“Lala”, prova e radhës që media s’është e lirë

Nga Nebil Çika

Nebil Çika“U harrofsh e u dëftofsh!”, – thotë një fjalë e urtë. Kështu, me sa duket, i ka ndodhur edhe kandidatit për kryetar Bashkie të qeverisë në Elbasan, Qazim Sejdini. Ai është filmuar me zë e figurë duke shantazhuar një gazetar e të gjithë gazetarët e Elbasanit se nëse shkruanin apo raportonin negativisht për të, do të largoheshin nga puna, gjë që, sipas tij, e kishte bërë edhe më parë. Sipas tij, pronarët e medieve duan ta kenë mirë me pushtetin. Për fatin e keq të gazetarëve, Sejdini ka thënë një të vërtetë të madhe që megjithëse nuk përbën ndonjë surprizë për gazetarët sigurisht që përbën një provë për atë që ndodh realisht raportin media – pushtet politik në Shqipëri.

“Lala”, kështu e thërrasin, kryebashkiakun Sejdini në Elbasan, prej naivitetit apo prej arrogancës së pushtetit tha të vërtetën, një të vërtetë të madhe, për të cilën tani kemi një provë publike. Media ka qenë dhe vazhdon të jetë o në kontrollin, o nën presionin e pushtetit dhe politikës! “Lala” nuk është i vetmi politikan e pushtetar që ka pushuar apo kërcënuar gazetarët dhe mediet. Dihet që shumica e botuesve dhe pronarëve të medieve janë biznesmenë dhe media vetë një biznes, pa suksesin e të cilit ajo nuk mund të mbijetojë. Pushteti në Shqipëri ka në dorë pothuaj gjithçka dhe çdo biznes është i detyruar ose të bashkëpunojë me të, ose të përballojë koston e agresionit të pushtetit politikë gjë që do te thotë një sakrifice e jashtëzakonshme për një media dhe një kërcenim real për lirinë e shtypit. Gazetarët, siç thotë “Lala”, janë viktimat humane të këtij raporti të deformuar pushtet politik – media, por demi më i madh i bëhet një prej shtyllave kryesore të demokracisë, njëherazi edhe e drejtë themelore e njeriut, lirisë së shtypit.

Pa dyshim që shantazhi publik i Sejdinit përbën provën më të qartë të një krimi kushtetues të konsumuar në vite nga pushteti politik, shkeljen e lirisë së shtypit. Fjala dhe shtypi i lirë janë të drejta themelore të garantuara nga Kushtetuta e Shqipërisë, por edhe nga konventa e organizma ndërkombëtare të cilat Shqipëria i ka ratifikuar ose është anëtare e tyre. Nëse në Shqipëri do të kishte shtet ligjor ose moral politik, Sejdini duhet të ishte arrestuar ose të kishte dhënë dorëheqjen. Por as njëra, as tjetra nuk kanë për të ndodhur përderisa ai është një përfaqësues politik e kandidat në zgjedhje i qeverisë.

Por Sejdini nuk është i vetmi politikan apo pushtetar qe ka shantazhuar medien. Disa ditë më parë, Erion Veliaj, kandidati tjetër i qeverisë për Bashkinë e Tiranës, bëri të njëjtën gjë ndaj drejtorit te informacionit të TV “ABC News”, Armanad Shkullaku, kur e kërcënoi live nga ekrani i TV-së së tij se do të merrej me të pasa zgjedhjes në krye të Tiranës. Por jo vetëm kaq. Fatkeqësisht, të tilla insinuata krijohen edhe nga opozita. Tri-katër ditë më parë, gazeta “Standard” u shantazhua publikisht nga PD-ja, kur gazeta e saj, “RD”, botoi një shkrim ose më mirë një titull ku na cilësonte ne si “të blerë nga oligarkia dhe paratë e pista të pushtetit” vetëm e vetëm se një apo disa shkrime të botuar nga ne nuk i kishin pëlqyer dikujt në krye të saj.

Shantazhi ndaj medieve dhe gazetarëve të lirë ka qenë një histori e njohur e raporteve pushtet politik e media në pak më shumë se dy dekada të pothuaj demokracisë shqiptare. Kryeministri Rama mund të cilësohet si kampion e këtij shantazhi. Ka me dhjetëra raste ku ai ka fyer apo ka shantazhuar direkt disa gazetarë e pronarë mediash. Më kujtohet gjatë një fushate për kryetar Bashkie, ai fyeu një gazetare të re të “Shijak TV”, kur i tha publikisht të punonte më mirë prostitutë se gazetare në një media opozitare me të. Por shantazhi, ndonëse në një masë më të kufizuar, është aplikuar edhe nga kahu tjetër i politikës. Rast tipik është momenti i prishjes së gazetës “Tema” me PD-në dhe qeverinë e saj. Gazetarët e saj që nuk ishin as pjesë e mosmarrëveshjes së botuesit të saj me Berishën u vunë në shënjestër të pushtetit. Armand Maho i djathtë i thekuar, ish-gazetar i “RD” në atë kohë tek “Tema”, u pushua nga puna në zyrën e shtypit të një ndërmarrjeje shtetërore, për shkak të të qenit gazetar në një gazetë kundërshtare të qeverisë.

Sigurisht që ka edhe dhjetëra raste që mund t’i sjellim si prova që “lalizimi” i medieve nuk është një rrufe në qiell të pastër, por një e keqe që e ka shoqëruar që nga fillimi pluralizmin mediatik në Shqipëri. “Lala” është “kali i kapur në lëmë” që mbase do ta shijë të gjithë lëmin dhe kjo sigurisht nuk ka asnjë shans të vijë nga shteti apo ligji, por nga publiku. Fati i tij i keq mund të konsiderohet fakti se shantazhi i tij ndaj gazetarëve u zbyllu në një moment delikat politik, katër ditë par zgjedhjeve dhe kjo mund t’i përkthehet në votë kundër nga elektorati në Elbasan, gjë që shpresohet shumë të ndodhë. Por do ta shënoja si fat këtë moment edhe për lirinë e medies në Shqipëri. Ne këtë moment vëmendja dhe vegimi ndërkombëtar janë të përqendruara tek ne për shkak të zgjedhjeve. Shpresoj shumë që OSBE, BE, SHBA dhe të tjerë vëzhgues ndërkombëtarë ta mbajnë shënim rastin në fjalë si prova të mashtrimit më të madh që politika shqiptare u ka servirur atyre në këto dy dekada: “Lirinë e shtypit!”

Share it :