Krimi! i komanduar nga qelia, si sfidohen burgjet shqiptare nga të dënuarit e rrezikshëm

Krimi! i komanduar nga qelia, si sfidohen burgjet shqiptare nga të dënuarit e rrezikshëm

Në teori, burgu është fundi i rrugës për atë që kryen një krim. Një vend ku liria ndalet dhe ku fillon kontrolli.

Por për disa, muret dhe hekurat nuk janë barriera. Janë vetëm disa pengesa të përkohshme, që herë pas here përpiqen t’i thyejnë e në ndonjë rast edhe të mos i konsiderojnë fare.

Në dosjet e sistemit të burgjeve, ekziston një kategori e veçantë të dënuarish e të paraburgosurish. Jo më të dhunshmit por më të vendosurit. Ata që nuk kanë shfaqur pendesë. Ata që nuk kanë pranuar autoritetin.

Dhe mbi të gjitha ata që nuk kanë ndalur kurrë së provuari. Qoftë komunikimin me botën jashtë e kryesisht me bashkëpunëtorët e tyre, qoftë për të fituar lirinë, duke marrë parasysh çdo rrezik.

Arratisja, për ta, nuk është një rast. Është një ide në mendjen e tyre që rikthehet në mënyrë të vazhdueshme edhe kur ndodh të dështojë
Disa kanë tentuar të thyejnë muret. Të tjerë kanë gjetur mënyra për t’i anashkaluar ato. Edhe nga brenda qelisë kanë vazhduar të komunikojnë, të organizojnë, të veprojnë. Përballë tyre, shteti ka ndërtuar një regjim ekstrem. Izolim total. Kontroll absolut.

Një përpjekje për të ndërprerë çdo lidhje me botën jashtë. Por as ky izolim nuk është i përjetshëm. Madje është thjeshtë fizik. Një mendje që nuk dorëzohet, rrallë ndodh që të izolohet.

Ata duket se janë më të pabindurit e burgjeve. Ata që nuk ndalen. Ata që sfidojnë sistemin edhe kur janë të bllokuar brenda tij.

SISTEMI QË SFIDOHET

Nga fundi i viteve ’90 e deri sot, hetimet kanë zbuluar një fenomen shqetësues. Urdhra për vrasje, atentate me eksploziv, rrëmbime dhe trafik droge që dyshohet se janë dhënë nga brenda burgjeve.

Në disa dosje, bosët e krimit vazhdojnë të drejtojnë organizatat e tyre nga qelia. Përmes telefonave të futur ilegalisht, përmes ndërmjetësve në liri apo përmes një rrjeti besnikësh që zbatojnë urdhrat në terren. Nga vrasjet me pagesë të zbuluara në Shkodër, tek atentatet me tritol në Tiranë e shumë qytete të tjera. Nga rrjetet e trafikut të drogës që shtrihen deri në Europë dhe Amerikën Latine e deri tek hetimet më të fundit të Prokurorisë.

Në të gjitha këto histori shfaqet e njëjta hije, krimi që komandohet nga qelia. Si është e mundur që një i dënuar të vazhdojë të drejtojë organizatën e tij? Kush janë njerëzit që zbatojnë urdhrat jashtë burgut? Dhe sa realisht kontrollon shteti brenda mureve të burgjeve?

Kjo është historia e një fenomeni që prej më shumë se dy dekadash ngre të njëjtën pyetje: A është burgu fundi i krimit apo vetëm një zyrë tjetër nga ku ai vazhdon të drejtohet?

Drejtori i Policisë së Burgjeve, Paulin Rrajta, ka dhe një shqetësim tjetër. Shqetësim që lidhet me vitet e fundit, për të burgosur për vepra të rënda penale që ka arrestuar SPAK. Duket se ata janë edhe më problematikët sa i takon qetësisë brenda burgje. Për shkak se besojnë, që me paratë e tyre mund të blejnë gjithçka edhe brenda mureve të qelive.

Kontigjenti, ka 2-3 vite, me funksionimin e SPAK-ut, ai kontigjent që po vjen ka shumë prej tyre, që kanë kryer shumë vepra penale të rënda në vite, me shumë lidhje jashtë, me moshë të re, por edhe me para. Këta gjithmonë intimidojnë. Mundohen të intimidojnë. Por ju garantoj që asnjë mbi ligjin nuk është.

Që nga viti 2020, kur nisi të vihej në zbatim regjimi “41 Bis”, motivi i izolimit të disa prej të burgosurve ka qenë mbajtja e kontakteve që ata kishin me protagonistë të krimit jashtë burgut. Madje në disa prej rasteve, arsyeja e izolimit të tyre në këtë regjim ka qenë dyshimi se ata porosisnin ngjarje kriminale nga brenda qelive. Ky aktivitet ka vijuar për vite me radhë. Madje bëhet i qartë nga Prokuroria e Posaçme edhe në raportin vjetor për vitin 2025, ku theksohet se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ka kërkuar që 9 të dënuar të vendosen në regjimin e posaçëm. Ndërsa nga drejtuesi i SPAK janë paraqitur 11 kërkesa të tilla, të miratuara nga ministri i Drejtësisë.

SPAK në raportin për vitin 2025

Nga drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme janë paraqitur 11 kërkesa për vendosjen në regjim të posaçëm për 11 të dënuar, për të cilët ministri i Drejtësisë ka vendosur miratimin e tyre. Nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve është kërkuar vendosja në regjimin e posaçëm për 9 të dënuar, ku për 4 prej tyre Prokuroria e Posaçme ka vendosur mosfillimin e procedurës për vendosjen në regjim të posaçëm, ndërsa 5 të dënuar jemi në proces verifikimi.

Por sot, në regjimin e posaçëm nuk është izoluar asnjë i burgosur. Ata që kanë qenë më herët e kanë përfunduar afatin e qëndrimit në qelitë e sigurisë së lartë dhe i janë rikthyer normalitetit brenda burgjeve.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Nuk kemi aktualisht. Por në çdo kohë duhet të plotësohen disa kushte ligjore, se cilët persona mund të futen, siç janë pjesëtarët e organizatave kriminale, bandave kriminale, pjesëtarë që kanë kryer apo tentojnë të kryejnë akte terroriste, veprime të dhunshme. Duhet të plotësojnë disa kushte ligjore ata njerëz që mund të futen në regjim të posaçëm.

Të izolosh në burg një kriminel, nuk do të thotë domosdoshmërisht se e ke izoluar nga jeta kriminale që bënte jashtë. Edhe pse në fakt qëllimi ky duhet të jetë. Përkundrazi. Historia ka treguar se shumë kriminelë që janë çuar pas hekurave, janë fuqizuar edhe më shumë aty brenda. Kane drejtuar linja të trafikut ndërkombëtar të drogës, kanë urdhëruar pengmarrje e vrasje dhe janë kthyer në kapo të grupeve të strukturuara kriminale. Për vite me radhë futja e një celulari në qeli nuk ka qenë kurrë problem. Brenda 4 mureve të një dhome burgu, të dënuar për krime nga më të rëndat kanë mbajtur kontakte me botën jashtë me anë të celulareve, që nga më të thjeshtët e deri tek spartphon-ët. Bllokuesit e valëve apo edhe të internetit nuk kanë funksionuar qëllimisht në shumicën e rasteve.

Kushte të tilla që u krijoheshin të dënuarve, duke i kthyer në persona të rrezikshëm, si brenda ashtu edhe jashtë burgut, sollën domosdoshmërinë e krijimit të “41 Bis”. Aty do të izolohej edhe Sokol Mjacaj ditën kur realizoi vrasjen në burg. Vrasje që u përshpejtua të kryhej pikërisht pasi ai mori lajmin se do të izolohej në regjimin e posaçëm. Por se cila ishte shkelja që ai kishte kryer dhe arsyet se përse ai do të izolohej aty, kjo mbetet sekret. Me siguri ka pasur informacion, ndoshta edhe krimin që do të kryente. Kjo nuk thuhet, jo vetëm sepse është sekret, por nuk është më në dobi të askujt për aq kohë sa ngjarje nuk u parandalua.

Informacioni që shoqëron dosjen e një të dënuari kur merret vendimi për ta izoluar në “41 Bis” është aq i klasifikuar sa me të nuk njihet, jo vetëm avokati i të dënuarit, por as Gjykata. I pari që e ktheu në çështje këtë problem, ishte i dënuari Emiljano Shullazi, i cili përmes avokatit të tij iu drejtua Gjykatës. Ai pretendonte se ishte shkalur parimi i barazisë së armëve.

Gjykata Kushtetuese, me vendimin nr. 05, datë 22.02.2022, ka vendosur: Konstatimin e cenimit të së drejtës për proces të rregullt ligjor gjatë gjykimit të ankimit ndaj urdhrit nr. 253, datë 28.7.2020 të ministrit të Drejtësisë “Për vendosjen në regjimin e posaçëm të ushtrimit të të drejtave në burgun e sigurisë së lartë për të paraburgosurin Emiljano Shullazi”, si pasojë e mosrespektimit të parimit të kontradiktoritetit.

Shkelja ka të bëjë me cenimin e së drejtës për një proces të rregullt ligjor në drejtim të garantimit të parimit të kontradiktoritetit në gjykim, duke u fokusuar posaçërisht në faktin e mungesës së shqyrtimit të elementeve substanciale të urdhrit nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë, që nuk u konstatua dhe nuk u rregullua as nga Gjykata e Posaçme e Apelit ose Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, pavarësisht kërkesave të vazhdueshme të kërkuesit për vlerësimin nga gjykatat të urdhrit të ministrit të Drejtësisë, me qëllim që, të paktën ato të njiheshin me përmbajtjen e këtyre akteve.

TË DËNUARIT E “PATHYESHËM”

Situata e sigurisë është në normalitet, me gjithë sfidat që ka çdo ditë Policia e Burgjeve në zbatim të ligjit. Sistemi në tërësi është nën kontrollin e ligjit. Individë të caktuar, personazhe të caktuar, me rrezikshmëri të lartë, janë nën kontrollin e ligjit dhe të forcave të sigurisë.

Brenda mureve të burgjeve të sigurisë së lartë, shteti shqiptar po zhvillon një betejë tjetër me krimin e organizuar. Jo më në rrugë, por në qeli.

Në vitet e fundit, SPAK, Ministria e Drejtësisë dhe strukturat e sigurisë në burgje kanë kërkuar izolimin në regjimin e posaçëm “41-bis” të disa prej emrave më të njohur të botës së krimit, duke argumentuar se edhe pas hekurave ata kanë vijuar të ruajnë kontakte me organizata kriminale, të përdorin telefona të fshehtë dhe të cenojnë sigurinë e institucioneve të burgjeve. Në dosjet për Nikolin Topallin, Aleksandër Llanajn, Anterio Kaloshin dhe Klement Çalën përshkruhen episode të përsëritura të gjetjes së celularëve, komunikimeve të dyshuara me jashtë, përplasjeve me personelin dhe ndikimit ndaj të burgosurve të tjerë. Autoritetet pretendojnë se këta të dënuar, pavarësisht izolimit në sektorët e sigurisë së lartë, kanë arritur të krijojnë rrjete komunikimi dhe bashkëpunimi edhe nga brenda burgjeve. Pikërisht mbi këtë bazë, SPAK ka argumentuar se regjimi i posaçëm nuk është thjesht një masë disiplinore, por një mekanizëm për të ndërprerë lidhjet mes qelive dhe botës së krimit jashtë tyre.

Ekspozimi më i madh që shpjegonte edhe një lloj mekanizmi se si funksiononte krimi nga burgu ndodhi më 2 shkurt të vitit 2022. Një operacion i realizuar nga Policia e Elbasanit, në bashkëpunim edhe me atë të Tiranës dhe Korçës, goditi një grup me zyrtarë të burgjeve, të dënuar për krime të rënda dhe familjarë të tyre, që porosisnin nga qelitë futjen e drogës brenda burgjeve, por jo vetëm. Sipas hetimeve, ky bashkëpunim mes shefave të policisë së burgjeve dhe të dënuarve e paraburgosurve, i kishte kthyer qelitë në vatra të drogës dhe organizimeve të paligjshme të lojërave të fatit. Gjatë operacionit që u kodua “Trinom”, u ekzekutuan 28 urdhër arreste. Por nga ana tjetër, operacioni zbuloi se si as regjimi i posaçëm 41 Bis, që u ndërtua për të shmangur kontaktet e bosëve të krimit me grupet kriminale, të paktën në këtë hetim nuk kishte funksionuar.

Aleksandër Llanaj, i cili në atë kohë ndodhej në burgun 313 në Tiranë, i akuzuar për tri vrasje dhe që ndodhej i izoluar në 41 Bis, rezultoi se kishte thyer edhe këtë regjim. Duke korruptuar policët e burgjeve, Llanaj ka drejtuar futjen e drogës në qeli dhe është kujdesur të organizojë edhe lojërat e fatit për të burgosurit si në “313” ashtu edhe në institucionet e tjera të vuajtjes së dënimit ku ishte shtrirë aktiviteti i paligjshëm, si në Vlorë, Elbasan, dhe 2 burgje të sigurisë së lartë, në burgun e Peqinit dhe të Drenovës.

Sipas materialeve të administruara nga SPAK, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe Institucionet e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Aleksandër Llanaj konsiderohet një i dënuar me rrezikshmëri të lartë, ndaj të cilit plotësohen kushtet për aplikimin e regjimit të posaçëm “41-bis”, për shkak të sjelljes së përsëritur problematike dhe aftësisë për të cenuar sigurinë në burgje. Sipas autoriteteve, ai ka përdorur telefona celularë për të komunikuar me persona jashtë burgut dhe me të dënuar të tjerë në institucione të ndryshme, duke krijuar rrjete komunikimi të paligjshme edhe gjatë vuajtjes së dënimit në sektorët e sigurisë së lartë. Në dokumentacion përmenden dyshime të vazhdueshme se ai ka arritur të thyejë sistemin e sigurisë së burgjeve për të futur pajisje komunikimi dhe për të ruajtur lidhje me elementë kriminalë jashtë institucioneve e burgjeve.

Gjithashtu, ai është përshkruar si person me sjellje dominuese ndaj të burgosurve të tjerë, nxitës i protestave dhe refuzimit të ushqimit në burgun e Burrelit, si edhe i përfshirë në konflikte verbale e fizike me të dënuar dhe punonjës sigurie. Edhe pse gjatë periudhave të caktuara në regjimin e posaçëm nuk janë konstatuar incidente të reja, institucionet ligjzbatuese kanë vlerësuar se historia e tij disiplinore, precedentët penalë të kryer brenda burgut dhe aftësia për të organizuar komunikime të ndaluara tregojnë rrezik të vazhdueshëm për rendin dhe sigurinë, ndaj izolimi në regjimin e posaçëm konsiderohet i nevojshëm për të penguar kontaktet me botën kriminale dhe për të ruajtur kontrollin në institucionet e burgjeve.

Një personazh që konsiderohet problematik për burgjet është edhe miku dhe bashkëpunëtori i Laert Haxhiut, Anterio Kaloshi. Sipas materialeve të administruara nga SPAK dhe Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, Anterio Kaloshi u konsiderua subjekt që plotëson kushtet për t’u vendosur në regjimin e posaçëm “41-bis”, për shkak të rrezikshmërisë së lartë dhe dyshimeve se vazhdonte të cenonte sigurinë e burgjeve edhe gjatë vuajtjes së dënimit. Kaloshi është dënuar me burgim të përjetshëm nga GJKKO për një sërë veprash të rënda penale, mes tyre vrasje në rrethana cilësuese, grup i strukturuar kriminal, armëmbajtje pa leje, prishje të qetësisë publike dhe vjedhje me dhunë në bashkëpunim. Në argumentimin e SPAK thuhet se ai ka shfaqur sjellje agresive ndaj personelit të burgjeve dhe bashkëvuajtësve, duke krijuar probleme të vazhdueshme për rendin dhe sigurinë në institucionet e burgjeve. Një nga episodet kryesore që u përdor si bazë për kërkesën ishte ngjarja e 18 korrikut 2023 në IEVP Korçë, ku gjatë një kontrolli në dhomën ku qëndronte bashkë me Orges Bilbili u gjetën dy telefona celularë të fshehur pranë dritares, çka solli nisjen e një procedimi penal për futje dhe mbajtje sendesh të ndaluara në burg. Nga analizimi i pamjeve filmike rezultoi se në dhomë nuk kishte hyrë askush tjetër me sende të dyshimta, ndërsa SPAK argumentoi se ekziston dyshimi i arsyeshëm që Kaloshi përdorte pajisje komunikimi për kontakte me persona jashtë burgut dhe me individë të lidhur me organizata kriminale. Sipas Prokurorisë së Posaçme, për shkak të profilit kriminal të tij, akuzave për pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe sjelljes së vazhdueshme në burg, ekzistonte rreziku që ai të mbante kontakte me organizata kriminale, të krijonte aleanca apo konflikte me grupe të tjera dhe të ndikonte tek të burgosurit e tjerë. Për këtë arsye u vlerësua se vendosja e tij në regjimin e posaçëm ishte e nevojshme për të parandaluar komunikimet me botën kriminale dhe për të garantuar rendin e sigurinë në institucionet e burgjeve.

Një tjetër i dënuar që ka provuar regjimin e posaçëm është edhe Klemenc Çala. Sipas SPAK, Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve ligjzbatuese, Klement Çala u vendos në regjimin e posaçëm “41-bis” për një periudhë njëvjeçare, pasi u vlerësua si person me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore dhe me aftësi për të cenuar vazhdimisht sigurinë e sistemit penitenciar. Çala po vuan një dënim prej 20 vitesh burg për grabitjen në pistën e avionëve në Rinas në vitin 2019, , armëmbajtje pa leje, grup të strukturuar kriminal dhe falsifikim dokumentesh, ndërsa në të kaluarën është hetuar dhe për ngjarje të tjera të rënda kriminale, përfshirë akuza për vrasje dhe veprimtari kriminale në kuadër të organizatave kriminale. Sipas autoriteteve, ai ka krijuar kushte të vazhdueshme për futjen dhe përdorimin e pajisjeve të komunikimit brenda burgjeve, me qëllim ruajtjen e kontakteve me persona jashtë institucionit dhe me pjesëtarë të botës kriminale. Në vitin 2021, gjatë një kontrolli në IEVP “Jordan Misja”, në dhomën ku qëndronte me vëllain e tij Eldi Çala, u gjetën tre telefona celularë, njëri prej të cilëve rezultoi i kriptuar me sistem të posaçëm sigurie, çka sipas SPAK tregonte përdorim të komunikimeve të sofistikuara me persona jashtë burgut. Për këtë episod ai u dënua përfundimisht me 1 vit e 4 muaj burg për futje dhe mbajtje të sendeve të ndaluara në institucionet e burgjeve. Një tjetër episod i rëndësishëm lidhet me ngjarjen e nëntorit 2023 në IEVP Peqin, ku nga pamjet filmike të administruara nga Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm u evidentuan disa të dënuar të grumbulluar në ambientet e burgut, ndërsa Klement Çala shfaqej duke mbajtur në dorë një send të dyshuar si telefon celular; më pas gjatë kontrolleve u sekuestruan pajisje USB dhe lëndë të dyshuara alkoolike. Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, Çala konsiderohet person me tendencë të vazhdueshme për t’u përfshirë në aktivitete kriminale edhe gjatë vuajtjes së dënimit, duke bashkëpunuar me pjesëtarë të grupeve kriminale dhe duke përdorur komunikime të paligjshme për të ruajtur lidhjet me botën e krimit. Autoritetet argumentuan se organizimi i kontakteve me të dënuar të tjerë, përdorimi i telefonave të kriptuar dhe sjelljet që cenojnë rendin e sigurinë në burgje krijojnë dyshime të arsyeshme se ai mund të vazhdojë aktivitetin kriminal edhe nga brenda institucionit, ndaj izolimi në regjimin e posaçëm u konsiderua i domosdoshëm për të ndërprerë komunikimet me organizatat kriminale dhe për të garantuar sigurinë në sistemin e burgjeve.

TENTATIVAT PËR ARRATISJE

Që në momentin kur një personi i vendosen prangat dhe izolohet në burg, mendimi i tij i vetëm është liria.

E në kushtet kur qëndron i izoluar për një kohë të gjatë, hetimi zgjatet dhe nuk merret një vendim, kur rrezikon shumë vite burg, apo qoftë edhe kur nuk ka besim te drejtësia e pretendon se është i pafajshëm, sërish mendon lirinë.

E mendon në çdo formë, duke marrë parasysh çdo risk. Thur plane arratisje që edhe në rast se dështojnë, i tenton sërish.

Disa nuk i realizojnë dot, por ndodh që në një moment arratisja realizohet.

Me bashkëpunim apo për neglizhence, kjo i mbetet në dorë hetimit. Por fakti i vetëm është vetë ngjarja. Arratisja.

Një nga të dënuarit që konsiderohet problematik në këtë drejtim dhe që nuk heq dorë nga tentativa për të sfiduar burgun, është Fatmir Pjetri.

Më 8 gusht të vitit 2021, Pjetri bashkë me Arbër Çekajn u rebeluan dhe tentuar të arratisen nga burgu i sigurisë së lartë “313” në Tiranë. Tentativa e arratisjes ndodhi rreth orës 15:00. Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, njëri i dënuar për drogë e tjetri për grabitje, kanë shfrytëzuar orarin e ajrimit për të organizuar këtë tentativë duke përdorur çarçafë si litarë të improvizuar. Burime nga Drejtoria e Burgjeve thanë në atë kohë se qëllimi i tyre ka qenë mbërritja në zonën që përdoret si hyrje nga ana e punonjësve të administratës së burgut. Gjithsesi ata janë kapur në flagrancë nga autoritetet e vuajtje së dënimit. Megjithatë, gjatë kohës që po i ndalonin, dy të dënuarit nuk janë bindur lehtë, duke goditur një punonjës të sigurisë, i cili është dërguar për të marrë ndihmën e nevojshme. Ndërsa mësohet se për planin e tyre të arratisjes, ata janë ndihmuar nga një i dënuar tjetër, i cili për të tërhequr vëmendjen e gardianëve ka tentuar të presë damarët.

Arbër Çekaj është arrestuar nga Policia në vitin 2018 në Gjermani, nga ku më pas u ekstradua, pasi në kontejnerët e kompanisë së tij “Arbri Graden”, ishte sekuestruar një sasi rekord kokaine, më konkretisht 613 kilogramë. Asokohe rezultoi se Çekaj të ishte larguar nga Shqipëria tri ditë para se të sekuestrohej kokaina në Portin e Durrësit. Sipas sistemit TIMS, ai është nisur nga Rinasi me destinacion Gjermaninë, pasi në këtë vend udhëtonte shpesh. Pasi mjeti dhe kontenieri kanë qëndruar në port për 19 ditë, shoferi Armando Pezaku dhe menaxheri i “Arbri Garden”, Donaldo Lushaj janë paraqitur për të kryer zhdoganimin. Siç thuhet në dosje, ky proces ka zgjatur katër orë, ku dhe është konstatuar nga hetimi doganor shqiptar që ka njoftuar menjëherë autoritetet për dyshimet. I burgosuri tjetër që ka tentuar të arratiset ishte Fatmir Pjetri. Ai ka qenë pjesëtar i “bandës së babagjyshërve”. Fillimisht ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë me vendimin penal të vitit 2018, e ka dënuar me 30 vjet burg për veprat penale “Vjedhja me armë e kryer në bashkëpunim”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe “Grupi i strukturuar kriminal”. Fatmir Pjetri ka qenë pjesë e një grupi kriminal (babagjyshët) që gjatë periudhës Janar-Dhjetor të vitit 2013 dhe në vazhdim, në qytetet e Tiranës, Laçit, Fushë-Krujës, Kuçovës dhe Durrësit kanë grabitur me armë disa argjendari në këto qytete.

Në dosjet e administruara nga SPAK dhe Ministria e Drejtësisë, rasti i Fatmir Pjetri paraqitet si një nga shembujt më problematikë të të dënuarve që, sipas autoriteteve, edhe gjatë vuajtjes së dënimit kanë vijuar të cenojnë rendin dhe sigurinë në burgje. I dënuar për vepra penale të lidhura me grupin e strukturuar kriminal dhe i konsideruar person me rrezikshmëri të lartë, Pjetri u vendos në regjimin e posaçëm “41-bis” me argumentin se sjellja e tij në institucionet e burgjeve tregonte tendencë të vazhdueshme revolte, kundërshtimi dhe destabilizimi të rregullit të brendshëm.

Sipas materialeve të paraqitura në gjykatë, ndaj tij janë dokumentuar episode të përsëritura incidentesh në ambientet e burgut “Mine Peza”. Në gusht të vitit 2023, ai u përfshi në disa ngjarje disiplinore që sipas administratës së burgut lidhen me sjellje agresive dhe akte sfiduese ndaj autoritetit. Në një rast hodhi ushqimin në korridor duke pretenduar se ishte i papërshtatshëm për konsum, ndërsa në një tjetër goditi derën e dhomës së veçimit duke kërkuar komunikim telefonik. Në raportet e incidentit përshkruhet se ai prishte qetësinë në sektor dhe refuzonte urdhrat e personelit të sigurisë. Për këto episode u ndëshkua me masa disiplinore si përjashtim nga aktivitetet e përbashkëta dhe ajrosja në grup.

Por sipas SPAK, shqetësimi kryesor nuk lidhej vetëm me sjelljet problematike brenda qelisë. Prokuroria argumentonte se Pjetri konsiderohej person me potencial për të mbajtur kontakte me organizata kriminale dhe për të bashkëpunuar me të dënuar të tjerë në veprime që cenojnë rendin dhe sigurinë e burgjeve. Në arsyetimin e kërkesës për izolim, thuhet se ai kishte shfaqur në mënyrë të vazhdueshme tendenca revolte dhe kundërshtimi ndaj autoritetit, ndërsa ekzistonte dyshimi i arsyeshëm se mund të komunikonte apo të bashkëpunonte me elementë të botës kriminale edhe gjatë vuajtjes së dënimit.

Në dosje përmendet edhe tentativa e arratisjes, një episod që sipas autoriteteve e vendosi atë në qendër të vëmendjes së strukturave të sigurisë. Sipas dokumenteve të administruara, vetë i dënuari kishte deklaruar se do të tentonte të arratisej sa herë t’i jepej mundësia.

Fatmir Pjetri

I kam thënë ato fjalë. E di kontekstin si i kam thënë. I kam thënë do bëj çmos të iki nga ky burg, që ishte 302. Nga regjimi bis më çuan në burgun 302, pa ajrosje, pa dritare, pa komunikim me të burgosurit e tjerë. Doja të ikja nga ai burg, doja të ikja. Kam thyer lavamanë, ç’ka s’kam bërë. Nuk jam i papërgjegjshëm. Me datë 5 tetor 2023 më kanë transferuar në Burrel. Nga data 5 tetor dhe deri në 5 prill, për 6 muaj nuk kam marrë asnjë masë. Doja të ikja në burg. Doja kushte, ushqimi nuk hahet, ajrim nuk kam. Tani në 41 Bis kam thyer dy dhoma, dy televizorë, dy tualete. Nuk më pyeti njeri se pse po i bëja këto veprime. Unë po kërkoj të drejtën time.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

E vërtetë edhe unë kam qenë drejtor te burgu “Jordan Misja” në atë kohë, ai ishte në regjimin e posaçëm dhe ma ka deklaruar edhe mua. Dhe përgjigja ime ka qenë: Ti do tentosh, ne do të mbajmë në mbikëqyrje dhe s’do ta realizosh dot. Dhe kjo është e vërteta se si mbahen në mbikëqyrje të tillë personazhe të botës së krimit.

Pikërisht ky element, bashkë me historikun disiplinor, sjelljet agresive dhe profilin kriminal, u përdor nga SPAK si argument për të kërkuar izolimin e tij në regjimin e posaçëm për një periudhë njëvjeçare. Në prill të vitit 2024, Ministria e Drejtësisë firmosi urdhrin për vendosjen e Fatmir Pjetrit në regjimin “41 Bis” në IEVP Peqin, duke argumentuar se masa ishte e nevojshme për të parandaluar komunikimet me organizata kriminale, për të ruajtur sigurinë në burgje dhe për të shmangur rrezikun e incidenteve të tjera të rënda apo tentativave të reja për arratisje.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Një nga mënyrat që thatë edhe ju, personazhe me risk të lartë, që kanë tentative arratisjeje, apo që kanë lidhje jashtë, bashkëpunojnë me grupe jashtë burgut, me bashkëpunëtorët e tyre, ata që janë të dhunshëm, një nga mënyrat për t’i mbajtur nën kontroll është kufizimi i lirisë dhe ligji. Dhe një nga regjimet e sigurisë së lartë është edhe regjimi i posaçëm. Pikërisht për këta individë është edhe regjimi i posaçëm.

Regjimi “41 Bis” konsiderohet si një mundësi për të kufizuar të gjitha këto mundësi, qoftë edhe tentativat e arratisjeve të të dënuarve, por edhe ndalimin e kontakteve me të burgosurit e tjerë. Gjithashtu, komunikimi i tyre me familjarët është më i filtruar, për të shmangur çdo mundësi të tillë. Megjithatë nuk ka ende një siguri, nëse ky regjim po i thyen të burgosurit, apo po i forcon.

ARRATISJET NGA BURGJET

Arratisja e 7 të dënuarve nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës, mbrëmjen e 23 nëntorit 2013, konsiderohet edhe sot si një nga ngjarjet më të rënda dhe më të organizuara në historinë e sistemit të burgjeve shqiptare. Shtatë persona të dënuar për krime të rënda, mes tyre Admir Tafili, Fran Marashi, Gëzim Guri, Gëzim Toma, Reiz Haxhiraj, Eduard Lula dhe Artur Gora, arritën të çajnë sigurinë e një prej burgjeve më të fortifikuara në vend, në një operacion që ngjante më shumë me një plan të mirëorganizuar kriminal sesa me një arratisje spontane.

Sipas të dhënave të bëra publike më pas nga hetimet, gjithçka ishte menduar deri në detaje. Pak minuta para arratisjes, rreth orës 19:25, në qytetin e Korçës u regjistrua një shpërthim i fuqishëm i shoqëruar me të shtëna armësh. Dyshohet se kjo ngjarje ishte organizuar për të larguar vëmendjen e policisë dhe forcave të sigurisë nga burgu, por edhe si një sinjal për të burgosurit që të nisnin planin e arratisjes. Brenda institucionit, të dënuarit kishin arritur të siguronin armë zjarri, përfshirë pistoleta dhe kallashnikovë, të cilat dyshohet se ishin futur në burg të fshehura brenda një frigoriferi. Me këto armë ata çarmatosën rojet, prenë hekurat me sharra dhe dolën jashtë ambienteve të sigurisë së lartë, ndërsa jashtë burgut i prisnin persona të tjerë që dyshohet se kishin rol në organizimin e operacionit.

Pas daljes nga burgu, të arratisurit u ndanë në tre grupe dhe u larguan me tre automjete të ndryshme për të humbur gjurmët. Arratisja ngriti menjëherë në alarm të gjithë strukturat e sigurisë në vend. Rreth 400 forca policie, efektivë të RENEA-s dhe Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë u angazhuan në operacionin për kapjen e tyre, ndërsa në disa akse rrugore, si Korçë-Pogradec, Përrenjas, Librazhd dhe Elbasan, u ngritën postblloqe të shumta kontrolli. Paralelisht, autoritetet shqiptare njoftuan homologët grekë dhe maqedonas, duke shpërndarë fotot e të arratisurve nga frika se ata mund të tentonin të kalonin kufirin.

I pari që ra në prangat e policisë ishte Artur Gora, i cili u arrestua vetëm pak orë pas arratisjes në aksin rrugor Ersekë–Korçë. Ndërkohë, një ditë më vonë, pas informacioneve të marra nga banorët e zonës që kishin dëgjuar të shtëna armësh, policia dhe forcat RENEA rrethuan një magazinë në periferi të Përrenjasit. Brenda saj u gjetën dhe u arrestuan Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri. Operacioni u zhvillua nën masa të larta sigurie, pasi ekzistonte dyshimi se të arratisurit ishin ende të armatosur dhe mund të kundërshtonin me forcë arrestimin. Kjo arratisje mbeti një nga episodet më të forta që ekspozoi dobësitë e sistemit të sigurisë në burgjet shqiptare, por edhe nivelin e organizimit dhe lidhjeve që grupet kriminale arrinin të ruanin edhe nga brenda qelive.

Për shumë kohë nuk pati më ngjarje të tilla, apo dhe të ngjashme. Masat u forcuan dhe informacioni parandalues ishte i vazhdueshëm.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Tentativa arratisjesh kemi dy raste në Fier. Dy persona shumë të rrezikshëm, njëri prej të cilëve kishte të katërtën herë që kishte tentuar të arratisej dhe kishte arritur që të priste edhe kangjellat e dritares. Kemi një person tjetër shumë të rrezikshëm, i cili falë vigjilencës së punonjësve të atij burgu, u bë e mundur kapja e sendeve, kishte përgatitur të gjitha sendet për arratisje. Por të gjithë ata, të cilët janë të evidentuar me tendencë arratisjeje, sepse atë kanë qëllim ata, të gjithë ata mbahen nën mbikëqyrje me forca të shtuara, me teknika, me gjitha mënyrat e mbikëqyrjes.

Më 13 janar 2026, një emër i njohur për drejtësinë shqiptare zhduket nga duart e shtetit. Jo nga burgu, jo nga një operacion special, por nga një spital publik në Durrës, nën shoqërimin e policisë së burgjeve.

Altin Ndoci, 38 vjeç, një person i konsideruar me rrezikshmëri të lartë, i akuzuar si vrasës me pagesë, arratiset në mes të ditës, pa pranga, pa pengesa dhe me dyer të hapura.

Në pamjet e kamerave të sigurisë, Altin Ndoci shfaqet duke mbërritur në Spitalin Infektiv të Durrësit me ambulancë. Me të janë 5 punonjës të Policisë së Burgjeve, por vetëm 2 e shoqërojnë brenda. Pa pranga, pa asnjë masë shtesë sigurie.

Në katin e tretë, teksa pret vizitën mjekësore për një problem renal, ai u kërkon dy efektivëve ta shoqërojnë në tualet. Në atë moment, godet njërin prej tyre me grusht. Vrapon drejt shkallëve, zbret me shpejtësi dhe del nga dera kryesore e spitalit.

Vetëm 50 metra më tej, jashtë parkimit, e pret një Audi A7. Një prej policëve qëllon një herë për ta neutralizuar. Por është vonë. Altin Ndoci zhduket.

Arratisja është ngjarja më e rëndë. E para ngjarje më e rëndë. A do ketë problematika në burgje? Do ketë. Pse, çfarë ndodh me arratisjen? Arratisja sjell rrezik për qytetarët jashtë. Dua të them që ne kemi pasur vetëm një rast të arratisjes, ky rast bëhet fjalë që iku nga spitali dhe jo nga burgu. Këta njerëz ndiqen, monitorohen, me të gjitha mjetet, me të gjitha teknikat, me personel të shtuar. Dhe shoqërohen përsëri me masa shtesë dhe personel të shtuar kur dërgohen në gjykatë.

LUFTA E FSHEHTË

Sot, burgjet shqiptare përballen me një mbipopullim të dukshëm: 1927 persona vuajnë dënimin, ndërsa 2388 të tjerë mbahen në paraburgim, në pritje të një vendimi përfundimtar të drejtësisë. Në këtë realitet, Kolegjet e Bashkuara të Gjykatës së Lartë kanë rishikuar vendimin unifikues të vitit 2011 për masën e sigurisë “arrest në burg”, duke synuar kufizimin e përdorimit të saj vetëm si masë përjashtimore. Vendimi i ri kërkon që gjykatat të shqyrtojnë realisht masat alternative më të lehta dhe të argumentojnë në mënyrë konkrete pse ato nuk mjaftojnë për secilin rast.

Një tjetër ndryshim i rëndësishëm lidhet me mënyrën si vlerësohet rrezikshmëria. Deri më tani, ajo lidhej kryesisht me veprën penale dhe dënimin e parashikuar. Tashmë, gjykata duhet të analizojë individualisht personin, sjelljen, rrethanat dhe rrezikun konkret që ai paraqet. Po ashtu, barra e provës për nevojën e arrestit me burg nuk i mbetet më të akuzuarit, por prokurorisë, e cila duhet të justifikojë pse kërkohet masa më e rëndë e kufizimit të lirisë.

Ky interpretim i ri, që ka fuqinë e një ligji për sistemin gjyqësor, pritet të ndikojë drejtpërdrejt edhe në uljen e mbipopullimit në burgje, pasi u hap rrugën rishikimeve të masave të sigurisë për mijëra persona që ndodhen aktualisht në paraburgim.

Mbipopullimi në burgje nuk sjell vetëm probleme infrastrukture, por po kthehet edhe në një sfidë serioze sigurie për sistemin penitenciar. Numri i lartë i personave në paraburgim, shumë prej të cilëve presin për vite një vendim gjykate, po vështirëson menaxhimin dhe klasifikimin e tyre sipas nivelit të riskut.

Drejtori i Policisë së Burgjeve thotë se kjo situatë krijon vështirësi të vazhdueshme, sidomos për institucionet e paraburgimit në Tiranë, ku përqendrohet pjesa më e madhe e të arrestuarve dhe proceseve gjyqësore.

Këtë dua ta lidh me problemin e sigurisë, situatën e paraburgimit. Kjo na sjell shqetësime faktikisht. Një pjesë e atyre që ne i kemi në paraburgim, por që na rrinë me kohë të gjatë, ka vështirësi më menaxhimin e këtyre personave. Një pjesë janë të botës së krimit që akuzohen për shumë vepra penale të rënda dhe kjo na krijon problem. Pastaj problem tjetër është, që burgjet që kemi vetëm me paraburgim, sidomos Tiranën, sepse shumica këtu janë të përqendruar, edhe sipas juridiksionit gjyqësor i ka Tirana, detyrohemi, duke pasur vetëm dy burgje, që t’i shpërndajmë nëpër burgjet e tjera. Kjo sjell shumë vështirësi, sepse ata kanë procese hetimore, procese gjyqësore, që t’i sjellim nga burgjet e largëta në juridiksionin ku zhvillohet gjyqi i tyre. Rrezik real edhe për arratisje, rrezik real edhe për të burgosurit, sepse mund të ketë grupe që mund të hakmerren për ta, rrezik real edhe për stafin e shoqërimit. Realisht këta sjellin probleme. Unë e lidha me sigurinë, por këtu futet edhe mbipopullimi. Ne kemi vetëm dy burgje në Tiranë, që edhe 4 burgje, me atë kapacitet që kemi ne në Tiranë, do të ishin të pamjaftueshme për të përballuar paraburgimin.

Rritja e numrit të personave të arrestuar nga SPAK dhe profilet gjithnjë e më të rrezikshme të të paraburgosurve kanë shtuar presionin mbi sistemin penitenciar. Sipas Policisë së Burgjeve, një pjesë e këtij kontigjenti përbëhet nga persona të akuzuar për krime të rënda, me lidhje të forta kriminale, fuqi ekonomike dhe ndikim jashtë qelive, çka krijon sfida të vazhdueshme për sigurinë dhe administrimin e tyre brenda institucioneve.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Punonjësit e Policisë janë të trajnuar se si t’i menaxhojnë këta të burgosur me risk të lartë. Dhe ndarjen që bëjmë të paraburgosurve, e bëjmë sipas riskut. Pra mund të kemi risk të lartë, mund të kemi risk standard. Këta njerëz, për të cilët bëni pyetjen, futen te njerëzit me risk të lartë. Dhe mënyra e menaxhimit ndryshon në lidhje me ata që janë me risk standard. Unë nuk e mohoj që këta mundohen të intimidojnë. Por mbi ligjin nuk ka asnjë. Nuk mund të jetë njeriu që bën ligjin përpara punonjësit të policisë apo mbi institucionet.

Kontrollet e zhvilluara së fundmi në burgjet më problematike të vendit, përfshirë edhe burgun e grave, kanë zbuluar një numër të konsiderueshëm sendesh të ndaluara, si telefona celularë, mjete prerëse të improvizuara, pije alkoolike dhe lëndë narkotike. Një tjetër sfidë mbetet mënyra e sofistikuar e fshehjes së tyre nga të burgosurit.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Një mënyrë e futjes së sendeve të ndaluara është nëpërmjet vizitorëve. Një mënyrë tjetër është nëpërmjet sendeve, që furnizohet institucioni, ose sendeve të lejuara që futen për të burgosurit. Një mënyrë tjetër është ndoshta edhe kompromentimi i ndonjë pjesëtari të stafit dhe kemi pasur raste, siç është rasti i Fushë – Krujës, që janë arrestuar pjesëtarë të stafit. Por një mënyrë tjetër është mënyra e sofistikuar që ata i fshehin. Rasti i fundit i kapjes së lëndës narkotike në një burg, ishte se ai e kishte fshehur në zgavrën e gojës. Dhe vetëm vigjilenca e punonjësit të Policisë bëri që ta nuhasë se ky diçka po fsheh. Në çdo rast ne kemi bashkëpunuar me Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm. Vihet në dijeni menjëherë, qoftë nga kontrollet që kemi ushtruar, që kemi kapur sende të ndaluara, qoftë nga ato kapim ne nga Drejtoria e Policisë me forcat tona, qoftë ato që kapin vetë burgjet. Ajo që dua të them është që, informacione mund të kesh, por është mënyra se si reagon sistemi, se si reagojnë forcat. Reagim i menjëhershëm.

Në një sistem ku shumica dërrmuese e të burgosurve, sipas autoriteteve, synojnë thjesht të kryejnë dënimin dhe të kthehen në jetën e tyre, sfida reale mbetet një pakicë e vogël, por e rrezikshme, e individëve me histori të përsëritura kriminale dhe sjellje të vazhdueshme problematike.

Në këtë realitet kompleks, ku paraburgimi, siguria dhe mbipopullimi ndërthuren me njëri-tjetrin, Policia e Burgjeve e përshkruan punën e saj si një cikël të pandërprerë: parandalim, evidentim dhe reagim. Por edhe vetë ata pranojnë se të jesh gjithmonë një hap përpara rrezikut, nuk është një garanci që mund të arrihet lehtë.

Paulin Rrajta, drejtor i Policisë së Burgjeve

Do ishte shumë mirë që të ishim një hap para gjithmonë, por s’mundet që të jemi një hap para. Një herë duhet të themi që shumica prej të burgosurve, ose po marr një përqindje të caktuar, 95 për qind e tyre, duan që të kryejnë dënimin dhe të ikin në shtëpitë e tyre. Ky 5 për qindësh që mbetet, ose kanë kryer vepra penale shumë të rënda, por shumica prej tyre janë përsëritës. Dhe si të tillë, gjithë kohën atë mendojnë ata. Brenda janë në regjim dhe gjithë kohën mendojnë këtë që po thoni ju. Puna e parë e jona është parandalimi. Pastaj është evidentimi dhe më pas është reagimi.

Dhe pikërisht këtu mbyllet edhe dilema e madhe e sistemit. Mes kontrollit dhe rrezikut, mes sigurisë dhe të drejtave, një betejë e përditshme që zhvillohet brenda mureve të burgjeve shqiptare.

Gjithçka i ngjan një lufte pa fund. Edhe vetë drejtuesit e burgjeve janë të vetëdijshëm. Disa njerëz nuk ndalen. Sistemi vetëm i kufizon, por disa prej tyre, edhe pse një përqindje e vogël, nuk i ndryshon.

Pra, burgu për disa nuk është fundi i historisë. /Gjërat Tona/

Share it :