Diferencimet e qeverisë së Shkupit e cila ka vendosur të japë 70 mijë euro për çdo familje të punonjësve të policisë të vrarë gjatë aksionit 36-orësh
Nga 70 mijë euro do të jepen për secilin familjarë të policëve që u vranë gjatë luftimeve në Kumanovë, ndërsa 13-40 mijë euro do të jepen për çdo policë të plagosur, 5-10 mijë euro do të jepen për çdo polic i cili mori pjesë në aksion ndërsa, vetëm 1600 euro do të jenë si ndihmë fillestare për familjet me shtëpi të dëmtuara. Këto shuma janë vendosur mbrëmë gjatë mbajtjes së një mbledhje të Qeverisë së Maqedonisë, e cila vendosi për kompensimin e dëmeve. Qeveria e Maqedonisë po ashtu ka vendosur që kompensim t’u jap edhe mjekëve që kanë ndihmuar policët e plagosur dhe për ta do të shkojë si kompensim një rrogë e plotë. Mediet në Maqedoni raportojnë se për shtëpitë e djegura dhe të dëmtuara është formuar një komision i cili do të vlerësoj 100 për qind të dëmeve. Ndërsa për ato familje që kanë mbetur pa strehë është vendosur që t’i sigurohet strehim gjatë kohës deri sa të kryhet skanimi dhe ndërtimi i shtëpive të tyre, ose do të marrin kompensime financiare për pagesën e qirasë.
Lëvizjet e ndërkombëtarëve
Diplomacia Perëndimore është vënë në lëvizje pas luftës në qytetin e Kumanovës dhe zhvillimeve të fundit politike që po trazojnë Maqedoninë. Ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Italisë, Britanisë së Madhe, Gjermanisë dhe Bashkimit Evropian, pas takimit me Kryeministrin maqedonas, Nikolla Gruevski, janë takuar edhe Kryetarin e BDI-së, Ali Ahmeti. Qëndrimi i tyre është për Kumanovën është bërë i qartë: qeveria duhet të bëjë transparencën e asaj çfarë ka ndodhur dhe palët duhet të ruajnë qetësinë. Por më shumë se për rastin e Kumanovës, në pritje të zbardhjes se detajeve dhe të arsyeve se përse u ndërhy me armë në një lagje të mbipopulluar dhe përse u përdor armatimi i rëndë në prani të popullsisë civile, ambasadorët e vendeve perëndimore i kanë shprehur shqetësimin Kryeministrit Gruevski për përgjimet.
Ambasadori i SHBA-së
Kur Kumanova e ka zhvendosur disi vëmendjen e opinionit publik nga skandali i tyre ata janë rikthyer edhe më fort te kjo çështje. Ambasadori amerikan në Shkup, Jess Baily tha se qeveria maqedonase nuk ka shënuar hapa përpara për të dhënë llogari mbi akuzat e bëra. “Mosveprimi i mëtejshëm, u shpreh ai, hedh dyshime për angazhimin ndaj parimeve demokratike dhe vlerave të bashkësisë euroatlantike”. Baily theksoi se, kur rastet e bëra publike dëshmojnë sjellje të papranueshme, duhet të merren masa ligjore dhe politike, madje nevojiten edhe reforma për të adresuar dobësitë e institucioneve. Me publikimin e përgjimeve, opozita ka organizuar edhe disa protesta, që për herë të parë duket se kanë edhe mbështetjen e hapur të ndërkombëtarëve.
Protesta në 17 maj
Në deklaratën e përbashkët të ambasadorëve, pas takimit me Kryeministrin maqedonas, Gruevski, diplomatët shprehën mbështetjen për të drejtën themelore demokratike të qytetarëve, për t’u grumbulluar paqësisht dhe u bënë thirrje të gjithë palëve të shmangin dhunën. Më 17 Maj, përkrahësit e opozitës maqedonase do të zhvillojnë një protestë masive, e cila ishte paralajmëruar përpara përleshjeve të armatosura në Kumanovë. Përgjimet kanë nxjerrë në pah me dhjetëra skandale të Kryeministrit, disa ministrave apo pushtetarëve të tjerë, përfshirë edhe vendimet për të dënuar shqiptarët për rastin “Monstra”, edhe pse për autorësinë e tyre nuk kishte prova.
PDSH-ja e Thaçit kritikon Gruevskin dhe BDI-në për Kumanovën
Me anë të një komunikate për median, Partia Demokratike e Shqiptarëve në Maqedoni shpreh shqetësimin për ngjarjet e fundit në Kumanovë. “Shprehim keqardhje për jetët e humbura dhe në të njëjtën kohë ngushëllime familjeve të të vrarëve. Vlerësojmë se qeveria apo më saktë partneri shqiptarë në qeveri BDI, nuk kanë bërë sa duhet që të parandalohet rëndimi i situatës. Akomodimi i banorëve të ngelur pa strehë dhe kompensimi i dëmeve të shkaktuara, të bëhet shpejt, i plotë dhe pa asnjë vonesë. Apel shqiptarëve që të mos bien pre e skenarëve të partive maqedonase dhe disa shqiptarëve “të ndershëm” që të mos shndërrohen në mish për top. Dënojmë me forcë deklaratat ofenduese dhe denigruese të disa shqipfolësve kundrejt udhëheqësve të Shqipërisë dhe shtetit të Kosovës. Rruga e vërtetë e shqiptarëve të Maqedonisë është rruga të cilën e sugjerojnë aleatët tonë ndërkombëtar SHBA, NATO, EU, si dhe shtetet shqiptare Kosova dhe Shqipëria. PDSH do të vazhdojë të angazhohet me ngulm që në kuadër të një procesi politik ku dialogu mes shqiptarëve dhe maqedonasve do të jetë i vërtetë, si e vetmja alternativë për realizimin e të drejtave të shqiptarëve dhe për de-bllokimin e proceseve integruese në NATO dhe BE”, – thuhet në deklaratën e PDSH-së, partisë së drejtues nga Menduh Thaçi.
Familjarët e Genci Sefës: Ai është nacionalist e jo terrorist
Genci Sefa shqiptari i arrestuar në Kumanovë si pjesëmarrës në përleshjen e ndodhur në lagjen e Trimave” nuk është terrorist. Janë familjarët e tij që thonë se janë krenare për të dhe se ai është nacionalist. Vëllai i madh Lulzim Sefa shprehet se Genci kishte shkuar për të ndihmuar shqiptarët e Kumanovës përballë policisë maqedonase. Lulëzimi e ka takuar vëllanë e tij për herë të fundit përpara 20 ditësh, kur ai ishte në Lushnjë. Lulzimi thotë se i vëllai Genci ka qenë pjesëmarrës në luftën e Kosovës më 1998 dhe prej vitesh jeton atje së bashku me familjen e tij. Në emër të familjes, Lulëzimi i kërkon shtetit shqiptar që të mos e lerë në baltë vëllanë e tij. Sipas autoriteteve maqedonase Genci Sefa dyshohet të jetë pjesë e grupit që u dorëzua pas 16 orë luftimesh të ashpra, ku mbetën të vrarë 22 persona.
Ki-Moon: Të hetohet dhe zbardhet Kumanova nga Maqedonia
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki -Moon u shpreh i alarmuar me dhunën në Kumanovë dhe u shprehu ngushëllime familjeve të të vrarëve dhe të plagosurve. “Ai mbështet fuqishëm thirrjet nga Bashkimi Evropian dhe anëtarët tjerë të komunitetit ndërkombëtar që autoritetet shtetërore dhe udhëheqësit politik që bashkëpunojnë për rivendosjen e qetësisë dhe hetimin e plotë në mënyrë transparente dhe objektive” thuhet në një deklaratë të lëshuar nga zyra e zëdhënësit të kreut të OKB-së. “Sekretari i Përgjithshëm u bën thirrje të gjitha palëve që të përmbahen nga çfarëdo retorike dhe veprimi që mund të përshkallëzojë tensionet”, – thuhet në deklaratë. Një ditë më pare reagoi edhe komisioneri i BE për Zgjerimin, Johanes Han.
Parlamenti shqiptar: Kërkojmë transparencë për Kumanovën
Situata e krijuar Kumanovë u bë objekt diskutimi në mbledhjen e Komisionit Parlamentar të Jashtëm. Kryetarja Arta Dade shprehu shqetësimin për ngjarjen dhe kërkoi nga qeveria maqedonase transparencë. Për deputetin demokrat Aldo Bumçi ajo çka po ndodh në Maqedoni është pasojë e mungesës demokratike dhe e pushtetit putinist siç e quajti ai mënyrën sesi po qeverise kryeministri Gruevski. Pak ditë më parë Komisioni i jashtëm diskutoi me dyer të mbyllura situatën e tensionuar në Maqedoni marrë shkas nga lajmet se pre e përgjimeve të urdhëruara nga kryeministri Gruevski kishte rënë edhe kryetari i parlamentit shqiptar, Ilir Meta




