
Me shumë gjasë, edhe Krokodili i të hënës së fillim javës së ardhshme, nëse do të ndodhë, do të jetë sërish i vdekur si ai i 6 viteve më parë
Gëzim Saliu
Një “Krokodil” i dytë me shumë gjasë do të jetë skenari që do të ripërsëritet në takimin e pritshëm të së hënës mes kryeministri Rama dhe kreut të opozitës Lulzim Basha. Në kushtet kur PD e PS i kanë fare të pakta pikëtakimet mes tyre sa i përket reformës në drejtësi dhe kur antagonizmi mes palëve ka arritur kulmin duke ju referuar ngjarjeve të fundit në jetën politikë, shanset e një konkluzioni pozitiv të këtij takimi janë fare të pakta. Dhe si për dreq, për ti shtuar shtuar dozat negative të këtij takimi mendoi dje ish-kryebashkiaku i Kavajës Elvis Rroshi, i cili pas një vizite 5-ditore në Itali zbuloi se kishte kartelë të pastër, duke lajmëruar kështu “heqjen dorë nga dorëheqja”. Rama dhe Basha ndoshta me takimin e tyre mund të arrijnë edhe të pamundurën duke na surprizuar të gjithëve me rezultatin final, por duke ju referuar historisë dhe vetë marrëdhënies së palëve në këto tre vite shanset e një “mrekullie” janë pranë zeros.
Krokodili i “huaj” dhe ai “shqiptar”
Thuajse 6 vite më parë, në 20 maj të 2010-ës u zhvillua në Strasburg ajo që cilësohet si “darka e fundit”, ku protagonistë kryesorë ishin kryeministri i asaj kohe Sali Berisha dhe kryeopozitari Edi Rama. Për të gjetur konsensus lidhur me një bojkot të stërzgjatur dhe një valë të pandalur protestash nga ana e opozitës për kauzë e famshme të “hapjes së kutive”, me negocimin e ndërkombëtareve u vendos që palët të takoheshin në hotel “Krokodil” për të diskutuar mundësitë e zgjidhjes. Ky hotel u zgjodh në atë kohë nga negociuesit ndërkombëtarë edhe për vetë faktin se ai është një emër historik për europarlamentarët, sepse përveç se ka qenë qendër e takimeve të tyre, në të është miratuar më 1984-ën edhe projekt-traktati i Bashkimit Europian. Përvec Berishës e Bashës në këtë darkë morën pjesë në atë kohë me postet përkatëse Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, drejtori për Zgjerimin e Ballkanit Perëndimor, Piere Mirel, kreu i Partive Popullore Europiane, Xhozef Daul, si dhe kreu i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Juglindore, Eduard Kukan, nënkryetari i grupit parlamentar socialist në Parlamentin Europian, Hannes Svoboda, kreu i grupit parlamentar të socialdemokratëve në PE, Martin Schulz. Ndërkohë Berisha shoqërohej nga drejtori i kabinetit të kohës Oerd Bylyklbashi e ndërsa Rama nga deputetja Vasilika Hysi. Darka mes të pranishmëve në katin e dytë të hotelit i kaloi të gjitha parashikimet dhe zgjati për 5 orë nga 20:45 e mbrëmjes deri në orën 02.00 të mëngjesit. Por pavarësisht kësaj pranie të gjerë të ndërkombëtarëve dhe bisedave të tejzgjatura, përfundimi i asaj darke siç edhe të gjithë e dimë ishte “nul”, asnjë rezultat apo arritje sado minimale qoftë. “Nuk do ta harroj natën së bashku me Martin Schulz, ju dhe kryeministrin Berisha në përpjekje për të shtyrë vendin përpara, por kishte shumë opozitë nga njëra prej palëve. Imagjinoni kush ishte pala. Ishte një krokodil i vdekur”, – i tha Swoboda me jo pak shaka para disa kohëve kryeministrit aktual Rama, duke i kujtuar darkën e Strasburgut.
Me shumë gjasë, edhe Krokodili i të hënës së fillim javës së ardhshme, nëse do të ndodhë, do të jetë sërish i vdekur. Mundësitë e gjetjes së konsensusit mes palëve për reformën në drejtësi në kushtet kur dialogu është i cunguar që pa nisur janë fare të pakta. I cunguar pasi edhe pse ftesa ka ardhur nga vetë kryeministri, ky i fundit ka bërë të ditur në mënyrë të prerë se drafti i miratuar në parim, nuk mund të preket. Pra kjo do të thotë se ky takim nuk ka shans të prekë atë që është kërkesë thelbësore e demokratëve: thjeshtëzimin e institucioneve të reja si edhe miratimin e tyre me një shumicë të cilësuar, pika të cilat janë shtylla të draftit aktual të mbështetur nga kryeministri. Në këto kushte ky takim, nëse kreu i qeverisë nuk ndryshon qëndrim, s’mund të prodhojë më shumë se sa një shtrëngim duarsh për foto arkiv si edhe material për të mbajtur me zhvillime punën e televizioneve dhe gazetave për të paktën një javë. Pra do jetë një Krokodil i dytë, por duke mos i mohuar nga ana tjetër edhe ndryshimet nga ai i Strasburgut. I pari lidhet pikërisht me vendin e zhvillimit të takimit. Kështu 6 vite më parë, në një situatë krize politikë për shkak të vetëpërjashtimit të opozitës së kohës nga jeta parlamentare, negociatorët ndërkombëtarë menduan se një ndër efektet që mund të jepte rezultate pozitive për takimin Rama-Berisha mund të ishte edhe vendit takimit. Ato menduan ta zhvillonin takimin në Strasburg, pra shkurt në “tokën e tyre” duke synuar minimizimin e toneve tipike shqiptare të politikanëve tanë. Por edhe kjo pjesë nuk dha rezultat. Ndërsa këtë herë 6 vite më pas, takimi mes krerëve të dy partive kryesore në vend, edhe pse po negociohet sërish nga ndërkombëtarët, do të zhvillohet brenda vendit. Me shumë gjasë vendi i takimit do të jetë në Pallatin e Kongreseve, vendtakim i cili për nga historiku i godinës nuk i jep shumë ngjyra pozitive “ngjarjes”. Ndërkaq një tjetër ndryshim nga “Krokodili 1” lidhet me protagonistët e takimit dhe me postet e tyre aktuale. Nëse 6 vite më parë Rama ishte një kryeopozitar që i kishte “ngrënë shpirtin” jo vetëm kundërshtarëve, por edhe ndërkombëtarëve me kërkesat e tij për hapjen e kutive, tashmë ai është kryeministri i vendit. Tani ai është në pozitat e pritësit dhe jo sulmuesit. Po ashtu përballë tij ka ndryshuar edhe protagonisti, pasi nuk do jetë më ish-kryeministri Sali Berisha, por kreu i PD-së që prej 2013-ës Lulzim Basha. Por përpos këtyre dy ndryshimeve, duket se cdo gjë tjetër i takimit të pritshëm Rama-Basha do të jetë thjesht një replay i Krokodilit 1. Ajo që na bën të shkojmë tek ky përfundim, janë arsyet që renditëm më sipër, duke nisur që nga ndarjet e thella për dy nga pikat kyçe të draftit për reformën në drejtësi deri tek zhvillimet politike. Këto të fundit i kanë dhënë edhe më shumë agresivitet kundërshtive mes palëve. Përjashtimi i ish-kryeministrit Berisha për dy herë nga punimet e Parlamentit nuk është pritur aspak mirë nga demokratët, të cilët nuk kanë nguruar të shprehin solidarizimin e tyre me “doktorin”duke braktisur punimet e Kuvendit me 10 ditë. PD-ja dënimin e Berishës përveçse e ka cilësuar si të padrejtë, e ka quajtur edhe një formë përgjigje negative nga ana e mazhorancës në kuadër të bashkëpunimit dhe mundësive të konsensusit për reformat e rëndësishme. Po ashtu një tjetër zhvillim që ka sjellë përplasje mes palëve janë edhe “pasojat” e para të ligjit të dekriminalizimit. Dorëheqja e Elvis Rroshit si edhe lajmi i papritur dje i dhënë nga vetë ai për rikthimin shënon një ndarje të thellë mes palëve. Po ashtu në këtë diskutim përfshihen edhe kërkesat e demokratëve për dorëheqjen e të paktën tre kryebashkiakëve të tjerë socialistë duke nisur nga ai i Krujës, Kurbinit dhe Divjakës. Nga ana e tyre socialistët i janë kundërpërgjigjur demokratëve duke kërkuar marrjen e masave për deputetë Flamur Noka e AlbanZeneli, të cilët sipas PS kanë shkelur ligjin e dekriminalizimit.

Negociatat e takimit Rama-Basha dhe draft-marrëveshja në hije
Partnerët ndërkombëtarë janë ndërmjetësuesit kryesorë të takimit të së hënës Rama-Basha. Qëllimi i tyre është një takim që të prodhojë konsensus. Sipas TCH palët po negociojnë mbi një draftmarrëveshje për të cilën po këmbëngulet për kompromis. Draftmarrëveshja është produkt i Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Europian, të cilët janë përfshirë në nivele shumë të larta të administratës në Bruksel dhe Uashington, duke kapërcyer kështu ambasadat e tyre në Tiranë. Dje Federica Mogherini zhvilloi një takim në Bruksel me 3 prej komisionerëve të KE, atë të Zgjerimit, të Drejtësisë dhe të Punëve të Brendshme. Ndërsa Victoria Nuland ka patur një telefonatë me Lulzim Bashën në Tiranë. Negociatat kanë në qendër një ofertë të re, që, siç përshkruhet, synon të lërë të kënaqur të dyja palët. Detajet e kësaj pakete kompromisi mbeten të panjohura, por të enjten në emisionin “Top Story”, Oerd Bylykbashi, pjesë e këtyre negociatave, la të kuptohet se diçka mund të lëvizë tek kërkesa për thjeshtimin e arkitekturës. “Problemi është që kërkohet një drejtësi efikase, transparente, jo klienteliste dhe jo e korruptuar. A arrihet kjo me këtë që propozon maxhoranca?! Janë 13 institucione që krijohen, një pyll i tmerrshëm në kokën e drejtësisë, ku do të hyjë drejtësi dhe do të dalë dredhësi. 13 institucione që përplasen me njëra-tjetrën vazhdimisht. Propozimi i tyre jep mundësinë që 2/3 e institucioneve të dominohen nga Kuvendi, që do të thotë që e kapin sot dhe e dominojnë për 10-20 vitet e ardhshëm sistemin e drejtësisë. Ne themi që vetingu dhe antikorrupsioni janë të padiskutueshme, por në draft institucionet janë 13. Kështu siç është propozuar, në krye të 5-10 viteve ky sistem shembet”, tha Bylykbashi. I njëjti burim në Bruksel i tha TCH se mazhoranca është e gatshme të pranojë ndryshimin e formulës për shumicën e cilësuar, si dhe eliminimin e 2 prej 4 institucioneve që propozon opozita, por pa prekur Këshillin e Emërimeve në drejtësi, si dhe institucionin ndërkombëtar që bën skanimin e pasurisë dhe punës së të gjithë gjyqtarëve dhe prokurorëve. Mësohet se të dyja palët janë vënë në dijeni se kjo është përpjekja e fundit e Uashingtonit dhe Brukselit për të arritur një kompromis.
Reforma në drejtësi
Ku është vija e kuqe e ambasadorëve: bashkëpunues, negociues apo diktues?
Tensioni dhe debatet e shkaktuara në grupet parlamentare të dy partive kryesore e nxiti ambasadorin amerikan në Shqipëri Donald Lu që të deklaronte pak kohë më parë: “Ne nuk do ta kalojmë vijën e kuqe”. Kjo deklaratë i referohej pikërisht asaj që u cilësua si një ndër ngjarjet më të pazakonta të ndodhura ndonjëherë në një vend evropian apo ndoshta edhe më gjerë, siç ishte prania e ambasadorëve të SHBA-së e BE-së në mbledhjet e grupeve parlamentare të tri partive kryesore shqiptare. Duke marrë në tërësi angazhimin e ndërkombëtarëve si edhe deklaratat e tyre lidhur specifikisht me reformën në drejtësi, natyrshëm lind pyetja: A e kanë kaluar partnerët vijën e kuqe? Nëse po, pse e kanë bërë? Nëse jo, çfarë pritet në vijim nga ta nëse palët nuk gjejnë mes tyre dakordësinë? Dhe pyetja kryesore, cila është vija e kuqe e ambasadorëve?

Qëndrimet e ambasadorëve
Në zhvillimet më të mëdha të vendit, duke përfshirë këtu hapat e parë të demokracisë në vitet ’90, anëtarësimin në NATO, heqjen e vizave apo edhe marrjen e statusit në BE, rol me peshë kanë luajtur partnerët ndërkombëtarë. Mbështetja e tyre ka qenë thelbësore në zhvillimet e vendit si edhe në drejtimin e tij në rrugën e duhur drejt standardeve evropiane. Por kohët e fundit përfshirja në një masë të madhe e ndërkombëtarëve në zhvillimet e vendit, kryesisht sa i përket reformës në drejtësi, është parë me jo pa kritika. Në këtë diskutim nuk kanë munguar qëndrimet sipas së cilave këto angazhime të “thella” të ndërkombëtarëve po cenojnë në thelb autonominë e vendimmarrjes së atyre që janë votuar nga qytetarët.
Pak kohë më parë në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, ambasadori amerikan Donald Lu u pyet lidhur me kritikat sipas së cilave ai dhe ambasadorja e Delegacionit të BE-së janë përfshirë më shumë se ç’duhet në politikën shqiptare duke shkuar përtej mandatit si ambasador. Për këtë ambasadori amerikan në atë kohë dha këtë përgjigje: “Në mendjen time, detyra kryesore për një ambasador të huaj është të punojë për zbatimin e interesave kombëtare të vendit të tij. Në rastin tim, të interesave të Shteteve të Bashkuara. Dhe unë kam udhëzime shumë të qarta nga shefat e mi më të lartë në Departamentin e Shtetit dhe në Shtëpinë e Bardhë, që përparësia kryesore e qeverisë amerikane në Shqipëri është të mbështesë reformat, në mënyrë që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian. Dhe cila është reforma kryesore e nevojshme për këtë proces? Qartazi është reforma në drejtësi”. Ky qëndrim i ambasadorit amerikan jep jo pak argumente në favor të ndërhyrjeve të ndërkombëtarëve shpeshta në zhvillimet në Shqipëri sa i përket reformës në drejtësi. Por nga ana tjetër, Lu, i cili dallohet për gjuhën e drejtpërdrejtë, sërish me këtë argumentim lë pas pikëpyetjen e madhe: Pse në asnjë vend tjetër të rajonit apo edhe më gjerë në Evropë nuk është parë apo zhvilluar asnjë ndërhyrje e tillë e ambasadorëve në një çështje të caktuar?. Ndoshta në këto vende çështjet kanë marrë zgjidhje me më shumë konsensus mes palëve politike, gjë e cila çalon fort për klasën politike shqiptare, e cila gjithmonë ka dashur me insistim ndërhyrjen e ndërkombëtareve për të zgjidh ato që i ka cilësuar si kriza politike. Por nga ana tjetër në këto vende mund të ketë ndodhur edhe ajo që mund të quhet si “gur kufiri” ndaj ndërkombëtarëve, ku klasa politike ka vënë pikat mbi “i” duke mos lënë mundësi diktuese ndaj të tretëve.
Shpeshherë ambasadorët Lu e Vlahutin janë parë në dyert e partive, të kryesisë së Kuvendit apo edhe në Kryeministri, duke kërkuar sipas asaj që më pas është bërë publike, konsensus për reformën në drejtësi. Ky angazhim i tyre sigurisht që dueht përshëndetur dhe duhet vlerësuar lart në kuadër të ecjes përpara të vendit në rrugën e integrimit. Në kushtet e Shqipërisë, është e padiskutueshme se reforma në drejtësi përbën një etapë të re në kuadër të ecjes përpara të vendit drejt aspiratës evropiane. Në këtë kontekst, angazhimi me “duar e këmbë” i ndërkombëtarëve në këtë proces mund të quhet edhe i legjitimuar. Por ajo që duket se çalon në këtë diskutim është pikërisht pjesa diktuese e procesit. Këshillimi, negocimi, thirrjet e deri tek kritikat janë të pranueshme nga ana e ndërkombëtarëve ndaj klasës politike. Por kur çështja më pas kalon në etapën e diktimit, që më shumë i afrohet urdhrit se sa domosdoshmërisë për konsensus, që është edhe thelbi i procesit, diskutimi merr tjetër trajtë. Në disa raste deklaratat e ndërkombëtarëve këto kohë kanë marrë një formë që nuk shkon në linjë me qëndrimet që mbajnë partnerët në vendet e tjera, duke i ngjarë më së shumti “urdhrave” të një “vëllai të madh” të shtëpisë. Ndoshta këto qëndrime janë brenda vijës së kuqe të veprimtarisë së partnerëve në vendin tonë, por krahasimi me situatën në shtetet e tjera, lë shumë pikë në favor të tejkalimit të kësaj vije. Edhe në rastin e Maqedonisë, ku palët pas skandalit të përgjimeve ishin në prag të një “lufte” mes tyre, angazhimi i ndërkombëtarëve shkoi deri tek negocimi i gjatë për të gjetur marrëveshjen. Ky shembull ndoshta rrëzon edhe argumentimet sipas të cilave angazhimi i partnerëve është më i madh se çdo herë në këtë rast për shkak të rëndësisë së çështjes.
Pjesë e diskutueshme në këtë proces janë edhe thirrjet që vendosin afate. Sigurisht që çdo reformë ka kohën e saj për tu përmbyllur pasi shtyrja deri në pafundësi e saj humb edhe efektet pozitive. Por kohët e fundit thirrjet e ndërkombëtarëve për miratimin e reformës në drejtësi deri në qershor, janë parë me sy kritikë nga opozita. Kjo e fundit ka theksuar se nuk mund të kalohet një draft me shpejtësi vetëm për hir të afateve, duke bërë nga ana tjetër sipas demokratëve, gabimin e lënies brenda reformës, pika që mund ti japin mundësi pushtetit, qoftë i majtë apo i djathtë, që të kapi politikisht sistemin.
Në përfundim mund të themi pa dyshim se angazhimi i partnerëve në zhvillimet e vendit është tepër i domosdoshëm për të ardhmen evropiane të Shqipërisë. Por ajo që ndoshta duhet të riparë duke marrë në shqyrtim çështjen e reformës në drejtësi është mënyra se si këshillimi, negocimi, kritika apo edhe ndonjëherë “deklarata zbatuese” duhet përcjellë tek aktorët politikë. Autonomia ose më mirë Pavarësia mbetet ende shtylla e një shteti….




