Kush do jetë ‘internacionalisti socialist’ i Shqipërisë?!

Banka dhe parateNga Zamir Gjurgji

“Jam pastruesja”, ishte kjo përgjigjja në majë të gjuhës e dhënë nga një rilindase ashtu  ‘pa teklif’  kreut të Komisionit të Ligjeve, z.Xhafa, pak përpara se të ngriheshin temperaturat atmosferike dhe në praninë e ‘babait’ të financave, z.Shkëlqim Cani. Qysh nga ajo kohë, ‘rilindaset’ e Çim Canit s’po gjejnë derman, edhe pse kreu i financave ‘heq Lena e vë Prena’ shpesh e më shpesh në krye të doganave. Tre të tilla deri tani.

E ardhur në pushtet me parullën ta çojmë Shqipërinë( nga drejtimi i duhur) në Evropë, rilindasve mavi u ka pjellë gjeli flori. Taksat e tatimet ngrihen, të ardhurat bien. Çmimet ngrihen, e Çimi e bën bam edhe në OJQ-në e babës. Dhe vjen nje ditë që s’mban më ujë pilafi edhe për FMN-në. Tangoja e fundit në Tiranë e FMN-së vjen menjëherë pasi KE-ja dha sinjalin portokalli se financat shqiptare po ‘pastrohen’ nga paratë, për të mos thënë po spastrohen nga to.

70%-shi i borxhit të brendshëm dhe 30% i borxhit të jashtëm nuk janë të dhëna që alarmojnë vetëm institucionet më famë ndërkombëtare. Për to nuk është aspak e paditur se ‘Kurora mbretërore’ e evazionit fiskal zhvendoset nga koka e Tonit në atë të Sherit, teksa të ardhurat e majme blerojnë tejendanë. Por kjo është vetëm njëra anë e medaljes, ajo më stampë ndërkombëtare, PR-në e të cilit qeveria(nënkupto taksapaguesit shqiptarë) ia paguan ‘alla star’-it sa frëngu pulën.

Nuk do të dëshiroja të besoja, sinqerisht, shifrën që ofron kreu i opozitës për evazionin fiskal në buxhet. Do të dëshiroja t’i merrja me rezerva edhe konstatimet e KLSH-së për rrjedhjet dhe shpimet e thesit të buxhetëve në rrafsh lokal e qëndror. Më bie në sy më shumë prangosja e burgosja hajdutit rrobeshqyer që vjedh bukën e gojës, sesa përvjedhja e të singjashmeve bleristë, çiftit Totozani-Onorato. Përvjedhje me kollare e frizurë moderne, që zhvendos fonde marramendëse nga një institucion në tjetrin, pa i hyrë gjemb burgu në këmbë. E të mendosh se janë fonde për mirëadministrimin e burgjeve shqiptare?!

S’do të dëshiroja, por nuk e di pse më vjen ndër mend editoriali i paradovitshëm i kryeredaktorit Serge Halimi, në “Le Monde Diplomatique”(Burqa bla-bla), ku vërente se e vetmja “kompani” që doli me fitim në tollovinë greke ishte “Goldman Sachs”?! Sigurisht edhe Jorgos Papandreu, por jo si “kompani”, si klan.

Ndërkohë që as unë si qytetar i thjeshtë pa spaleta, e as Blushi me spaleta vjollcë dhe anëtar i Asamblesë, nuk marrim vesh nga ekonomia(edhe pse i përkasim bindjeve e këndvështrimeve të ndryshme), pyetja që (na) lind vetvetiu, pas shumë përngjasimeve financiare greko-shqiptare, është se kush do jetë “GS”-ja e radhës në Shqipëri? “Kurora e Bleristëve”, FMN-ja apo BB-ja? Apo të treja bashkë? E ç’është më kryesorja, kush do jetë ‘internacionalisti socialist’ i Shqipërisë, i singjashmi i Papandreut?

Për periudhën e Papandreut bëhej bla-bla-bla për burkën, që të bëhej byk buxheti grek edhe nga grekët; për periudhën e të singjashmit po skicohet Blushi bla-bla-bla(dhe jo vetëm ai), që të (s)pastrohet publikisht buxheti shqiptar nga  Çim Cani dhe Çili,  Naimi i Rilindur. Sakaq, askush  “s’di gjë” nga kjo ‘gjëagjëzë palvatiane’, ndërkohë që Ligji “Nikolla” sapo ka turbulluar rishtas raportet (o)pozitare, PS-LSI-PD.

Share it :