Krerët e UÇK-së shpallen fajtorë/ Thaçi dhe Krasniqi dënohen me nga 25 vjet burg, Veseli 18, Selimi 13
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë shpallur fajtorë 4 krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe i kanë dënuar në total me 81 vite burgim.
Trupi gjykues konstatoi se Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë penalisht përgjegjës për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, trajtimit mizor, torturës dhe vrasjes së paligjshme.
Konkretisht, Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar secili me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
Pas shpalljes së aktgjykimit dhe dënimeve ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, seanca në Dhomat e Specializuara në Hagë është mbyllur.
Aktgjykimi i shpallur sot është i shkallës së parë dhe palët kanë të drejtë ta apelojnë atë.
Hashim Thaçi dënohet me 25 vite burg
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, është shpallur fajtor dhe është dënuar me 25 vite burgim nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, e njohur ndryshe si Gjykata Speciale.
“Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, penalisht përgjegjës për krime lufte”, thotë trupi gjykues.
Trupi gjykues ka shqiptuar dënime të veçanta për veprat për të cilat Hashim Thaçi është shpallur fajtor:
-Pika 3 – Arrestim dhe ndalim arbitrar: për 385 persona, 15 vjet burgim.
-Pika 5 – Trajtim mizor: i kryer ndaj së paku 49 personave, 4 vjet burgim.
-Pika 7 – Torturë: e kryer ndaj së paku 303 personave, 20 vjet burgim dhe
-Pika 9 – Vrasje e paligjshme: e kryer ndaj së paku 96 personave, 23 vjet burgim.
Megjithatë, trupi gjykues ka shqiptuar një dënim të njësuar prej 25 vjetësh burgim, në të cilin do të llogaritet edhe koha që Thaçi ka kaluar në paraburgim.
Në këtë proces, Thaçi përballej me akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, përfshirë: përndjekje, burgosje, veprime ç’njerëzore, torturë, vrasje të paligjshme dhe zhdukje me forcë.
Jakup Krasniqi dënohet me 25 vite burg
Gjykata në Hagë shpalli fajtor Jakup Krasniqin për disa nga akuzat për krime lufte, ndërsa e shpalli të pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Ai u dënua me 25 vjet burg. Gjatë shpalljes së vendimit, trupi gjykues deklaroi se Krasniqi është fajtor për arrestim dhe ndalim të paligjshëm të 385 personave, trajtim mizor si krim lufte ndaj 49 personave, torturë si krim lufte ndaj 49 personave dhe vrasje të paligjshme të 96 personave.
Në vijim, kryesuesi i trupit gjykues i tha Krasniqit se shpallet i pafajshëm për akuzat për krime kundër njerëzimit.
Kadri Veseli dënohet me 18 vite burg
Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë kanë dënuar me 18 vite burgim ish-kryekuvendarin, Kadri Veselin, ish-kryetarin e Kuvendit të Kosovës dhe ish-anëtarin e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues ka paraqitur edhe vlerësimet e tij lidhur me pozitën dhe rolin e Veselit.
Sipas konstatimeve të trupit gjykues, Veseli kishte keqpërdorur pushtetin dhe pozitën që kishte, duke e përdorur atë, sipas gjykatës, për qëllime kriminale.
Në përcaktimin e dënimit, trupi gjykues ka marrë parasysh edhe rrethanat personale të Veselit dhe sjelljen e tij gjatë procesit gjyqësor.
Sipas gjykatës, Veseli ka treguar sjellje të mirë gjatë gjithë procesit, me përjashtim të një rasti të veçantë. Gjykata ka marrë parasysh gjithashtu faktin se ai iu dorëzua vullnetarisht Dhomave të Specializuara.
“NË EMËR TË POPULLIT TË KOSOVËS PASI KA SHQYRTUAR TË GJITHA PROVAT, NË BAZË TË NENEVE 44 DHE 45 TË LIGJIT…JU SHPALL FAJTOR PËR PIKËN 3, ARRESTIM DHE NDALIM TË PALIGJSHËM OSE ARBITRAR KRYER SË PAKU KUNDËR SË PAKU 385 PERSONAVA, TRAJTIM NJERËZOR SI KRIM LUFTE DHE KRYER SË PAKU KUNDËR 49 PERSONAVE. PIKËN 7 TORTURË SI KRIM LUFTE KRYER KUNDËR SË PAKU 303 PERSONAVE DHE PIKËN 9 VRASJE TË PALIGJSHME SI KRIM LUFTE KRYER KUNDËR SË PAKU 96 PERSONAVE. JU DËNOJ ME NJË DËNIM TË NJEHSUAR ME 18 VITE BURGIM ME TË CILËT DO TË LLOGARITET KOHA E KALUAR NË PARABURGIM”, KA THËNË GJYQTARI SMITH.
REXHEP SELIMI DËNOHET ME 13 VITE BURG
REXHEP SELIMI ËSHTË DËNUAR ME 13 VITE BURG NGA GJYKATA SPECIALE NË HAGË. SELIMI ËSHTË SHPALLUR PËRGJEGJËS PËR AKUZAT E NGRITURA NDAJ TIJ NË KËTË PROCES.
GJATË LEXIMIT TË VENDIMIT, GJYKATA PËRCAKTOI DËNIMET PËR VEPRAT PËR TË CILAT U SHPALL PËRGJEGJËS: “6 VITE BURGIM PËR NDALIMIN E PALIGJSHËM, 2 VITE BURGIM PËR TRAJTIM MIZOR, 8 VITE BURGIM PËR TORTURË, 11 VITE BURGIM PËR VRASJE TË PALIGJSHME”.
“TRUPI GJYKUES JU SHPALL FAJTOR PËR ARRESTIM DHE NDALIM TË PALIGJSHËM SI KRIM LUFTE, KRYER KUNDËR 385 PERSONAVE. TRAJTIM MIZOR SI KRIM LUFTE KRYER KUNDËR SË PAKU 49 PERSONAVE.
TORTURË SI KRIM LUFTE DHE VRASJE E PALIGJSHME. TRUPI GJYKUES JU SHPALL TË PAFAJSHËM PËR NJË NUMËR INCIDENTESH TË PAVËRTETUARA DHE PËR KRIME KUNDËR NJERËZIMIT.
DËNIMI JEPET NGA NJË DËNIM MË VETE PËR SECILËN VEPËR DHE NË FUND DO T’JU SHQIPTOHET DËNIMI I NJËSUAR NË TËRËSI. DËNIM ME 6 VITE PËR KRIM LUFTE TË ARRESTIMIT TË PALIGJSHËM.
2 VITE BURG PËR TRAJTIM MIZOR, 8 VITE BURG PËR TORTURË DHE 11 VITE BURG PËR VRASJE TË PALIGJSHME. I NJËSUAR DËNIMI ËSHTË 13 VITE, DUKE LLOGARITUR KOHËN E PARABURGIMIT”, THA GJYQTARI




