Kukeli dëmtohet, Hysaj dhe Mavraj të gatshëm

 

 

Mesfushori gjakovar është dëmtuar gjatë ndeshjes së fundit në kampionatin zviceran dhe duket se nuk do të jetë i gatshëm për dy sfidat, ndërsa rikthehen Mavraj dhe Hysaj si përforcime

 

 

Kombëtarja shqiptare është afër kualifikimit historik për në Euro 2016. Kanë mbetur dy sfida, të cilat janë mjaft delikate dhe nga të cilat duhen nxjerrë pikët maksimale për të marrë kualifikimin e sigurt. Kur kanë mbetur vetëm dy javë nga sfida me Serbinë, Shqipëria është në ankth. Burim Kukeli pësoi një dëmtim në ndeshjen e Superligës Zvicerane, ku skuadra e tij, Zyrihu, barazoi pa gola në fushën e Luganos. Mesfushori pësoi një lëndim muskulor dhe u detyrua të largohej nga fusha vetëm pas 34 minutave lojë. Lojtari u largua nga fusha me barelë, duke alarmuar për gjendjen e tij. 31-vjeçari do t’u nënshtrohet menjëherë kontrolleve të specializuara për të vlerësuar llojin e dëmtimit dhe për të përllogaritur kohën që do t’i nevojitet të rikthehet të luajë. Stafi mjekësor i klubit zviceran ende nuk ka dhënë detaje për sa i takon gjendjes së Kukelit, ndërsa mendohet që minimalisht ai do të humbasë ndeshjen e radhës, të dielën më 27 shtator, kur Zyrihu do të jetë i impenjuar në fushën e Luzernës. Gjendja e lojtarit do të monitorohet me kujdes edhe nga stafi i kombëtares. Mesfushori është një element mjaft i rëndësishëm për përfaqësuesen kuqezi. Burim Kukeli ka qenë zgjedhja e parë e trajnerit De Biasi në qendër të mesit të fushës. Një regjisor i mirëfilltë përpara mbrojtjes, i aftë të ndërtojë aksione, të vertikalizojë, por edhe të hyjë në duele me kundërshtarët. Gjatë këtij edicioni në kualifikueset e Euro 2016-ës, përveç ndeshjes së parë të fituar në Portugali, ku u zëvendësua pas 66 minutave lojë, Kukeli ka qëndruar gjatë gjithë kohës në fushë. Në pritje të lajmeve nga Zyrihu për gjendjen e mesfushorit, alternativat e tjera për De Biasin në formacionin titullar janë Migjen Basha dhe Ergys Kaçe, ndërsa në skuadër mund të rikthehet edhe Alban Meha që në këtë fillim sezoni ka shkëlqyer në Turqi me Koniasporin.

Share it :