Ervin Kaduku
– Nga dita e djeshme qytetarët e Kosovës do të paguajnë një normë vetëm 8 për qind për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, por edhe deri tani kanë paguar më pak se ne: 16%. Ku shkuan premtimet qeveritare?
Në kulmin e krizës globale, qeveria e Prishtinës ndërmerr një hap jashtëzakonisht pozitiv, në të mirë të qytetarëve të Republikës më të re evropiane. Nga ky muaj që sapo nisi, të gjithë qytetarët e Kosovës do të paguajnë më pak Tatim mbi Vlerën e Shtuar. Nga 16%, që ka qenë deri dy ditë më parë, TVSH-ja do të bëhet 8%, sikurse ka deklaruar dje në media ministri i Financave, Avdullah Hoti. “Në faturën e muajit korrik qytetarët do të marrin faturën e energjisë, të ujit, të plehrave, të ngrohjes gjatë dimrit me një taksim përgjysmë më pak sesa kanë paguar më parë. Po kështu do të ndodhë për mallrat bazë, si buka, uji, por edhe mallra të tjera”, – ka thënë ai.
Reduktimi i normës së TVSH-së, nga 16% në 8%, do të përfshijë produktet bazë që përbëjnë shportën e konsumatorit. Këto janë buka, vaji, kripa, qumështi, orizi, vezët, pastaj është pjesa e librave dhe gazetave që trajtohen në një kategori të veçantë.
Në kuadër të 8%-shit janë barnat, produktet farmaceutike, aparatet, pajisjet mjekësore.
Në listën e normës së ulur të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar do të hyjnë edhe shërbimet publike, si uji, energjia elektrike, ngrohja dhe mbledhja e mbeturinave.
Përveç kësaj, ligji parasheh edhe një listë rezervë, që ministri ka të drejtë më vonë, varësisht nga zhvillimet ekonomike, ta zgjerojë apo edhe ta ngushtojë.
Premtimi
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet parlamentare, Partia Socialiste tashmë prej dy vjetësh në pushtet, premtoi nivele të ndryshuara të TVSH-së, duke kaluar edhe këto që sapo ka implementuar Kosova. Vetë ministri aktual i Financave Shkëlqim Cani, duke folur për programet financiare të qeverisë që do të krijohej në rast se e Majta do të fitonte në këto zgjedhje, premtoi që, psh në rastin e energjisë elektrike mund të kalohej në një nivel të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar në masën vetëm 6 për qind. Një premtim tejet i bujshëm, që mund të thuhet me plot gojën që ushtroi ndikimin e vet të fuqishëm në ndryshimin e kahut të votës për mijëra e mijëra qytetarë të këtij vendi. Ideja u zgjerua për të krijuar idenë se, me të marrë pushtetin, qeveria Rama do të mundësonte një TVSH të përshkallëzuar, duke lehtësuar taksat për qytetarët mbi produktet bazë të ushqimeve dhe shërbimeve, që krijojnë edhe peshën më të rëndë mbi buxhetet e familjeve shqiptare në mbarë territorin e vendit. Por, me përjashtim të ndryshimit të nivelit të Tatimit mbi ilaçet, këto premtime mbetën në letër. Qeveria befas “kaloi ylberin”, duke u bërë tepër e djathtë në zbatimin e programit të vet, duke rrëshqitur në një ekstremizëm të djathtë, duke braktisur faktikisht premtimet për ulje të nivelit të taksimit në atë, që konsiderohet nga ekspertët si taksa më e pastër dhe një nga treguesit kryesorë të ecurisë së ekonomisë dhe shtyllë të të ardhurave buxhetore të shtetit shqiptar: TVSH.
Por, pse Kosova e ka këtë mundësi dhe ne jo? A është fjala këtu për një harresë të rastit nga qeveritarët, për një lajthitje kur bërë programin fiskal të qeverisë së re, apo për një mashtrim të qëllimshëm të banorëve të këtij vendi, sa për të marrë votat e duhura për të ardhur në pushtet? Veprimet e mëtejshëm, të paktën deri tani, të lenë të kuptosh se asnjëherë qeveria nuk e ka marrë seriozisht uljen e premtuar të nivelit të TVSH-së, dhe se kjo ka qenë një “shashkë” elektorale, për të gënjyer shqiptarët.
Ndërkombëtarët
Programi ekonomik i mazhorancës aktuale, hartuar që kur ajo ishte në opozitë, u përgatit edhe me kontributin ideor të ekspertëve te huaj, ndër të cilët edhe ata të Fondit Monetar Ndërkombëtar. Ata që në fillim e dinin pamundësinë e realizimit të uljes apo shkallëzimit të TVSH-së, por lejuan që opozita e atëhershme ta hidhte në publik këtë tezë, për ta kundërshtuar pastaj, pas ardhjes në pushtet. Dhe FMN po bën presione për të shtuar gamën e mallrave dhe shërbimeve që të taksohen me TVSH. Kjo, pasi, sipas një analize të Bankës Botërore për mbledhjen e të ardhurave, rezulton se vetëm 53 për qind e konsumit tatohet me TVSH, pjesa tjetër prej 47 për qind nuk tatohet. Për shkak të këtij realiteti, ka shumë vend për miradministrim fiskal, çka nënkupton luftë ndaj evazionit në grumbullimin e TVSH-së. Urdhri tjetër që jep BB ka të bëjë me vënien e TVSH-së në shitjen e banesave të reja.
Çfarë është TVSH?
Ligji nr. 92/2014 e përcakton tatimin mbi vlerën e shtuar si një tatim i përgjithshëm mbi konsumin e mallrave dhe shërbimeve, proporcional me çmimin e tyre, e që i ngarkohet në çdo fazë të prodhimit dhe procesit të shpërndarjes çmimit pa tatimin. TVSH-ja zbatohet si një tatim në përqindje mbi çmimin e mallrave dhe shërbimeve.
Tatimit mbi Vlerën e Shtuar i nënshtrohen: a) të gjitha furnizimet e mallrave dhe shërbimeve, të kryera kundrejt pagesës, brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, nga një person i tatueshëm që vepron si i tillë; b) të gjitha importet e mallrave në territorin e Republikës së Shqipërisë.
Shkalla standarde e TVSH-së tek ne është 20%. Megjithatë ligji parashikon si përjashtime, ashtu edhe shkallë zero për TVSH-në, për produkte dhe shërbime të caktuara. Ky ligj nuk parashikon norma të reduktuara të shkallës së TVSH-së.
E dyta më e lartë në rajon
Tatimi mbi Vlerën e Shtuar (TVSH) është taksa që sjell aktualisht më shumë të ardhura në buxhetin e shtetit. Në vitin 2014 të ardhurat nga TVSH ishin 123.8 miliardë lekë, me një zgjerim prej 10%. TVSH ka sjellë në buxhet 37% të totalit të të ardhurave tatimore. Por si është kjo taksë e krahasuar me vendet e tjera? Sipas një hulumtimi të bërë nga Open Data Albania, ne vijmë të dytët në rajon në shkallën e aplikimit të kësaj takse. Kështu nëse do të krahasonim vendin tonë me vendet e tjera të rajonit, për sa i përket shkallës së TVSH-së, shohim që është vetëm Kroacia e cila ka shkallën më të lartë të saj prej 25%. Pas Kroacisë vjen vendi ynë, Bullgaria dhe Serbia që aplikojnë të njëjtën shkallë të TVSH-së, prej 20%.
Kosova është vendi i cili deri tani ofronte shkallën më të ulët të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar, me vetëm 16%, por edhe këtë po e ul.
Vendi ynë aplikon një normë TVSH-je të njëjtë me vende të Bashkimit Europian si Austria, Britania e Madhe, Franca, Sllovakia dhe Bullgaria, por më të lartë se Gjermania. Luksemburgu është nga vendet e BE i cili aplikon normën më të ulët të TVSH-së, prej vetëm 17%, normë e cila deri në vitin 2014 ishte 15%. Pas tij vjen Malta me 18%, Qipro dhe Gjermania me 19%. Të gjitha vendet e tjera aplikojnë një shkallë TVSH-je mbi 20%, ku shkallën më të lartë të TVSH-së prej 27% e aplikon Hungaria.
Mbyllen llogaritë e komunave që suprimohen
Ndarja e re territoriale tashmë ka mbyllur përfundimisht edhe llogaritë financiare me njësitë e qeverisjes vendore. Ministri i Financave, Shkëlqim Cani, ka urdhëruar nisjen e procedurave të mbylljes së llogarive të njësive të qeverisjes vendore që do të shkrihen, mbështetur në ligjet “Për menaxhimin e sistemit buxhetor në Republikën e Shqipërisë” dhe “Për buxhetin e vitit 2015”, ndërsa fondet e papërdorura do t’i kalojnë njësisë së re vendore. Sipas këtij urdhri, transferta e pakushtëzuar (tremujori III (10%) dhe tremujori i IV (10%)) për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen në kuadrin e reformës territoriale, çelet në Sistemin Informatik Financiar të Qeverisë, më 1 korrik. Ministria e Financave sqaron se njësitë e qeverisjes vendore, që do të shkrihen duhet të paguajnë deri në datën 7 korrik shpenzimet, dokumentacioni i të cilave përmban datën deri më 30 qershor si dhe duhet të likuidojnë shpenzimet për paga dhe të tjerat si sigurimet shoqërore, etj, të muajit qershor. Në urdhrin e Ministrit të Financave theksohet se të ardhurat e njësive vendore të shkrira të papërdorura deri në datën 7 korrik, do t’i trashëgohen njësisë së re vendore, ndërsa të ardhurat tatimore vendore, për të cilat vepron si agjent administrata tatimore qendrore dhe institucione të tjera qendrore, që shërbejnë si agjent tatimor, do të rakordohen dhe alokohen deri më datë 7 korrik. Sipas këtij urdhri, deri më datën 20 korrik, degët e thesarit duhet të dërgojnë në Drejtorinë e Përgjithshme të Buxhetit në ministrinë e Financave në mënyrë elektronike dhe në rrugë shkresore, gjendjen dhe tepricën e buxhetit nga transferta e pakushtëzuar, të ardhurat e veta dhe të tjera për njësitë e qeverisjes vendore që do të shkrihen, bashkë me detyrimet e prapambetura.
Ndërsa të gjitha njësitë e reja të qeverisjes vendore, brenda 5 ditëve nga konstituimi i tyre, duhet të paraqesin në Ministrinë e Financave shkresën për konfirmimin e nëpunësve Autorizues dhe atyre Zbatues, sipas kërkesave ligjore në fuqi dhe në çdo rast specifik, pas datës 10 korrik, do të trajtohet rast pas rasti nga Ministria e Financave. Me reformën e administrimit të qeverisjes vendore, janë përfituar rreth 6 miliardë lekë të kursyera, të cilat do t’i kthehen publikut, pushtetit lokal në investime dhe në shërbime ndaj tij. Shpenzimet e administratës mendohet të ulen në rreth 40%, ku do të ketë ulje drastike vetëm nga këshilltarët, si numër, nga 6.500 që ishin gjithsej, në 1.595 këshilltarë.
Ministria e Financave konfirmon se është i garantuar buxheti për pjesën e mbetur të vitit 2015 si dhe një tjetër pjesë të buxhetit, rreth 20 milionë USD.
Emigrantët sjellin kursimet në Shqipëri
Ndërsa Greqia është në kufijtë e ekzistencës apo jo në euro, për Shqipërinë ka zhvillime pozitive. Statistikat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se depozitat në sistemin bankar janë rritur ne maj, për të tretin muaj radhazi. Stoku i depozitave në sistem arriti në 976 miliardë lekë, me një rritje prej 334 milionë lekë ose 0.04% me bazë mujori. Rritja ka filluar që nga shkurti, kohë që përkon dhe me intensifikimin e tërheqjes së depozitave në Greqi, si rrjedhojë e pasigurisë së marrëdhënieve mes qeverisë së re radikale të majtë, që erdhi në pushtet në shkurt dhe kreditorëve evropianë lidhur me paketën shpëtuese. Kjo rritje e depozitave tek ne, nënkupton një zhvendosje të kursimeve nga Greqia në Shqipëri. Depozitat në valutë të individëve janë rritur me ritme më të larta se totali i depozitave, duke u shtuar 3.2% apo 460 milionë lekë ose 3.2 milionë euro.
Sa herë ka pasur pasiguri në vendin fqinjë, Shqipëria ka përfituar nga një fluks i shtuar depozitash në valutë. Në qershor 2012, kur depozitat në valutë në sistemin bankar shqiptar shënuan një rritje të fortë mujore, jo sezonale, me rreth 6.5 miliardë lekë, sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, më e larta e viteve të fundit.
Paraja “fluturon” jashtë bankave gjatë muajit zgjedhor
Paraja jashtë bankave ka shënuar një rritje të fortë në muajin maj, një tendencë kjo që është vërejtur pothuajse gjithmonë në dy muajt përpara zgjedhjeve. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, në maj 2015 paraja jashtë bankave arriti në 222.6 miliardë lekë, me një rritje prej 2.4% apo rreth 38 milionë euro në raport me muajin paraardhës, duke shënuar zgjerimin më të madh të këtij treguesi gjatë këtij viti.
Të dhënat e qershorit publikohen pas një muaji, por në bazë të sjelljes së mëparshme vlerësohet që tendenca rritëse e parasë që qarkullojnë jashtë kanaleve bankare të ketë vazhduar.
Fillimi i ethshëm i fushatës, shpenzimet e shumta për materiale promocionale, karburante, organizime aktivitetesh etj. kanë shtuar paratë në qarkullim.
Kjo është një sjellje që konstatohet rëndom sa herë ka zgjedhje, sidomos ishte mjaft e fortë në zgjedhjet parlamentare të 2013-ës. Në atë kohë, për periudhën mars-qershor 2013 u larguan nga bankat 110 milionë euro. Zgjedhjet, kosto e të cilave është shumë e vështirë për t’u vlerësuar, për shkak të mungesës së transparencës së shpenzimeve nga pjesa më e madhe e partive, duket se kanë ndikuar në rritjen e qarkullimit të parasë në ekonomi. Po sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, paraja gjithsej u rrit me 5.8 miliardë lekë, pas disa muajsh kur ky tregues i rëndësishëm për ecurinë e aktivitetit ekonomik kishte shënuan një ecuri të dobët.
Ulet sasia e kredisë së keqe, përshpejtohet kreditimi
Kreditë me probleme kanë zbritur në nivelin më të ulët që nga korriku i vitit 2012. Drejtori i Departamentit të Mbikëqyrjes në Bankën e Shqipërisë, Deniz Deralla, tha në një intervistë televizive se në fund të muajit maj shkalla e kredive me probleme ishte 21.8%, në ulje të mëtejshme nga niveli 22.4% i prillit. Banka e Shqipërisë në bashkëpunim me qeverinë dhe institucionet financiare ndërkombëtare, po harton një plan veprimi për një ulje drastike të kredive me probleme. Ndërhyrjet e para do të adresojnë përmirësime në ligjin për falimentin dhe legjislacionin tatimor. Këtë vit kreditë me probleme ndodhen në një tendencë të qëndrueshme në ulje, edhe falë masave të shumta të ndërmarra në vitet e fundit, duke filluar nga ndryshimet ligjore për të lehtësuar ekzekutimin e kolateralit dhe fshirjen e kredive të humbura, deri tek lehtësitë rregullatore të Bankës Qendrore për të nxitur ristrukturimin e hershëm të kredive.
Ndërkohë, kreditimi i ekonomisë u përshpejtua gjatë majit. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, portofoli i kredisë për ekonominë arriti në afro 560 miliardë lekë, rreth 3.3 miliardë lekë më shumë krahasuar me prillin. Ndonëse me ritme të përmbajtura, portofoli i kredisë për ekonominë po ruan rritjen vjetore pozitive prej 10 muajsh. Për majin, stoku i kredisë për ekonominë ishte 2.7% më shumë kundrejt të njëjtës periudhë të vitit 2014. Rritja vjetore e kredisë është përmirësuar lehtë nga niveli prej 2.5% i muajit prill. Gjatë muajit maj, rritja e kredisë ka ardhur kryesisht nga bizneset, segmenti përcaktues në rritjen e kredisë për ekonominë. Huaja për biznesin privat ngelet boshti i kreditimit të ekonomisë, me afro 66% të totalit. Gjatë majit, kredia për bizneset u rrit me 2.7 miliardë lekë, ndërsa kredia për individët me afro 600 milionë lekë. Depozitat vijuan rritjen edhe gjatë majit dhe rreth 500 milionë lekë u shtuan në llogaritë e bizneseve dhe individëve shqiptarë.
Totali i depozitave bankare ka vlerën e 976.2 miliardë lekëve, në rritje vjetore me 2.75%.
Banka Botërore jep paradhënie për reformimin e shërbimeve publike
Banka Ndërkombëtare për Rindërtim e Zhvillim, pjesë e Bankës Botërore, i ka akorduar Shqipërisë një fond paradhënie në vlerë 2 milionë dollarë për projektin e reformimit të shërbimeve publike. Marrëveshja e botuar në Fletoren Zyrtare vjen në kuadër të projektit të qeverisë për reformimin tërësor të shërbimeve që ofrohen nga administrata publike. Projekti i qeverisë shqiptare që ka mbështetjen e Bankës Botërore parashikon fillimisht analizimin e të gjithë shërbimeve publike me kontakt të drejtpërdrejtë me qytetarin dhe krijimin e një mekanizmi për të marrë reagimin e qytetarëve që përfitojnë shërbimet e administratës publike. Referuar marrëveshjes, të ratifikuar edhe nga Kuvendi, qeveria shqiptare dhe Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim kanë nënshkruar marrëveshjen që i hap rrugë ngritjes së 4 qendrave pilot për shërbimet publike në mbarë vendin. Qëllimi është që të testohet modeli i ri i ofrimit të shërbimeve publike, me synim që më pas të shtrihet në të gjitha institucionet e vendit.
Risia e kësaj nisme është se qytetarët do të kenë mundësinë e vlerësimit për çdo shërbim që merr në administratën publike. Shuma që akordohet si paradhënie për qeverinë shqiptare është pjesë e kredisë prej 30 milionë dollarësh që do të merren nga Banka Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim për këtë projekt. Referuar të dhënave zyrtare, janë 1.400 shërbime të listuara të cilat ofrohen në zyrat e shtetit shqiptar.




