Artan Cena
Prokuroria e Fierit kërkon burg për jetë për Emiljano Yzeirajn, i akuzuar për vrasjen e Jetmir Lazajt, krim i kryer në 13 janar të një viti më parë në Mallakastër
Lidhja e dashurisë që kishte me një grua të martuar ka bërë që një i ri të qëllojë me sëpatë në kokë bashkëshortin e të dashurës së tij, duke i sjellë edhe vdekjen e menjëhershme. Për këtë krim, Emiljano Yzeiraj rrezikon të dënohet me burgim të përjetshëm, masë e cila është kërkuar gjatë ditës së djeshme nga Prokuroria e Fierit. Yzeiraj është i akuzuar për vrasje me paramendim të Jetmir Lazajt, ngjarje e ndodhur në datën 13 janar të vitit 2014, në fshatin Kalenjë të Mallakastrës. Sipas hetimit dhe gjatë gjykimit, ka rezultuar se viktima është qëlluar me sëpatë, e cila i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme dhe shkak i vrasjes ishte fakti që autori kishte një lidhje intime me bashkëshorten e viktimës dhe ai ishte pengesë për vijimin e kësaj lidhjeje.
Hetimi i Prokurorisë
Gjatë hetimit është verifikuar fakti se Emiljano Yzeiraj ka kërkuar që të takojë Jetmir Lazajn më datë 13 janar 2014. Gjithashtu për Prokurorinë provë është edhe fakti se ky person e ka mohuar faktin që e njeh shtetasin Jetmir Lazaj dhe që të jetë takuar me këtë shtetas më datë 13 janar 2014. Po ashtu, Emiljano Yzeiraj ka njoftuar shtetasen Marsela Lazaj se kishte ardhur “budallai” në Aranitas, duke shfaqur përçmim ndaj tij. Një tjetër fakt është që Emiljano Yzeiraj pasi ka kryer veprën penale, i ka fshirë të gjitha fotografitë dhe mesazhet e dërguara nga shtetasja Marsela Lazaj. Prokuroria thotë se Emiljano Yzeiraj, pasi ka kryer veprën penale, nga ora 17:49 e në vijim nuk ka komunikuar më me të dashurën e tij, Marsela Lazaj. Tjetër provë për Prokurorinë është fakti që shtetasi Emiljano Yzeiraj kërkonte vazhdimisht besimin e shtetases Marsela Lazaj, që ajo të martohej dhe të kryenin marrëdhënie seksuale. Gjatë kësaj kohe, Yzeiraj shprehej se do ta rregullonte ai këtë punë apo muhabet, pasi Lazaj i shprehej se ajo ishte e martuar dhe me fëmijë. Prokuroria thotë se Emiljano Yzeiraj është parë nga shtetasi me inicialet I. A. rreth orës 14:40 në vendin e quajtur Thana e Vogël, ku do të kalonte më pas shtetasi Jetmir Lazaj. Po ashtu, Emiljano Yzeiraj është larguar menjëherë sapo ka konstatuar shtetasin Isa Avdulaj që po afrohej drejt vendit ku ndodhej ai dhe ka shpejtuar hapat që ky shtetas të mos e arrinte. Institucioni i akuzës thotë se personi me inicialet F. B. ka parë dy persona të cilët njiheshin dhe po bisedonin, ku personi që po ecte në këmbë mbante në dorë një sëpatë jo shumë të madhe, kishte lëkurë të bardhë, flokë të zeza, me balluke të ngritura lart, mbante veshur një bluze me ngjyrë jeshile të zënë, i cili ishte më i ri se shtetasi Jetmir Lazaj rreth 19-20 vjeç dhe kishte një gjatësi rreth 170-175 centimetra, të dhëna të cilat përputhen plotësisht me karakteristikat e shtetasit Emiljano Yzeiraj;
Ekspertimi i provave
Nga akti i ekspertimit traseologjik rezultoi se plagët janë shkaktuar nga një sëpatë, si dhe përmasat e plagëve përputhen me të dhënat teknike të sëpatës së sekuestruar në banesën e shtetasit Bledar Yzeiraj, e cila nuk ndodhej në banesën e këtij shtetasi në orën 15:30 të datës 13 janar 2014. Për akuzën, Emiljano Yzeiraj jo vetëm që ka kërkuar të takohej me shtetasin Jetmir Lazaj, por ka improvizuar edhe një situatë normale bisedash dhe gallate (lojë), ndërkohë që e përçmonte, tregon karakterin kriminal dhe qetësinë shpirtërore paraprake të një vrasësi gjakftohtë. Gjithashtu edhe shtetasi me inicialet B. B., para se të afrohej tek vendi ku ka gjetur të vdekur shtetasin Jetmir Lazaj, ka parë një djalë duke ikur me vrap në drejtim të fshatit Aranitas, ku banon Emiljano Yzeiraj, që tregon jashtë çdo dyshimi të arsyeshëm se ky është autori i vrasjes së shtetasit Jetmir Lazaj. Sipas prokurorit të çështjes, është ky person, i cili kishte interesin, mundësinë, mjetet, kohën, qetësinë e nevojshme shpirtërore dhe përçmimin për të goditur me sëpatë në kokë, jo një herë, jo dy herë, por tri herë Jetmir Lazajn.
Si përfundim, bazuar në faktet, rrethanat dhe provat e grumbulluara gjatë hetimeve paraprake, rezultoi se shtetasi Emiljano Yzeiraj është autori i figurës së veprës penale “Vrasje me paramendim” e kryer për interes.
Atentat me armë të riut në Has, autorët zhduken nëpër errësirë
Një plagosje me armë zjarri ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë në fshatin Letaj të Kukësit nga një person i paidentifikuar. Sipas policisë, i plagosur ka mbetur 27-vjeçari A. H., i cili ndodhet i shtruar në spital dhe në nën kujdesin e mjekëve. Gjatë dëshmisë së dhënë përpara oficerëve të policisë, 27-vjeçari ka thënë se nuk ka qenë në gjendje që të njohë atentatorin. “Isha duke shuar për në banesë. Në momentin që mbërrita në fshatin Letaj, për të shkuar në banesën time që ndodhet në fshatin Dobrunë, më qëlluan me armë zjarri. Nuk arrita që t’i identifikojë autorin e krimit sepse ishte errësirë. Ai më kishte bërë pritë kohë më parë”, – është kjo një pjesë e dëshmisë së dhënë përpara grupit hetimor. Burime nga policia bëjnë me dije se po punohet për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorit.
Pikaset duke vjedhur, hajduti qëllon me armë edhe ndaj policisë
Një 50-vjeçar ka tentuar të vjedhë në një banesë, por është pikasur nga e zonja e shtëpisë. Ngjarja ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të ditës së djeshme, në Marinëz të Elbasanit. Gruaja ka lajmëruar menjëherë policinë, e cila ka bërë të mundur arrestimin e Aleksandër Kuqaj. Por gjatë tentativës për t’i shpëtuar policisë, 50-vjeçari ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të efektivëve. Fatmirësisht, asnjë prej tyre nuk është lënduar, ndërsa Kuqaj u neutralizua nga uniformat blu. Gjatë aksionit për ndalimin e hajdutit, në cilësinë e provës materiale policia ka sekuestruar edhe armën, një çifte gjahu që Kuqaj e kishte me leje që prej vitit 1992. Ndaj 50-vjeçarit rëndon akuza e vrasjes së punonjësve të policisë të mbetur në tentativë, dhe vjedhje e mbetur po ashtu në tentativë.




