Krizë komunikimi në Absurdistan!

Nga Lutfi Dervishi

 

Në një vend të quajtur Absurdistan, ku jeta virtuale e banorëve është detyrë mbi të gjitha detyrat, qeveria befas e pa veten në një krizë komunikimi.

Anketat tregonin një rritje galopante të pakënaqësisë, por gjendja e vërtetë e Absurdistanit pasqyrohet nga procesverbali i mbledhjes së qeverisë:

 

Kryeministri: Jemi mbledhur sot me urgjencë sepse situata nuk është ajo që ne duam dhe kurrsesi ajo që kanë pritur njerëzit. Pavarërësisht se ne na votojnë rregullisht, absurdistanasit, kanë nisur të mërziten. Dhe po mërziten me të drejtë.

Duhet të jemi të qartë se pa ndryshime radikale, pa një vizion të qartë dhe pa rezultate konkrete mund të përballemi shumë shpejt me greva, protesta dhe ndoshta edhe me aksione të dhunshme. Por të jemi të qartë. Asnjë absurdistanas nuk ka faj. ASNJE. Jemi ne që me veprimet dhe mos veprimet tona po afrojmë ditën që të dorëzojmë pa shumë ceremoni çelësat e pushtetit.

Njerëzit na kanë mirëkuptuar. Janë rritur çmimet dhe kanë heshtur; është rritur inflacioni dhe na kanë duartrokitur, është rritur emigrimi dhe sërish na kanë votuar, është rritur varfëria dhe na janë shtuar votat, por është e pafalshme që ne të mos jemi aktivë, që ne të mos punojmë dhe të biem në vetëkënaqësi. Të dhënat zyrtare që kemi dhe këto nuk janë për publik, këtu i themi dhe këtu i lemë, e pra të dhënat zyrtare tregojnë se ka një rënie të frikshme të perfomancës gjatë javëve të fundit. Shifrat janë kokëfortë.

Krahasuar me fundin e vitit 2022, ka 13.8% like më pak në facebook. 7.1% më pak shikueshmëri në Instagram dhe rezultate për turp, që nuk mi zë as goja t’i them, kemi në tëitter. Jemi afër zeros në tik-tok. Skandal. Shpresoj që ky informacion të mos bjerë në dorë të organeve të drejtësisë sepse me këto të dhëna edhe sikur prokurori të jetë vëllai im, patjetër do të hapë proces civil, madje mund të hapë proces penal dhe civil në të njëjtën kohë. Komentet jo vetëm janë në rënie, por ka rritje të komenteve negative. Shpërndarja e postimeve ka një rritje të lehtë, por që nuk përkthehet në rritjen e likeve dhe komenteve. Pra ka formalitet. Përpjekje për të më hedhur hi syve. Ku shkojmë kështu? Si mund t’i dalim njerëzve përballë? Po bëhemi si ato ekipet e futbollit që vetëm humbin dhe nuk bien nga kategoria.

Si mund t’i lemë njerëzit pa foto, pa video, pa lajme optimiste?! E imagjinoni dot që njerëzit kanë halle? Si mund të tolerojmë situatën që një hallexhi të hapë telefonin dhe të mos ketë një foto, apo një projekt 3D?! Kjo është e pafalshme. Ndaj sot nuk dua premtime boshe, por ide konkrete se si do t’i qëndroni kësaj pune në kokë. Është dita që secili prej jush të më thotë: do të vijoj angazhimin ndaj qyetarëve dhe votuesve apo do të shoh punën e tij? Këtu ne jemi për të kënaqur dhe zbavitur jo vetëm votuesit tanë, por edhe ata që na kanë votuar kundër. Nuk dua të dëgjoj autokritika se më kanë ardhur deri në grykë. Dua ide konkrete.

 

Ministri i Mbrojtjes: Unë them të vishem me uniformë ushtarake, të krijoj një hashtag #harrojenifrikën dhe të bëj një video në terren. Si duket?

Kryeministri: Ide e mirë, por jo e jashtzakonshme. Më mire vish uniformë të shërbimit zjarrëfikës ose atyre të ndihmës së parë meqë ka tërmete rreth e rrotull…. Tjetër?

Ministri i Bujqësisë. Mendoj të bëj një video për tik-tok. Kamera të fokusojë një shportë me prodhime të stinës. Nga shporta kamera kalon në një plan të gjerë tek unë duke biseduar me një fermer i cili do të thotë: “nuk kemi nevojë për fonde nga BE”. Mendoj të përdor hashtagun #Biosikurrëmëparë.

Kryeministri: Po nga shëndetësia? Shëndetësia është çështje të gjithëve apo jo.

Ministri i Shëndetësisë: Në kohën që po flasim kemi hedhur një video me radhë të gjata para palestrave. Radhët kthehen në grumbullime masive dhe dallohen parrullat: Mbyllni spitalet kthejini në palestra.

Kryeministri. Mrekulli. Po për problemin e trafikut çfarë kemi menduar?

Ministri i Transporteve: Problemi më i madh që kemi shef është trafiku. Njerëzit nervozohen në trafik. Kemi 10 vjet që po bëjmë postime punojmë ditë dhe natë, por nuk po marrin shumë lajke. Ndoshta ngaqë asnjë rrugë ende nuk ka mbaruar. Mendoj që të bëhemi pozitivist. Një video për Instagram ku unë ngas vetë makinën dhe ngec në trafik. Në sfond një muzikë alegro dhe unë që nxjerr nga çanta një libër dhe nis lexoj librin. Akrepi i orës ecën më shpejt se akrepi i minutave. Duke shfletuar librin i kënaqur dëgjoj borinë e makinës mbrapa që më jep shenjë që rruga është hapur.

Kryeministri: Ide shumë e mirë, por kjo duhet testuar. Kopertina e librit të jetë ngjyrë mavri me një vijë të hollë të verdhë dhe një vijë të zezë pak më të trashë. Se e verdha shkon shumë mirë me të zezën. Tjetër. Ndonjë ide nga turizmi se jemi edhe në prag të sezonit..

Ministri i Turizimit: Po shef. E kemi menduar gjatë. Do të jetë një video që do të bëhet virale. Do të marrim një helikopter me qera. Dhe një çift i ri që duken si të huaj do të hidhen me parashutë dhe do të bien në një vend të mrekullueshëm. Fushë bari dhe në një anë det dhe në anën tjetër mal. Të tronditur ata do të mendojnë se kanë ndërruar jetë dhe janë në parajsë. Por i zoti i një hani do të shfaqet me njërën dorë në zemër dhe do t’i uroj pushime të këndshme në Absurdistan. Mendojmë që hashtag të jetë #parajsaështënëAbsdurdistan.

Kryeministri: Kjo është gjeniale. Kjo po. Ja kësaj i them punë. Po nga drejtësia çfarë kemi. Sondazhet tregojnë një rënie të besimit të absurdistanasve ndaj Drejtësisë. Këtu nuk bëjmë dot shaka. Njeriu për një dinjitet rron. Mund të jetosh pa bukë, por jo pa drejtësi.

Ministri i Drejtësisë. Shef! Kemi menduar gjerë dhe gjatë. Me thënë të drejtën na kanë befasuar sondazhet. Dhe kemi menduar t’iu përgjigjemi me një seri postimesh. Këshilltarët e mi kanë menduar që unë të dal i veshur me një rrobë gjykatësi dhe në dorë të mbaj një çekiç nga ato që mbajnë gjykatësit. Te pjesa çekiçit do të dallohet parrulla “fundpadrejtësisë”. Hashtagu #drejtësi? Kunderhashtagu #kapërtëgjithë.

Kryeministri: Çka. Po nga arsimi?

Ministri i Arsimit: Jemi në fazën përfundimtare të një projekti që do të finalizohet me një video në tik-tok, 2 postime në instagram dhe 3 poste në facebook. Në qendër do të jenë një grup studentësh, një grup nxënësish dhe një grup pedagogësh. Në sfond do të dëgjohet një valle ritmike popullore. Një plan ku librat bëhen kapicë dhe një zjarr ku digjen bankat e shkollës. Plani kthehet te vallja dhe në fund dalin fjalët: “Luajmë duke mësuar”. Hashtagu #mesimieshteloje dhe #Lojaeshtemesim

Kryeministri: Ide jo e keqe, por në atë zjarr duhet të hidhen edhe diplomat e pedagogëve. Kanë mbetur prapa. E fundit, por jo nga rëndësia. Çfarë ka menduar Ministri i Punës? Si do t’ia bëjmë me papunësinë mes të rinjëve që thuhet se ka mbërritur 28%? Katastrofë e vërtetë.

Ministri i Punës. Kemi menduar diçka moderne shef dhe shumë konkrete. Të frymëzuar nga inteligjenca artificiale do të përgatisim një seri videosh. Në qendër do të jetë makina inteligjente, kur të rinj, punëtorë, mësues, intelektualë, fermerë, kamarjerë vetëm shprehin dëshirën dhe puna bëhet nga ChatGPT. Pra puna kryhet nga makina inteligjente dhe një grup robotësh… është një imitim modern i përrallës se vjetër me Ali Babën dhe 40…: “Sezam hapu” dhe hapet shpella e mbushur me ar..

Kryeministri: Bravo! Ide gjeniale. Kjo është e gjitha. Vetëm shtoni hashtagun #Mjaftkapunuarnjeriu. #Kohatepunojnerobotet. Bravo. Kaq ishte e gjitha.

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news