U la puplat prokurorisë e policisë. Helbete ka qenë eminencë dikur. Dikush e rrudhi shkresën andej nga Treni. Ose ai ka dosje për klering me tepri. Me ustallarët matanë ujërave, se këndej është holluar peri. Edhe deputet Alqin e kishe përfshirë në marrje pengjesh. Tuhafëri e madhe, por kur ta do puna, të zë belaja. Sa biznesmenë të pabindur keni kërdisur me rrëmbime, për të hapur shtegun për familjen?!
Se helebete harrojmë ndonjë gjë andej nga Linda e shtëpisë dhe ajo e qeverisë, apo Kadastra e nga Shërbimet Sekrete. Çdo aplikim të dilte në sistem dhe përqindjet vinin grurë. Për vila, banesa, kulla, resorte, me leje e pa leje. Ishe shpërndarës i zoti. Rama ka hallin e baxhanakut se mos kanë rënë në duar të SPAK-ut, jo vetëm marifetet zyrtare por edhe aty të tuat. Kjo puna e Lindës së shtëpisë është mina me sahat. Shpërthimi i pakontrolluar i saj, mban shumë pengje. Do e kesh dëgjuar bablokun kur ankohet për gjermanët armiq se kanë dërguar materiale në Prokuroi për AKSHI-n dhe Porto Romanon. Do jetë ai Gerondi që palosët peng e dhunuat, më pas i ikur si dëshmues andej në Gjermani. Apo u ke dhënë një dorë për Lindën edhe ti..!?
Po të tjerë deputetë të Kuvendit nga 140 njerëzit e popullit? E ke atë listën sa të tillë kanë ardhur, sa herë kanë ardhur dhe çfarë dertesh kanë zgjidhur bashkë me ty?! Sigurisht që po. Po prokurorë e gjyqtarë, nga më të lartët te rioshët, si kanë qenë me turizmin e zyrës?! Sa herë kanë trokitur për qoka të vogla, nga vetting, në emërime-transferime, vendime për çunat, e shpërblime për sjellje të devotshme?! Se për oficerët e policisë, drejtorë e shefa dihet temenaja e tyre, për porositë e tua. Se mos kërkoje shumë ti. Ja kur merrje peng biznesmenë ata ta sillnin pakon ku të doje nëpër bagazhe makine. Kur i kërcënoje të ikinin nga pjesëmarrjet në tendera, ata ta bënin peshk kë e si të doje. Për pikat e basteve në të zezë, të gjithë grupet kishin darë terrenet e dorëzonin taksat. Sigurisht edhe policia kishte zarfin e saj. Edhe për call-centerat e njëta gjë. Puno, paguaj. Kur vinin këta të huajt prishej pazari ca javë, por prapë gjendej dermani. Edhe kur kalonin ngarkesat me ca tonelata miell të çunave, ata iknin në gjumë të gjithë dhe vetëm ekipet e shoqërimit pa telashe dilnin në punë.
Sot haberet nuk janë të mira. Babloku ka anuluar 26 leje ndërtimesh nga Tirana në Vlorë. Edhe atë miliarderen 23-vjeçare e lanë pa nisur kullat në Himarë. Diçka e rrallë ka bërë vaki. Sa të kishte ty babloku nuk anuloi asgjë, shpërndante vaj porositë. Ja tani vete e kthen pas 26 leje ndërtimi për kulla e resorte nga kryeqyteti në det. Dikush do i ketë dërguar selam, se ka lëvizur uji matanë detit. Po duhen kthyer qokat mbrapsht se. Jo se e ka problem ngaqë i lan borxhet me tendera, aty të mbushur e kanë investimin. Mo kanë folur e vajisur dosjet këta Braho, Mara, Bejko të SPAK-ut andej nga USA, se vajtën 10 ditë andej në takime në DEA, FBI, DASH, CIA. Tani qeverinë e re dhe zgjedhjet e reja i ke në dorë vetë. Një të dorëzuar në fillim haberet e provat, pastaj veten. Se ende je në fuqi. Pastaj si dihet…Dorën e parë sekuestruan këta. Po kur të dorëzosh provat e pronat e bablokut e familjes, të tuat do duken varfëri ekstreme…




