Kriza tek fqinjët, eksporti dhe importi shqiptar drejtohen në Kosovë

Ervin Kaduku

 

eksportiNëse përllogaritet se deri në vitin 2003 eksportet drejt Kosovës kanë qenë thuajse 0, rezulton se dinamika e hapjes së Shqipërisë drejt këtij tregu është thuajse “galopante”. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet drejt Kosovës janë rreth… 1.500% më të larta se dhjetë vjet më parë.

 

Thuhet se jo çdo e keqe vjen për të të dëmtuar. Në fakt, kriza që ka përfshirë disa nga fqinjët tanë, që deri tani kanë qenë klientët e privilegjuar, si për eksportin, ashtu edhe për importin shqiptar, ka bërë që bizneset shqiptare të bëhen më të zhdërvjellëta. Shumë prej tyre kanë drejtuar sytë drejt Kosovës, në shtetin me rritjen më të lartë ekonomike në rajon, sipas statistikave.

Nëse përllogaritet se deri në vitin 2003 eksportet drejt Kosovës kanë qenë thuajse 0, rezulton se dinamika e hapjes së Shqipërisë drejt këtij tregu është thuajse “galopante”. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet drejt Kosovës janë rreth… 1.500% më të larta se dhjetë vjet më parë. Në total, eksportet tona drejt Kosovës kanë arritur në 14 miliardë lekë gjatë janar-nëntorit 2012, duke e renditur shtetin më të ri në Evropë, si partnerin e tretë tregtar të Shqipërisë në eksporte. Eksportet drejt Kosovës u shtuan me 21% për 11-mujorin, duke përbërë 8.4% të totalit të eksporteve.

Shumë kompani shqiptare kanë hapur tashmë degët e tyre në Kosovë, me një staf të kompletuar, në mënyrë që të kenë një menaxhim efikas dhe të rrisin me shpejtësi prezencën e tyre në tregun e atjeshëm. Tullat, çimentoja, panelet, karburantet e madje edhe kompani shërbimesh, si agjenci rekrutimi, avokati, tashmë e ndajnë aktivitetin e tyre ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës.

Arsyet e orientimit drejt Kosovës janë të shumta.

Së pari, Kosova ka gjithashtu popullsi shqiptare dhe tepër familjare me produktet shqiptare. Kombësia e përbashkët ka bërë që edhe tregu Shqipëri-Kosovë të funksionojë për bizneset si një treg unik, i mbështetur edhe nga qeveritë përkatëse.

“Kam hyrë në Kosovë njëherësh me nisjen e biznesit në Shqipëri. Për mua, janë një treg i përbashkët”, – thotë Sami Gjergji, drejtues i kompanive të prodhimit të ushqimeve “Floryhen” dhe “Primalat”.

Por, bizneset kanë marrë spunto të madhe edhe pas përmirësimit të ndjeshëm të infrastrukturës me përfundimin e rrugës së re Durrës – Kukës, e cila lehtësoi ndjeshëm transportin e mallrave dhe shërbimeve. Mjaft operatorë hynë në tregun kosovar, duke eksportuar produktet e tyre, duke nisur që nga materialet e ndërtimit, nafta apo artikujt industrialë e ushqimorë. Autostrada e re mbështeti edhe më shumë, sidomos kur qeveria e Kosovës vendosi masat e reciprocitetit në shtator të 2011-ës, duke penguar importin e mallrave serbe dhe duke i dhënë një shtysë bizneseve shqiptare që të nxitonin drejt këtij tregu.

 

Kosova

 

Si një shtet i ri, Kosova është duke vijuar të ketë dinamikë të madhe në investime, biznese të reja, si dhe individë që vazhdojnë të blejnë me ritme të larta pasuri të patundshme.

Sipas të dhënave të INSTAT-it, Shqipëria eksporton drejt Kosovës një mori artikujsh e produktesh, po ato që zënë peshën më të madhe janë kryesisht materialet e ndërtimit, si metalet që zënë 53% të totalit të eksporteve, apo makineri dhe pajisje, si dhe mineralet, ku dominojnë karburantet.

Ecuri pozitive po shënojnë eksportet e metaleve, kryesisht nga kompania “Kurum”, e cila ka zgjeruar shitjet në tregjet e huaja, duke përfshirë edhe Kosovën. Sipas të dhënave të INSTAT-it, eksportet e metaleve drejt Kosovës janë rritur thuajse 12% gjatë janar-nëntorit të 2012-ës krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndryshe nga Shqipëria, Kosova është ende një treg i pangopur për banesa. Faktor pozitiv është edhe numri i lartë i emigrantëve kosovarë, të cilët investojnë në blerjen e shtëpive atje. Kjo ka bërë që investimet e firmave shqiptare të jenë pozitive dhe të kenë ardhur në rritje.

Fakti që sektori i ndërtimit po ecën me ritme shumë më dinamike në Kosovë dhe krejt e kundërta po ndodh në Shqipëri ka nxitur kompanitë shqiptare që të gjejnë treg në zonën tjetër shqiptare, ku një “ndihmë” të madhe sipas tyre ka dhënë ndërtimi i rrugës Durrës-Kukës. “Vetëm kështu po arrijmë që të ruajmë shitjet dhe të ardhurat tona, sepse nëse do të izolohemi vetëm në Shqipëri, do të ishim padyshim në përkeqësim”, – thonë përfaqësuesit e kompanive.

 

 

Monedha e re 5-euroshe del në treg nga 2 maji

 

Nga data 2 maj e këtij viti në duart e konsumatorëve evropianë do të qarkullojë kartëmonedha e re prej 5 eurosh. Prezantimi i kartëmonedhës së re është bërë nga presidenti i BQE, Mario Draghi, gjatë një ceremonie në Muzeun Arkeologjik në Frankfurt.
““Seria Evropa” do të jetë më e mençur dhe madje më e sigurt sesa seritë aktuale”, – është shprehur Draghi. Prerja prej 5 euro do të jetë kartmonedha e parë e të ashtuquajturës “Seria Evropa”. Gradualisht do të zëvendësojë serinë e parë të kartëmonedhës në euro që u prodhua në 1 janar 2002. Në hologramin e kartëmonedhës së re është vendosur portreti i Evropës, figura e mitologjisë greke, nga e cila ka marrë edhe emrin kontinenti i vjetër. Banka Qendrore Evropiane edhe për këtë periudhë nuk e ka ndryshuar normën bazë të euros, aktualisht në 0,75%. “Jemi rikthyer në një situatë normale, – është shprehur kryeguvernatori evropian nga këndvështrimi financiar, – reformat strukturore janë thelbësore për të korrigjuar çekuilibrat në Eurozonë mes vendeve”.

Instituti i Frankfurtit këshillon vendet t’i rikthehen konkurrueshmërisë dhe të shmangin krijimin e borxheve të larta.

Share it :