Kohët kanë ndryshuar, goxha bile. Bashkë me të edhe dynjallëku. Edhe xha Ceni nuk është më as i ri. Megjithatë, edhe pse po shkon drejt moshës së tretë, përsëri mbahet në këmbë, ashtu si Dini i atij librit të kohës së merhumit që u ngrit përsëri në këmbë, me qen’ në krye të detyrës.
Meqë ra llafi, xha Ceni nuk merret më as me biçikleta. “Mifa” e tij ka zënë vend te quri i shtëpisë. I iku vakti edhe asaj – i thoshte shpesh plakës së tij – dhe askush nuk do t’ia dijë më a kam qenë, a s’kam qenë zanatçi me nam në kohën time. Sidoqoftë, edhe ai vetë duket se i pat dhënë karar këtij muhabeti. Epo, nuk po i hynte gjë në qese dhe prandaj i la shëndenë. Por ja që fati i behu në derë. Një ditë të bukur, fqiu ‘modern’ i trokiti në portë. Pasi u përshëndoshën, i dha shpejt karar muhabetit duke e ftuar xha Cenin të bëhej kryeplak i nahisë. Në të vërtetë, fqiu i vjetër se ç’i ra nga Kina me një turrë fjalësh ‘moderne’, por pasi e pa që xha Ceni zgurdulloi sytë, hapi gojën sa një kallamare dhe nofullën e poshtme e shpuri më brenda se ajo e sipërme, i shpjegoi se Kryetari i Njësisë Bashkiake Nr.X(d.m.th. i pari i nahisë)… kish’ nevojë për të. Vetëm kështu xha Ceni e mori vesh se ku ishte llafi.
“Të kemi zgjedhur për këtë vend o xha Cen, pasi e dimë që je burrë me nomuz dhe nuk i bën bisht punës. Nuk je sek… asaj gjosë nuk bie fare-fare; as anës e anës dhe as anës e pas anës. Kështu, jemi rehat edhe me çimkat e mbërtheckat, e s’na pjell belaja. Pastaj mër lal, ti nuk je as mit…( heshti pak të gjente fjalët e goditura për veshët e kryeplakut në prag të ngritjes në përgjegjësi)… nuk të kruhet as dora e djathtë kur ke nje hallexhi para teje, siç bojnë shumica mer lum miku – u shpreh ai e më pas mori frymë thellë kur ia tha të gjitha ç’kish për t’i thënë pa shkelur në dërrasë të kalbur.
Xha Ceni nuk e bëri dysh muhabetin. I dha llaf burri me mustaqe. Të nesërmen në sabah, bëri këmbë te zyra në fjalë. Në ballë të vendit i zunë sytë një femër bina, me veshje havada e me ca vathë që xha Ceni nuk po kuptonte se ishin vathë a vegjë. Ai, të paktën, vegjët e gjymave i kishte parë të atyre madhësive. Nejse, mesele tjetër kjo.
Pasi u morën vesh ashtu-kështu, më shumë me shenja se sa me fjalë, xha Ceni e pa veten të shoqëruar drejt një zyre tjetër ngjitur me zyran e binasë, ku e priste miku i mikut. Ky qenka i pari i nahisë, i tha vetes xha Ceni kur vërejti temenatë që i bënte binaja djalkës pa gjyzllyqe, që po e priste shënd e verë e me buzë vesh më vesh kur pa binanë gati gollomesh.
Për të mos e bërë tërkuzë, xha Ceni u poq me rioshin e ra në ujdi me të dhe dy djelmoshat që nuk u kish’ mbirë qimja në faqe. Atij i dukej se u kishin hedhur vaj ulliri flokëve ballaboks, nderkohë që e shoqëronin xha Cenin në zyrën e katit më poshtë. Kryeplaku ishte zgjedhur nga kreu i njësisë (mini)bashkiake si robi që do përballej me pop’llin e do t’i jepte karar halleve e derteve të tij. Zor se gjë më e stisur mund t’i kishte shkuar ndër mend rioshit për të vënë një të moshuar babaxhan në krye të punëve të tilla që duan sa gjallëri aq edhe dinakëri: pritje-përcjellje e pop’llit, që rëndom hynte me lugë në brez e duhej të dilte me bisht ndër shalë.
Sefte vuri menderen në kolltukun e rehatshëm, zuri të shpijë pak shputat e këmbëve, e masanej, kur vuri të dyja pëllëmbët osh-osh mbi tryezë, sytë i zunë një letër në të mëngjër. E tërhoqi nga vetja, vuri gjyzllyqet dhe filloi ta lexojë kadal-kadal:
From: Mua
X: U
Për dijeni: To whom it may concern & Primarit të mikrobashkisë Nr…!
“I nderuar Hirësia/Shkëlqesia Juaj!
Lejomëni t’JU prezantohem. Jam femër trendi që kam punuar gjatësisht e gjerësisht në Amërikë, në “DC &CD, “Cows’Farm” High-Tech Corp.” dhe pata nderin e patreguar që iu përgjigja koncernit të thellë te liderit Tonë të fortlumturuar, x 2 ritornuar në ‘tokën e shtëpisë’. Gjithashtu, kam nderin që 2 vë në dijeni se do të dëshiroja t’Ju kërkoja të ushtronit padyshimisht detyrimin që Ju lind nga posti që Ju keni zënë me meritokraci, për të implementuar fjalët e liderit, për të 4cuar rolin e të rinjve e të rejave që përfund1 studimet aut vendit në dobi të Albanisë sonë të dashuruar. Gjenerata e re do të dëshironte të vinte mprapsht, me qëllimin për të avokatuar Albaninë, për të ulur 10sionet e brendshme dhe ngri2r nivelin e përfaqësimit të seksit të dobësuar, ashtu si dhe për 2 përgati2r që në zgjedhjet e ardhshme të jemi viktoriozë dhe implementues. Unë shquhem si br8ëse e armikut të partisë. PO, UNE, MUNDEM! Nga tjetra side, unë jam e aftë të bëj copë e 3me edhe armikun brenda radhëve, duke 40fikuar energjinë e sinergjinë tonë prosperuese. Jam e zonja të punoj si a.m ashtu edhe p.m. dhe posedoj një shtypdhjetëgishtje të klasifikuar “nivel të lartësuar”. Kështu, mendoj, besoj si dhe gëzoj bindjen e thellë personale se guxoj të kërkoj me ekzigjencë të drejtën e okupimit të vendit të sekretares Nr.One. Gjeni ju lutem bashkëngjitur CV-në time bilinguale dhe rekomandacionin respektiv të deputetit të kontesë Suaj elektorale”.
Sinqerisht e Juaja
Ma, Phd, As.Dr.Prof ____Filan Fistekja
Xha Cenit sa nuk i ra tavani në kokë.Ç’a bohet k’shtu, mër jahu! Nuk e bëri aspak dysh, por mori turr dhe mbajti frymën te zyra e binasë pasi e gjeti të kyçur zyrën e djalit pa gjyzllyqe. Ia plasi letrën në tavolinë dhe iu drejtua me këto fjalë: “ Të lutem shum’ o zoje, a nuk di unë shqip, a kjo zoja qitu o’ me penallti n’kaptinë”. Binaja shtangu, ajo e dinte se “amërikania” ishte ca e përhënur. Pasi tërhoqi si sonambul letrën që i kish’ drejtuar xha Ceni, i hodhi një sy të shpejtë edhe bashkëngjitjes së saj dhe… pas pak, ashtu duke belbëzuar, iu lut xha Cenit të priste një çast. Mori i gjo’ të vogël në dorë dhe filloi të fliste me… Xha Ceni e mori vesh se me kë bënte llaf, se binaja veç dy fjalë kish’ në gojë: “po zemër, si urdhëron shef”. Më pas, ajo u kthye nga xha Ceni duke i premtuar se kjo mesele do zgjidhej tak-fak dhe që ai mos e prishte terezinë. Binaja nuk pipëtiu më. Në zyrë rra heshje varri. Pasi ndenji për disa çaste pa folur e pa lëvizur as qerpikë e as qepalla, xha Cenit nuk i mbeti tjetër gjë veç të kthente majat nga themrat. Mbylli fort derën e zyrës së tij. Rrotulloi dyshtas çelësin. Mbështeti shpinën pas portës së mbyllur dhe mori frymë thellë, shumë thellë. Një mendje i ikte e një i vinte. Mirë mua që më ikën e më vjen – tha me vete – po kësaj amerik(h)anës që i ka ik petlla e s’ka qare me i ardh’ mo’!





