Koalicioni për Zgjedhje të Lira e të Ndershme e për Demokraci të
Qendrueshme (KZLNDQ) i bën thirrje partive politike shqiptare të cilat do të përfaqësohen në zgjedhjet për Organet e Qeverisjes Vendore të datës 21 Qershor 2015, në Koalicione, më vete apo si kandidatë të pavarur, që të organizojnë fushata elektorale me përgjegjshmëri të lartë dhe dinjitet, bazuar në legjislacionin zgjedhor në fuqi dhe parimet demokratike për zgjedhje të lira e të ndershme.
Duke parë zhvillimet e kohëve të fundit dhe sidomos sulmet mbi aktivistët e Partisë Demokratike në Shkozet, të qarkut Durrës dhe Ersekë të qarkut Korçë, KZLNDQ dënon të gjitha rastet e dhunës ndaj kundërshtarëve politikë dhe i bën thirrje të gjithë garuesve
zgjedhorë të dënojnë publikisht dhe të distancohen nga akte të tilla.
KZLNDQ i kërkon drejtuesve të partive politike të ftojnë publikisht mbështetësit e tyre që të jenë të përmbajtur ndaj akteve të kërcënimit ose dhunës ndaj kundërshtarëve të tyre apo grupeve mbështetëse, të afërmve, pasurisë personale dhe pronës publike.
Në respekt të zbatimit të standardeve ndërkombëtare dhe Kodit Zgjedhor të Republikës së Shqipërisë, KZLNDQ nxit partitë politike shqiptare që:
Të sillen në një mënyrë që të respektojnë të drejtat e palëve të tjera dhe kandidatëve të pavarur si dhe të drejtat e të gjithë votuesve dhe anëtarëve të tjerë të komunitetit.
Të organizojnë tubimet elektorale me qytetarë të cilët kanë zgjedhur lirisht dhe të padetyruar apo të pakërcënuar të marrin pjesë dhe të dëgjojnë programet dhe ligjërimet e kandidatëve.
Të respektojnë të drejtat dhe lirinë e partive, koalicioneve të tjera apo kandidatëve të Pavarur, të bëjnë fushatë dhe të shpërndajnë idetë dhe parimet e tyre politike.
Të mos shkatërrojnë apo pengojë fushatën dhe organizimet e kundërshtarit politik.
Të mos përfshihen në akte vandalizmi, duke sulmuar apo goditur kundërshtarin politik.
Të mos grisin posterat, fletëpalosjet e kundërshtarit poltik apo të ndalojnë grupet që
i shpërndajnë ato.
Të ftojë ligjëruesit në tubimet politike të shmangin gjuhën e denigrimit dhe të shpifjes për kundërshtarët politikë, apo të kërcënojnë dhe të nxisin dhunën në
çfarëdo forme ndaj një personi apo grupi personash.
Të respektojnë lirinë e shtypit dhe të lejojë përfaqësuesit e mediave të kryejnë punën e tyrë të pakërcënuar.
Të mos lejojnë mbështetësit e të tyre të mbajnë apo përdorin armë të çfarëdo lloji, përfshirë edhe ato tradicionale, në tubimet elektorale.
KZLNDQ nëpërmjet qindra vëzhguesve të saj të pavarur dhe të trajnuar gjerësisht për këto çështje, do të vëzhgojë fushatën para-elektorale të partive politike që konkurojnë në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të 21 Qershorit 2015, do të evidentojë parregullsitë dhe praktikat jo-demokratike, si dhe do të informojë në kohë reale publikun dhe aktorët e tjerë në lidhje me gjetjen.




