Integrimi, jo vetëm për të marrë “merita” politike

Integrimi, jo vetëm për të marrë “merita” politike

Integrimi i vërtetë nuk matet me numrin e kapitujve të hapur, por me aftësinë e vendit për të funksionuar sipas standardeve europiane.

Shqiptarët mbeten ndër popujt më pro Bashkimit Europian në Ballkan. Prej vitesh, sondazhet tregojnë mbështetje të lartë për integrimin, shpesh më të lartë sesa në vende që janë tashmë pjesë e BE-së. Në pamje të parë, kjo duket si një lidhje emocionale me Europën, me vlerat dhe modelin perëndimor.

Por në thelb, entuziazmi i shqiptarëve për BE-në është edhe një reflektim i zhgënjimit të madh me mënyrën se si ka ecur vendi në këto tri dekada.

Për shumë qytetarë, Europa nuk është thjesht një projekt politik. Ajo është një rrugëdalje nga problemet që Shqipëria nuk ka arritur t’i zgjidhë vetë: ekonomia e dobët, mungesa e perspektivës, emigracioni masiv, korrupsioni i përhapur, mosbesimi te politika, paqartësitë për të ardhmen, që po detyron shumë të rinj apo dhe familje, edhe ato me të ardhura të mesme e të larta, të vijojnë të ikin në emigrim.

Në këtë klimë, integrimi është shndërruar më shumë në një shpresë për “normalitet” sesa thjesht në një objektiv diplomatik. Një tjetër element joshës ka qenë edhe liria që lidhet me projektin europian: mundësia për të studiuar jashtë, për të punuar, për të lëvizur lirisht, për të pasur më shumë të drejta dhe standarde më të mira jetese.

Politika shqiptare e ka kuptuar prej kohësh këtë dëshirë kolektive për Europën dhe e ka kapitalizuar maksimalisht. Integrimi europian është bërë premtimi më i madh elektoral, si për të mbajtur pushtetin, ashtu edhe për ta marrë atë. Çdo palë politike përpiqet të paraqitet si “forca që do ta fusë Shqipërinë në BE”, ndërsa procesi shpesh përdoret si instrument propagandistik për të marrë merita politike.

Por në gjithë këtë garë për “hyrjen në Europë” është folur shumë pak për atë që në fakt është thelbi i integrimit: standardet.

Anëtarësimi në Bashkimin Europian nuk është vetëm çështje hapjeje kapitujsh dhe përafrimi ligjesh. Ai nënkupton transformim të thellë ekonomik dhe institucional.

Do të thotë ekonomi konkurruese, produkte që përmbushin standardet europiane, siguri ushqimore, mbrojtje të mjedisit, institucione funksionale, administratë efikase dhe treg që funksionon sipas rregullave europiane.

Dhe pikërisht këtu duket se Shqipëria po përballet me realitetin më të vështirë.

Në letra, procesi i integrimit po ecën shpejt. Legjislacioni po përafrohet me direktivat europiane dhe qeveria flet për ritme historike negociatash. Por në praktikë, shumë biznese shqiptare nuk janë gati për standardet që kërkon tregu europian. Madje, një pjesë e tyre as nuk e kanë nisur ende procesin e transformimit.

Të dhënat nga sektori agroushqimor janë alarmante. Vetëm 10-15% e bizneseve konsiderohen relativisht të përgatitura për standardet e Bashkimit Europian, ndërsa pjesa dërrmuese nuk kanë as informacionin dhe as kapacitetet financiare për të realizuar transformimin e nevojshëm (shiko shkrimin në faqet e brendshme të revistës).

Kontrollet e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit kanë nxjerrë në pah probleme serioze, nga mungesa e sistemeve të trajtimit të mbetjeve e deri te mosplotësimi i standardeve minimale të sigurisë ushqimore. Vetëm në fazën e parë të inspektimeve, 10-15% e përpunuesve të qumështit janë klasifikuar në kategorinë më problematike dhe janë mbyllur.

Frika më e madhe e biznesit lidhet me përsëritjen e modelit bullgar. Gjatë procesit të integrimit të Bullgarisë në BE, rreth 60-70% e njësive të vogla të përpunimit ushqimor u mbyllën, pasi nuk arritën të përshtateshin me standardet europiane.

Sot, shumë sipërmarrës shqiptarë paralajmërojnë se rreziku është real edhe për Shqipërinë.

Problemi bëhet edhe më i madh në një ekonomi ku 99% e ndërmarrjeve janë mikrobiznese dhe ku shumica nuk kanë kapacitete financiare për investime të mëdha. Në shumë raste, përmbushja e standardeve kërkon investime që arrijnë në qindra mijë euro. Për baxhot e vogla apo prodhuesit familjarë, kjo është praktikisht e papërballueshme pa mbështetje shtetërore.

Kroacia, Bullgaria dhe Rumania e kanë kaluar këtë proces para nesh. Përvoja e tyre tregon se integrimi sjell përfitime afatgjata, por edhe kosto të mëdha tranzicioni. Shumë biznese u mbyllën, sektorë të tërë u ristrukturuan dhe ekonomitë u detyruan të transformoheshin me ritme të shpejta.

Diferenca është se këto vende investuan fort në fonde mbështetëse, modernizim dhe ndërtim kapacitetesh.

Shqipëria duket se jo vetëm po hyn me vonesë në këtë debat, por as nuk po e merr atë seriozisht. Për vite me radhë, integrimi është trajtuar kryesisht si proces politik dhe jo si transformim ekonomik. Ndërkohë, bizneset kanë vazhduar të operojnë me standarde lokale, shpesh larg kërkesave europiane.

Integrimi nuk duhet të jetë një slogan elektoral apo një mënyrë për të fituar pikë politike. Ai duhet të jetë një proces që i shërben vendit për të ngritur standardet, për të krijuar ekonomi më konkurruese, për të ndërtuar institucione më të forta dhe për të ofruar më shumë mirëqenie për qytetarët.

Nëse Shqipëria hyn në BE pa përgatitur ekonominë reale, rrezikon që tregu vendas të mbushet nga kompani europiane më konkurruese, ndërsa bizneset shqiptare të mos arrijnë të mbijetojnë dhe vendi të bëhet një “supermarket i madh”, ashtu siç kanë paralajmëruar shpesh prodhuesit vendas.

Integrimi i vërtetë nuk matet me numrin e kapitujve të hapur, por me aftësinë e vendit për të funksionuar sipas standardeve europiane.

Sepse Europa nuk është thjesht një derë ku hyn. Nuk është as përkthim legjislacioni, qoftë edhe me ChatGPT. Është një standard që duhet ta arrish. Dhe pyetja thelbësore që duhet të bëhet është përse politika dhe shteti shqiptar dështoi në arritjen më të hershme të anëtarësimit në BE./ Monitor

Share it :
Koncesioni i check-up/ Milva Ekonomi i dha mln € Vilma Nushit, paratë u investuan te kulla e Pak ditë më parë, emisioni “Plug” në Syri TV bëri një përmbledhje me fakte dhe dokumente konkrete të abuzimeve që janë bërë nga shteti shqiptar me koncesionet e shëndetësisë, një prej tyre edhe koncesioni i check-up, një skemë e madhe abuzimi me taksat e qytetarëve shqiptarë. Për këtë koncesion u hap një garë ku morën pjesë disa kompani me eksperiencë në fushën e kryerjes së analizave mjekësore, por fituese u shpall 3P Life Logistic e Vilma Nushit. Do të hyjmë në detaje dhe do të kuptojmë se jemi përpara një gare fiktive me fitues të paracaktuar. Së pari, kjo kompani u themelua më 9 dhjetor 2014, ndërsa kontrata koncesionare u firmos dy ditë pa u mbushur muaji, më 7 janar 2015. Ndërkohë, gara për koncesionin e check-up u shpall që në shkurt 2014. Thënë ndryshe, 11 muaj përpara se të lidhej kontrata me kompaninë që Vilma Nushi themeloi një muaj përpara se të firmoste marrjen e koncesionit prej 138 milionë eurosh. Dhe çudia më e madhe qëndron te fakti se shpallja e fituesit zyrtarisht u bë më 6 tetor 2014, dy muaj përpara se të themelohej kompania që do të fitonte kontratën koncesionare. Pas firmosjes së kontratës koncesionare në fillim të muajit janar 2015 nga Ministria e Shëndetësisë dhe kompania 3P Life Logistic, Agjencia e Prokurimit Publik refuzoi publikimin e kësaj kontrate pasi konstatoi shkelje të rënda ligjore. E para, kontrata u dërgua në APP pa numër protokolli dhe pa u firmosur nga titullari i institucionit. E dyta ishte shuma totale që shteti shqiptar do të paguante në fund të 10 viteve koncesion, si dhe mënyra e pagesës, që sipas APP-së, në formularin e dërguar nga MSH deklarohej se pagesa për check-up do të kryhej në bazë të numrit të analizave që do të kryheshin. Dhe këtu ka një mospërputhje në lidhje me vlerën totale të kontratës së nënshkruar. Konkretisht, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/23 Prot., datë 20.01.2015, në pikën 5 jepet vlera totale e kontratës 13.833.000.000 lekë. Ndërkohë, në formularin e dërguar me shkresën nr. 3082/27 Prot., datë 10.02.2015, në paragrafin IV.4 shkruhet shprehimisht se: “Vlera reale do të jetë në varësi të numrit të kontrolleve”. Gjashtë ditë më pas, Ministria e Shëndetësisë firmos edhe njëherë formularin e njoftimit të kontratës së nënshkruar dhe më datë 19.02.2015 ministri i atëhershëm, Ilir Beqaj, i delegon kompetencën vartëses së tij, Milva Ekonomi, që të firmosë formularin e fituesit të kontratës koncesionare. Në këtë shkresë, përveç firmës dhe vulës së Ministrisë së Shëndetësisë, deleguar te Milva Ekonomi, saktësohet në pikën IV.3 se: “Vlera totale e kontratës do të jetë 13.833.000.000 lekë”, apo rreth 138 milionë euro për dhjetë vjet. Ndërsa në pikën IV.4 saktësohet: “Vlera e sipërcituar është vlera e dhjetë viteve të marra së bashku për numrin maksimal të kontrolleve për grupmoshën 40-65 vjeç. Vlera reale e kontratës do të jetë më e ulët pasi ajo do të llogaritet në varësi të numrit të kontrolleve që do të kryhen çdo vit”. Do të mjaftonte vetë ky dokument, që minimalisht sot SPAK ta kishte marrë të pandehur zv.ministren e asaj kohe, Milva Ekonomi, e cila me dashje i ka shkaktuar disa milionë euro dëm buxhetit të shtetit, pasi me firmën e saj ka kryer pagesa në kundërshtim me kushtet e parashikuara në kontratë. Por skandalet nuk mbarojnë këtu. Në pikën 3 të kontratës përcaktohet se: Kjo ndodhi për një arsye. Vilma Nushi, sipas kontratës, 20 laboratorët do të duhej t’i ndërtonte në qendrat shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe, në përfundim të koncesionit, ky investim do t’i mbetej si aset shtetit shqiptar. Gjë që nuk ndodhi asnjëherë. Sipas kontratës që shihni në ekran, nënshkruar mes kompanisë së Vilma Nushit dhe kompanisë Intermedica të deputetit të PS-së, Vasil Llajo, çmimi për një check-up te Intermedica për Vilma Nushin do të kushtonte 740 lekë me TVSH. Pra, ndërkohë që shteti do t’i paguante Vilma Nushit 1844 lekë me TVSH për kryerjen e një pakete check-up, ajo e delegoi këtë shërbim te nënkontraktori për një çmim prej 740 lekësh me TVSH. Me vetëm këtë skemë, Vilma Nushi ka përfituar për çdo analizë rreth 11 euro. Gjithçka me firmën e hedhur nga ish-zv.ministrja Milva Ekonomi. Në një përballje me gazetarin Freard Rista, zonja Ekonomi mohoi të kishte lidhje me këtë formular kontrate, pavarësisht se emri dhe firma e saj janë të zeza mbi të bardhë. Kompania e Vilma Nushit, Marketing & Distribution, e cila ka në pronësi koncesionin e check-up nëpërmjet kompanisë 3P Life Logistic, rezulton gjithashtu se ka financuar edhe kompaninë “Victoria Construction”, e cila po ndërton kullën “Ekspozita Building”. Deri këtu do të ishte diçka normale, nëse pas kësaj kulle nuk do të qëndronte një emër si ai i Ervin Matës, i arrestuar së fundmi në Brazil me kërkesë të SPAK-ut për trafik droge. Konkretisht, në vitin 2018, kompania Marketing & Distribution kalon për llogari të shoqërisë “Victoria Construction” një shumë prej 1.1 milionë eurosh. Nga të dhënat e bilanceve të kompanisë “Victoria Construction”, nuk specifikohet arsyeja pse Vilma Nushi i ka dhënë një shumë të tillë monetare kompanisë. Derdhja e parave u bë vetëm një vit përpara se të firmosej leja e ndërtimit për kullën “Ekspozita Building”. Pra, në vitin 2018 Vilma Nushi paguan këstin e parë të parave për llogari të kompanisë së Luan Matës, ndërsa në vitin 2019, me firmë të Edi Ramës dhe Belinda Ballukut, u miratua edhe leja e zhvillimit. Kujtojmë se pikërisht në vitin 2018, kur Vilma Nushi ka deklaruar se ka futur për investim 1.1 miliardë lekë në kullën e Ervin Matës, ka marrë edhe dividendin e parë nga kompania e check-up, në vlerën e rreth 1.2 miliardë lekëve, përafërsisht sa shuma që futi te kulla e Ervin Matës. Edhe për këtë gjë, zonja Ekonomi u pyet nëse ndjen ndopak përgjegjësi morale që me firmat e saj pasuron privatin, i cili më pas këto lekë të fituara nga taksapaguesit shqiptarë i investon tek personazhe me rekorde kriminale, por nuk ktheu përgjigje, duke kyçur gojën dhe nxituar këmbët për të votuar. /Piranjat news