Lëkundjet sizmike/ Tronditet Shqipëria, tërmet 7 ballë në Cërrik, dëmtohen shkolla dhe banesa  

Banorët në Cërrik dhe Belsh: Natën e kemi kaluar jashtë, na janë thyer të gjitha çfarë kishim. Të na japin çadra, shtëpitë janë të pabanueshme

121280_2 Pas valës së disa muajve më parë, ku rreth 28 tërmete “të vogla” goditën Shqipërinë e Mesme, vendi është goditur mesnatën e djeshme nga 7 tërmete të tjera. Më i rrezikshmi ishte ai i orës 2 e 59 minuta, ku magnituda e goditjes ishte 5.2 e shkallës Rihter. Epiqendra e tërmetit ka qenë 44 km në jug të Tiranës, 30 km në verilindje të Fierit dhe 5 Km në lindje të Lushnjës, me një thellësi prej 10 km. Lëkundje të forta janë ndier në Tiranë, Elbasan, Durrës, Lushnjë, Berat, Kuçovë, Gramsh, Fier, Vlorë, Krujë, Laç, Milot dhe Peshkopi. Pas goditjes së parë vijuan dhe 5 tërmete të tjera me intensitet më të ulët, e dyta në orën 3 e 6 minuta në fshatin Mollas, në orën 3 e 16 minuta 6 kilometra në jugperëndim të Gostimës, një tjetër lëkundje 4.1 e shkalles Rihter, e kështu me radhë lëkundje të tjera me intensitet më të ulët deri në lëkundjen e fundit prej 3 të shkallës Rihter që goditi në orën 5 e 40 minuta pranë Belshit.

 

Dëmtohen banesat dhe shkollat

Cërriku, ku ka qenë dhe epiqendra e tërmetit kë pësuar dëmet të shumta në disa apartamente. Sipas drejtorit të Urbanistikës, Fatmir Uruçi, janë dëmtuar rreth 50 apartamente dhe jetesa në këto banesa është e rrezikshme. Në fshatin Hisgjokaj të Lushnjës është shembur një banesë, ndërsa 20 banesa po në të njëjtin fshat kanë pësuar dëmtime të rëndë, duke filluar nga rënia e suvasë deri te plasja e mureve. Ndërkohë, në Belsh të Elbasanit janë dëmtuar dy shkolla dhe fëmijët janë trembur të zhvillonin mësim gjatë ditës së djeshme. “Ka dëme në dy ambiente publike, siç janë shkolla 9-vjeçare Qendër-Belsh, gjithashtu dhe shkolla 9-vjeçare e fshatit Qafë-Shkallë e Bashkisë Belsh. Por jo vetëm këto objekte, kemi edhe dëmtime të banesave të qytetarëve”, – u shpreh Blerim Tafani, nga Emergjencat Civile në Belsh.“Ishin shumë pak dëmtime, tani u bënë më shumë. Shtëpia është e pabanueshme. Të më japin një çadër të jetoj jashtë”, – thotë një banore e Belshit.“Kemi dalë të gjithë jashtë. Ç’patëm u thyen të gjitha”, – shton një tjetër banore. Dëmtime të rënda ka pësuar edhe shkolla e mesme në Bashkinë e Belshit, një kat i së cilës është bërë e rrezikshme.“Disa shtëpi kanë pësuar dëme materiale dhe Shtabi i Emergjencës ka shkuar në vend dhe ka marrë informacionin e duhur. Me kalimin e orëve, morëm informacion që tek shkolla 9-vjeçare në Belsh ishte bërë dëmi më i madh”, – shton kreu i Bashkisë së Belshit, Asqeri Kuqja.Lëkundje të forta janë ndier dhe në Tiranë. Mësohet se tërmeti ka rënduar situatën në shkollën 9-vjeçare në fshatin Mihajas të Komunës së Bërzhitës, duke shkaktuar dëmtime të mëdha. Ndërkohë, një pjesë e mirë e banorëve të kryeqytetit e kanë kaluar natën jashtë, nga frika e një tjetër goditjeje të fortë si ajo e orës 2 e 59 minuta.

 

Çfarë janë tërmetet?

Tërmetet janë lëkundje të tokës që shkaktohen nga zhvendosjet e papritura të formacioneve shkëmbore në brendësinë e Tokës. Këto zhvendosje ndodhin përgjatë vijave të thyerjes, të cilat janë zona të ngushta shkëmbinjsh të thërrmuar që ndajnë pllakat tektonike të Tokës. Kur një pllakë tektonike shkëputet dhe zhvendoset papritur ndaj një tjetre përgjatë vijës së thyerjes, energjia që çlirohet shkakton lëkundje të quajtura vale sizmike që rrezatohen deri në sipërfaqe të Tokës. Tërmetet mund të zgjasin nga disa sekonda deri në disa minuta. Ato shkaktohen nga stresi i grumbulluar me kalimin e kohës ndërsa pllakat tektonike të Tokës përpiqen të lëvizin por që mbahen në vend nga forcat e fërkimit përgjatë vijës së thyerjes. Kur ky presion mposht forcën e fërkimit qe i mban pllakat tektonike bashkë, atëherë dy pllaka fqinje papritur mund të rrëshqasin, duke thyer vijën dhe shkaktuar në këtë mënyrë një tërmet.

 

Historia e tërmeteve në Shqipëri, më i forti në 1851-shin me 400 të vdekur

Ndërmjet shekullit III para Krishtit dhe deri më sot Shqipëria është goditur nga 55 tërmete të forta me intensitet i -VIII të shkallës MSK-64 nga të cilët 15 kanë qenë me i –IX, MSK.

Tërmetet me dëme në njerëz dhe banesa që kanë prekur Shqipërinë në shek. 19-20

-12 Tetor 1851, tërmeti i rënë në Gjirin e Vlorës me 200 të vdekur, si dhe përmbytje nga ngritja e nivelit të detit 66 cm.

-17 Tetor 1851, tërmeti i rënë në Rajonin e qytetit të Beratit me mbi 400 të vdekur.

-10 Tetor 1865, tërmeti i rënë në Tepelenë, Berat, Klos me 27 të vdekur.

-1 Qershor 1905, tërmeti i rënë në Shkodër me 200 të vdekur, 500 të plagosur dhe 1500 shtëpi të shkatërruara.

-18 Shkurt 1911, tërmeti i rënë në Liqenin e Ohrit (Pogradec) me një numër jo të vogël të vdekurish. Niveli i liqenit u rrit 50 cm.

-26 Nëntor 1920, tërmeti i rënë në Tepelenë dhe në fshatrat përreth me 102 të vdekur, 102 të plagosur, 2500 shtëpi të shkatërruara, 15000 banorë pa strehë.

-18 Dhjetor 1920, tërmeti i rënë në Elbasan me 14 të vdekur, 300 të plagosur, 173 shtëpi të shkatërruara.

-27 Gusht 1948, tërmeti i rënë në zonën e Nën Shkodrës me 1 të vdekur dhe 21 të plagosur.

-26 Maj 1960, tërmeti i rënë në Korçë me 7 të vdekur dhe 127 të plagosur.

-30 Nëntor 1967, tërmeti i rënë në Librazhd-Dibër me 12 të vdekur, 174 të plagosur, 6336 banesa të dëmtuara, 534 banesa të shembura.

-15 Prill 1979, tërmeti i Mali të Zi me 35 të vdekur dhe 382 të plagosur në Shqipëri dhe 102 të vdekur dhe mbi 1000 të plagosur në Malin e Zi.

Tërmeti i rënë në shekullin 21 me dëme në banesa.

-6 Shtator 2009, tërmeti i rënë në Qarkun e Dibrës, i cili sipas informacionit të marrë nga Instituti i Gjeoshkencës së Shqipërisë, ishte me magnitudë 5.2 shkalla Rihter. Nga ky tërmet u dëmtuan rreth 1500 shtëpi.

 

 

Share it :