Krimi në Dukagjin/ Vrau çiftin çek për t’u marrë makinën, vihet në pranga pas dy ditësh Mjacaj

Artan Cena

 Vrau çiftin çek për t’u marrë makinën, vihet në pranga pas dy ditësh MjacajMë shumë se 350 forca policie në aksion në zonën e Dukagjinit për të arrestuar Sokol Mjacajn, të dyshuar për vrasjen e dy të rinjve nga Çekia, Michal Svatos dhe Anna Kasinovës

Autori i dyshuar i vrasjes së dy turistëve çekë, Michal Svatos dhe Anna Kasinovës, u kap gjatë tentativës për t’u larguar, në një banesë dykatëshe në fshatin Grudë e Re, ku qëndroi i fshehur për disa orë. Rreth 350 forca policore u angazhuan në operacionin për kapjen e të riut, pasi lokalizuan vendstrehimin e tij pranë një shkolle 9-vjeçare në fshatin Grudë e Re. Mësohet se një efektiv policie u lëndua lehtë gjatë aksionit për ndjekjen e autorit. Mjacaj konsiderohej si person me rrezikshmëri të lartë. Nga policia bëhet e ditur se nga gjurmët e gishtave në armë dhe brenda automjetit u zbulua se autori i krimit makabër të dy turistëve çekë është 20-vjeçari Mjacaj nga Dukagjini. Motivi, sipas policisë, dyshohet të jetë grabitja e makinës së çekëve. Nga hetimet rezulton se i riu ka qenë i dënuar më parë për vjedhje me pasojë vdekjen e një fëmije në bashkëpunim, ngjarje kjo e ndodhur në vitin 2010. Pasi kreu 5 vite dënim, 20-vjeçari Mjacaj doli nga burgu para 1 muaji.

 

Mjacaj pranon vrasjen

20-vjeçari Sokol Mjacaj ka pranuar para hetuesve në ambientet e policisë së Shkodrës se është ai autori i vrasjes së 2 turistëve çekë mbrëmjen e së premtes. Ai ka treguar se u fut në makinën e turistëve nën kërcënimin e armës në fshatin Lotaj. Sipas tij pranë fshatit Prekal, çeku Michal Svatos tentoi t’i merrte armën dhe ky ka qenë momenti që ai e ka shkrepur kallashin ndaj të dyve. Sipas policisë, Mjacaj është personi i cili i ka marrë jetën turistëve çek Michael Svatos dhe Anna Kasinovës. Një akuzë e tillë është e vërtetuar shkencërisht, – thotë policia, – përmes gjurmëve që i riu ka lënë në brendësi të makinës, por edhe armës së krimit me të cilën qëlloi pas koke turistët. Dyshohet se janë gjurmët e gjakut dhe të gishtërinjve që policia ka gjetur në fuoristradën e çekëve që kanë “fundosur” autorin e ri në moshe.

 

Arrestimi i të dyshuarit

Policia ka mundur të arrestojë të dyshuarin për vrasje, Sokol Mjacaj rreth orës 16:00 të ditës së djeshme dy ditë pas vrasjes së turistëve çek në një aksion të nisur nga mbrëmja e së shtunës, autorin që ekzekutoi me kallashnikov dy të rinjtë nga brenda makinës së tyre. 20-vjeçari, Sokol Mjacaj lindur dhe banues në fshatin Lotaj të Dukagjinit u kap në një banesë dykatëshe ne fshatin Grude e Re ku rreth 350 forca te policisë lokale, FNSH-se, RENEA-s e njësitë snajper e kishin lokalizuar. 20-vjeçari Sokol Mjacaj ka pranuar para hetuesve në ambientet e policisë së Shkodrës se është ai autori i vrasjes së 2 turistëve çekë mbrëmjen e së premtes. Ai ka treguar se u fut në makinën e turistëve nën kërcënimin e armës në fshatin Lotaj.

 

Tahiri: Duhet të ishte në burg

Ministri i Punëve të Brendshme, Saimir Tahiri, ka përshëndetur arrestimin e autorit të vrasjes së dy turistëve çekë në Dukagjin dy ditë më parë. Tahiri, në një status në “Facebook”, falënderon punonjësit e Policisë së Shtetit dhe banorët e Dukagjinit për këtë realizimin e operacionit në kohë rekord. Por, ana tjetër Tahiri akuzon dhe drejtësinë duke thënë se Sokol Mjacaj duhet të ishte ende në burg. “Faleminderit policisë dhe banorëve të Dukagjinit për arrestimin në kohë rekord të njeriut që ndoshta duhet të ishte ende në burg për krimet e mëparshme, e jo të vriste përsëri”, – shprehet Tahiri.

 

Çako: Po kërkojmë për bashkëpunëtorët e Mjacajt

Pas arrestimit të Sokol Mjacaj policia po heton nëse ai ka pasur bashkëpunëtorë në kryerjen e vrasjes së dy turistëve çekë mbrëmjen e së premtes. Lajmi bëhet i ditur nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shteti, Haki Çako, i cili tha gjithashtu se në zonën e Dukagjinit do të ketë shtim të masave policore. Drejtori i Policisë deklaroi se po merret në analizë se në ç’kushte ka dalë nga burgu 20-vjeçari i dënuar për një vrasje në bashkëpunim në 2010. Çako falënderoi uniformat blu që morën pjesë në arrestimin e autorit dhe banorët e zonës ndërkohë i shprehu ngushëllime familjarëve të 2 turistëve çekë që humbën jetën në këtë ngjarje. Drejtori i Policisë së Shtetit garantoi gjithashtu turistët se në këtë zonë nuk do të ketë probleme.

 

Autopsia: I riu Svatosh u qëllua me disa plumba, vajza me 1 në kokë

Trupat e dy shtetasve çekë, të vrarë në Prekal të Dukagjinit, iu nënshtruan ekspertizës nga tre mjekët të Institutit të Mjekësisë Ligjore, të cilët konstatuan plagë të shumta. Mjekët thanë se 27-vjeçari Michael Svatosh ka dy plumba nga pas kokës dhe disa të tjerë në trup, ndërsa 36-vjeçarja Ana Kasinova ka një plumb në kokë që i ka shkaktuar vdekjen e menjëhershme. Trupat e dy viktimave, sipas mjekëve kanë edhe plagë të tjera, të shkaktuara nga plumbat, ciflat e xhamit dhe rënia i makinës. Në kryerjen e ekspertizës mjekësore, ka marrë pjesë edhe oficeri kontaktit i Ambasadës Çeke i shoqëruar nga përfaqësuesit e prokurorisë dhe Policisë së Shtetit të cilët kanë ndjekur nga afër të gjithë procedurën e autopsisë. Zyrtarisht thuhet se kanë përfunduar të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore të trupave të dy viktimave dhe pritet vetëm marrja e tyre nga familjarët apo ambasada çeke për të kryer ceremoninë mortore. Prokuroria dërgoi në laboratorin e policisë shkencore armën e llojit “Kallashnikov” të gjetur në makinën, tip “Nissan Patrol” me të cilën po udhëtonin dy turistët çekë dhe karikatorin e gëzhojat e gjetura brenda dhe jashtë mjetit të batuar.

 

 

Share it :