Kryemadhi zbulon darkën me ambasadorin: Iliri e organizoi që të mos votoja ligjin kundër Ramës

Monika Kryemadhi, Kryetare e LSI-së, deklaroi se Edi Rama duhet të përballet vetë me të gjitha problemet që krijohen si rezultat i deklaratave apo vendimeve që merr.

Sipas kryetares së LSI-së, Edi Rama votoi në OKB kundër SHBA dhe duhet të përballet vetë me këtë veprim. “Rama iu premton të gjithëve  dhe në fund nuk di se çfarë të bëjë. Tashmë ka ardhur koha që duhet të përballet vetë me të gjitha problemet”, tha ajo.

Kryemadhi tha se Edi Rama ka hedhur miliona euro për të blerë dhe intimiduar shqiptarët. “Çfarë bëri Rama në 4 vjet? Varfëroi shqiptarët për ti blerë më pas më lirë”, tha Kryemadhi.

Kryetarja e LSI-së ka zbardhur edhe një detaj në lidhje me ligjin për plehrat që u miratua në Kuvend.

“Ilir Meta e dinte që unë do të votoja kundër, dhe kishte frikën se edhe deputetë të tjerë të LSI-së do të dilnin kundër. Ndaj për të shmangur votën kundër çfarë bëri, organizoi një darkë në shtëpi ku thirri një ambasador, në mënyrë që unë të mos isha në sallën e Kuvendit. Unë fatkeqësisht nuk e dija se kush ligj ishte në rendin e ditës dhe bëra rolin e amvisës duke mos shkuar në seancë”, tha Kryemadhi.

Në lidhje me protestat, kryetarja e LSI-së tha se tani po organizojmë takime me qytetarët. “Takimet tona me ato të z.Basha janë të koordinuara. Të gjithë ne jemi në një kolaudim, pasi strukturat tona dhe opozita kanë nevojë për një gjë të tillë. Sjellja jonë politike, pra mes PD dhe LSI ka ndryshuar”, tha ajo.

Kryemadhi tha se ende nuk është diskutuar për koalicione me PD, por situata politike në Shqipëri do të lëvizë shumë shpejt dhe ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë.

“Gjërat në Shqipëri do të lëvizin shumë shpejt, pasi situata politike do të ndryshojë në 6 mujorin e parë të 2018-ës, për shkak edhe të situatës ekonomike dhe sociale”, tha ajo.

Ajo foli gjithashtu për një koalicion të gjerë me shqiptarët, biznesin, mediat, për të luftuar atë që e quajti si koalicioni i krimit që qëndron përballë.

🌟 ToonPopKids — Stories That Grow With You!
Fun animations, lullabies & learning for little ones 💤🎶📚
Subscribe Free
Share it :