Ku po shkon ekonomia shqiptare?/ Basha me sindikalistët: Në sheshe e rrugë kundër keqqeverisjes së majtë

Florenc Drizari

 

Qeveria duhet ta ketë frikë popullin, jo populli qeverinë

lulzim basha me sindikalistetSituata ekonomike në vend rikthehet sërish në qendër të shqetësimeve të opozitës. Një ditë më parë, bashkimi i sindikatave të pavarura, organizatat e nëpunësve të larguar nga puna dhe përfaqësues të biznesit dhe shoqërisë civile, organizuan një tryezë “Ku po shkon Shqipëria, ekonomia në krizë, mirëqenie e kërcënuar, jeta e pasigurtë”. Në këtë aktivitet mori pjesë edhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili ngriti një sërë shqetësimesh që lidhen me vendimet e qeverisë për paketën fiskale, marrjen e borxhit dhe mosmbajtjen, sipas tij, të premtimeve të bëra në fushatë.

Një tjetër shqetësim, sipas kryetarit të opozitës, ishin edhe të dhënat për rënien e ndjeshme të mirëqenies, rritjen e çmimeve si dhe mungesa e transparencës që, sipas tij, ka treguar qeveria shqiptare.

Për sa i përket mungesës së dialogut me qeverinë për çështjet ekonomike dhe politike, Basha paralajmëroi mbajtjen e protestave në rrugë dhe sheshet e vendit. Gjatë tryezës me sindikalistët, Basha u shpreh se opozita do të mbrojë të drejtat e tyre, duke kërkuar vazhdimisht llogari nga qeverisja e majtë.

Kryetari i Partisë Demokratike tha se qëndrimet e opozitës në Parlament dhe në çdo forum tjetër publik dhe mediatik të vendit, kanë të bëjnë arrogancën e mazhorancës dhe konceptin e tyre oligarkik për shtetin që po materializohet si kosto.

“Përmes luftës së hapur kundër parimeve demokratike të qeverisjes së mirë, përmes refuzimit të bashkëjetesës demokratike, ata po fusin konceptin e tyre oligarkik për shtetin që po materializohet si kosto për ekonominë e vendit, po materializohet si kosto për mirëqenien e shtresave të ndryshme, e të gjitha shtresave të shoqërisë shqiptare. Pra, po materializohet gjithmonë e më shumë si një rëndesë, si një peshë për qytetarët”, – tha Basha.

Duke folur me shifra konkrete, Basha tha se pas 8 muajsh të qeverisjes Rama-Meta ka një rritje të çmimeve të mallrave dhe shërbimeve të ndryshme bazë që varion nga 11-15%. “Rritja e taksave është shndërruar në rritje të çmimeve, ngrirja e pagave dhe e pensioneve ka ndikuar qartazi në rënien e fuqisë blerëse të personave të punësuar, dhe natyrisht të papunëve dhe pensionistëve. Një tjetër e dhënë zyrtare është fakti që buxheti tashmë i varfëruar i qytetarëve shqiptarë, po përdoret gjithmonë e më shumë për konsumin bazik të ushqimeve, gjithmonë e më pak për konsumin e të mirave dhe shërbimeve të tjera. Në këtë varfërim ndikojnë edhe politikat agresive, ofensivave gjobëvënëse, të policisë, tatimorëve, KESH-it, e pothuajse çdo agjencie tjetër shtetërore, mbi bizneset dhe mbi qytetarët”, – theksoi kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

Pasi dëgjoi shqetësimet dhe kërkesat e ngritura nga sindikalistët, Basha i siguroi grupimet e sindikatave, të larguarve nga puna, dhe përfaqësuesit e shoqërisë civile se opozita gjendet në krahun e tyre. Gjithashtu, Basha i kërkoi të pranishmëve të bëhen pjesë e rezistencës, “të protestave kundër shurdhërisë së qeverisë, kundër pandjeshmërisë dhe cinizmit të saj, për të siguruar zbatimin e të drejtave të qytetarëve, zbatimin e ligjit dhe respektimin e shtetit ligjor e demokracisë”.

 

 

Gëzim Kalaja denoncon shkrirjen e disa sindikatave të vendit

 

Kreu i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Shqiptare, Gëzim Kalaja, gjatë tryezës së djeshme të zhvilluar edhe në prani të kreut të opozitës, Basha, foli për përkeqësimin e treguesve ekonomikë si dhe për shkarkimet e punonjësve nga puna. “Bashkimi i Sindikatave të Pavarura Shqiptare ka marrë një informacion se është shkarkuar nga puna, se është pushuar nga puna i gjithë lidershipi i Sindikatës së Pavarur të Energjetikës së Shqipërisë dhe të gjithë kryetarët e Sindikatave të Hidrocentraleve dhe të pjesë veriore të Shqipërisë të cilët kanë lidhur kontrata të nivelit të dytë dhe janë larguar nga puna, plus informacionin që kemi që, që të gjithë anëtarët e bashkimit të sindikatës të pavarur shqiptare që kanë të bëjnë me administratën, që kanë të bëjnë me shëndetësinë, që kanë të bëjnë me arsimin janë të pushuar nga puna për shkak të pakënaqësive te shprehura”, – tha Kalaja.

 

Takimi me të rinjtë demokratë/ Basha nis fushatën e anëtarësimeve për Tiranën: Vërshimi i rinisë në PD, lajmi më i mirë

 Basha: Rinia bashkohet në betejën kundër oligarkisë Rama-Meta

 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, hapi dje zyrtarisht fushatën e anëtarësimeve të reja për kryeqytetin. Pak ditë më parë, PD mbylli procesin e rifreskimit të bazës së të dhënave në rrethe të ndryshme të vendit, një proces i cili u shoqërua edhe me anëtarësime të reja brenda radhëve të së djathtës. Ky proces nuk u zhvillua për Tiranën, ndërkohë që kjo fazë e re u hap gjatë takimit që Basha zhvilloi me të rinj të mbledhur në selinë e PD-së. Në këtë aktivitet, Basha theksoi se lajmi më i mirë që nga koha që ka marrë drejtimin e Partisë Demokratike, ka qenë numri i lartë i anëtarësimeve nga të rinjtë shqiptare, edhe pse PD ndodhet aktualisht në opozitë.

“Lajmi më i bukur, që kam pasur privilegjin dhe nderin të jap si kryetari i ri i Partisë Demokratike në këta muaj, ka qenë lajmi i konfirmimit masiv në Partinë Demokratike të anëtarësisë të saj, të mijëra e mijëra të rinjve e të rejave të anëtarësuar ndër vite në Partinë Demokratike; ka qenë lajmi i ardhjes së qindra e mijërave, vërshimit në kuptimin më të plotë të fjalës i mijëra e mijëra të rinjve për herë të parë në Partinë Demokratike. Mendjehapur, krahëhapur dhe zemërplot po vjen rinia në Partinë Demokratike. Mendjehapur dhe zemërplot po i presim. Në ballin e kësaj shtëpie të lirisë, në zemrat tona, në mirënjohjen tonë janë gdhendur këto fjalë: mirë se vjen rini e mrekullueshme shqiptare në shtëpinë e lirisë!”, – deklaroi Basha.

Në fjalën e tij, Basha tha se dyndjet e të rinjve në Partinë Demokratike vijnë edhe si një shenjë proteste dhe revolte ndaj përkeqësimit që është çdo ditë e më shumë refren i keqqeverisjes së dyshes oligarke Rama-Meta.

“Kanë ardhur dhe po vijnë qytetarët e lirë të këtij vendi për të bashkuar shqetësimin e tyre, për të ngritur bashkë me ne zërin e tyre kundër paudhësive dhe zullumeve, kundër pasigurisë, kundër zhbërjes, kundër vjetërsimit që paraqet sot alternativa Rama-Meta. Një qeverisje e cila në 8 muaj ia ka dalë të provohet si e dalë jashtë kohe, e mbetur jo vetëm prapa kësaj rinie, por prapa edhe qytetarëve më të vjetër të Republikës së Shqipërisë”, – theksoi kreu i PD-së.

Duke kritikuar mënyrën e qeverisjes së majtë nga Kryeministri Rama dhe Kryeparlamentari Ilir Meta, Basha tha se në këta pak muaj opozitë, rinia ka zgjedhur t’i bashkohet PD-së si një alternativë për një qeverisje të denjë të vendit.

“Ndaj sot, vetëm 8 muaj në opozitë, rinia po vërshon e do të vërshojë tek Partia Demokratike, sepse është e vendosur se së bashku me Partinë Demokratike t’i thotë jo kësaj të keqeje dhe do ta ndalojmë me instrumentin më të fuqishëm dhe më të pathyeshëm që është gjithëpërfshirja popullore në betejën për moszhbërjen e demokracisë, në betejën kundër oligarkisë Rama-Meta. Beteja e ka emrin gjithëpërfshirje! Gjithëpërfshirje, gjithëpërfshirje, gjithëpërfshirje të rinisë dhe të gjithë qytetarëve shqiptarë dhe nga kjo sallë, ky entuziazëm, ky vërshim, le të jetë shenja e parë e pranverës së vërtetë shqiptare”, – deklaroi Basha. Pas mbylljes së procesit të rifreskimit të bazës së të dhënave për kryeqytetin, pritet që të fillojë puna për zgjedhjen e re të strukturave të reja drejtuese.

 

Share it :