Një tufë me poezi nga Charles Bukowski, lindur në Andrenah në Gjermani me 16 gusht të vitit 1920. Pas dy vjetësh nga lindja e tij e gjithë familja emigron në Amerikë. Ata vendosen në Los Anxhelos, ku Bukowski qëndroi gjithë jetën. E gjithë jeta e tij është e shkruar në libra. Emri i tij i plote është Henry Charles Bukowski Jr., por atë thjesht e thërrisnin Henk. Ka vdekur me 9 mars të vitit 1994 nga leucemia në San Pedro. Është autori i 34 vëllimeve poetike dhe i tri romaneve dhe një skenari filmi. Henk njihet si një ndër themeluesit e rrymës Underground
Charles Bukowski
Zogu Blu
ka një zog blu ne zemrën time që
do të dalë jashtë
por unë jam shumë i ashpër me të,
unë them,
rri aty,
nuk do të lejoj
askënd të t’shohë.
Ka një zog blu në zemrën time që
do të dalë jashtë
por unë i hedh uiski dhe thith
tym cigareje
dhe kurvat, dhe baristët
dhe shitësit e ushqimoreve
kurrë nuk e dinë
që ai është
aty.
ka një zog blu në zemrën time
që do të dalë jashtë
por unë jam shumë i ashpër me të,
unë i them,
rri aty,
do që të më bësh lëmsh?
do që të më çosh për lesh gjithë punën?
do që t’i marrë lumi shitjet
e librave të mi
në Europë?
Ka një zog blu në zemrën time
që do të dalë jashtë
por unë jam shumë i zgjuar, e lë të dalë
vetëm ndonjëherë netëve
kur të gjithë flenë.
Unë them, e di që je aty
kështu që mos u trishto
dhe e fus brenda sërish.
por ai po këndon pakëz atje
nuk e kam lënë të vdesë
përfare
dhe ne flemë bashkë
ja ashtu
me paktin tonë sekret
dhe është boll bukur
të bësh një burrë
të qajë, por unë
nuk qaj,
qan ti?
Lavires që mori poezitë e mia
Ca thonë që duhet të mbajmë ca keqardhje në vetvete nga
poezia,
të qëndrojmë abstraktë, dhe ka ca kuptim kjo,
por Jezus:
dymbëdhjetë poezi më ikën dhe unë nuk ruaj kopje
dhe
ke pikturat e mia, më të mirat; është mbytëse:
po përpiqesh të më shkatërrosh si të tjerët?
Pse nuk more paratë e mia? Kështu bëhet zakonisht
nga xhepat e pijanecit që fle në qoshe.
Herën tjetër merr krahun tim të majtë ose një pesëdhjetëshe,
por jo poezitë e mia;
unë nuk jam Shekspiri
por ndonjëherë thjesht nuk do të jenë më abstrakte apo jo;
gjithmonë do të ketë para, kurva dhe pijanecë
deri në bombën e fundit,
por siç dhe Zoti tha,
duke hedhur këmbën përmbi këmbë,
Unë shoh se kam bërë shumë poetë,
por jo dhe aq shumë
poezi.
Leximet poetike
Leximet poetike duhet të jenë një nga gjërat më të trishtuara
e më të mallkuara.
Mbledhje e burrave dhe grave të klaneve,
javë pas jave, muaj pas muaji, vit
pas viti,
plaken bashkë,
duke lexuar në mbledhje të vockla,
duke shpresuar akoma që do t’u zbulohet
gjenialiteti
duke bërë regjistrime të njëri-tjetrit, disqe,
duke u djersitur për duartrokitje.
Ata lexojnë në thelb për njëri-tjetrin
nuk mund të gjejnë një botues nga New York-u
apo asnjë botues për be
për milje të tëra
por ata lexojnë e lexojnë
në vrimat poetike të Amerikës
pa u zmbrapsur,
pa u shkuar asnjëherë nëpërmend që
talenti i tyre mund të jetë
i hollë, i padukshëm pothuaj,
ata lexojnë e lexojnë
para nënave të tyre, motrave, burrave,
grave, miqve, poetëve të tjerë
dhe një tufë idiotësh që kanë mbirë aty
prej askundit.
Më vjen turp për ta,
më vjen turp që ata duhet të përkrahin njëri-tjetrin,
më vjen turp për egot e tyre të gjymtuara,
për mungesën e tyre të kurajos.
Nëse këta janë krijuesit tanë,
ju lutem, ju lutem më jepni diçka tjetër:
një hidraulik të dehur në një rrugicë të ngushtë,
një djalë që bën grusht në një kryqëzim,
një kalorës që tërheq kalin e tij prej kapistre
buzë shinave të trenit
një barist në thirrjen e fundit,
një kamariere që më shërben kafenë,
një pijanec që fle në një prag porte të braktisur,
një qen që lëpin një kockë të tharë,
një elefant që pjerdh në një tendë cirku
një rendim trafiku në ora gjashtë pasdite,
postierin që tregon një barcaletë të pistë.
Çfarëdolloj gjëje
çfarëdolloj gjëje më jepni,
përveç
kësaj.
Kështu pra, do të bëhesh shkrimtar
Nëse nuk shpërthen në flakë prej teje,
pavarësisht gjithçkaje,
mos e bëj.
Nëse nuk del pa pyetur
prej zemrës sate, prej mendjes dhe gojës sate
prej lukthit tënd,
mos e bëj.
Nëse të duhet të ulesh për orë të tëra
duke vështruar kompjuterin
apo të kruspullosesh mbi makinën e shkrimit
duke kërkuar fjalët,
mos e bëj.
Nëse po e bën për para,
apo për famë,
mos e bëj.
Nëse po e bën sepse do
të kesh femra në shtratin tënd,
nëse të duhet të ulesh
dhe të shkruash e ta rishkruash
sërish e sërish,
mos e bëj.
Nëse është kaq e vështirë edhe vetëm ta mendosh,
mos e bëj.
Nëse po mundohesh të shkruash si dikush tjetër,
harroje.
Nëse të duhet të presësh që të ulërijë brenda teje,
prit me durim.
Nëse asnjëherë nuk ulërin brenda teje,
bëj diçka tjetër.
Nëse më parë të duhet t’ia lexosh gruas,
të dashurës apo të dashurit
apo prindërve apo kujtdo,
nuk je gati.
Mos u bëj si ata shkrimtarët e shumtë,
mos u bëj si ata mijëra njerëz që e quajnë veten shkrimtarë,
mos u bëj i plogësht dhe i mërzitshëm
nga ata që duan të duken, mos u konsumo
nga dashuria për veten.
Librarive të botës u hapet goja
për gjumë,
nga ata të llojit tënd.
Mos u shto edhe ti.
mos e bëj.
Nëse nuk del prej shpirtit
si një raketë,
nëse duke ndenjur në vend
nuk do të t’çonte në çmenduri,
vetëvrasje apo vrasje,
mos e bëj.
Nëse dielli brenda teje
nuk po të shkrumbon,
mos e bëj.
Kur të jetë vërtet koha,
e nëse je i zgjedhur,
do të bëhet vetë,
dhe do vazhdojë të bëhet
derisa ti të vdesësh
ose ajo të vdesë brenda teje.
Nuk ka mënyrë tjetër,
dhe nuk ka pasur mënyrë tjetër,
asnjëherë.
Birrë
Nuk e di sa shishe birrë
kam pirë në pritje që gjërat
të bëheshin më mirë
Nuk e di sa verë dhe uiski
dhe birrë
kryesisht birrë
kam pirë pas
ndarjes me gratë-
në pritje të ziles së telefonit
në pritje të zhurmës së hapave,
dhe telefoni s’bie kurrë
deri tepër vonë
dhe hapat s’mbërrijnë kurrë
deri tepër vonë
kur stomaku më ka ardhur në grykë
ato vijnë të freskëta si lule pranvere:
“çfarë dreqin i ke bërë vetes?
do duhen tre ditë para se të bëjmë prapë seks!”
Femra është e qëndrueshme
ajo jeton shtatë vjet e gjysmë më shumë
sesa mashkulli, dhe pi shumë pak birrë
sepse e di që të bën keq për pamjen.
Ndërsa ne jemi duke shkalluar
ato janë jashtë
duke kërcyer e qeshur
me kaubojse të eksituar.
Në fakt, ka kuti birre
dhe kuti me shishe birre të boshatisura
dhe kur e kap njërën
shishja bie nëpër fundin e lagur të
kutisë prej kartoni
rrokulliset
kërcet
duke derdhur hi gri të lagur
dhe birrë bajate,
ose kutia rrëzohet në katër të mëngjesit
duke bërë të vetmen zhurmë në jetën tënde.
Birrë
lumenj dhe dete me birrë
në radio dëgjohen këngë dashurie
dhe telefoni hesht
dhe muret qëndrojnë
drejt në këmbë
dhe s’ka asgjë tjetër
përveç birrës.
lopë në orën e Mësimit të Artit
moti i mirë
është njësoj
si gratë e mira-
nuk ndodh gjithmonë
dhe kur ndodh
nuk zgjat.
burri është
më i qëndrueshëm:
nëse është i keq
ka më shumë shanse
të vazhdojë të jetë,
ose nëse është i mirë
mund të rezistojë,
por një grua ndryshon
nge fëmijët,
mosha
dieta
bisedat
seksi
hëna
mungesa apo
prania e diellit
apo kohëve të mira.
një grua duhet ushqyer
që të jetojë
me dashuri
këtu një burrë mund të bëhet
më i fortë
duke qenë i urryer.
Unë po pi sonte në barin e Spanglerit
dhe më kujtohen lopët
që pikturova një herë në orën e mësimit të Artit
dhe ato dukeshin mirë
ato dukeshin më mirë se çdo gjë tjetër
këtu. Unë po pi në barin e Spanglerit
duke pyetur veten kë të dua e kë
të urrej, por rregullat u fashitën:
Unë dua dhe urrej vetëm
veten-
ata qëndrojnë jashtë meje
si një portokall që ka rënë nga tryeza
e iken rrokullimthi; kjo është ajo që duhet
të vendos:
ta vras veten
apo ta dua veten?
cila është tradhëti?
nga po vjen ky
informacion?
libra…
si xhama të thyer:
s’do fshija as menderen me to
prapë, po errësohet,
e sheh?
(ne po pimë dhe flasim
me njëri-tjetrin dhe
duket sikur dimë.)
por lopa me gjinjtë më
të mëdhenj
blen lopën me bisht
më të madh.
krahë prezent.
baristi më shtyn një birrë
ajo vrapon mbi banak
si një vrapues olimpik
dhe një palë pinca që janë duart e mia
e ndalojnë,e ngrenë,
shurrë e artë tundimi bajat,
unë pi dhe rri aty,
moti është i keq për lopët
por sfurku im është gati
të mbledhë
syrin e kashtës së barit jeshil
trishtimi më mbështjell të tërin
dhe unë e pi birrën me eks
porosis një tjetër
shpejt,
të më japë kurajo dhe dashuri
që të
vazhdoj.
Gjeniu i turmës
ka boll tradhëti, dhunë, urrejtje, absurditet tek
njeriu mesatar për të furnizuar çfarëdo ushtrie në çfarëdo ditë.
dhe më të mirët në vrasje janë ata që predikojnë kundër saj
dhe më të mirët në urrejtje janë ata që predikojnë dashuri
e më në fund, më të mirët në luftë janë ata që predikojnë paqe.
ata që predikojnë Zotin, kanë nevojë për Zotin
ata që predikojnë paqe, nuk kanë paqe
ata që predikojnë paqe nuk kanë dashuri
ruhu nga predikuesit
ruhu nga të diturit
ruhu nga ata që gjithmonë lexojnë libra
nga ata që ose e përçmojnë varfërinë
ose janë krenarë për të.
ruhu nga ata që janë të shpejtë në lavdërime
sepse lavdërimet kanë nevojë t’ua kthesh
ruhu nga ata që janë të shpejtë në censurë
ata kanë frikë nga ajo që nuk dinë
ruhu nga ata që kërkojnë turmat vazhdimisht
sepse ata vetëm nuk janë asgjë
ruhu nga burri mesatar dhe gruaja mesatare
ruhu nga dashuria e tyre, sepse dashuria e tyre
është mesatare, kërkon mesataren
por ka diçka gjeniale në urrejtjen e tyre
ka mjaft aq sa për të t’vrarë ty
aq sa për të vrarë këdo
duke mos dashur vetminë
duke mos e kuptuar vetminë
ata do të përpiqen të shkatërrojnë gjithçka
që është ndryshe.
të paaftë për të krijuar art
ata nuk do e kuptojnë dot artin
ata do i quajnë dështimet e tyre si krijues
vetëm si dështimet e botës
të paaftë për të dashuruar plotësisht
ata do besojnë se dashuria juaj është e paplotë
dhe pastaj do t’ju urrejnë
dhe urrejtja e tyre do t’jetë e përkryer
si një diamant shkëlqyes
si një thikë
si një mal
si një tigër
si një bimë helmuese
arti i tyre më fin.
Përktheu: Mirela Kapaj
Prozë
Ndizemi e shuhemi
Mihal Hanxhari
Emrin ia mësova shumë kohë pasi u njohëm. Quhej Eva. Shpesh më ka ndodhur që të shoqërohem dhe të kem marrëdhënie me dikë e të mos ia kem ditur emrin. Ndofta më është dukur fort pak i rëndësishëm.
Se si e njoha, kur e pashë për herë të parë, s’di të them. Bile, kur u kujtova se ajo po ecte pranë meje në rrugën e jetës s’ime në atë qytet, isha për shumë kohë indiferent karshi saj dhe kurrë s’mendova se do të lidhesha sadopak me te. Eva, jo. Ajo më kishte takuar mes morisë së njerëzve, më kishte ndjekur ditë e net, më kishte përgjuar dhe isha bërë për te një njeri i dashur, isha bërë një ikonë e paparë, para së cilës ajo gjunjëzoheshe e vetmuar, netëve duke u lutur në heshtje.
Më vonë, më tregonte se si më kish dashur së largu, më tregonte shumë gjëra, që më kishin ndodhur, e që unë i kisha harruar, por që ajo i mbante mend me hollësi; i ruante si kujtime të ëmbla dhe ndihej e lumtur, kur tregimet e saj ngjallnin kureshtjen dhe habinë time. Dhe me të vërtetë në shpirtin tim ndjenja një paqe të ëmbël, ndofta ndjenja dhe një dridhje krenarie, që isha dashur aq shumë prej një vajze, pa e ditur unë.
Ajo s’ishte nga Budapesti, kishte ardhur nga krahina. E ndofta kurrë nuk pat menduar se Budapesti i madh e i zhurmshëm, ku ajo dukej si manushaqe e vogël, që mund të shkelej herë pas here, nga ndonjë kalimtar i shkujdesur, do e lidhte papritmas me një të panjohur, me një lidhje të fortë dhe plot pasion.
Në fillim e mëshirova, pastaj u tregova një mik i ftohtë, më vonë ndjeva nevojë të isha pranë saj, si përpara një zemre të gjerë, që mund të merrte ndonjë pike nga helmi i zemrës sime të mbushur. Pastaj e desha. E kur nisa ta dua, pashë që qe e bukur. Pothuaj ishte gjithmonë në gaz, dhe u çudita se si në fund të shpirtit ajo ruante një melankoli të thellë.
………………………………………………………………..
U futëm në pyllin e ri, me drurët e rritur si djem të shëndetshëm e të gëzuar. Asgjë nuk na shqetësonte aty. Më kishte zënë për mesi sikur unë të isha dama e saj, dhe ecnim pa thënë një fjalë. Kisha mbështetur kokën në supin e saj, e shihja gjethet që njollosnin qiellin e kaltër me arabeskat fantastike. U ulëm pastaj në një lëndinë të shtruar me bar të njomë si një sixhade e butë jeshile, e tek tuk të zbukuruar me një kërpudhë të bardhë. Mbështeta kokën në prehrin e saj, dhe më pëlqente të ëndërroja bukurinë.
-Misha…
Më përkëdheli flokët dhe u përkul mbi mua. Ngrita sytë dhe pashë gjinjtë që i rëndoheshin në fustanin e hapur. M’u kujtua kur zhvishja lëkurën e portokallit, ai pushi i bardhë që ka lëkura përbrenda. Aq të bardha ishin gjinjtë e saj.
-Misha…
-Hesht Eva…
-Përse?
-S’e di. A s’është çdo gjë më e bukur në heshtje?
Më pështeti kokën lehtë mbi bar, dhe u ngrit. Ndenja ashtu duke parë ato copëzat e kaltërta të qiellit mes gjetheve. Ndjeva një kapitje dhe mbylla sytë.. Kur i hapa, pashë ate që më rrinte përsipër dhe më vështronte me sy të thellë e të shkëlqyer. Buza i digjej nga një afsh përvëlonjës, dhe gjysmë e hapur puthte së largu plot epsh, çdo gjë timen. U ngrita pakë, ia mora kryet në duar, dhe e mbështeta mbi vehte. E putha me gjithë shpirt dhe pastaj e lashë të shtrirë mbi bar. U përkula sipër saj dhe më pëlqente ta shihja në sy, ta shihja, e pastaj ta puthja papritmas në buzë, në gushë, në gjinjët… Më dukej gjiri i saj më i bukuri që mund të bënte një gdhendës i zot në qelibarin e bardhë, më dukej sikur kish gjithë aromat e luleve të pyllit, më dukej i freskët si ujët e kulluar të një burimi të fshehur në hije e gjethe, më dukej sikur kisha në duar bukurinë më të madhe që ka trupi i një vajze në moshën e rinisë, dhe kurrë nuk putha me aq dëshirë, kurrë nuk desha si athere të fus atë trup të huaj në mbrendësinë e trupit tim, për ta absorbuar, për ta patur krejt timin, me dëshirën e afshin bashkë! Oh! Ç’dëshirë, ç’dashuri për një qenje që s’është tëndja. U lëshuam te njëri tjetri si dy udhëtarë të etur që gjejnë ujë në një burim të kulluar, u bashkuam si dy duar që lidhen me gishtërinjtë e s’hapen më, u bëmë një, e ashtu dora e natyrës u tall me ne sa deshi; pastaj heshtëm, heshtëm dhe u tërhoqëm kush e kush në vehten e vet, e u bëmë përsëri dy, dy si dy pemë me rrënjë të veçanta. Kur pylli filloi të errej e të ftohej, ne po ecnim njëri pranë tjetrit pa thenë një fjalë. Vura re që sytë i ruanin një cipë loti që s’binte kurrë. E afrova pranë vehtes, por ajo s’ndjente më dorën time. Diçka mendonte. Kur dolëm nga pylli m’u lut ta linja të ikte vetëm.
-Përse?
-Dua të jem vetëm.
-S’më don më?
Ngriti sytë dhe më pa e lodhur e si në faj:
-Ç’gjë tjetër më ka mbetur për të dhënë që të besosh se të dua?
Desha ta puth, por ajo u fsheh në gjirin tim, në këmishën e bardhë. E qau.:
-Misha, sa e kisha pritur këtë ditë; sa herë e kisha ëndërruar me sy hapur, sa herë e vetme në shtratin tim, natën në errësirë, e kisha kërkuar. Ja kjo qe; ç’tjetër mbetet tani për të kërkuar? Ç’më mbetet tjetër për të dhënë ty tani. Ndofta mbaroi ç’do gjë mes nesh..
E më shtrëngoi fort, e s’e largonte kryet nga gjiri im duke qarë.
-Eva, përse flet kështu, përse?
S’dija ç’të thosha. Kurrë s’kisha kujtuar se ajo vajzë nga krahina ishte aq e pastër; mendonte aq thellë e që donte aq shumë.
-Jo, s’duhet të arrinim gjer këtu. Ky është fundi.
-Marrëzi po flet… -i thashë me padurim..
-E shikon që kam të drejtë. Unë e shoh fundin. Ndofta dhe ti e sheh, por s’e thua. Ti je më pak i sinqertë. Ndofta sepse s’je ti që më deshe i pari, ndofta sepse jam unë që të dua e pa shpresë.
Fillova të ndjeja vështirësinë e këtyre fjalëve. Shihja që ajo më deshte akoma më shumë, e që unë s’kisha më dashurinë e parë. Dhe e shihja se kjo s’vinte vetëm nga epshi i shuar, jo ishte rruga e re që po niste zemra e ime për në një sferë akoma të panjohur.
U ndamë kështu atë natë. E u ndamë kështu edhe katër herë të tjera. Pastaj erdhi dita që ajo do të largohej nga Budapesti. E përcolla në stacionin e lindjes dhe i dhurova një fletore të bukur për të shkruar ditët kur do të ishte larg meje.
Iku.
Pas dy vitesh postieri i kolegjit më dorëzoi një pako të vogël. Ish fletorja e bukur, e shkruar me një shkrim të rregullt. Nuk e lexova, por vajta në takim: ajo ishte kthyer dhe më kish lënë një pikëpjekje. E takova në mbrëmje te këmbët e urës së këputur të Elizabetës. S’e njoha lehtë. Qe bërë grua. Qe bërë si gjithë të tjerat. E, ndjeva një zhgënjim në shpirt.
-Në fletore ke lexuar gjithçka. Tani di çdo gjë- e qeshte.
Pohova me kokë pa ditur përse. U ulëm në një espresso.
-Si të dukem? – më tha njëherë.
-Sikur s’je ti.
-Sigurisht, ke të drejtë, s’jam më unë. Por a e ke harruar atë që isha?
-Jo s’mund ta harroj, më pate dashur vërtetë.
-Po, vërtetë.
-Ajo mbas dite në pyll.
-Ah po në pyllin e mëkatit tim, dita e fundit e dashurisë sonë. Jo vetëm, qe dashuria e tërë jetës sime që u shkri. Sikur të mos qe epshi në botë, sikur të duheshim vetëm në shpirt, sikur të desha atëherë, kur ti s’më njihje akoma, ndofta tërë jeta e jonë do të qe mbushur me ëmbëlsi e dhembshuri të dashurisë deri në ditët e vdekjes, ndërsa kështu, ndizemi e shuhemi, kujtojmë se jemi perëndi dashurie për një çast, e pastaj si tretemi si dylli, kujtohemi që s’jemi veçse demonë të akullt me gjak të ftohtë e krejtësisht të mjerë, pa dashur asgjë, as veten tonë… E më lëshoi tymin e cigares në fytyrë.
-E di Mihal! Kam parë në galeri një pikturë, që paraqet Evën dhe Adamin, që po i përze Perëndia nga Parajsa. E di? M’u kujtua ajo mbas dite në pyll, kur qava atje në rrugë…
-Eva, ti më flet shumë bukur, unë i dua këto fjalë..
-Tani veç fjalë mësoj, fjalë, fjalë të reja, mendime, por ç’janë gjithë këto, ç’më duhen, ç’më kthejnë? Sikur këto mendime dhe fjalë ti kishim përpara se të hanim mollën, ndofta do të kishin një vlerë, por i kemi vetëm më pas, e kjo është më e dhimbshme dhe më e kotë.
U ngrit. Pagova, dhe dolëm… Më ftoi në shtëpinë e saj, të cilën i shoqi e kishte blerë në një rrugë të largët (ishte martuar). Nuk i vajta. Pas ca ditësh mora një kartëpostale.
“E di, ti do të më kthesh lumturinë e humbur. E ke kot, ajo ka rënë në fund të oqeanit, bashkë me lumturinë e gjithë botës s’onë. Eja pra, duku këtej. Të jetojmë si gjithë bota. Jeta është një rrugë, në të cilën ecet vetëm përpara gjer në fund. Përse mendon se atë rrugë mund ta nisim nga fillimi? A se sheh fundin e saj sa pranë është? Ti gjithmonë s’ke ditur të shohësh. Eja, “ai”kthehet veç në darkë…”
Vajta…dhe fillova ta ndjej vehten si një baltë të njomë, me të cilën ajo ndërtonte formën e shpirtit të saj.





