Kryeministri në Ambasador të Austrisë: Iluzioni i Ndërkombëtarizimit!
Nga Taulant Muka
Pas skandalit që ka tronditur Universitetin Bujqësor të Tiranës, Kryeministri ka disa ditë që ankohet sesi do t’ua shpjegojë autoriteteve të Universitetit BOKU të Austrisë arrestimin e 24 punonjësve të universitetit shqiptar. Ai pretendon se kjo ngjarje mund të ndikojë në njësimin e diplomave të Universitetit Bujqësor të Tiranës me ato të BOKU-s.
Në këtë situatë, Kryeministri duket se harron se është Kryeministri i shqiptarëve dhe jo një përfaqësues i interesave të një universiteti të huaj. Detyra e tij nuk është të justifikojë problemet e brendshme të Shqipërisë para Austrisë, por t’u japë llogari qytetarëve shqiptarë për korrupsionin dhe abuzimet në universitetet e vendit. Skandalet e njëpasnjëshme jo vetëm që dëmtojnë reputacionin e institucioneve arsimore shqiptare, por edhe ulin vlerën e diplomave të tyre, duke i bërë më pak të pranueshme jashtë vendit.
Detyra e një Kryeministri shqiptar dhe e qeverisë së tij është të forcojë sistemin arsimor vendas dhe të rrisë vlerën e diplomave shqiptare. Në vend që të angazhohet për të ngritur cilësinë e arsimit në Shqipëri, ai po përpiqet t’i japë një universiteti të huaj rolin e një “shpëtimtari”, sikur zgjidhja për universitetet tona të vijë vetëm nga jashtë. “Shitja” e diplomave të huaja në Shqiperi është puna e ambasadorëve të huaj, jo e një kryeministri!
Mashtrimi i Madh me Diplomën e BOKU-s
Kryeministri e ka paraqitur marrëveshjen me Universitetin BOKU si një sukses të madh, duke pretenduar se kjo do të mundësojë që Universiteti Bujqësor i Tiranës të lëshojë diploma të BOKU-s. Më 18 shkurt, gjatë prezantimit të raportit për arsimin e lartë (që ende nuk është përfunduar), ai deklaroi me entuziazëm se studentë nga Shqipëria, rajoni dhe Evropa do të vijnë në Tiranë për të marrë një diplomë të BOKU-t të Vjenës.
Por ky është një mashtrim! Në fakt, marrëveshja nuk i jep Universitetit Bujqësor të Tiranës të drejtën për të lëshuar diploma të BOKU-s. Faqja zyrtare e vetë Universitetit BOKU e bën të qartë se ai thjesht ofron ekspertizë dhe mbështetje për të ndihmuar UBT-në të arrijë disa standarde europiane të arsimit të lartë (https://aut-boku.org/). Kjo nuk do të thotë se studentët që diplomohen në UBT do të marrin një diplomë austriake, por vetëm që ky universitet do të ndjekë disa praktika të rekomanduara nga BOKU, pra thjesht një institucion që ofron ekspertize për përmirësimin e cilësisë në nivelet e kërkuara nga BE. Ironikisht, edhe vetë Universiteti BOKU po tregon më shumë vullnet për të ngritur cilësinë e diplomës shqiptare sesa Kryeministri ynë!
Pra, në vend që të fokusohet në përmirësimin real të arsimit të lartë në Shqipëri dhe në rritjen e cilësisë së diplomave tona, kryeministri po shet një iluzion të “ndërkombëtarizimit”, ndërkohë që realiteti mbetet i njëjtë: universitetet shqiptare janë të zhytura në probleme strukturore, korrupsion dhe mungesë fondesh për kërkimin shkencor.
2.5 Milionë Euro për Raporte dhe PR?
Sipas deklaratave të qeverisë, Shqipëria do të shpenzojë 2.5 milionë euro për këtë “këshillim” nga BOKU, përfshirë disa programe të reja studimore dhe shkëmbime akademike mes dy universiteteve (https://www.kryeministria.al/…/nenshkruhet-marreveshja…/) .
Por çfarë ka këtu të re? Shqipëria është pjesë e skemës Erasmus te Bashkimit Evropian dhe prej vitesh mijera studentë dhe staf akademik shqiptar kanë përfituar nga programet e shkëmbimit. Atëherë, përse po shpenzohen këto para nga taksat tona? A është kjo një mënyrë për të mbuluar me propagandë dështimin dhe korrupsionin në arsim?
Pra, qeveria shpenzon 2.5 milionë euro për “këshillim”, fondet e dedikuara për kërkimin shkencor në të gjithë vendin janë më pak se 1 milion euro. Një absurditet i pastër: këshillimi kushton më shumë sesa vetë zbatimi i “strategjisë” që ai supozohet të ndihmojë të hartohet. Në vend që këto para të investohen për të mbështetur kërkuesit dhe për të zhvilluar kapacitetet shkencore të universiteteve tona, ato po përdoren për një projekt që, në fund të ditës, do ngelet ne raporte.
Një kryeministër që me të vërtetë do të mendonte për arsimin shqiptar, nuk do të shpenzonte 2.5 milionë euro për një marrëveshje që thjesht “këshillon”, por do t’i investonte ato para për të punësuar studiues dhe shkencëtarë shqiptarë (ose te huaj) me arritje të larta akademike. Në vend që të paguajmë për këshilla nga jashtë, mund të krijonim një ekip të brendshëm ekspertësh që të hartonin një plan real për zhvillimin e Universitetit Bujqësor të Tiranës.
Nëse do të punësoheshin akademikë shqiptarë të suksesshëm me keto fonde, ata jo vetëm që do të ndihmonin në ngritjen e cilësisë së arsimit, por edhe do të sillnin më shumë fonde nga Bashkimi Evropian për kërkime dhe zhvillim. Sot që flasim, Serbia merr mbi 250 milion Euro fonde nga BE në fushën e bujqësisë, ndërsa Shqipëria zero (https://boldnews.al/…/shqiperia-pa-fonde-nga-ipard-u…/) . Në fondet qe jep BE, kjo cete e re akademike mund të tërhqi dhe projekte që mundësojnë programe të përbashkëta (master ose doktorature) jo vetëm me BOKU, por edhe me universitete të tjera në Evropë dhe më tej. Kështu, Universiteti Bujqësor i Tiranës do të bëhej një institucion konkurues na Ballkan dhe në arenën ndërkombëtare.
Po Përpiqen të Shesin një Model të Dështuar
Marrëveshja me BOKU-n po promovohet si një model i “ndërkombëtarizimit” të universiteteve shqiptare, por në fakt është e kundërta. Ndërkombëtarizimi nuk do të thotë që Shqipëria t’i dorëzojë arsimin e saj një universiteti të huaj. Përkundrazi, do të thotë që profesorët dhe studiuesit shqiptarë të jenë të njohur ndërkombëtarisht, të jenë konkurrues në marrjen e fondeve për kërkime dhe të tërheqin studentë të huaj, duke e bërë diplomën shqiptare të vlefshme jashtë vendit.
Por politika aktuale po bën të kundërtën: po shkatërron universitetet shqiptare dhe po pengon zhvillimin e potencialit akademik, shkencor dhe intelektual të Shqipërisë.
Ky është një analfabetizëm i rrezikshëm nga Kryeministri dhe Ministria e Arsimit, të cilët, në vend që të përmirësojnë arsimin vendas, po e zëvendësojnë atë me propagandë dhe marrëveshje të dyshimta që nuk i shërbejnë as studentëve, as Shqipërisë.




