Shqipëria ka nevojë për protestë, jo për heshtje’/ Malkaj: Artistët trajtohen si argëtim, jo si vlerë kombëtare

Shqipëria ka nevojë për protestë, jo për heshtje’/ Malkaj: Artistët trajtohen si argëtim, jo si vlerë kombëtare

Aktori i njohur shqiptar Mehdi Malkaj ka bërë disa deklarata gjatë një interviste në emisionin “Kafe Shqeto” në Syri TV, ku kritikoi mënyrën se si trajtohen artistët dhe intelektualët në Shqipëri, si edhe klimën politike e shoqërore në vend.

Malkaj kritikoi ashpër, luksin dhe shpërdorimin e pushtetit për spektakle e fasadë, ndërsa qytetarët dhe artistët mbeten të nënvlerësuar dhe nën presion. Ai ngriti shqetësimin se liria e fjalës është vetëm formale, pasi kritika ndaj qeverisë, sjell pasoja dhe frikësim

Aktori denoncoi edhe heshtjen e intelektualëve dhe indiferencën shoqërore, duke theksuar se qeverisja ka kultivuar apati dhe bindjen “ç’më duhet mua”, ndërsa zërat kundërshtues lihen të izoluar. Për Malkajn, protesta dhe qëndresa qytetare mbeten e vetmja përgjigje ndaj një pushteti që, shtyp kundërshtinë dhe shpërfill interesin publik.

Malkaj:

E vërteta është kjo që neve artistëve na konsiderojnë si mjet argëtimi, jo si vlerë kombëtare. Jo Mehdiun, artistët flas në përgjithësi, të gjithë. Hajde se kemi aheng. Hajde se ka ardhur… E po e ç’u bë në shesh para disa ditësh? Sa mund të jenë harxhuar atje 200.000, 200 milionë dollarë janë harxhuar atje për gjithë atë luks që donte, udhëheqësi jonë i ndritur dhe i dashur i popullit shqiptar, jo vetëm për gjatësinë e tij, por dhe për gjatësinë e mendjes së tij, ore nuk e ke idenë se sa shumë e duam. E po, mund ta kem gabim këtë.

Se të gjithë intelektualët që thua zotërote, atë duan. Se u vjen turp që të shoqërohen me njerëzit që nuk janë, nuk janë të tillë. Jo. Se prishin biografinë. Se ky… Shiko i dashur, ky kryeministri, se aty fillojnë dhe mbarojnë gjërat. Ky kryeministri i dashur dhe i shtrenjtë i joni, ky thotë ti je i lirë të flasësh çfarë të duash edhe si të duash. Dhe ti flet. Të nesërmen i ke të pushuar nga puna të gjithë farefisin edhe ndonjë shok. Si jam i lirë unë? Si qenkam i lirë? Përse më trajton mua si? Kur them mua, nuk kam parasysh veten. Kam parasysh të gjithë artistët. Por, artistët vetë, që mezi pritën, mezi kishin pritur që të ikte Berti, ikën dhe ikën dhe u justifikuan me atë që po, hajde se tani iku Berti. Po mirë o, Berti iku për vete. Ti pse s’ndejte? Dhe ne që ndenjtëm, e na bënin presion, po ike, ik se na le nam. Ik ore se na le nam. Jo, ne qëndruam dhe ne jemi akoma qëndrestarë. E kupton?

Se u munduam që të të krijojmë një model midis të tjerave që njeriu duhet të protestojë.

Jo, duke mos i bërë bashkë, po, qëndrestarët janë të dënuar.

Publiku ka gjetur një fjalë dhe atë përdor. Po hajde, po ç’më duhet mua? Është kjo, është dominante në këtë vend që quhet Shqipëri. Po ç’më duhet mua? Ç’më duhet mua? Po pse? Po kujt i duhet kur ty s’të duhet, mua s’më duhet, atij s’i duhet. Kujt i duhet? Dhe me këtë, ai ka vënë në popull, ka vënë në gjumë një popull të tërë. Ç’më duhet mua? Është e tmerrshme.

Shiko, flitet shumë për intelektualët. Unë nuk e quaj veten intelektual, megjithëse kam lexuar shumë, lexoj, e kupton, dhe mundohem që të jem në korrent me ngjarjet që i ndodhin në vendin tim. Po ku janë këta intelektualët? Cili intelektual është ngritur me një grup njerëzish dhe ka thënë, o njerëz kam nevojë për ndihmën tuaj. Do bëjmë këtë, këtë, këtë, këtë, këtë. Ku, ku janë këta? Ke dëgjuar gjë ti që të ngrihen intelektualët?

Jo. Unë kam thënë një gjë, intelektualët, dhe atëherë kur ishim në protestë në oborr të teatrit, vinin, zgjasnin kokën, bënin një foto apo një filmim, e dërgonin diku, se ku e dërgonin e dinë ata, edhe iknin. Kjo kishte të bënte me paratë. E bënë punën e vetë. E nxirrte kokën atje edhe. Por ata djemtë e nënave dhe vajzat, edhe gratë që ishin aty në oborr të teatrit, e gdhin aty. Nuk erdhi një intelektual i shquar të thoshte, ore njerëz, do bashkohem edhe unë me juve. Jo, përkundrazi, hajde ikim, mos bëni budallallëqe, ikni, çfarë bëni, e kupton? E kupton që, më tha njëri, e kupton që ai e ka ndarë mendjen? E kuptoj, i thashë, po ti pse nuk e ndan mendjen? Ti pse nuk ke ndarë mendjen të… Se po e ndave mendjen ti, ikën mendja atij, nuk ndahet më, do ta marri bashkë të gjithë me vete. Është kështu. Dhe këtë e marrin kështu, të mbaruar. Por neve për fatin tonë të mirë, shyqyr Zotit që na e mbajti këtë Partinë Komuniste në këmbë, dhe jemi të fortë, si te xha Brahoja, se të fortë e kemi partinë.

Share it :