Kur kompozitori Agron Xhunga theu tabutë, “Të dua” bashkoi Gjergj Lekën me Liljana Kondakçiun

 

historia e xhunges 18-19

 

Mark Brunga

 

Motivet shqiptare të Agron Xhungës vlerësohen në Itali

Në muajin prill të këtij viti u nda nga jeta kompozitori i shquar, i Durrësit, Agron Xhunga. Kur po ndiqja lajmet për humbjen e këtij talenti që la gjurmë në jetën artistike të vendit, kujtova një episod nga krijimtaria e tij.

Disa vite më parë, rastësisht në shtetin fqinj të Italisë po ndiqja një emision televiziv dhe befas mbeta mjaft i tërhequr nga një melodi që shpërndahej në dhomë. Nuk jam specialist në perfeksion i muzikës, por ajo melodi që shpalosej më preku më shumë sesa motivet e çmuara botërore. Televizioni italian po jepte këngën “Gjinkalla”, e cila u nderua me çmimin e tretë në festivalin italian “Zechino d’Oro”. Ajo më pëlqeu shumë, mbase se ishte kënga e vendit tim, ishte kënga e qytetit tim. Ishte kënga e mikut tim, Agron Xhunga, me të cilin banonim në të njëjtën lagje, me nr. 11. Në melodinë e këngës së Xhungës këndonin gjinkallat e vendit tim, që çmallnin mijëra bashkatdhetarë atje në viset e huaja me këtë këngë, të thjeshtë e të bukur, të botes fëmijërore… Ndonjëherë edhe të rriturit e përjetojnë dëshirën e të shijuarit të gjërave me shpirtin e fëmijëve. Këtë e kishte kapur me intuitën e vet artistike kompozitori, por që e kishte vlerësuar edhe juria e huaj, së cilës i kishte lënë mbresa kënga e gjinkallave të Shqipërisë. Dhe për këtë i kishte dhënë një çmim me vlerë. Një këngë përfaqësuese të këngës shqiptare.

 

AGRONI

Kishte disa muaj që Agroni nuk shihej duke shëtitur me biçikletën e tij rrugëve durrsake, ku ai kishte qëmtuar, stisur dhe hedhur ne pentagrame lëvizjet e vrullshme shpirtërore të brezave rinor të këtij qyteti, që e deshi dhe i këndoi me shpirt, duke i dhuruar motive mbresëlënëse të pashlyeshme në kujtesën artistike të tij. Që nga vitet e rinisë së hershme të tij e deri në çastet e fundme të jetës, Agroni është shquar si mjeshtri i motiveve durrsake. Edhe pas largimit të parakohshëm nga jeta, kur dëgjon përsëri motivet e muzikës së tij, sikur ta afrojnë dhe të rikrijojnë ndjesinë e ëmbëlsisë së muzikës që ai u ka dhuruar shumë brezave në Shqipëri dhe jashtë kufijve të vendit. Dhe kjo sepse artisti jo vetëm se e ka zhvilluar talentin e vet në këtë qytet që historia e tregon edhe si vend lindjen e muzikologut të madh Jan Kukuzelit, por edhe se e ka dashur me shpirtin e vet artistik. Ai përmendte, shpesh faktin se Durrësi ishte vendi që i kishte dhënë më shumë afeksion, por jo vetëm atij, pasi siç edhe e theksonte ndër biseda: “Durrësi çdo artist e muzikant e detyron që ta dojë vetvetiu”. Dhe kënga e tij ka shëtitur në repertorin e shumë brezave të Durrësit, “Durrës qyteti im” dhe që vazhdon të këndohet nga këngëtarë të ndryshëm – është produkt i këtij pasioni shpirtëror, të ndërsjellë mes artistit dhe qytetit të fëmijërisë.

 

JETA

Jetëshkrimi i kompozitorit të qytetit tonë, Durrësit, Agron Xhunga, është i thjeshtë. Ka lindur në Tiranë më 8 gusht1947. Ai ka qenë vetëm 5 vjeç kur ka ardhur në qytetin e Durrësit dhe shkollën e mesme e ka mbaruar tek shkolla simbol e qytetit “Naim Frashëri”. Mësimet muzikore të para i ka marrë që në klasën e pestë tek shkolla “Dalip Tabaku”. Ai kujtonte: “Kam qenë në klasën e pestë te kjo shkollë dhe kam ndjekur kurset muzikore. Në kurs isha nxënës i rregullt. Mbasi kisha hyrë nëpër kurse solfezhi e fizarmonike tek Shtëpia e Kulturës me Feim Ibrahimin, jam futur në kurs me benç, një tip mandoline. Pas 9 muajsh vazhdova kitarën, sepse pashë Nesti Pemën e Shaban Muratin (bashkëqytetarë durrsakë), që ishin më të mëdhenj dhe instrumentistë që luanin bashkë. Më pëlqyen shumë dhe prej atyre mora edhe unë kitarën. Pas kësaj përvoje të grumbulluar, Agroni në vitet 1966 – 1972 mbaron studimet në Institutin e Lartë të Arteve në degën Kritik Muzike”.

 

KRIJIMET

“Isha në vitin e tretë të gjimnazit, – kujtonte Agroni, – kur krijova një melodi me kitarë. Tekstin ma bëri Sotiraq Gjordeni dhe qe një tekst vërtetë i mirë. Këtë e paraqita në Festivalin e Parë të Këngës, në Durrës. Ajo u këndua me mjeshtëri nga Teodora Martini dhe Bujar Narta. Kënga titullohej “Pse s’më tregon”. Ajo u bë shpejt shumë popullore në qytet. Ishte viti 1964”.

Për këngën e parë, Agroni tregonte se ajo pati shumë jehonë në Durrës. Më vonë, shumë kohë më vonë, kujtonte ai, ajo u interpretua me mjeshtëri të madhe nga motrat Libohova në Festivalin e Parë të Këngës Popullore.

Pas këtij fillimi muzikor premtues, nisi edhe rruga e mëtejshme e suksesit të kompozitorit durrsak. Në korrik1966, në anketën muzikore të Radio Tiranës transmetohet kënga “Letër në aksion”. Në Festivalin e gjashtë të Këngës në RTV merr pjesë për herë të parë me këngën “I bukur agim”. Cikli i gjatë i këngëve të tij, cilësore, mbi 4000, shoqërohet me krijimtari të shumanshme, jo vetëm për muzikën e lehtë por edhe për fëmijë, në kinema, tablo muzikore, opereta si edhe cikle të ndryshme. Duke analizuar të gjitha festivalet kombëtare e lokale, si për të rritur edhe fëmijë ai ka arritur të grumbullojë një rekord trofe e çmimesh, të cilat janë: 60 çmime të para, 30 çmime të dyta, 50 çmime të treta. Një statistikë që simbolizojnë përpjekjet dhe talentin e tij. Një poetikë shifrash, një simfoni pune e përpjekjesh të mëdha në shërbimin shpirtëror të qytetarit durrsak.

 

KËNGA MBRESËLËNESE E AGRONIT

Titullohet “Të dua”. Nuk dihet se kujt ia ka kushtuar, por kjo mbeti një këngë që e deshën realisht të gjithë. Por që e deshi dhe autori më shumë. Kur e pyeta para disa viteve Agronin se cila është kënga që i ka mbetur më për zemër, ai u vu në vështirësi se për një autor realisht është e rëndë që të diferencojë pjesë të veprës së vet artistike. Por gazetarët janë edhe robër të statistikës dhe këmbëngulja e gjatë e bëri Agronin që të thotë se një nder këngët më cilësore në krijimtarinë e tij muzikore është kënga “Të dua”. Ajo është interpretuar në spektaklin “Koha në pentagramin tim”, në vitin 1989 dhe është vlerësuar me çmimin e tretë. E kënduar me mjeshtëri nga Gjergj Leka dhe Liljana Kondakçi.

 

ZIJA SARAÇI PËR AGRON XHUNGËN

Para disa kohësh, kur Agroni vuante nga sëmundja, këngëtari i mirënjohur durrsak, Zija Saraçi, kishte hedhur në rrjetet sociale për t’i uruar shërim të shpejtë, këngën e kënduar prej tij dhe të kompozuar nga Agroni, me tekst të Javer Beqirajt,“Si lule maji”. Ai shkruante: “Agron Xhunga është pa dyshim ndër më të shquarit kompozitorë durrsakë, i cili i ka dhënë tonin muzikës, jo vetëm në qytetin tonë por edhe në rangun kombëtar. Janë të paharruara këngët e bukura të tij në festivalet e këngës në Durrës, si dhe në Festivalet Kombëtare. Agroni ka dhënë një kontribut të pashlyeshëm, jo vetëm si kompozitor por edhe si ideator, krijues dhe organizatorë i pothuajse gjithë aktiviteteve artistike që lulëzonin në ato kohë të arta në qytetin tonë. I palodhur në organizimin e koncerteve, ansambleve popullore, festivaleve të këngës popullore dhe muzikës së lehtë, hipjes në podin e skenës të dhjetëra e dhjetëra talenteve te reja artistike. Nuk mund të harrohet buja që bëri Anketa e Pallatit Rinia, ai aktivitet i bukur i cili ndezi zjarrin e ndryshimeve në gjithë qytetet tona Shqipëtare.

Kënga e mrekullueshme, “Si lule maji”, lindi në Pallatin Rinia në Durrës, dhe suksesi i saj u shtri në të gjithë Republikën duke fituar çmimin e parë në Anketën e Radio Tiranës. U këndua në çdo skenë dhe nga shumë këngëtarë. Para 8 vjetësh e ripunova këtu në Firence dhe sot para miqve dhe artdashësve po e publikoj ashtu të pa censuruar me titullin dhe tekstin origjinal siç e këndova kur ajo lindi. Gonit, mikut tim, këtij mjeshtri të këngës shqiptare, i uroj shërim të shpejtë dhe të vihet përsëri, e sa më shpejtë në krye të aktiviteteve dhe artit durrsak, sepse tashmë Durrësi jonë po lëngon, është kthyer në një moçal varfërie artistike dhe ka shumë nevojë për të”

 

LULJA E MAJIT

Agroni u largua nga jeta duke lënë pas një humnerë dhimbjeje për të afërmit dhe miqtë e tij… Por sidoqoftë mbeten te paharrueshme kujtimet dhe bisedat e shpeshta me të. Disa herë kemi takuar e biseduar me Agronin së bashku me poetin Agim Bajrami një miku i ynë i përbashkët. Lidhur me bisedat që bënim dhe risitë që shpaloste Agroni në to, Agimi shprehej se në jetë ka njerëz për të cilët edhe pse është shkruar shumë, ata kanë aftësinë e çuditshme që të shpalosin para teje sa herë që ti takosh, pjesë të panjohura të portretit të tyre shpirtëror. Aq me shume kur bëhet fjalë për një krijues kompozitor e artist vizionar siç është Agron Xhunga… Dhe pikërisht me shpresën se fjalët mikut tim shprehin edhe konsideratën qytetare të popullit Durrsak, po përmbyll këto radhë të jetëshkrimit artistik të Agron Xhungës. Duke qenë i sigurt se ai do të mbetet përherë si “Si lule maji” si e përshkroi dhe miku i tij Zija Saraçi, në shpirtin e mijëra qytetarëve durrsakë.

Share it :