Bardhezinjtë edhe kësaj radhe kanë arritur të bëjnë gjithçka mirë, duke mos lënë dyshime ndaj shkodranëve, që i mposhtën 3-0
Laçi është skuadra që duhet mundur. Në gjithë këto javë është një ekip i cili dhuron shumë siguri, lojë të bukur po arrin të marrë edhe rezultate. Duket se siguria e fituar në sezonin e kaluar vazhdon edhe këtë sezon, duke u shfaqur e fortë në të njëjtën mënyrë.
Me dy lojtarë si Xhejms Adenij dhe Miroslav Vujadinovic, Laçi duket se ka gjetur formulën e suksesit me këta dy futbollistë. Kurbinasit vazhduan ecurinë e tyre pozitive duke mundur 3-0 Vllazninë, dhe për këtë një meritë të padiskutueshme e kishte dyshja Xhejms-Vujadinovic me sulmuesin nigerian që realizoi një dygolësh dhe portierin malazez që priti gjithçka që doli përpara. Pas Tiranës dhe Flamurtarit, Laçi zbriti me këmbë në tokë edhe Vllazninë duke treguar edhe njëherë tjetër se janë pikërisht bardhezinjtë macja e zezë e emrave të mëdhenj. Tekniku i laçianëve Armando Cungu i kishte besuar repartin ofensiv sulmuesit të vetëm Xhejms me nigerianin që mbështetej nga Çetkoviç dhe Nimani. Nga ana tjetër Baldo Raineri nuk ndryshonte asgjë te skuadra e tij me tredhëmbëshin Kruja-Shtubina-Hajdari në ndihmë të sulmuesit të vetëm Soza. Minutat e para nisën me një Vllazni të mirëvendosur në fushë dhe me Laçin që nuk gjente dot hapësirat e nevojshme për t’i bërë keq shkodranëve. Por pavarësisht gjithçkaje kurbinasit arritën të shfrytëzonin një goditje standarde për të thyer murin e Vllaznisë. Njeriu që i jep fitoren këtij Laçi, Xhejms Adenij tregoi një tjetër anë pozitive të repertorit të tij teksa realizoi një gol fantastik drejtpërsëdrejti nga goditja e dënimit, madje duke lënë të shtangur edhe portierin Selimaj. 1-0 për Laçin dhe tashmë formacioni i Cungut mund ta menaxhonte ndeshjen sipas mënyrës që dëshironte. Megjithatë Vllaznia e gjendur në disavantazh nuk kishte më asgjë për të humbur dhe me kalimin e minutave filloi të hidhte vështrimin nga porta e ishit Vujadinovic. Në të 33-tën kapiteni i kuqebluve Shtubina provoi të finalizonte me sukses një aksion të nisur nga këmbët e Krujës por nuk ja doli dot pasi goditja e tij teknike përfundoi jashtë. Gjithsesi Laçi u kundërpërgjigj 5 minuta më pas me një aksion model të Xhejms dhe Cetkovic por nigeriani nuk e kishte saktësinë e duhur në goditjen e tij nga jashtë zone. Në pushim dy skuadrat shkuan me avantazhin 1-0 të vendasve, ndërsa me rikthimin në fushë u pa një tjetër Vllazni. Kuqeblutë e nisën me marshin e 5-të fraksionin e dytë të lojës. Në të 54-ën Vujadinovic i tha jo një goditjeje plot klas të Hajdarit, ndërsa pak sekonda më vonë portieri malazez u shndërrua në heroin e vërtetë të Laçit. Gardiani i kurbinasve fillimisht ndali një goditje të zgjuar të Shtubinës dhe më pas tentativën me kokë të Sozës. Në minutën 61-të Vujadinovic ndali edhe njëherë tjetër Hajdarin. Gjithsesi me kalimin e minutave forcat e Vllaznisë shteruan dhe që nga ky moment frenat e lojës i mori në dorë Laçi. Në minutën 74 bardhezinjtë e Cungut realizuan por goli i tyre u anulua nga arbitri anësor për pozicion jashtë loje shumë të dyshimtë. Gjithsesi ishte sërish një arbitër ai që mendoi për t’ia bërë më të lehta gjërat kurbinasve. Në të 83-ën kryesori Cjapi akordoi një penallti për skuadrën vendase pas një prekjeje me dorë të Sykajt. Nga 11-metrat Cetkovic nuk fali duke ndëshkuar për herë të dytë Selimajn. Gjithsesi nuk ishte e thënë që të mbyllej me kaq kjo sfidë pasi në fund kishte vend edhe për një tjetër supergol të Xhejms. Numri 8 i bardhezinjve me një goditje të bukur nga jashtë zone vendosi në kasafortë fitoren e vendasve. Kështu Laçi konfirmoi edhe njëherë forcën që ka duke marrë një tre pikësh që e çon në kuotën e 10 pikëve.




