Gëzim Saliu
“Presidenti turk tha që duhen mbyllur disa shkolla. Keni parë një vëlla që thotë mbyllni shkollën? Si e tha si baba? Nëse ne si komb do kishim një baba, i parë do ishte Skënderbeu”
Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, kërkoi dje nga qeveria shqiptare dhe nga kolegët deputetë të Kuvendit të Shqipërisë që të mos pranojnë kushtin e vendosur nga Presidentit turk Erdogan për të mbyllur në Shqipëri aktivitetet e Lëvizjes “Hizmet” të imamit dhe manjatit Fetullah Gylen në këmbim të ndihmës të ngritjes së Xhamisë së Namazgjasë dhe Parlamentit të ri të vendit. Në fjalën e mbajtur në foltoren e Parlamentit, duke iu referuar vizitës së kreut të shtetit turk, Blushi tha se mesazhi i tij për të larguar nga vendi të gjitha aktivitetit që lidhen me “gylenistët” kryesisht shkolla, nuk është i drejtë pasi sipas tij Shqipëria nuk duhet të bëhet palë në një konflikt që si përket asaj. Në këtë kontekst, deputeti socialist tha se nëse ky është kushti i Turqisë për te përfituar nga investimet turke atëherë, sipas tij, ai duhet refuzuar, pasi theksoi ai, Shqipëria nuk është koloni turke.
Qëndrimi
Nga foltorja e Kuvendit, Ben Blushi i kërkoi dje qeverisë shtetit shqiptar të mos pranojë kushte vasaliteti nga Turqia. “Mu duk sikur në këmbim të kësaj dhurate Erdogan kërkoi një shkëmbim. Mbylljen e një organizate sipas tij terroriste që vepron në Turqi e Shqipëri. Unë nuk kam parë organizatë terroriste që nuk vret, dhe në Shqipëri nuk kemi parë vrasje nga ajo që ai e quan terroriste dhe na kërkon ta zhdukim për arsyet e tij. Kjo na vënë në pozitën e vështirë dhe këtë nuk mund ta pranojmë. Shqipëria njeh dhe ka detyrimin të njohë për organizata terroriste vetëm listën e shpallur nga OKB. Asnjë president që përcakton listën e terrorizmit në vendin tonë nuk është e arsyeshme dhe e pranueshme dhe prandaj duhet ta refuzojmë se ne nuk jemi koloni turke dhe në shkëmbim të një dhurate nuk mund të cenojmë lirinë dhe krenarinë tonë”, – tha Blushi. Më tej deputeti socialist pohoi se kërkesa e Erdoganit ka të bëjë me mbylljen e disa shkollave në vendin tonë, ku theksoi ai, arsyeja kryesore për këtë është sepse i ka financiar kundërshtari politik i Presidentit turk. “Ne nuk jemi palë në konfliktin politik që ka Turqia. Askush nuk mund të vijë këtu të na kërkojë që nuk bëjnë kundërshtarët e tij për arsye politike. Më intereson liria jonë për të vendosur. Si e tha, si një vëlla, si një mik? Keni parë vëlla mik që thonë mbyllni një shkollë? Unë nuk kam parë!”, – deklaroi anëtari i kryesisë së PS-së. Në këtë kontekst, Blushi tha se deklarata e tij nuk vjen as një si baba, pasi ne si komb sipas tij nëse do kishim një baba nderi i parë do i takonte Skënderbeut apo Ismail Qemalit. “Ne nuk kemi baba jashtë Shqipërisë. E kuptoj pozitën ku është qeveria, parlamenti shqiptar, por nuk mund ta pranoj, ne nuk jemi koloni e askujt. Për të mos u bërë palë në një konflikt në Turqi besoj se është dita për ta refuzuar kolektivisht këtë kërkesë, siç do thoshte Erdogan: “Nuk do bëhemi pishman”, se mbrojmë lirinë dhe krenarinë tonë kombëtare”, – përmbylli fjalën e tij në parlament deputeti socialiste Ben Blushi.
Çfarë tha Erdogan në Shqipëri
Presidenti i Turqisë Erdogan dha pardje një mesazh për të cilin tha se ia kishte përcjellë “dy vëllezërve të tij të vyer” në takimet e zhvilluara kokë më kokë, Kryeministrit Rama dhe kreut të shtetit Nishani. “Ju jeni në dijeni që ne në Turqi po luftojmë kundër një strukturë paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht organizatë terroriste që kërcënon shtetin tonë, popullin tonë. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë e vet edhe në Shqipëri, në këtë vend mik dhe vëlla. Me vëllezërit e mi të vyer zotin Nishani dhe zotin Rama e trajtova këtë çështje dhe kam bindjen se ata do të bëjnë atë që duhet. Unë kam bindjen e plotë se institucionet shqiptare nuk do të tolerojnë asnjëherë këtë organizatë dhe anëtarët e saj. Turqia me kryesinë e çështjeve fetare me qendrën kulturore “Jonuz Emre” dhe me institucionet e tjera është e aftë të rregullojë dhe zëvendësojë të gjithë ato shërbime që kjo organizatë ka realizuar deri tani në Shqipëri. Për këtë çështje duhet ta kemi të qartë”, – tha Presidenti i Turqisë.
Ish-deputeti socialist/ Malaj: Të mos niset as Parlamenti i ri dhe as projektet e tjera pa u qartësuar kërkesa e Erdoganit
Ish-ministri i Financave, por edhe ish-deputet socialist Arben Malaj kërkon dje nga kryeministri dhe presidenti sqarime në lidhje me qëndrimin e tyre për kërkesën publike të Presidentit turk, për mbylljen e institucioneve arsimore të lëvizjes Gylen. Malaj kërkoi nga kreu i qeverisë të mos nisë projektin e parlamentit të ri dhe projektet e tjera që lidhen me financimet turke pa u qartësuar më parë kërkesa e Erdogan. “Rrezikohet që ndihma e premtuar për disa projekte të paketës “Erdogan” të zvarritet dhe të bëhet gjithnjë e më imponuese, të paktën për aq kohë sa Erdogan do të jetë Presidenti i Turqisë. Projekti i parlamentit dhe projektet e tjera nuk duhet të fillojnë pa qartësuar këtë kërkesë/kushtëzim të pazakonshëm, pasi mund të ndodh ajo që ka ndodhur shpesh në historinë tonë të mosmarrëveshjeve me “motrat dhe vëllezërit strategjikë”, ku mbetën të pa përfunduara shumë “projekte madhështore””, – deklaroi Malaj. Më tej në reagimin e tij ish-anëtari i kryesisë së PS-së theksoi se cilësimi organizatë terroriste i lëvizjes Gylen dhe kërkesa publike e Presidentit turk për ti trajtuar si organizatë terroriste duhet të kishte një përgjigje zyrtare publike nga autoritetet shqiptare. “Nqs premtimet për projektet e deklaruara janë të kushtëzuara me plotësimin e kërkesës për mbylljen e institucioneve arsimore të lëvizjes Gylen – atëherë kjo jo vetëm për nga madhësia por sidomos nga kushtëzimi nuk është mbështetje ekonomike por një përpjekje për eksportimin e krizës politike të Turqisë në vendin tonë. Kur individë apo organizata të ndryshme janë deklaruara terroriste nga Kombet e Bashkuara si edhe në listën e azhurnuar që bënë publike Presidenti amerikan Shqipëria ka bashkëpunuar me vendet e ndryshme dhe sidomos me institucionet ndërkombëtare në luftën kundër terrorizmit. Aktualisht lëvizja Gylen nuk është në asnjë prej këtyre listave”, – pohoi Malaj.
Gazeta turke opozitare/ Zaman: Kërkesa e Erdoganit për të mbyllur shkollat turke inatos politikanët shqiptarë
Gazeta opozitare turke “Zaman” u ka bërë jehonë dje reagimeve të indinjuara të politikanëve shqiptarë përballë kërkesë së Erdoganit për të mbyllur shkollat turke në Shqipëri, të cilat sipas tij janë të lidhura me grupime terroriste. Zaman përcillte disa nga deklaratat e deputetit socialist Ben Blushi, si “Shqipëria nuk është një koloni e Turqisë” dhe se “asnjë president i një vend nuk mund t’i kërkojë një vendi tjetër diçka të tilla”. Zaman përcillte gjithashtu edhe deklaratat e ish-ministrit socialist të Ekonomisë Arben Malaj, i cili u shpreh se “mbyllja e shkollave në vendin tonë në këmbim të investimeve turke, bëhet për të transferuar telashet e brendshme të Turqisë në vendin tonë”. Zaman përmendte edhe simbolet e sikletshme shqiptare në praninë e Erdoganit, ku shkruante se gjatë konferencës së shtyp të përbashkët me homologun Bujar Nishani, qe i pranishëm edhe busti i heroit kombëtar shqiptar Gjergj Kastrioti Skënderbeu, që ka luftuar kundër Perandorisë Osmane. Në mbyllje të shkrimit Zaman theksoi se edhe gjatë fotove të hedhura nga kryeministri Edi Rama, spikaste edhe njëra ku shihej Erdogani të kalonte pranë portretit të Ismail Qemal Bej Vlorës.
“Të mos bëjmë si me armët kimike”/ Bregu: Ministrja të na japë një shpjegim nëse ambienti i shkollave është me rrezik
Ish-ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, duke marrë shkas nga deklaratat e deputetit socialist për çështjen e mbylljes së shkollave turke të Gylenit në Shqipëri, kërkoi sqarime nga ministrja e Arsimit Lindita Nikolla. “Shumë prej nesh i kanë fëmijët në ato shkolla që dje u cilësuan si shkolla të financuara nga organizata terroriste. Ministrja e Arsimit nuk do kishte bërë keq t’i kishte dhënë njëfarë shpjegimi, jo duke menduar se lëndojmë një mik apo një partner strategjik por besoj se do ishte ne nderin e gjithsecilit dhe ministrja duhet ta kishte bërë këtë sqarim. I kemi çuar fëmijët për t’u arsimuar në ato shkolla ndaj nëse ka një rrezik real do të qe mirë ta dëgjonim nga ju sepse është e patolerueshme që ambienti që jetojnë fëmijët tanë të ishte një ambient me rrezik. Është mirë që gjërat të diskutohen. Mos bëjmë si me armët kimike që e morëm vesh pasi u majis çështja”, – deklaroi Bregu.




