“Kumanova”/ NATO dhe Gjermania kërkojnë hetim të shpejtë e të paanshëm për Kumanovën

kumanova qytetareQeveria gjermane paralajmëron se mund të ketë përshkallëzim të situatës në Maqedoni, ndërsa aleanca e NATO-s kërkon hetime transparente për ngjarjen

Qeveria gjermane ka paralajmëruar nga shkallëzimi i situatës në Maqedoni, ajo po i ndjek me shqetësim zhvillimet në këtë vend, tha një zëdhënës. Ndërkohë NATO kërkon hetime transparente. Pas konfliktit të përgjakshëm në fundjavë në Maqedoni ka ardhur edhe reagimi i qeverisë gjermane. Ajo ka paralajmëruar nga përkeqësimi i gjendjes aktuale stabile politike. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në Berlin është shprehur të hënën (11.05) se “me urgjencë kërkohet të mënjanohet një shkallëzim i mëtejshëm i situatës”. Qeveria gjermane po i ndjek me shqetësim prej disa kohësh zhvillimet e brendshme politike në shtetin ballkanik, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane në konferencën e shtypit.

 

Ambasadorja gjermane

Ambasadorja e Gjermanisë në Maqedoni, Kristine Althauzer, para pak kohësh kritikoi qëndrimin e qeverisë në Shkup ndaj krizës dhe porositi se pret dorëheqje. Althauzer i bën thirrje BE-së dhe Berlinit zyrtar që në mënyrë më serioze të angazhohen për zgjidhjen e krizës në Maqedonisë. “BE dhe në veçanti Gjermania, e cila ende ka ndikim si aktor neutral dhe e cila shpesh herë ka shprehur simpati për këtë vend, duhet patjetër dhe urgjentisht t’i drejtohen qeverisë në Shkup dhe ta detyrojnë atë për bisedime pakushte me opozitën. Përndryshe, demokracia maqedonase ashtu e dobët siç është do të përfundojë me katastrofë kombëtare”.

 

NATO kërkon hetime

Zhvillimet e fundit në Maqedoni janë ndjekur me shqetësim në perëndim. NATO ka kërkuar zbardhjen e ngjarjeve në Kumanovë. Sekretari i Përgjithshëm i saj, Jens Stoltenberg ka kërkuar hetim transparent. “I kërkoj kujtdo të përmbahet dhe në interes të vendit të mos lejojë që të shkallëzohet situata”, – ka thënë Stoltenberg. Maqedonia u trondit të shtunën nga shkëmbime të rënda zjarri mes forcave të qeverisë dhe një grupi të armatosur, që sipas qeverisë Gruevski ishin “terroristë” që kishin planifikuar sulme kundër institucioneve të shtetit maqedonas. 8 policë dhe 14 anëtarë të grupit të armatosur humbën jetën.

 

Maqedonia – “fuçi baruti”?

Sipas agjencisë së lajmeve, DPA, Maqedonia po kalon nga një krizë në tjetrën. Një ditë tjetër me rëndësi për zhvillimet në vend është edhe 17 maji, e diela kur është planifikuar një demonstratë e madhe e opozitës. DPA citon politologun kroat, Vlatko Cvrtila që e cilëson Maqedoninë “përfundimisht një fuçi baruti”. “Aty mediet nuk janë të lira, institucionet demokratike janë nën kontrollin e qeverisë – një sundim autoritar”, – thotë profesor Cvrtila. Kryeministri Gruevski aktualisht gjendet në pozitë kritike, pasi opozita ka publikuar përgjime telefonike që dëshmojnë korrupsion masiv dhe kriminalitet në qeveri. Disa diplomatë të huaj po i përgjigjen një kërkese të opozitës për një qeveri teknike dhe zgjedhje të parakohshme.

 

Altmann: Maqedonia po shkon drejt luftës civile

 Franz Lothar Altmann, ekspert për rajonin e Ballkanit, anëtar i Shoqatës për Bashkëpunim me Evropën Juglindore, anëtar i Fondacionit Bertelsman si dhe profesor i Universitetit të Bukureshtit në një intervistë për “Deutsche Welle”, thotë se ngjarjet gjatë fundjavës në Kumanovë e rrisin frikën se “gjërat do të mund të dalin tërësish nga kontrolli dhe të arrijnë deri tek lufta civile”. Duke shprehur shqetësim për situatën politike në Maqedoni pasi opozita filloi me publikimin e materialeve të përgjuara, Altmann vëren, se “nuk mund të përjashtohet mundësia, që situata të dalë nga kontrolli, me pasoja jo vetëm për shtetin, por edhe për fqinjët”. Sa i përket rolit të shqiptarëve në Maqedoni, sipas Altmann: “Tek minoriteti shqiptar, ndryshe nga deri tani, do të mund të përforcohen tendencat kah separatizmi. Është e pakuptimtë se përse qeveria aktuale konservative po e rrezikon shpërbërjen e mëtejshme të shoqërisë dhe të vet shtetit. Qëndrimin kokëfortë të qeverisë ndaj akuzave që kanë të bëjnë me shkelje të qarta të të drejtave themelore të njeriut, për të huajt është i pakuptueshëm”. Eksperti gjerman sqaron se tendencat autoritare të qeverisë së udhëhequr nga Nikolla Gruevski paraqesin problem për shtetin dhe njëherësh rrezikojnë marrëdhëniet me BE-në dhe Gjermaninë. “Sundimi autoritar dhe dhuna ndaj qytetarëve që protestojnë nuk do të ndihmojë të zgjidhet situata politike në vend, por vetëm do ta thellojë hendekun midis BE-së dhe Maqedonisë. Në veçanti, Gjermania është shumë e shqetësuar, për faktin se Berlini viteve të fundit gjithnjë është përpjekur t’i ndihmojë Shkupit në afrimin e tij me NATO-n dhe BE-në. Paraprakisht, imazhi pozitiv i Maqedonisë në vazhdimësi po shkatërrohet gjatë muajve të fundit që rezulton me vështirësi të mëdha për t’i bindur deputetët për ta promovuar angazhimin gjerman sa i përket Maqedonisë, pavarësisht nëse bëhet fjalë për bisedime për anëtarësim të vendit në BE apo të kontestit për emrin”, – thekson Altmann. Më 1 Maj të këtij viti, gjatë vizitës të Ministrit të Jashtëm të Gjermanisë, Frank Valter Shtajnmajer, në disa vende të rajonit, agjencia Reuters duke raportuar për vizitën e shprehu brengosjen e diplomatëve evropianë për situatën në Ballkan, ku një theks i veçantë u vendos tek dy vende – Maqedonia dhe Bosnja dhe Hercegovina.

 

Hahn: Qeveria maqedonase të zbardhë të vërtetën

 Komisioneri i Zgjerimit në Bashkimin Evropian, Johanes Hahn, shprehu shqetësimin për ngjarjet që ndodhen në Kumanovë të Maqedonisë dhe u bëri thirrje të gjitha palëve të punojnë për ta qartësuar se çfarë ndodhi dhe kush është përgjegjës për sulmin atje. “Ky sulm tha komisioneri për Zgjerimin nuk mund dhe nuk duhet të shihet si një mundësi për të lënë pa zgjidhje problemet e mprehta të situatës së brendshme politike në vend”. Një reagim për situatën e tensionuar në Maqedoni erdhi edhe nga zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme greke, Konstandin Kutras. Ai u shpreh se “ringjallja e tensioneve në Maqedoni për fat të keq vërteton çfarë kemi thënë në mënyrë të përsëritur se në vendin tonë fqinj ka problem serioze që lidhen me funksionimin e shtetit të se drejtës dhe respektimin e të drejtave të njeriut, implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, respektimin e parimit të marrëdhënieve të mira të fqinjësisë dhe probleme të demokracisë në vend”. Sipas Kutrasit, qeveria maqedonase duhet te bëjë autokritike dhe të mos kërkojë koka turku, duke fajësuar të tjerët për bllokimin e perspektivës euro-atlantike”.

 

Kryeministri bullgar: Gruevski të dorëhiqet

 Ndërkohë, në një reagim të tij të fundit, Kryeministri bullgar Bojko Borisov i bëri apel homologut maqedonas Nikolla Gruevski, që të japë dorëheqjen. Sipas Borisovit, largimi i Gruevskit në këtë moment, do të frenonte protestat, por dhe përçarjet me sfond etnik në vend. Ai tha se nëse qytetarët kanë besim te Gruevski, ata do ia kthejnë atë përmes votës. Nga ana tjetër ish-ministri i jashtëm i Maqedonisë Lubomir Fërçkovski duke folur për Radio Europa e lirë ka thënë se konflikti në Kumanovë është stisje e qeverisë në Shkup për të shmangur vëmendjet nga problemet aktuale të qeverisë.

 

Serbët: Sot fillon lufta e vërtetë për krijimin e Shqipërisë së madhe

 Mediet serbe shkruajnë se lufta e vërtetë në Maqedoni do të fillojë sot dhe se ajo po bëhet me mbështetjen e Amerikës. Gazeta serbe “Kurir”, e cila njihet për afërsinë e saj me shërbimin sekret serb (BIA), në faqen e parë të saj shkruan: “Lufta e vërtetë fillon më 12 maj”. “Kurir” i referohet burimeve të saj dhe deklaratës publike të pjesëtarëve të armatosur që morën pjesë në përleshjen e Kumanovës e që veten po e quajnë UÇK, se lufta e vërtetë cila për qëllim ka krijimin e Shqipërisë së Madhe, fillon sot. Ndërsa, gazeta tjetër “Informer”, gjithashtu e njohur për afërsinë me pushtetin në Serbi, shkruan se shqiptarët që u përleshën me policinë maqedonase në Kumanovë këtë po e bëjnë me mbështetje të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, dhe kjo me qëllim pengimin e projektit rus të gazsjellësit i cili kalon përmes Turqisë, Greqisë, Maqedonisë dhe Serbisë, për të dalë më pas në Evropën Perëndimore.

 

Share it :